Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Ministri i Brendshëm Taulant Balla bën bilancin vjetor të arritjeve të Policisë së Shtetit

 

“Krenarë për imazhin e Shqipërisë, të pastruar njëherë e mirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare”

 

Me një shifër historike për turizmin u mbyll viti 2023, gjatë të cilit 10.155.640 shtetas të huaj vizituan Shqipërinë, që u certifikua ndërkombëtarisht, si një destinacion europian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurueshme dhe siguri mbresëlënëse.

Indeksi Europian mbi Kriminalitetin dhe Sigurinë Publike e vlerëson Shqipërinë, si një vend me indikatorë sigurie më të lartë sesa vendet fqinje, të cilët janë anëtarë të Bashkimit Europian.  

Gjatë vitit 2023, siguria publike ishte një tregues i rëndësishëm në certifikimin e vendit si një destinacion i sigurt turistik, me zero ngjarje kriminale të qëllimshme ndaj jetës së turistëve të huaj, të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar. 

Shifra dhe fakte të sjella nga Ministri i Brendshëm Taulant Balla, përmes një konference për shtyp dëshmojnë se falë profesionalizmit të Policisë së Shtetit, Shqipëria ka arritur në një nivel krejt të ri sa i përket sigurisë.  

Gjatë vitit 2023, Policia e Shtetit ka arritur të zbardhë, identifikojë dhe arrestojë në kohë rekord 7845 shtetas, autorë të akuzuar për krime të ndryshme, si dhe janë goditur 47 grupe kriminale, kryesisht për kultivim, prodhim, shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike, për kryerjen e ngjarjeve kriminale dhe për vjedhje. 

Numri i vrasjeve gjatë vitit 2023 ka shënuar rënie, një e dhënë që tregon për punën e mirë dhe të shpejtë të punonjësve të policisë në parandalimin e ngjarjeve kriminale. 

Nga të dhënat e Policisë së Shtetit – të paraqitura nga Ministri i Brendshëm Balla – rezulton se gjatë vitit 2023, janë regjistruar 35 vrasje, deri më 31 dhjetor 2023, krahasuar me 107 në vitin 2013 dhe 124 në vitin 2012. Policia ka arritur që 28 prej këtyre ngjarjeve t’i zbulojë dhe të vendosë para drejtësisë autorët. Pothuajse 1/3 e këtyre ngjarjeve kriminale, 11 janë krime në familje.

Gjatë vitit 2023 u goditën 28 grupe kriminale me aktivitet në fushën e narkotikëve në të gjithë vendin me 273 shtetas të ndaluar dhe vendosur nën akuzë. Në total janë sekuestruar gjatë vitit 2023: 4 tonë cannabis sativa; 62 kilogramë heroinë, 23 kilogramë kokainë dhe 11 300 tableta ekstazi.

Ndërkohë, lufta kundër fenomenit shqetësues të përdorimit të lëndëve narkotike po garanton çdo ditë shkolla dhe komunitete më të sigurta. 

Paketa e Sigurisë në Shkolla  do të forcohet edhe më tej, duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor apo në perimetrin e sigurisë së tij. 

Ministri i Brendshëm Balla tha mes të tjerash, se rritja e standardit të jetesës dhe përmirësimi i kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie, si dhe të Gardës së Republikës, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja, – do të vijojë të mbetet një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare.

Në fund të muajit dhjetor 2023 nisi zbatimi i programit të kredive të favorshme për shtëpi, me zero interes, për familjet e reja të mjekëve, ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit, – i cili aplikohet për herë të parë këtë vit, e ku tashmë 92 punonjës policie të cilët janë shpallur përfitues po hynë më në fund banesën e tyre. 

Ndërsa gjatë 2024 synohet të jenë të paktën 300 banesa të tjera dhe 500 të tjera një vit më pas, të cilat do t’u jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë së shtetit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.