Fjala e Kryeministrit Rama në Konferencën Ndërkombëtare Albanologjike kushtuar “Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kohës në të cilën jetoi dhe gjurmëve që la pas në histori”, ku i dorëzoi medaljen e nderit albanologes Ke Jing:
Fort e nderuar profesoresha Ke Jing,
Të nderuar miq,
Jam i privilegjuar me të vërtetë që jam sot këtu në përmbyllje të një përpjekje fisnike që ka përfaqësuar në kuadrin e Vitit të Skënderbeut, Konferenca Ndërkombëtarë Albanologjike, kushtuar kohës dhe veprës së tij.
I jam mirënjohës të gjithë pjesëmarrësve dhe besoj që debatet mes jush, hulumtimet e shpalosura, në më shumë se 4 muaj punë janë si ajo fara e mirë që tek bie mbi një truall jep me siguri pas frutet e veta.
Puna që qeveria ka mbështetur dhe ju ka pasur artizanë dhe dorëzanës të cilësisë shkencore të një konference që u kthye në një lloj samiti të studiuesve, anë e mbanë rruzullit do të thoja, pa e ekzagjeruar, me fokus të qartë promovimin e studimeve shqiptare meriton mirënjohje dhe falenderim të veçantë.
Më lejoni t’ju them se nuk është rastësi që kur ne vendosëm t’i akordonim një vlerësim publik një koleges suaj të nderuar nga Kina dhe një mikeshe shumë speciale të kombit tonë, profesoreshës Ke Jing, e bëmë që kjo të ndodhte jo nën ato dorurat e Republikës siç thotë një shprehje frënge por pikërisht këtu mes jush ku lëvruesit e albanologjisë mes veti farkëtojnë edhe qenien e vetë albanologjisë duke i dhënë asaj vazhdimisht frymë dhe ardhmëri dhe ky vlerësim simbolik që sot me përulësi më jepet nderi t’ia dorëzoj kësaj kolegeje tuaj, të jeni të sigurt që është një vlerësim për gjithë këtë komunitet, këtë bashkësi që meriton vëmendje, siç meriton me siguri një vëmendje të posatshme albanologjia dhe vetë mishërimi i saj sa më gjithëpërfshirës, gjuha shqipe.
E dashur profesoreshë Ke Jing, para dy vjetësh në një takim që pati këtu në Tiranë me përkthyesit dhe përkthyeset e tij, Ismail Kadareja është shprehur në adresën tuaj se ju i jeni kushtuar një gjuhe të vogël dhe të vështirë, ne që jemi buka juaj e përditshme dhe autoritetet e këtij vendi, mund të ndodhë që të mos kujtohemi për ju. Në fakt, të gjithë gabojnë, edhe Ismail Kadareja gabon dhe këtu del që ka gabuar se ne u kujtuam për ju por të jeni e bindur, vijoi Ismail Kadareja në atë kohë, se gjuha shqipe do t’ju jetë përgjithnjë mirënjohëse.
Këtu unë dua të bëj një parantezë nga eksperienca ime vetjake. Shumë vite më parë, kur pranë universitetit të Tiranës u themelua Instituti Konfuci, unë me shumë respekt pranova të merrja pjesë në ceremoninë përuruese. Nuk para i përgjigjem pozitivisht me prani fizike ftesave që më vijnë nga ambasadat, preferoj gjithmonë t’ju çoj një letër falënderimi, por në atë rast shkova fizikisht, për një arsye shumë të thjeshtë.
Ftesa ishte hartuar në shqip, pa asnjë gabim ortografik. Kjo është shumë e rrallë në ditët tona. Të marrësh një ftesë apo një shkresë në shqip e të mos gjesh gabime dhe fakti që jo vetëm ishte hartuar pa asnjë gabim ortografik por ishte shkruar me një finesë mbresëlënëse nga kinezë, më bëri që t’ju përulem me shumë respekt atyre që kishin hartuar ftesën dhe madje e thashë atëherë dhe e përsëris edhe sot, nëse do kishim më shumë kinezë që do mësonin gjuhën shqipe për shqiptarët në Tiranë, do ishim me fat dhe nuk e ekzagjeroj, më besoni. Kinezët që flasin dhe shkruajnë shqip, nuk bëjnë asnjë gabim kurse ne e flasim gjuhën tonë gjithmonë e më shumë, sikur shkruajmë sms me shkurtime dhe këtu sot jemi për të nderuar shkruesen e ftesës, profesoren, albanologe dhe ballkanologe që shqiptarët e njohin me emrin Xhina. Ke Jing është emri i saj i vërtetë dhe nuk lexohet siç do të lexohej drejtpërdrejtë e shkruar në alfabetin latin, sepse më takonte që t’i kërkoja ekzaktësisht si shqiptohet emri i saj për të qenë të paktën në lartësinë e një kinezi kur shqipton gjuhën e tjetrit, qoftë dhe tek emri se për më shumë, po t’i hyja të flisja gjuhën kineze, do isha më qesharak akoma se shumica e deputetëve tanë kur flasin shqip.
Ke Jing është në sensin akademik të fjalës, e kam fjalën për deputetët e opozitës por këtu jemi për një mjeshtre, një nga meritat më të spikatura të së cilës është padyshim për tu nënvizuar posaçërisht dhe ajo ka ditur, unë nuk e di se si ia ka dalë, që me një mençuri të veçantë, me një durim kinez, kjo është diçka që e ka siç e kanë të gjithë bashkëkombësit e saj dhe që ne e quajmë durimi kinez por edhe me zellin e një blete punëtore, të bashkojë tre breza shqipfolësish të përkushtuar ndaj Kinës. Brezin e kohës së dashurisë së gabuar, brezin e atyre që u formuan më vonë në Universitetin e Prishtinës dhe brezin e studentëve dhe studiuesve të shqipes që i ka formuar vetë dhe katedra e gjuhës shqipe që profesoresha ka drejtuar për vite me radhë është në momentin që ne flasim, qendra më e madhe dhe më e rëndësishme e studimit dhe lëvrimit të shqipes në gjithë kontinentin aziatik.
Tani, është më e madhja dhe më e rëndësishmja se nuk ka tjetër kuptohet, ose se ne nuk dimë që të ketë tjetër por është me tre cikle të plota formimi universitar duke përfshirë atë të doktoratës në albanistikë dhe unë nuk e ekzagjeroj po të them se nëse do të krahasonim dhe këtë e kam me imagjinatë, jo me fakte, por jam i bindur që faktet do të më jepnin të drejtë, cilësinë e katedrës së shqipes në Azi, me cilësinë e katedrës sot të shqipes në Tiranë, kam përshtypjen që do kishim ne më shumë për të mësuar nga ata, se sa ata nga ne. Do t’i isha shumë mirënjohës profesoreshës që në ato fjalë që do të shqiptojë pas pak të na rrëfejë aq sa mund të rrëfehet një kinez përpara publikut, se si ka mundësi, si ndodh, çfarë ka ndodhur që një mendje e kalibrit tuaj të përzgjedhë që t’i përkushtojë gjithë jetën më të vetmuarës, më të përndjekurës, më fillikates në farefisin e gjuhëve ballkanike, atëherë kur me siguri ofertat për të marrë dhe zgjedhur një gjuhë sllave apo një gjuhë tjetër në krahun lindor të Europës, kanë qenë të panumërta.
Megjithatë, e vërteta është që këto gjuhë prej vetë rrezes së shtrirjes së tyre dhe rrezatimit gjeopolitik kanë mbartur një perspektivë gjithmonë më të gjerë për interesin e dikujt që bën zgjedhjen e jetës së vetë dhe farefisnia e tyre me kombe dhe me vende shumë më të fuqishëm, i ka bërë dhe i bën më joshëse se sa shqipen dhe prandaj sot është jo vetëm një kuriozitet por edhe një mirënjohje dhe një respekt i jashtëzakonshëm që ju zgjodhët monopatin më të ngushtë të gjuhëve që mund të kishit zgjedhur dhe ju kushtuat gjuhës shqipe.
Nuk dua të them ato që unë mendoj se mund të kenë qenë arsyet por jam i bindur që zgjedhja mund të çmohet si zgjedhje strategjike dhe jo si zgjedhje taktike. Për këtë jam i bindur dhe shpresoj shumë që profesoresha ta konfirmonte këtë bindje timen. Jo për politesë por vetëm nëse kjo është e vërtetë. Nuk dua të zgjatem po ashtu me gjithë gjërat që kam mësuar për profesoreshën dhe për bëmat e saj që me siguri do të bëjnë që emri i saj të kujtohet nga gjuha shqipe, siç thotë Kadareja, me mirënjohje gjithmonë, por dua t’i them të gjithëve se kryevepra sipas meje e kryeveprave në këtë lëm, është se profesoresha Ke Jing ia ka dalë që edhe Konfucin ta përkthejë dhe ta bëjë të tingëllojë si rapsod, në sensin e familjaritetit të tingujve të veshit tonë.
Kështu që duke e mbyllur, e dashur profesoreshë Xhina, siç ju drejtohen të gjithë në shqip, ju jeni një grimcë kripe në këtë det të madh të botës që i jepni shije me siguri kësaj bote dhe për këtë ne të gjithë këtu jemi mirënjohës dhe besoj që flas në emrin e të gjithëve duke ju thënë se medalja, që ju ftoj të vini për ta marrë, është shumë e vogël dhe shumë e lehtë për të mbajtur brenda gjithë gjerësinë dhe peshën e mirënjohjes dhe të respektit tim dhe tonë për ju.
Dua të shtoj që duke ju dorëzuar këtë medalje, unë dëshiroj që ju ta merrni edhe si një nderim të posatshëm për katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit.