Miqësi e fortë, projekte konkrete

Kryeministri Edi Rama mirëpriti sot në takim Presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, dhe delegacionin që e shoqëronte. Presidenti turk në këtë vizitë shoqërohej nga investitorë, përfaqësues të kompanive të rëndësishme të vendit të tij, prezente edhe në Shqipëri.

Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan dhanë një prononcim të përbashkët për shtyp.

Kryeministri Edi Rama:

Patëm një bisedë të gjatë dhe trajtuam një spektër të gjerë çështjesh bashkëpunimi të ndërsjelltë me Presidentin Erdogan, me kënaqësinë që më në fund, vizita e penguar nga tragjedia që ndodhi në minierë, vitin e shkuar, u realizua këtë vit, edhe pse këtë herë në cilësinë e Presidentit të Republikës së Turqisë.

Me kënaqësinë po ashtu, që traseja e çelur e bashkëpunimit dhe marrëdhënia strategjike, që Shqipëria ka me Turqinë do të njohin një nxitje të mëtejshme, në një sërë fushash, ku në radhë të parë u theksua domosdoshmëria e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe e bashkëpunimit në çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, që kanë të bëjnë me zhvillimin rural, arsimin, shëndetësinë dhe padyshim edhe kulturën.

Ne presim me kënaqësi që pas përfundimit të fushatës zgjedhore në Turqi, të kemi një takim dypalësh në nivelin e të dy qeverive, një mbledhje të përbashkët, ku të nënshkruajmë edhe dokumentin e partneritetit strategjik.

 

Presidenti Rexhep Taip Erdogan:

Dua t’u falënderoj për mikpritjen, erdha me ftesën e Presidentit, por që kur kemi shkelur në tokën shqiptare ndjehemi si në shtëpinë tonë.

Jam shumë i bindur që pas këtij takimi, që duhej të bëhej që në kohën kur isha Kryeministër, me një mik shumë të afërt dhe të shtrenjtë si zoti Rama, mes Shqipërisë dhe Turqisë do të hidhen hapa shumë të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm.

Marrëveshjen strategjike mes dy vendeve do ta firmosnim kur isha kryeministër bashkë me zotin Rama, por nuk arritëm ta bënim për shkak të tragjedisë që ndodhi në Soma.

Tani jam këtu si Presidenti i Turqisë, por unë shpresoj që në një kohë shumë të shkurtër të dy kryeministrat e dy vendeve mike, Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Turqisë, do ta firmosin sa më shpejt këtë marrëveshje.

Pas pak do të hedhim themelin e xhamisë së Namasgjasë së bashku me zotin President. E përsa i përket çështjes së rindërtimit, të ripërtëritjes, së ndërtesës së Parlamentit, ai moment do të jetë një pikë kthese, sepse TIKA do ta marrë tashmë përsipër shumë seriozisht për ta kryer këtë projekt sa më shpejt, sepse projekti arkitektonik është tashmë gati.

Ndërkohë pas kësaj do të shkojmë në Prezë për të bërë hapjen e xhamisë brenda mureve të kalasë.

Unë dua t’u falënderoj shumë sinqerisht!