Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë në Kuvend:
Nuk më vjen keq për Blushin, por më vjen shumë keq madje për disa të rinj që ngatërrojnë derën e bibliotekës me derën e partizës së tij. Mbi derë shkruhet LIBRA, por brenda ka vetëm një shkrimtar të ri e politikan shumë të vjetër, që për një karrige shumë të vjetër në parlamentin e ri e ka kthyer vetveten në personazhin e fryrë me ajrin e ambicies së tij. Një personazh i sajuar, tamam si në letërsi, por këtë herë, njeri i gjallë në librin e jetës honreale, i cili sapo ka zbritur këtu mes nesh mes, të shkretëve shqiptarë, nga një planet tjetër, për t’ju dhënë pushtetin të varfërve, sapo t’i ketë dhënë dërrmën partive të vjetra.
Ky është sot, miku im, Beni, të dashur shokë të tij, të gjithë ju këtu. Në këtë foltore është rropatur duke recituar hartime të mbushura me mllefin e vet, të pangushëllueshëm. Është rropatur të krijojë personazhin e tij në sytë e atyre që s’e njohin, sepse janë shume të rinj, ose nuk e deshifrojnë, sepse janë shume të lodhur.
Nuk kam dashur asnjëherë t’i kushtoj kohë dhe fjalë, përveçse njëherë që më detyroi nga një interpelancë e çartur parlamentare, ku më thirri bashkë me zotin Nardi e zotin Vangjeli. Kam menduar që miku ynë i betuar si kundërshtar, nuk meriton përgjigje. Është shumë e thjeshtë. Erdhi në këtë parlament për të përfaqësuar socialistët e Elbasanit dhe e përdori mandatin e tyre të pafajshëm për të bërë fajin banal të përgojimit dhe të baltosjes ndaj qeverisë së tyre dhe të të gjithë socialistëve të Shqipërisë, zi e më zi, Sali e më Sali. Shto katran e shto bojë këtu, në këtë foltore.
O Blush, edhe sot po kështu mendoj!
T’i nuk meriton minuta dhe fjalë nga koha dhe puna jonë. Kjo përgjigje sot, përpara se ta lëshosh për pak javë karrigen e deputetit socialist të Elbasanit, të cilën e ke zënë padrejtësisht dhe e ke abuzuar maksimalisht për hesapet e tua personale, vërtetë po të drejtohet ty, por është një përgjigje jo për ty. Është një shpjegim nga ana ime, për ata që s’të njohin apo s’të deshifrojnë dot nga larg, të cilëve ua ndjej për borxh t’u dal borxhit dhe t’u them se personazhi yt më i ri, kryetari i 219-të i partisë 219-të politike shqiptare në formë veture private, është një xhaketë jo vetëm e vjetër në gardërobën e kësaj politikës sonë, por edhe e kthyer mbrapsht, më shumë se një herë, në plot 20 vjet me radhë.
E po ashtu, po e jap këtë përgjigje sot, edhe në emër të të gjithëve ju, por dhe si borxh ndaj shokëve tanë dhe të tij, ministra deri javën e kaluar, të cilëve u kishte rezervuar nga kjo foltore, – nuk isha atë ditë, – një nga ato bataretë e tij prej KPD-ari gojështhurur, që ai i kujton për gjenialitet oratorik, por që në fakt janë shpërthime shembullore të një smirëzezëllëku karakteristik.
E vërteta e vjetër që të gjithë ne, shokët dhe shoqet e tij të partisë së vjetër, e dimë prej shumë kohësh, është që Beni vdes për pak ministër. Aq shumë vdes për pak ministër, sa është gati të shfaqet i rilindur nën lëkurën e një personazhi, të krijuar prej atij vetë, me veten e tij, për t’u dukur si një politikan i ri në librin e vjetër të politikës, ku ai nuk mungon si protagonist i vjetër kulisash dhe tribunash, që nga dita e parë e qeverisë së parë të Fatos Nanos, 20 vjet nga sot.
E dinë të gjithë që ti, jo thjesht vdes të bëhesh pak ministër, por të vjen vdekje me tepri, që të tjerët bëhen ministra dhe ti jo. Sajmir Tahiri u bë ministër, ti jo. Blendi Klosi u bë ministër, ti jo. Ilir Beqja u bë ministër, ti jo. Bledi Çuçi u bë ministër, ti jo.
Ti, shpëtimtar i pavlerësuar i Shqipërisë, – më erdhi dhe shumë zor, kur më treguan si iu drejtove Blendi Klosit me një fjalor si karrocier i dehur, – si mund të ishe t’i ministër i këtij mandati të Partisë Socialiste, që si udhëheqës politik i qarkut të Elbasanit more rezultatin më të dobët të Partisë Socialiste në 12 qarqe! Ndërkohë që Blendi Klosi udhëhoqi Partinë Socialiste në qarkun e Durrësit dhe mori rezultatin më të mirë në 23 vjet të PS-së.
Ti, strateg i paprovuar i Shqipërisë, si mund të ishe ministër, që si ish ministër i kësaj partie, dy herë në kohën e Fatosit, bëre dy vrima të mëdha në ujë!
Ti që nga qeveria e Ilirit u shkarkove fluturimthi si zëvendësministër i Jashtëm, se hape një nga ato gropat e papërgjegjshmërisë tënde lapidare në marrëdhënie punës!
Ti ministër dhe jo Ilir Beqja, që ty të jep ujë në bisht të lugës, kur flitet për programe e reforma! Të mos e vazhdoj me leximin e shifrave dhe me kuptimin e fakteve të sektorëve të qeverisjes, se këtu e dimë të gjithë, që në ato thellësira t’i hahesh vetëm me Nard Ndokën se kush është më i thellë.
Ti, o reformator i pazbuluar i Shqipërisë, si mund të ishe ministër, që kur drejtoje një goxha ministri të pushtetit vendor dhe me demek do të bëje reformën territoriale dhe kartat e identitetit, – për ato të shkreta të çoji Fatosi, një nga dy herët që të bëri ministër, – nuk qullose as njërën dhe as tjetrën! Të ishe ti dhe jo Blendi Çuçi, që me dy zyra si ministër Shteti, një ku rrinte vetë dhe një me tre bashkëpunëtorë, bëri reformën administrative-territoriale, një zhvillim historik në rrugën tonë për të bërë shtet.
Mos të flasim për Sajimir Tahirin, o ti shoku i ngushtë i Sajmirit, të cilit jashtë kamerave i ankoheshe si shok, pse s’u bëre ti ministër, ndërsa në publik i ngulje – sot prapë ministrit tonë të Brendshëm, – thikat e Saliut dhe jo vetëm të Saliut, me një ftohtësi që Saliu, ty të merr të keqen. Nuk ke shumë faj, se ti je një mendjemadh aq i pashërueshëm, sa nuk e kupton që të diskutosh a duhet të jetë Sajmiri ministër apo ti, është sikur të diskutosh, nëse Champions League mund ta fitojë Juvja apo Shakohoxha.
Nuk ka asnjë çudi të dashur miq!
Politika ka vend edhe për tullumbace mediatike si puna e Benit. Parlamenti ka vend edhe për gënjeshtarë profesionistë si puna e tij. Qeveritë kanë pasur vend edhe për ministra sa për të zënë vendin, si puna e tij. Por Blush, siç tregoi dhe koha, PS ka aq shumë ministra më të zotë për Shqipërinë, sesa ti dhe personazhi yt i ri me partizën tënde të re, sa nuk të mbeti gjë tjetër, veçse të ikësh dhe ta qëllosh nga jashtë me baltën e Saliut këtë parti, pasi u lodhe pa sukses ta rrëzosh nga brenda këtë qeveri.
E di që edhe sot nuk ke si e voton Oltën që ka një përkushtim për punën që ti nuk e ke; As Ogertën që ka një aftësi menaxheriale të provuar, që ti nuk e ke; As Shalsin që ka një virtyt shumë të rëndësishëm, respektin për të tjerët, që t’i nuk e ke; As Fatmirin që ka të mirën e madhe, që nuk e lidh kontributin për skuadrën tonë me rëndësinë e karriges që ulet, të cilën ti jo vetëm nuk e ke, por nuk e kupton.
Vazhdo bjeri legenit të çadrës dhe betohu po të duash që nuk ke asnjë lidhje me çadrën, por të lutem, na e kurse betimin që s’ke lidhje me ulluqet e ujërave të zeza mediatike të çadrës. Ik kërkoji tek ata që s’të njohin, tek ata të pafajshmit që mund të gënjehen me përralla se ti je “fytyra e re” e politikës shqiptare dhe “shpëtimtari” i saj, që ra nga qielli i Shqipërisë. Kush të njeh o miku im i pandreqshëm, e di që me ty mund të kalohet bukur darkave, çakërqef, hidh e prit fjalë, mbush e zbraz verë, por me ty nuk shkohet asgjëkund në mëngjes, se mirë që nuk ke fuqi të përballosh mundimet e rrugës, por ke dhe një dreq zakoni, që çdo 10 hapa do t’i fusësh stërkëmbës bashkudhëtarëve.
Një këshillë të fundit miqësore. Kur del në fotografi me të varfrit, hiqi syzet e diellit se dukesh si turist. Për më tepër, syzet nuk ta maskojnë dot hipokrizinë përballë vështrimit të tyre.
* * *
Për fat të mirë nuk jemi vetëm dhe ka njerëz që na dëgjojnë dhe bëjnë qartësisht vlerësimin e atyre që themi. Asgjë personale, thjesht informim për ata që nuk e njohin, për të rinj që lexojnë te dera LIBRA dhe hyjnë brenda e gjejnë një shkrimtar të ri dhe një politikan të lodhur dhe për të tjerë që nga distanca nuk e deshifrojnë dot.
Kjo nuk është replikë me ty. Ajo çka thashë ishte detyrim ndaj njerëzve dhe detyrim ndaj shokëve tanë ministra dhe gjithë të tjerëve këtu, që sa herë futen në gojën e tij, duhet të ndjehen sikur janë nën nofullën e Saliut. Ajo që kam dëshirë të tregoj, – ne e dimë, por për ata që nuk e njohin, – është historia e akrepit me bretkosën. I thotë akrepi bretkosës, të të hipi në kurriz, që ta kalojmë bashkë këtë lumë? Hajde! – i thotë bretkosa dhe mu në mes të lumit, akrepi i fut thumbin. Çfarë bën? – e pyet bretkosa, – Na mbyte të dyve. S’kam ç‘bëj, – i tha, – është në natyrën time. Kryetari i 297-të i partisë politike shqiptare 297-të, në formë veture personale.
* * *
Ishte një ulërimë prej një karrocieri të dehur në drejtim të ministres së Arsimit. Një ulërimë e turpshme për dikë që i thotë vetes “Libër”, ndërkohë që etika dhe Blushi nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Këtu përsërit të njëjtën akuzë të Saliut, i bën jehonë qytetarit dixhital të Saliut.
E vërteta është që një mësuese gjimnazi dhe drejtore gjimnazi është në historinë e këtyre 25 viteve, ministrja e Arsimit që tregoi se reforma në arsim mund të bëhet. Dhe e bëri reformën. Ndërkohë ky zotëri e dini se për çfarë do të mbahet mend në Ministrinë e Arsimit? Që shkurtoi bankat dhe u bë barsaletë. Arsyet i di ai vetë dhe nuk çuditem fare nga gojë shthurja KPD-are dhe nga kërcënimet KPD-are këtu, me një fjalor vulgar, që nuk do t’ia dijë kë ka përpara, gra a burra, shok a shoqe, të njohur a të panjohur.
Sot mblidhe veten se u çorodite nga disa të vërteta shumë të thjeshta, që nuk kanë asgjë personale, por kanë vetëm një informim për ata që nuk të njohin, për marrëdhëniet e tua me politikën, me Partinë Socialiste dhe me punën. Por Sali e më Sali, zi e më zi e bën për vete. Për ne, se është një, janë dy apo 242 Sali, nuk ka problem. Në vendin tënd do t’i kërkoja falje për fyerjen që i bëre ministres si karrocier i dehur.
Përsa i përket shpifjes, ke kohë që je futur në atë hulli dhe nuk del dot më nga ai hulli. Në këtë foltore nuk të kam dhënë kurrë përgjigje, se ti nuk meriton përgjigje. Vetëm ke shpifur, ke akuzuar të gjithë për çfarë të thotë mendja dhe për çfarë dëgjon nga qytetari dixhital i Saliut. I ke bërë të gjithë këtu sikur janë njerëz të 1001 të zezave. Ndërkohë që në këtë sallë, sot ka vetëm një të zezë, që është smira jote. Smira jote që të verbon shikimin dhe ta zgjidh gjuhën.
Na tregon politikanin e “ri” që do të dërrmojë partitë e vjetra! Ndërkohë je një mbeturinë e KPD-së, asgjë më shumë se kaq, kur flet këtu pa fakte, pa shifra, pa të vërteta. Gënjeshtra! I trajton të vërtetat sikur janë romane. Të vërtetat nuk janë romane, faktet nuk janë romane, shifrat nuk janë romane. Mbi të gjitha, marrëdhënia etike me njerëzit nuk është si në roman. Ke bërë personazhin e vetvetes dhe vjen këtu për t’ia shitur njerëzve si shpëtimtarin. Turp të të vijë për atë që fole nga fundi i sallës për Linditën.