Minoritetet, ura tradite, kulture dhe miqësie

Kryeministri Edi Rama, dëgjesë publike në Karahaxh, Sarandë:

Shumë faleminderit për praninë tuaj dhe për mundësinë që na jepni për të pasur një diskutim të hapur me ju në kuadrin e fushatës tonë të llogaridhënies publike.

Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që një parti në qeveri të organizojë një fushatë pa pasur zgjedhje dhe jo për të kërkuar vota, por për të komunikuar drejtpërdrejtë me njerëzit në të gjithë territorin e republikës, lidhur me çka kemi bërë, me çka duam të bëjmë dhe me shumëçka që, për shkak të ndërmjetësve shpeshherë të keqpërdorur, me pagesë, në kanalet mediatike, deformohet dhe merr trajta gjysmë të vërtetash që janë, siç thotë një fjalë e mençur, më të rrezikshme sesa vetë gënjeshtrat.

Më vjen shumë mirë, po ashtu, që bilanci ynë i vizitave dhe i takimeve me minoritetin nuk ka të krahasuar me më parë dhe prania jonë e vazhdueshme në komunikimin e drejtpërdrejtë me njerëzit dhe në minoritet është shprehje e vullnetit tonë për të pasur një proces qeverisës që është i lidhur me njerëzit dhe që nuk zhvillohet i shkëputur nga hallet, problemet, shqetësimet, ëndrrat, shpresat e njerëzve. Pjesa më interesante e këtyre bashkëbisedimeve është pjesa e ndërveprimit dhe e komunikimit me secilin që dëshiron të marrë fjalën, por, sidoqoftë, disa fjalë në hyrje duhen thënë.

Unë nuk dua të them këtu sa shumë kemi bërë në këto vite, për të ndryshuar atë tendencën e braktisjes dhe harresës së zonave të minoritetit, sepse sado që kemi bërë, jam shumë i vetëdijshëm që është larg së qeni e mjaftueshme. Sado që kemi bërë jo vetëm këtu, por në të gjithë Shqipërinë, mjafton për të treguar dallimin me të shkuarën, por nuk mjafton aspak për t’u përballur me ambicien e të ardhmes, pasi ajo që duhet bërë dhe që mbetet për t’u bërë, është patjetër shumë më shumë, sesa ajo që është bërë. Kështu që nuk po rreshtoj investimet dhe ndërhyrjet e ndryshme që kemi bërë, ndërkohë që besoj se një investim themelor i kësaj qeverie për minoritetin është pikërisht krijimi i një baze të re moderne, progresive, ligjore, që garanton, jo vetëm të drejtat, por edhe bashkëjetesën harmonike dhe cilësore mes të gjithëve këtu në këtë vend, pavarësisht nga kombësia dhe që i bën të gjithë të ndihen qytetarë të denjë dhe të barabartë të Republikës së Shqipërisë si shtetas të saj.

Ne jemi investuar shumë për të ndërtuar një marrëdhënie të drejtë, një marrëdhënie të frytshme, një marrëdhënie strategjike afatgjatë me Greqinë. Nuk ka qenë e lehtë. Ka qenë një proces që ju ndoshta më shumë se të tjerët e keni ndjekur me vëmendje dhe e keni parë se ka kaluar nëpërmjet një tensioni të pazakonshëm, jo sepse ne e kemi pasur qëllim që të prishim marrëdhëniet me Greqinë, por sepse ne kemi qenë shumë të dëshiruar dhe jemi vullnetplotë që të korrigjohen të gjitha ato aspekte problematike të marrëdhënieve, që kanë krijuar gjatë të gjithë kësaj faze të historisë tonë, pas ndryshimit të sistemit, vatra tensioni dhe momente tensioni, duke na dalë përpara në rrugën e të ardhmes.

Për të gjithë ata që e njohin mirë këtë marrëdhënie, për të gjithë ata që i dinë ngërçet që kjo marrëdhënie ka pasur, për të gjithë ata që kuptojnë peshën e këtyre ngërçeve në procesin e bashkëpunimit dhe të ndërveprimit me fqinjët, është e padyshimtë se hapat që kemi hedhur janë historikë.

Është një hap historik që Greqia, më në fund, e ka njohur si fakt ligjin absurd të luftës dhe ka pranuar që ta shfuqizojë. Kur ne kemi nisur këtë diskutim, fqinjët tanë as nuk e njihnin si fakt. Thoshin se ky nuk ekziston, është kot, nuk ka lidhje, ne kemi një traktat miqësie, ç’punë ka ligji i luftës, këto janë gjëra që i takojnë së shkuarës.

Por e vërteta është që është një fakt. Një fakt shumë pengues dhe me pasoja juridike sot e gjithë ditën, që do të zhbëhet nga Parlamenti i Greqisë dhe kjo është një arritje shumë e madhe.

Ashtu sikundër është një fakt që, për shumë e shumë vite, emigrantët shqiptarë në Greqi kanë pasur vështirësi të mëdha burokratike dhe janë më shumë se 5 milionë euro në vit, të cilat iu janë kursyer tanimë nga vendosja e një regjimi komplet të ri në marrëdhëniet e tyre me burokracinë.

Është një fakt, po ashtu, që edhe njohja e ndërsjellë e lejeve të drejtimit ka krijuar vazhdimisht probleme dhe shqetësime për njerëzit e zakonshëm dhe janë pafund ata që e kanë të lidhur jetën e tyre të përditshme me punën në vendin fqinj, apo me aktivitete që lidhen me vendin fqinj.

Është fakt që ne kemi trashëguar një marrëveshje të papranueshme për detin, për të cilën kemi pasur tensione me miqtë tanë në Athinë, për shkak se e kemi shprehur qartë se ne nuk e njohim atë marrëveshje, pasi Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar dhe ne duam një marrëveshje të re. Dhe faktikisht kemi bërë një progres të jashtëzakonshëm për një marrëveshje të re, e cila do të jetë një marrëveshje e drejtë, e barabartë dhe në respekt reciprok të njëri-tjetrit.

Nga ana tjetër, jetojmë në një vend që ka qenë djepi i lajmeve të rreme, që sot janë bërë një problem për të gjithë botën demokratike. Prandaj, edhe kur kjo epidemi shpërtheu anembanë, ne e gjetëm veten në krye të klasifikimeve të lajmeve të rreme, që falë edhe opozitës që kemi, një ndërmarrje e falimentuar që mbijeton duke abuzuar me kreditë e besimit të njerëzve, e keni parë, e keni dëgjuar që edhe kjo arritje historike për ne është përfshirë në atë ciklin lajmeve të rreme, si një tradhti e madhe kombëtare, si një shitje e detit, si një dorëzim i sovranitetit e kështu me radhë.

Mirëpo, për aq sa lajmet e rreme kanë fuqi të dominojnë debatin për një periudhë të caktuar, është po ashtu e thjeshtë që kur aktet dalin në pah, atëherë këto shpohen si tullumbace. Edhe kjo çka është thënë dhe çka thuhet për fat të keq në vijimësi për këtë çështje, do të shpohet si një tullumbace. Sepse marrëveshja për detin është një marrëveshje që do të materializohet vizualisht në hartë dhe do kenë të gjithë mundësinë që me sytë e tyre, jo me sytë e partive, me mendjen e tyre, jo me mendjen e atyre që i përcjellin dhe që i amplifikojnë këto lajme të rreme, të gjykojnë midis pamjes së detit në marrëveshjen që ishte dhe pamjes së detit në marrëveshjen që do të kemi, kufirit siç ishte dhe të kufirit që do kemi. Aty do mund të shohim qartësisht, jo vetëm që kemi bërë marrëveshjen e duhur për vendin tonë dhe për marrëdhënien me Greqinë po ashtu, por edhe se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta të dëshpëruar, që nuk kanë as ide, nuk kanë as program, nuk kanë as skuadër, lider jo e jo dhe të gjithë pafuqinë e tyre për të qenë një alternativë e besueshme për njerëzit po e kthejnë dita-ditës në një forcë të madhe destruktive të dëshpërimit, duke i bërë qindin Shqipërisë, kudo ku gjejnë vesh nëpër kryeqytetet e Europës, për të luftuar kundër çeljes së negociatave.

Tani e keni dëgjuar, kanë prodhuar këtë broçkullën tjetër kozmike të 600 mijë ushtarëve të ISIS-it që do vijnë në Shqipëri. ISIS nuk i ka njëherë 600 mijë ushtarë atje në terren, se po shkatërrohet dita-ditës, jo më të ketë 600 mijë pasagjerë që janë mbledhur me kallashnikovë dhe po presin avionët që të vijnë në Shqipëri. Ndërkohë që s’ka sesi t’i shkojë në mendje kujtdo, qoftë në Europë, që të mendojë se Shqipëria mund të bëhet një megapikë grumbullimi për 600 mijë, qofshin dhe refugjatë të zakonshëm. Ashtu sikundër, edhe sikur të çmendet ndonjëri në Europë dhe ta bëjë këtë shaka, ne do t’i buzëqeshim me keqardhje dhe do t’i sugjerojmë psikolog, por nuk mund dot të imagjinojmë gjëra të tilla.

Ajo çka mbetet ama, është që Esat Pasha ka gjetur më në fund pasardhës. 100 vjet në varr i hidhëruar, pa pasardhës në këtë vend, i ka gjetur më në fund pasardhësit. Pasardhës që janë gati të hedhin çdo ditë bomba me tym e me helm për qytetarët e këtij vendi, me shpresën e dëshpëruar se qytetarët do çmenden dhe do shkojnë pas berihait, duke besuar në këto marrëzi të shitjes së detit e të 600 mijë ushtarëve të ISIS-it në Shqipëri e nuk e di se çfarë vjen mbrapa. Por kur erdhi Babalja hero popullor i luftës kundër krimit, çdo gjë mund të vijë mbrapa. Nuk ka gjë që nuk mund të vijë mbrapa.

Megjithatë, siç thotë shprehja, qentë le të lehin, karvani duhet të shkojë përpara, sfida jonë e vërtetë nuk është me këta. Këta janë problem i këtij vendi dhe janë ajo çka ky vend nuk ia ka pasur borxh bijve të vet, që të nisen si mërgata e qyqeve nëpër parlamentet e Europës, se nëpër kanceleri nuk i pret njeri dhe të kapin aty e këtu deputetë që kanë arsyet e tyre dhe që s’kanë lidhje fare me Shqipërinë e t’i nxisin, t’i gënjejnë e t’i tororisin, duke iu dhënë argumente se pse duhet ta bllokojnë Shqipërinë, pse duhet ta pengojnë Shqipërinë, pse duhet të mos e lënë Shqipërinë që ta hedhë këtë hap historik. Do ta shikojmë. 28 qershori do vijë. Unë kam shumë besim që drita jeshile do ndizet në një mënyrë, apo në një mënyrë tjetër.

Shqipëria nuk ka kthim prapa në këtë proces. Shqipëria do vazhdojë duke hyrë në këtë fazë të re historike të negociatave. Kanë ngritur tymnajën e re, “po, me kushte”. Janë shembujt. Mali i Zi, Serbia kanë marrë “Po”-në, kanë marrë dhe kushtet. Nuk ka proces në rrugëtimin e Bashkimit Europain pa kushte. Mali i Zi sot negocion dhe ka 94 kushte, sot që është në negociata, 94 kushte. Kështu që ky është një proces. E rëndësishme është që ne të mos qëndrojmë në vendnumëro, por të bëjmë hapa përpara. Ndërkohë që ajo që neve na intereson në jetën e përditshme nuk është se kur do bëhemi anëtarë të Bashkimit, Europian, – do bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian kur të jemi gati, – por në ndërkohë të shfrytëzojmë këtë proces, që çdo ditë ta bëjmë Shqipërinë më të mirë. Në fund të fundit, për ne, procesi i integrimit nuk është që të nisemi për të shkuar të gjithë në Bruksel, por është ta bëjmë Shqipërinë të denjë dhe një shtet të denjë si çdo shtet europian.

Sot, ne jemi në kushtet e një kthese të ekonomisë, – duan apo s’duan këta që çdo ditë shqyejnë Shqipërinë në sytë e të huajve dhe shqyejnë çdo vlerë, çdo parim, çdo normë të bashkëjetesës, shqyejnë edhe çdo dallim që ndan njeriun nga çakalli, – e vërteta është që kthesa në ekonomi ka nisur dhe është përditë e më e dukshme. Patjetër që është një kthesë e gjatë, nuk është një kthesë e shkurtër dhe patjetër që ka shumë njerëz ende, të cilët nuk e kanë ndjerë në shtëpinë e tyre efektin e kësaj kthese.

Ashtu sikundër ka nisur edhe kthesa në uljen e papunësisë. Kemi për herë të parë 12.5% të papunë. E kemi nisur me 18.1% dhe e kemi ulur me 6 pikë papunësinë. Ka ende shumë, por e dimë që problemet e papunësisë janë të lidhura edhe me mungesën shumëvjeçare të arsimit profesional etj..

Ne kemi sot në dorë një fuqi që po rritet, që është fuqia e turizmit. Nga njëra anë po shohim një rritje të konsiderueshme, edhe këtë vit, të numrit të turistëve, që do të thotë më shumë para që hyjnë në këtë vend, më shumë punë që krijohet në këtë vend, më shumë investime që do të bëhen në këtë vend. Nga ana tjetër është mundësia për të zhvilluar agroturizmin, që është një sektor tërësisht i pazhvilluar në Shqipëri dhe që është përgjigja më e mirë kundër varfërisë dhe kundër pamundësisë së shumë familjeve në fshat për të pasur një rrugë që të krijojë mirëqenie përmes zhvillimit intensiv bujqësor.

Ka shumë zona të Shqipërisë ku ka një zhvillim bujqësie që është në rrugë të mbarë e që do vazhdojë të rritet dhe ku prodhohet për eksport dhe për tregun e brendshëm. Deri përpara 10 ditësh kishim 70 mijë ton fruta dhe perime të eksportuara. Një shifër rekord dhe asnjë kilogram i kontestuar për normën e mbetjeve kimike. Të gjitha nën normën e lejuar nga Bashkimi Europian. Kështu që edhe ajo që thuhet kollaj fare, që këtu çfarë ha brenda ka një helm, është dhe ajo një tjetër produkt i farës së keqe të lajmeve të rreme, pavarësisht se edhe në këtë aspekt, nuk diskutohet që nuk ka probleme.

Zhvillimi i agroturizmit është shumë i rëndësishëm për ne dhe ne do t’i japim shumë mundësi, duke mbështetur të gjithë ata që shtëpitë apo në pronat e tyre të kthejnë drejtimin, duke investuar në mikpritje, në bujtina, në hotele të vogla, deri në dhoma dhe duke përfituar nga një ulje drastike e taksave që ne kemi bërë gati dhe që shkon në Parlament në ditët e ardhshme; 6% TVSH-në dhe vetëm 5% tatim-fitimin, çka do të bëhet dhe për biznesin. Me këtë masë do të kemi në Shqipëri, 91% të bizneseve që paguajnë vetë 5% tatim-fitimi. Kur të ma gjeni një vend tjetër në rajon që ka këtë normë, – se nuk diskutojmë për vende më të zhvilluara, se është një tjetër debat, ata i kanë shumë më të larta, por kanë të tjera gjëra që i kanë më mirë, kështu që nuk i hyjmë këtyre krahasimeve, – atëherë më thoni ku është. 5% tatim-fitimi për 91% të bizneseve është norma më e ulët e tatim-fitimit për biznesin në një vend. Ndërkohë që ata që janë 9%-shi dhe që janë biznesi i madh do të vazhdojnë të paguajnë më shumë, sepse këtë e kemi thënë dhe kjo është bindja jonë.

Ne duam të bëjmë akoma më shumë për të gjithë zonën e minoritetit dhe kam shumë besim se me zhvillimin e mëtejshëm të turizmit dhe me fillimin e një aktiviteti investimesh në agroturizëm, për të cilat shteti bëhet palë duke financuar, qoftë përmes fondit të buxhetit, qoftë përmes fondit të Bashkimit Europian që kemi marrë, – janë 11 milionë euro nga Bashkimi Europian për të financuar direkt familje apo investitorë që duan të bëjnë agroturizëm dhe jo kredi, por para në dorë, grant, pa asnjë interes, pa asnjë formë borxhi, – do të sjellë me siguri shumë më tepër cilësi jete në këtë zonë. Sikurse jam i bindur që për shumë emigrantë, kjo do të jetë një dritare që hapet sepse mund të vazhdojnë të punojnë në Greqi, por, nëse i investojnë kursimet e tyre për t’i transformuar shtëpitë në bujtina, apo për të ndërtuar struktura pak më të mëdha, me deri në 30 shtretër, me një fermë të vogël, me restorantin dhe elementet e tjera që ka agroturizmi, do të kenë padiskutim një fitim më të madh, sesa fitimi që kanë duke punuar atje në fabrikë, apo në çfarëdo lloj sektori tjetër.

Agroturizmi është një instrument për të thithur edhe shumë investime të vogla nga emigrantët në Greqi, në Itali e kudo qofshin, që janë emigrantë të zonave rurale, që kanë një tokë në fshat, kanë në shtëpi në fshat e kanë mundësi të ndërtojnë një bujtinë, apo një agroturizëm në fshat. Është rasti për ta theksuar këtë, sepse ky mesazh duhet t’iu shkojë sa më shumë njerëzve që janë në emigracion dhe që të fillojnë të shikojnë nga Shqipëria në këtë drejtim. Turistët që vijnë në Sarandë për detin dhe për diellin, patjetër që do tërhiqeshin shumë, nëse do kishin mundësi të shpenzonin edhe orë të mbrëmjes në një agroturizëm, apo të kalonin një apo 2 net në agroturizëm. Kjo është ajo që ka ndodhur në vendet që e kanë zhvilluar këtë sektor dhe kjo është ajo që do ndodhë dhe këtu, me zhvillimin e këtij sektori.

 

Jam një qytetare nga Saranda. Kam dy probleme familjare. Jam e pastrehë. Që në 1994-ën kam bërë dokumente dhe sot ekzistoj pa shtëpi. Kam bërë disa herë kërkesa. Kërkoj përkrahjen tuaj. Im shoq është i sëmurë dhe unë nuk kam një shtëpi. Unë jam vetë invalide, edhe burri invalid, po vuaj taksat e bashkisë dhe nuk marr dot as kompensimin e energjisë se s’kam shtëpi. Unë jam me qira.

Kryeministri Edi Rama: Do ta diskutoj me bashkinë. Strehimi është një problem për shumë njerëz, sepse nuk jeni vetëm ju, ka edhe të tjerë që janë me probleme. Mundësitë për strehimin janë ato që janë. Ne kemi bërë një ligj të ri për strehimin, ku kemi detyruar me ligj kompanitë, – meqë na thonë që ju mbështesni të pasurit, ju mbështesni oligarkët që ndërtojnë, të gjithë ata që ndërtojnë, në fakt i ka gjetur belaja me qeverinë tonë, sepse po paguajnë taksa që nuk i kanë menduar ndonjëherë në të shkuarën – që 3% të ndërtimit ta japin për familjet e pastreha. Kështu që me hyrjen në fuqi të këtij ligji do krijohet një mundësi më shumë për bashkitë, që të kenë më shumë hapësira në dispozicion për t’ua dhënë familjeve në nevojë. Sidoqoftë, për çështjen tuaj do flas konkretisht, që të kuptoj nëse ka një mundësi për t’ju ndihmuar.

Ne kemi bërë një ndërtesë me dokumente të rregullta, me hipotekë, mirëpo problemin e kemi me komshiun, sepse në murin e ndërtesës sonë ka hedhur baltë, ka bërë mur e ndërtesa ime del jashtë përdorimit. Situata është alarmante. Kemi vajtur e na kanë dhënë të drejtë në institucionet përkatëse, mirëpo gjendja është e njëjtë.

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi një platformë që trajton të gjitha problemet, të gjitha hallet e njerëzve që nuk arrijnë dot t’i zgjidhin përmes zyrave drejtpërdrejtë. Shkruaj në platformë dhe për 10 ditë do marrësh përgjigje. Nëse të takon ajo që thua, do vijë kush është në detyrë për këtë punë e do ta vëri në vend këtë punë, aty në terren. Nëse të takon, do ekzekutohet dhe komshiu do hapi krahun. Në Delvinë e ke atje zyrën e bashkëqeverisjes, kompjuterin e kanë ata, nëse nuk ke ndonjë nip apo ndonjë mbesë që ka telefonin në dorë ta bën për tre minuta, bëje dhe do merremi ne.

Kam një biznes që e kam mbyllur këtu e 6 vite. Biznesi i akcizës. Dogana e Sarandës më ka sorollatur 6 vjet, po nuk ma mbyll. I jam drejtuar edhe zyrës tuaj me letër..

Kryeministri Edi Rama: E ke shumë të thjeshtë, nuk ka nevojë për letër. Mjaftojnë 3 minuta në internet, shqiperiaqeduam.al është adresa. Për shkak se letrat sorollaten, ka 30 vjet që shkojnë letrat lart e poshtë, kemi krijuar këtë sistem. Edhe në Sarandë e ke zyrën që kanë kompjuter e janë në dispozicion, ta bësh ankesën. Tre minuta do harxhosh e për 10 ditë do marrësh përgjigje. Nëse të takon, do marrësh atë që të takon.

Jam e kthyer nga emigracioni duke hapur bizneset e mia në Sarandë. Më në fund po ndjejmë që ka shtet. Nuk kam ankesë. Doja të të falënderoja.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit!

Unë do t’i referohem ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare, të cilin e kemi lexuar, ne që jemi marrë me atë, dimë se ku pikon çatia, sidomos në tre pika kryesore që duhen përmirësuar, ose nëpërmjet procesit të paketës së akteve nënligjore, të cilat i kemi lexuar dhe ato 12 akte, por duhet patjetër që t’i referohemi pjesëmarrjes në jetën publike të minoritetit, por me akte konkrete dhe jo thjeshtë me pjesëmarrje kulturore, apo me ndonjë financim që mund të bëhet. Këtë ne e konceptuam ndryshe dhe kemi bërë edhe sugjerime tek zyra konkrete, që gjithë piramida e shtetit për minoritetet duhet të ketë pjesën përkatëse në vendimmarrje, sidomos në parlamentin shqiptar që ka dhe eksperienca të tjera që mund të bëhet dhe me një përqindje të caktuar e me vende të caktuara, të cilat i zgjedh vetë minoriteti, por dhe në administratën publike. Ky nuk është vetëm gabim i qeverisë së sotme, por i trashëguar. Në ushtrinë shqiptare nuk ka mbetur asnjë minoritar. Në policinë shqiptare ka shumë pak minoritarë. A nuk do të ishte e përcaktuar saktë dhe qartë që në zonat tona të minoritetit, të paktën dy policat e qarkullimit rrugor, njëri të jetë shqiptar e njëri minoritar? Edhe kjo besoj duhet përcaktuar me akte nënligjore. Problemi kryesor i minoritetit këtu është problemi i pronës, i integritetit të tij. Sidomos kohët e fundit, këtu është bërë një mësymje e madhe e gjoja ish pronarëve me dokumente të falsifikuara, të cilët bëhen pronarë dhe jo vetëm që nuk pyesin shtetin, por nuk pyesin as pushtetin vendor dhe as drejtësinë.

Kryeministri Rama: Ne i kemi bllokuar. Kohët e fundit jo, s’ka më të tilla.

Në vetting duhen kaluar të gjithë gjyqtarët që janë marrë me pronat e minoriteteve. Kjo është një kërkesë e jona dhe duhen rishqyrtuar të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me pronat e minoriteteve se që të konvertohet një dynym me 1700 metra katror, unë vetëm këtu në Shqipëri e kam parë.

Kryeministri Edi Rama: Të falenderoj për gjithë këto. E para, vettingu është një proces për të gjykuar nëse gjykatësi dhe prokurorët janë apo nuk janë të denjë që të vazhdojnë punën si të tillë. Shumë njerëz e keqkuptojnë. Shumë njerëz mendojnë se vettingu të jep edhe dënimin. Nuk është kështu. Dënimin ta jep një prokurori dhe një gjykatë e pastër. Vettingu është procesi i pastrimit të prokurorisë dhe gjykatës. Ideja është shumë e qartë dhe e thjeshtë, që  një gjykatë e pastruar nga këta lloj zorzopësh do të jetë në gjendje të japi drejtësi për të gjithë e nuk do pyesë më, as për politikanë, as për gjykatës, as për prokurorë, sepse do jenë aty si pasojë e integritetit të tyre moral dhe profesional. Ndërkohë që ju duhet që gjithë informacionin që keni, gjithë materialet kompromentuese që keni për këta gjykatës, t’i çoni në komisionin e vettingut, sepse ata të gjithë do kalojnë në sitën e vettingut, qofshin këta që ju kanë rënë juve në qafë, qofshin të tjerët, por juve këto materiale duhet t’ia çoni komisionit të vettingut që mbledh çdo denoncim dhe çdo dokument kompromentues për këta lloj gjykatësish. Të jeni të sigurt që procesi i pastrimit do të ndodhë. Nuk është një proces që ndodh nga sot, nesër. Një shtëpi, nuk pastrohet dot për një ditë, jo më një shtet dhe një sistem gjyqësor kaq i korruptuar e kaq i ndotur si ky që kemi trashëguar ne. Ama po pastrohet ditë për ditë. Është në proces e do të ndodhë. Kjo është gjëja që duhet të dëgjojnë të gjithë, se nuk mundet dot të bëhet gjithçka sa hap e mbyll sytë. Pastron vettingu, pastaj trupi i pastër i drejtësisë reagon ndaj gjithë mikrobeve të padrejtësisë.

Dua t’ju them se nga 4 maji i 2014-s, Këshilli i Ministrave ka ushtruar dy task forca. Puna filloi shumë mirë, se po i ndjekim nga afër. Ishte Avokati i Shtetit dhe po shkonte shumë mirë gjithçka. Në vazhdim kemi ndërrim të Avokatit dhe përfundimisht kjo çështje mbyllet nga Avokatura e Shtetit me arsyen se nuk po gjejmë adresat e personave, të cilët kanë grabitur tokën.

Kryeministri Edi Rama: Të mos flasim gjëra që janë me hamendje. Shteti do bëjë padi për atë punë dhe ka nisur padia. Si për atë çështje e për shumë çështje të tjera që i kemi marrë dhe i kemi verifikuar që janë falco.

Fshati im, sot e kësaj dite ka vetëm kishën. Të gjitha tokat janë të rrëmbyera. Kemi pushtim toke, mbahet me forcë. Kërkuam ndihmë nga policia dhe nuk kemi asnjë mbështetje.

Kryeministri Edi Rama: Të gjitha këto kanë ndodhur 20 e ca vjet. Ne i kemi marrë dhe kemi filluar t’i shqyrtojmë dhe kemi bërë dokumente për shumë nga këto. Por e përsëris, është bërë procesi gati për padinë e shtetit ndaj këtyre që i kanë marrë padrejtësisht ato prona. E dyta, për çështjen që më thua të grabitjes pa letra, këtë çështje do ta shikojmë menjëherë, që ta kuptojmë si është puna dhe të vëmë në lëvizje institucionet e tjera, se ajo nuk ka nevojë për gjykatë, nëse ka grabitje me dhunë.

Unë jam një qytetar i Sarandës. Kam një biznes në bashkinë e Finiqit. Na ecën mirë puna, po mundohemi të punësojmë dhe njerëz të tjerë, por kemi mangësi në bashkinë e Finiqit. Nuk na gjendet pranë për ato probleme që kemi. Biznesi im ka të bëjë me blegtorët. Unë kam një punishte qumështi. Në bashkinë e Finiqit bëhen dallavere, lidhet kontrata e blegtorëve, bëhet mbivendosje në një parcelë që është për 200 krerë dhe mund të vendosen edhe 600 krerë. Kryetari hedh firmën si përfundim dhe pagesa bëhet me 5 mijë lekë të vjetra. Në dokumente më duket se regjistrohet me 3 mijë lekë. Është vjedhje për mua. Të flasim troç.

Kryeministri Edi Rama: Kjo që thua është akuzë penale dhe duhet ta çosh edhe më prokurori.

Përshëndetje dhe mirë se erdhe zoti Kryeministër. Është hera e parë që e dëgjoj këtë shqetësim. Pavarësisht se kemi njohje, nuk ka qenë ndonjëherë në zyrat e bashkisë për këtë. Është një proces që ka filluar sepse ka që në bashkinë e Konispolit, është i vetmi fshat Shkalla që kishte ngelur me tokë në përdorim, pa pronësi. Në bazë të ligjit kemi marrë të gjitha hapat dhe po bëjmë procesin e kalimit nga përdorimi në pronësi, por ligji ka dy pika. Duhet të jesh banor, e ke përdorur gjatë gjithë kësaj periudhe, tani kalon nga përdorimi në pronësi dhe duhet të jesh banor i zonës, në momentin që përfiton pronësinë. Unë do zbatoj ligjin sepse unë bëj letrat, miratimi bëhet në prefekturë dhe ka institucione të tjera që i bëjnë këto.

Kryeministri Edi Rama: Vazhdoni luftoni në prokurori e në gjykatë të gjeni të drejtën tuaj. Ti ke bërë kallëzim dhe kryetari i bashkisë të ka bërë kallëzim, do me thënë që keni përplasje, ku secili mendon se ka të drejtë. Ajo që unë do bëj, është se ne kemi inspektoratin tonë të antikorrupsionit dhe do ta çoj këtu. Do shikojnë letrat. Edhe për bashkinë e Finiqit, edhe për bashkinë e Konispolit, duke ju referuar ankesës tënde. Më shumë nuk bëj dot sot.

Ju falënderojmë për vizitën tuaj në zonën tonë. Unë dua të fokusohem pak në 3 çështje për mendimin dhe gjykimin tim që janë shumë të rëndësishme. E para, një nga gjërat kryesore që mori përsipër qeveria për të kaluar në parlament, një nisëm që ne e kemi filluar si parti politike që në 2011, për të krijuar një kuadër ligjor në respekt të të drejtave themelore të minoriteteve dhe minoritetit etnik grek. Për ligjin që kaloi në tetor të vitit të kaluar, ne kemi dalë me propozime të përbashkëta, bashkë me organizatën Omonia dhe dua të fokusohem në dy probleme tani. Është çështja që e kemi diskutuar dhe në takimet që kemi bërë në Ministrinë e Jashtme, i vetëdeklarimit. Ne kuptohet që nuk kërkojmë në asnjë mënyrë që të vetëdeklarohen ata që nuk janë pjesë e minoriteteve, por duam që ky ligj të jetë sa më transparent dhe të mos i vështirësojë procesin e deklarimit si pjesëtar i minoritetit grek. E dyta, me organizimin e bashkive nga komuna në bashki na jep një mundësi të re për të bërë një projekt strategjik për zhvillimin edhe të zonave tona. Kuptohet që janë bërë mjaft investime, por kemi dhe ne defektet tona dhe duhet të përcaktojmë prioritetet. Kjo zonë është një zonë që ka mjaft resurese dhe mund të zhvillohet bujqësia, blegtoria, por dhe turizmi. Gjithashtu, ju falënderojmë edhe për përpjekjet serioze për përmirësimin dhe zgjidhjen e çështjeve shumëvjeçare me Greqinë.

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit! Patjetër që në procesin e formësimit të akteve nënligjore ka akoma gjëra për të detajuar, por e rëndësishëm është që vullneti është i gjithi pozitiv dhe nga bashkëpunimi dhe bashkërendimi i ideve do bëjmë më të mirën.

Ndërkohë për sa i përket investimeve, unë nuk desha të zgjatem në atë pjesë, por desha ta theksoj që tanimë, edhe ajo e famshmja Delvinë – Kardhiq, që  20 e ca vite rresht e kanë premtuar këtu, është në rrugën e bërjes realitet. Besojmë se në shtator fillon puna dhe nuk ndalet më deri sa të përfundoje rruga e re.