Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Dua të falënderoj çdo qytetar dhe çdo familje që e ka ndjekur aq sa ka mundur, gjithë këtë debat të gjatë, ditë dhe natë. Dua t’ju kërkoj ndjesë të gjithë atyre që janë ndjerë të lënduar në ndjekjen e këtij debati, për shkak të shpërdorimit të gjuhës sonë amtare dhe për shkak të shkeljes të të gjitha normave etike në përdorimin e gjuhës sonë amtare.

Dua ta mbyll këtë debat me një mesazh shumë të qartë;

Miratimi i këtij buxheti hap rrugën e re – është fundi i rrugës së rrënimit dhe fillimi i rimëkëmbjes ekonomike.

Nga ana tjetër, besoj se më takon që në emër të qeverisë të bëj një përmbledhje shumë të shkurtër dhe konkrete të të gjithë arsyeve që janë në themel të këtij buxheti, dhe që në fakt u bënë edhe shkak i kësaj përplasjeje të fortë mes një shumice që ka ardhur për të rivënë rregull në librat e llogarive të shtetit dhe një pakice që iku duke lënë pas vetëm borxhe dhe vetëm katrahurë në librat e llogarive të shtetit.

Flitet dhe u fol këtu gjatë për një rritje të befasishme të borxhit publik. Është e vërtetë! Ne kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi të bindjes se e ardhmja nuk merret borxh, për të siguruar mbijetesën e së tashmes në pushtet.

Por çfarë ka ndodhur? A jemi ne që kemi rritur borxhin, apo ne thjesht jemi gjendur përpara një situate, që na është dashur ta legalizojmë borxhin? Ajo që kemi gjetur është njësoj si një shtëpi, e cila ka një borxh. Një borxh, të njohur karshi bankave apo karshi të tretëve, që rezulton në llogaritë e ekonomisë së familjes dhe që i bën të vetëdijshëm të gjithë njerëzit e familjes se ndërkohë që jetojnë në shtëpinë e tyre i kanë këto detyrime. Por, ndërkohë, shtëpia ka një kryefamiljar kumarxhi, i cili ikën dhe akumulon borxhe që shtëpia dhe familja nuk i dinë fare, duke hedhur në zare paratë dhe të ardhmen e familjes së vet. E, një ditë të bukur shtëpia gjendet përpara një trokitjeje. Hapet dera dhe sheh një karvan njerëzish që kërkojnë para. Janë njerëz, lidhjen me të cilët, anëtarët e familjes nuk e dinë fare. Por janë pikërisht ata që i kanë dhënë borxh kryefamiljarit kumarxhi, që të shkojë e të lozë për tekat e tij, për qokat e tij, për deliret e tij, duke e zhytur shtëpinë në një hall shumë të madh.

Ky është halli i madh në të cilin shtëpia jonë e përbashkët, Shqipëria, u gjend pikërisht për shkak të një zinxhiri borxhesh që nuk figuronin në defterët e qeverisë, kur qeveria vinte këtu në parlament dhe fliste për nivelin e borxhit. Këtë sot, fatmirësisht, nuk jemi ne, nuk është një palë që e thotë për t’i rënë në qafë një pale tjetër. Këtë tanimë e kemi certifikuar nga dëshmia e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Fondi Monetar Ndërkombëtar është njësoj si një kujdestar që një shtëpi të zhytur në halle, për shkak të një kryefamiljari kumarxhi, e merr për të dalë nga halli dhe për të mos qenë e detyruar ta braktisë fare strehën dhe të mbetet rrugëve.

Kjo tabelë, e cila titullohet “Breakdown of general government payment Arrears”, që është, në fakt, lista e këtyre borxheve, e borxheve të kumarit elektoral dhe përshkruan një e nga një çdo zë të parave që nuk gjendeshin, deri përpara se “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” të merrte në duar drejtimin e kësaj shtëpie, në defterët e llogarive të shtëpisë. 285 milionë dollarë kontrata, të nënshkruara nga kryefamiljari, por që shtëpia nuk i di; 128 milionë dollarë TVSH, detyrim i marrë nga kryefamiljari, por që shtëpia nuk e di; 50 milionë dollarë fatura për energji dhe për ujë, të hedhura në bixhoz, që shtëpia nuk i ka të regjistruara; 60 milionë dollarë të tjera fonde ndihmë ekonomike, kostosh lokale, që përsëri shtëpia nuk i kishte të regjistruar në defterët e vetë, kur llogariste borxhin karshi të tretëve; 42 milionë dollarë, marrë nga buka e gojës së invalidëve për kumarin elektoral, që nuk figuronin.

Më tutje, 40 milionë dollarë kontrata lokale, të financuara nga buxheti, si puna e asaj rrugës këtu, që del për në Elbasan dhe që ka mbetur rrugëve, por që është qeveria që ka marrë përsipër ta financojë dhe që nuk figurojnë në defterët e shtëpisë; 10 milionë dollarë mosrimbursim i tatimeve, mosrimbursim i atyre taksave të bizneseve të vogla e të mëdha, që medemek rimbursoheshin në fund të vitit, që u janë marrë mijëra, e mijëra, e mijëra njerëzve, për kumarin elektoral dhe për harbimin e të qëndruarit me çdo kusht në karrigen e kryefamiljarit. Të një kryefamiljari, të ikur në drejtim të paditur; 20 milionë dollarë të tjerë fatura të papaguara për qoka, për telefona, për lloj-lloj detyrimesh të mbartura.

Më lejoni t’ju jap vetëm një shembull sesi janë shpenzuar këto para, që figurojnë në borxhin e shtëpisë dhe me të cilat me patjetër, ne duhet të përballemi sot, për të mos e lënë të zgjatet zinxhirin e njerëzve që tek dera e shtëpisë që presin t’ju lahen borxhet. Kjo është përsëritja e historisë së Sudeve dhe të Vehbiut, por në një formë të re. Në formën diabolike, të mbajtjes me çdo kush të një pushteti, duke e marrë hua të ardhmen për të luajtur kumar dhe për të bërë qejf në të tashmen.

Kur Madona shkoi të këndonte në Budva, e gjithë teknologjia për skenën dhe për foninë kushtoi 120 mijë euro. Kur Robi Williams shkon për të kënduar në Londër apo New York, e gjithë teknologjia për skenën dhe foninë kushton 250 mijë euro. Kur Çiljeta ia mori këngës në 28 Nëntor, teknologjia për skenën dhe foninë kushtoi 1 milionë e 420 mijë dollarë. Ja kjo është fatura e kumarit dhe e ahengut të një kryefamiljari, i cili mori peng të ardhmen e shtëpisë dhe la mbrapa një rrëmujë në llogaritë e shtëpisë, duke lënë tek dera mijëra e mijëra njerëz që thonë: ‘Duam lekët tona! Duam lekët tona!’

I kam dëgjuar të thonë: ‘Paratë e invalidëve i çuat për shpenzime.’

Kam këtu një tabelë krahasuese të shpenzimeve për fluturime, mes meje dhe paraardhësit tim, mes delegacioneve të sotme të kryeministrisë dhe delegacioneve të deridjeshme.

Kam marrë tre shembuj, në tre destinacione;

Kur ka vizituar New York-un, delegacioni i mëparshëm ka marrë nga paratë e shtëpisë 51 937 dollarë. Kur delegacioni ynë vizitoi New York-un, mori vetëm 13 162 dollarë, domethënë 38 775 dollarë më pak;

Kur delegacioni paraardhës vizitoi Londrën mori nga poshtë jastëkut 9243 dollarë. Kur delegacioni ynë vizitoi Londrën, mori 1157 dollarë më pak;

Kur delegacioni paraardhës vajti në Bruksel i kushtoi shtëpisë së përbashkët 6399 dollarë, ndërsa kur ne shkuam në Bruksel, morëm vetëm 2333 dollarë. Dhe e dini sesa është diferenca vetëm për 3 udhëtime, mes këtyre dhe nesh, 43 998 dollarë.

Tani le të vij tek shembujt konkretë që kanë nevojë të dëgjojnë njerëzit, se shumë kanë dëgjuar në një ditë dhe në një natë dhe mbase është e nevojshme që t’i dëgjojnë edhe këto, për të përmbledhur shumatoren e gjithçkaje kanë dëgjuar.

Dy shembuj;

Një farmaci, një biznes i vogël, me një xhiro 72 milionë lekë në vit, këtë vit, që është viti i fundit i marrëzisë, ka paguar 1 milionë e 620 mijë lekë taksa. Vitin tjetër, falë këtij ndryshimi themelor që ne kemi sjellë, do të paguajë vetëm 540 mijë lekë taksa. Pra, vitin tjetër falë taksimit të ndershëm, falë heqjes së taksës së biznesit të vogël, falë ndryshimit të drejtimit të vendit, farmacia do të paguajë 300 %  më pak, ose 3 herë më pak.

Një furrë buke, me një xhiro 27 milionë lekë të vjetra në vit, i ka paguar marrëzisë dhe i ka paguar asaj të famshmes taksë të sheshtë, që është taksa që në fakt rrafshon çdo gur në përpjekjen e më të dobëtëve për të ngritur një mur, 700 mijë lekë. Do të paguajë vitin e ardhshëm vetëm 375 mijë lekë. Pra, thuajse 50% më pak ose 2 herë më pak.

Këto janë xhepat e njerëzve që jetojnë me një biznes të vogël dhe xhepat flasin më mirë se çdo fjalim që mbajmë ne këtu edhe pse këtu shumë fjalime vijnë nga dhimbjet e shkaktuara pikërisht prej xhepave.
Le të marrim çfarë ndodh me kalimin nga taksa e sheshtë në taksën e ndershme, për ata që janë 97% e njerëzve që jetojnë me një rrogë, në sektorin shtetëror apo në sektorin privat.

Ja çfarë ndodh;

Sanitarja, edhe për këtë vit të taksës së sheshtë, për vitin e fundit të taksës së sheshtë, për vitin e fundit të administrimit të shtëpisë nga një kryefamiljar që të ardhmen e shtëpisë e ka luajtur bixhoz, do të paguajë 37 mijë lekë. Ndërkohë që vitin e ardhshëm do të paguajë vetëm 9 500 lekë. Pra, në fund të vitit sanitarja do të ketë 357 mijë lekë më shumë në xhep, nga 307 mijë lekë që ka rrogën. Punonjësi mbështetës në arsimin e mesëm, ose të ulët, me taksën e sheshtë paguan sot 36 600 lekë. Do të paguajë 8 580 lekë dhe në fund të vitit do t’i mbeten nga ulja e taksave 336 mijë lekë. Infermierja e lartë sot paguan taksë 42 mijë lekë, me taksimin e ndershëm do të paguajë vetëm 16 mijë dhe në fund do t’i mbeten 313 mijë lekë më tepër. Specialistja në nivelin e një page 545 mijë lekë, ka paguar deri sot 54 mijë lekë çdo muaj, do të paguajë vetëm 31 mijë lekë dhe në fund do të ketë 271 mijë lekë të kursyera nga ulja e taksave. Mësuesi i shkollës 9-vjeçare paguan sot, çdo muaj, 54 mijë lekë. Do të paguajë vetëm 32 mijë lekë dhe në fund do të ketë 270 mijë lekë fitim nga kjo ulje taksash. Mësuesi i shkollës së mesme, sot paguan 59 mijë lekë çdo muaj, do të paguajë vetëm 38 mijë lekë dhe në fund do të ketë 252 mijë lekë fitim, vetëm nga ky ndryshim themelor mes taksës së sheshtë dhe taksimit të ndershëm, mes filozofisë që kush fiton më pak t’ia këpusim më shumë në xhep dhe kush fiton më shumë le të paguajë më pak. Për ta mbyllur me mjekun, i cili sot paguan 59 mijë lekë direkt çdo muaj, për shkak të taksës së sheshtë, nesër, me miratimin e këtij buxheti dhe këtij sistemi të ri taksash, do të paguajë vetëm 45 mijë lekë dhe në fund do t’i mbeten 233 mijë lekë në xhep.

Kjo është llogaria dhe llogaria flet vetë, të tjera janë “dokrra hini” – siç i quante At Gjergj Fishta. Dokrra hini që i mbeten këtij debati, i mbeten kësaj salle, i mbeten logoresë së gjatë të një dite dhe të një nate, ku u tha çfarë nuk u tha, po ku në fund të fundit, po votohet për t’i dhënë më në fund atyre që meritojnë më shumë vëmendje dhe atyre që meritojnë të paguajnë më pak, – pikërisht, sepse fitojnë më pak, – atë që i’u është mohuar për vite të tëra. E, për t’i dhënë 97% të shqiptarëve mundësinë që të paguajnë më pak taksa, të kenë më shumë para reale në xhep, qofshin në shtet, qofshin në privat, qofshin të punësuar, qofshin të vetëpunësuar në një biznes të vogël.

Ndërkohë, kjo votë na jep mundësinë që të fillojmë dhe t’i kthejmë një e nga një mbrapsht ata që janë te dera e shtëpisë, ata që tundin faturat e borxheve, jo duke u’a përplasur derën në fytyrë, siç u’a përplasën këta dhe duke e lënë shtëpinë të mbytet nga flakët dhe nga dhimbjet e borxheve, dhe të pamundësisë për të mbijetuar, por duke u’a kthyer ato para, sepse është një detyrim nuk e ka marrë përsipër kjo qeveri, e ka marrë përsipër qeveria paraardhëse, por është detyrimi që do të bëjë Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe jo përfaqësinë e një grushti njerëzish që morën borxh të ardhmen e këtij vendi për të mbijetuar dhe për të vënë mënjanë pasuri të mëdha, duke e lënë të tashmen të lëngojë nën peshën e këtyre borxheve.

Në fund fare, besoj që të gjithë ata që e kanë ndjekur këtë debat duhet që përtej mërzisë, përtej zhgënjimit, përtej edhe neverisë për shumëçka dëgjuan këtu përtej çdo kufiri etik, të ndjehen mirë. Të ndjehen mirë, sepse më në fund ky Parlament është salla dhe arena e fjalës së lirë; është salla dhe arena ku nuk mbyllet harbutërisht as goja e pozitës dhe as seanca e radhës; Është salla dhe arena ku të gjithë kanë mundësinë të flasin edhe kur kanë ç’të thonë edhe kur s’dinë çfarë të thonë.

Në fund të fundit, kësaj lirie të rikthyer Parlamentit duhet t’i paguajmë edhe një çmim dhe çmimi dihet. Çmimi dihet dhe unë do ta përkufizoja, për këdo që na bën ta paguajmë këtë çmim, me fjalët e Shekspirit te “Komedia e Gabimeve”: “Mjer ti, që gjuha të është bërë oratorja e turpit tënd!”

 

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend, ku u votua në parim projektbuxheti i vitit 2014.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.