Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në takimin falënderues me efektivët e Policisë së Shtetit, pjesëmarrës në operacionin e zhvilluar në Lazarat:
Të nderuar protagonistë të një historie të re për Policinë e Shtetit, burra, djem, por edhe vajza plot kurajë e pasion për punën jashtëzakonisht të vështirë që bëni,
Shumë të nderuar miq ambasadorë, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, familjes së madhe të vendeve të lira dhe demokratike, ku ne duam të bashkohemi dhe pranë së cilës, sot, jemi edhe një hap më shumë,
Të nderuar përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, në Komisionin e Sigurisë Kombëtare,
Zoti kryetar i Komisionit të Sigurisë,
Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë,
Zonja Zëvendësministre,
Zoti Ministër i Brendshëm,
Në rrugën ceremoniale të këtij Pallati kanë shkelur tanimë, prej dekadash dhe vetëm për raste të mëdha festash kombëtare apo pritjesh protokollare, ekskluzivisht, politikanë, njerëz të botës VIP, ambasadorë apo miq të lartë, të ardhur nga jashtë. Këto mjedise kanë qenë gjithë jetën të kyçura për shqiptarët e zakonshëm dhe ky ishull i bukur i trashëgimisë tonë kulturore iu është mohuar syve të tyre. Po ashtu, iu është mohuar njerëzve të veçantë, protagonistëve të çfarëdo fushe, mundësia për t’u mikpritur dhe për t’u respektuar në këtë hapësirë plot hijeshi, estetikë dhe dinjitet shtetëror.
Unë dua që kjo traditë të marrë fund dhe kjo godinë unikale në Evropë për historinë dhe për misterin e saj, – është Pallati i fundit Mbretëror që është ndërtuar në Evropë, është i pari dhe i fundit Pallat Mbretëror ku nuk arriti të flerë asnjë natë, asnjë Mbret, – të mos jetë më Pallati i mbyllur i ca qokave të përvitshme për të njëjtin grusht njerëzish. Dua që ky Pallat dhe parku i tij i pashoq të jenë të hapur për shumë të tjerë dhe në forma të ndryshme, por mbi të gjitha, të përdoren për të mikpritur dhe nderuar me respektin më të lartë protagonistë të jetës sonë shoqërore dhe kulturore. Nuk besoj se kishte një rast më të shkëlqyer, një grup më të merituar dhe një ditë më të bekuar se kjo e sotmja për ta çelur rrugën e ceremonive të këtij Pallati për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që arrijnë të bëjnë gjëra të pazakonshme. Çka ju bëtë të gjithë javën e kaluar dhe po vijoni të bëni ende sot, tani që flasim, në Lazarat nuk është e pazakonshme, është e jashtëzakonshme.
Më vjen sinqerisht keq që për shkak të detyrës, jo pak prej kolegëve dhe kolegeve tuaja nuk na nderuan dot me praninë e tyre këtu, sonte, sepse duhet të vazhdojnë të kryejnë detyrën në Lazarat, deri në shkuljen e rrënjës së fundit të farës së keqe, të kultivuar për 20 vjet rresht në atë Republikë droge që mbuloi me turp Shqipërinë. Do të doja shumë t’u shtrëngoja dorën një nga një edhe atyre sot; t’u përulesha me respekt për kontributin e dhënë në atë operacion që është historik për Policinë e Shtetit; t’i falënderoja, sikurse dhe ju të tjerëve këtu, në emër të Qeverisë dhe të të gjithë shqiptarëve që duan shtet, sepse bashkë, ju dhe ata që vazhdojnë të jenë sonte në Lazarat, ia ngritën kokën lart Shqipërisë dhe kontribuuat drejtpërdrejtë, duke vënë në rrezik edhe jetën tuaj, edhe për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian për Shqipërinë.
Dëshmuat kështu se sa seriozisht dhe me çfarë përkushtimi e kemi të gjithë ne, së bashku, misionin për ta kthyer Shqipërinë nga një vend i parë me përbuzje dhe përqeshje në mes të Evropës, në një vend që shikohet me respekt dhe që gëzon simpati e ngjall vazhdimisht interes për mënyrën se si përballet me të shkuarën, për të ndërtuar të ardhmen e vet. Sipas traditës së politikës së vjetër të gjithë viteve që shkuan, sonte, unë, Ministri i Brendshëm, me gjithë Qeveri e parti do të ishim në një koncert 1 milionë dollarësh, pak a shumë, për vendimin e marrë në mëngjes nga Ministrat e Jashtëm të Bashkimin Evropian. Flamujt e NATO-s, të Bashkimit Evropian, të Shqipërisë dhe akoma më shumë të partisë, tani duhet të ishin duke u valëvitur në sheshin “Nënë Tereza”, nën ritmin e këngëve të Çiljetës. Ndërsa unë vetë, në këtë moment, duhet të ndodhesha i rrethuar nga 120 roje në pritje të radhës për ta nisur fjalimin e privatizimit të statusit, nën shiun e letrave me ngjyrat e Evropës dhe për ta mbyllur me ulërima, nën qiellin e përflakur nga fishekzjarrët e fitores mbi opozitën. Por, edhe ajo traditë fudullëku provincial dhe folklorik, mu në mes të Evropës, sot merr zyrtarisht fund.
Kjo nuk është dita e Qeverisë, kjo është dita e Shqipërisë!
Kjo nuk është dita e pushtetarëve të djeshëm apo të sotëm, kjo është dita e shqiptarëve të zakonshëm, pa dallim.
Kjo është dita e Policisë së Shtetit, e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, djem, burra, prindër, njerëz që çdo mëngjes dalin nga shtëpia, përqafojnë nënën, përqafojnë gruan, përqafojnë fëmijët dhe nuk e dinë a do të kthehen; që luftojnë përditë dhe luftojnë fort për t’i kthyer këtij vendi normalitetin dhe këtij shteti dinjitetin.
Unë jam i lumtur dhe shumë i emocionuar që kam privilegjin të jem unë, sot, këtu, në fund të kësaj dite të paharrueshme të historisë së re të Shqipërisë, si Kryeministër i këtij vendi, për t’ju dhënë juve të gjithëve dorën dhe për t’ju përgëzuar drejtpërdrejtë. Për t’ju falënderuar me mirënjohjen më të thellë në emrin tim, të familjes time, të çdo familje shqiptare, në fakt, për gjithçka keni bërë deri këtu dhe posaçërisht për “qershinë në tortën” e kësaj feste të shumëpritur shqiptare, superaksionin e Lazaratit.
Respekte, respekte, respekte!
Unë e di mirë se sa e vështirë ka qenë dhe mbetet jeta juaj, puna juaj, lufta juaj. Por, dëshiroj me gjithë zemër ta dini mirë, se ashtu si nga minuti i parë dhe deri më sot, deri kur unë dhe Ministri ynë i Brendshëm të jemi në krye të detyrës, ju nuk do të jeni në asnjë minutë vetëm, asnjëherë të harruar dhe për asnjë arsye në botë të tradhtuar. Ne do të jemi deri në fund pranë jush dhe do të bëjmë gjithçka kemi në dorë që jeta juaj të bëhet gjithnjë e më e mirë, kushtet e punës suaj të jenë gjithnjë e më të mira dhe lufta juaj të bëhet gjithnjë e më fituese. Sepse ajo është lufta e fëmijëve tanë. Është lufta e foshnjave që lindin sot në Shqipëri dhe që, pa as më të voglin dyshim, meritojnë një Shqipëri më të mirë, që dita e sotme, vendimi i sotëm i Ministrave të Jashtëm të Bashkimi Evropian, provoi që ne jemi në gjendje t’ua japim.
Një politikan që u bë i famshëm prej luftës kundër krimit, ka thënë: “Na duhet aq kohë, sa të jemi po aq të organizuar sa ç ‘është krimi i organizuar”. Unë, sot, e kuptoj më mirë se asnjëherë këtë shprehje, pas këtyre 9 muajve punë, të nisur nga gropa ku e gjetëm të flakur Policinë e Shtetit, nga duar të papërgjegjshme. Na u desh mund, na u deshën sakrifica, por mbi të gjitha, edhe kohë të organizohemi për të arritur deri në suksesin fantastik të Lazaratit. Ndërkohë që përballë patëm qysh ditën e parë, jo thjesht një krim të organizuar. Jo! Akoma më keq, një krim të organizuar që e kishte kapur për fyti kupolën e Policisë së Shtetit dhe ju kishte lidhur juve duart dhe këputur këmbët, të gjithëve ju, përmes drejtuesve tuaj më të lartë. Një tmerr i vërtetë, që e kishte katandisur Shqipërinë në një vend të shënjuar nga Departamenti i Shtetit, si vendi i lidhjeve të forta mes krimit dhe zyrtarëve më të lartë të policisë. Një vend i identifikuar me Lazaratin e pandëshkueshëm, që ishte bërë shesh xhirimi për kamerat e televizioneve më të mëdha të botës, si pamja simbol e këtij vendi ku jetojnë kaq shumë njerëz të talentuar; ku jetojnë kaq shumë familje të ndershme; ku jetojnë kaq shumë burra e gra, djem e vajza që duan të bëjnë përpara në jetë, falë talentit dhe punës së tyre dhe ku padrejtësisht rëndonte botërisht hija e Lazaratit dhe një njollë e madhe turpi që i rëndonte Shqipërisë në çdo hap dhe në çdo kontakt me botën dhe me Familjen Evropiane, ku ne duam të integrohemi.
Një vend krimi, ku krimi kishte marrë kot dhe ku polici ishte katandisur në një rob koti, që nuk i vinte dot gjobë një copë drejtori drejtorie dhe jo më një deputeti apo dhe një ministri, siç ndodh pa pikë problemi prej 9 muajsh. Por, le ta lëmë të shkuarën dhe lejomëni t’ju drejtoj edhe disa fjalë për të ardhmen. Sepse, larg qoftë që ne ta kthejmë Lazaratin në një kurorë dafinash dhe pastaj le t’ia marrim gjumit nën kurorën e dafinave. Lazarati tregoi se ne mundemi, por nuk tregoi se ne kemi arritur aty ku duhet të arrijmë.
E, ambicia ime është shumë e qartë: Brenda këtyre 4 viteve ne nuk duhet më të krahasohemi as me të shkuarën, as me të tashmen, por duhet të krahasohemi me më të mirët në rajonin tonë. Policia jonë e Shtetit duhet të krahasohet me modelin më të mirë që ka sot rajoni dhe 10 vitet e ardhshme, ne do t’i shohim si 10 vitet ku duhet ta rendisim Policinë e Shtetit shqiptar ndër policitë më të spikatura të Evropës. Kjo nuk është utopi dhe Lazarati, ndër të tjera, tregoi që kjo është plotësisht e mundur. Edhe pse ndryshe është të bësh një aksion, sado të vështirë, në 5 ditë dhe ndryshe është të ndërtosh një polici, që çdo ditë, për gjithë jetën, është në gjendje të respektojë liritë dhe të drejtat e njeriut, të jetë në lartësitë e të gjithë standardeve evropiane dhe njëkohësisht të garantojë luftë pa kompromis dhe fituese me krimin.
Por, të tjerë e kanë bërë, përpara nesh. S’ka asnjë arsye që ne të mos e bëjmë. Ashtu sikundër, nga ana tjetër, unë besoj se statusi i kandidatit nuk është diploma që ne na jep rezultatin, për fundin e detyrave tona, por është thjeshtë certifikata që na garanton të vazhdojmë të bëjmë detyrat tona. E duke folur për Policinë e Shtetit, detyra e detyrave është që ne të zhdukim korrupsionin nga brenda Policisë së Shtetit. Që çdo drejtues në Policinë e Shtetit dhe çdo punonjës i thjeshtë i Policisë së Shtetit të jetojë në papajtueshmëri të plotë me korrupsionin dhe me bakshishin brenda Policisë së Shtetit. Ashtu sikundër, një shprehje që mua më pëlqen shumë thotë; “Kur ju keni punonjës policie që abuzojnë me qytetarët, nuk ju duhen shumë prej tyre për të gërryer besimin e publikut tek policia dhe tek ligji. Dhe mjaftojnë pak prej tyre për ta hedhur poshtë punën e mirë të të gjithë të tjerëve”.
E pra, të dashur punonjëse dhe punonjës të Policisë së Shtetit, askush brenda radhëve tuaja nuk mund të hedhë poshtë as sakrificat tuaja të përditshme dhe as gjakun e atyre që e shkruan historinë e betejave të Policisë së Shtetit me jetën e tyre.
Më lejoni ta mbyll, duke ju thënë se policia është publiku dhe publiku është policia, në një vend të Bashkimit Evropian. Policia nuk është vetëm anëtarësia e punonjësve të vetë dhe punonjësit e policisë janë thjeshtë një pjesë e publikut që paguhen për të bërë rolin më të rëndësishëm për bashkëjetesën e njerëzve në një komunitet, në emër të publikut. Kjo është ajo që bëri që aksioni juaj në Lazarat të kishte më shumë tifozë në Shqipëri, sesa ç’do të ketë finalja e kampionatit botëror. Ishte ajo që bëri që me siguri të gjithë tifozët e të gjitha skuadrave do të ishin gati ta falnin kupën e botës, për t’ju parë ju të fitonit, siç fituat në atë ndeshje që ishte ndeshja për Shqipërinë siç e duam apo për Shqipërinë siç na kanë detyruar ta pranojmë. E, ju, në atë ndeshje ishit “Policia që duam” dhe treguat se Shqipëria që duam nuk është ëndërr, por është një ambicie plotësisht e arritshme.
Ndaj, jini krenar për atë që keni bërë dhe na lejoni të jemi krenarë për secilin prej jush, dhe që, falë jush, jemi edhe ne pjesë e një historie të re për Policinë e Shtetit.
Unë dua t’i bashkohem fjalëve të Drejtorit të Përgjithshëm, i cili tha se në fund të ditës, pavarësisht nga gjithçka bëjmë të gjithë ne të tjerët, fatin e betejës sonë të përbashkët e vendos përkushtimi, integriteti moral dhe profesional i secilit prej jush.
Me Lazaratin ju e vutë ‘stekën’ shumë lart. Tani nuk ka kthim mbrapa, duhet të shkojmë vetëm më lart. Askush nuk do të na toleronte që të rizbritnim më poshtë. Unë jam i bindur që pas Lazaratit ne kemi një polici tjetër. Të njëjtët njerëz, por tanimë me besimin e plotë të rifituar tek vetja. E, një njeri që rifiton besimin e humbur tek vetja, quhet njeri i rilindur. Një polici që fiton besimin e humbur tek vetja quhet një polici e rilindur. Një shtet që fiton besimin e humbur tek vetja, quhet një shtet i rilindur. Këtë të fundit ka ende shumë punë për ta bërë. Por ju dhatë provën e parë se ne sëbashku jo vetëm mund, por tanimë s’kemi asnjë rrugë tjetër, duhet me patjetër t’ja dalim.
Edhe njëherë, respekte të gjithëve!
Mirënjohje për secilin prej jush!
E, beteja që do vijë më pas do të jetë më e vështirë, por me besimin e fituar, ne do ta bëjmë çdo betejë, së bashku, më të lehtë.
Faleminderit!
***
Një takim falënderues për forcat policore që morën pjesë në operacionin e Lazaratit, mblodhi së bashku protagonistët e suksesit më të rëndësishëm të arritur nga policia shqiptare deri më sot. Në mjediset e pallatit të Brigadave, kryeministri Rama mikpriti dhe shtrëngoi duart me efektivë, drejtues e punonjës të policisë, pjesëmarrës në aksionin e zhvilluar së fundmi në Lazarat.
“Unë jam i bindur që pas Lazaratit ne kemi një polici tjetër. Të njëjtët njerëz, por tanimë me besimin e plotë të rifituar tek vetja”, tha kryeministri teksa shprehu mirënjohjen dhe respektin ndaj secilit prej tyre, për kontributin dhe sakrificën në kryerjen me sukses të detyrës.