Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Bruksel ku mori pjesë në takimin e grupit ”Miqtë e Shqipërisë”, në nivel ministrash të jashtëm. Në takim u konfirmua vullneti për mbështetjen e rekomandimit pozitiv të Komisionit për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Nga vendet pjesëmarrëse u nënvizua progresi i madh që pasqyrohet në Raportin e Komisionit; ecuria mbresëlënëse e reformave; respekti i veçantë për politikën rajonale të Shqipërisë; nevoja imediate për zbatimin e Ligjit të Vettingut si premisë për ecurinë e këtij procesi historik.

Paolo Gentiloni Ministri i Jashtëm i Italisë, një nga vendet iniciatore të takimit, vlerësoi reformat dhe progresin e bërë nga Shqipëria, duke theksuar së të njëjtin opinion ndanin edhe vendet e tjera pjesëmarrëse. “Jemi shumë të kënaqur për këtë nismë të promovuar nga Austria dhe Italia, miq të Shqipërisë. Qëllimi është që në dhjetor të kemi një vendim nga Këshilli Europian për të nisur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mendoj se janë bërë shumë reforma dhe shumë progres. Progresi i reformave në Shqipëri ishte konkluzioni i përbashkët, në tryezën e shteteve anëtare të BE-së. Ndaj, ky është një lajm i mirë për procesin.”

Ndërsa, Sebastian Kurz, Ministri i Jashtëm Austriak vlerësoi rolin pozitiv dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajon: “Rajoni është ende në një situatë të vështirë, dhe ne i jemi mirënjohës Kryeministrit dhe qeverisë shqiptare për gjithë reformat e bëra në Shqipëri. I jemi mirënjohës Shqipërisë për rolin pozitiv dhe konstruktiv që po luan në rajon, sepse kjo nuk është e rëndësishme vetëm për Shqipërinë dhe rajonin, por edhe për të gjithë ne.”

Kryeministri Rama zhvilloi gjithashtu takime me Përfaqësuesen e Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë Federica Mogherini dhe Komisionerin europian Johannes Hahn.

Prononcim i Kryeministrit Edi Rama në përfundim të takimit:

“Me shumë kënaqësi dhe pse jo, edhe me krenari, dëgjuam fjalë shumë të mira realisht mbi një raport progresi që është një dokument voluminoz, shumë pozitiv për Shqipërinë. Dëgjuam gatishmërinë e të gjitha vendeve për ta mbështetur në Këshillin Europian të dhjetorit, rekomandimin e komisionit. Është një proces që tanimë është pa kthim. Shqipëria do t’i çelë negociatat, na duhet një periudhë përgatitore dhe për këtë ne e diskutuam, jo vetëm nga ana jonë, por edhe nga ana e Komisionit. Një proces vlerësimi, ndërkohë që patjetër na duhet të fillojmë dhe me zbatimin e ligjit të vettingut që le të themi është premisë e mirëkuptuar apo kushti i vetëm që ka Shqipëria. Nuk dëgjuam asgjë nga ato që iu propagandohen kot më kot, orë e çast, njerëzve në Shqipëri nga kazani i broçkullave që ziejnë çdo ditë.

Është shumë e qartë që jo vetëm Vettingu, por e gjithë paketa e implementimit të reformës në drejtësi është vetë procesi i negociatave. Ajo që u tha këtu është edhe fakti që ne kemi bërë një reformë kaq rrënjësore dhe kaq shumë të duartrokitur botërisht, saqë parafytyroni që vendet që po negociojnë ndërkohë, Mali i Zi apo Serbia, në kapitujt e drejtësisë duhet të bëjnë disa prej gjërave që ne ndërkohë i kemi bërë, nga pikëpamja e legjislacionit.

Sigurisht që implementimi është një proces disavjeçar që nuk është çështja: “Bëje sot që të marrësh diçka nesër”. Jam i bindur që negociatat kanë nisur, në kuptimin që Këshilli do të marrë rekomandimin pozitiv, do ta adoptojë dhe do të fillojmë përgatitjet. Në momentin kur përgatitjet do të jenë përfunduar nga ana jonë dhe nga ana e Komisionit – sepse dhe Komisioni ka një proces të përgatitjes, siç ka bërë me vende të tjera përpara nesh, – do të hapen kapitujt e negociatave. Pra, është një proces i pakthyeshëm dhe njëkohësisht që ka filluar.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.