Në kuadër të forcimit të kapaciteteve për menaxhimin e emergjencave civile dhe përballimin e situatave të krijuara nga zjarret gjatë sezonit veror, u zhvillua një takim me përfaqësues të Forcave të Armatosura, forcave zjarrfikëse si dhe Policisë së Shtetit, për analizimin e masave të marra, evidentimin e dëmeve dhe hapat konkretë për forcimin e reagimit në të ardhmen.
Në këtë takim morën pjesë Kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo. Ministrat prezantuan pasqyrën e veprimtarisë së institucioneve përgjegjëse, angazhimin me burime njerëzore dhe mjetet e përdorura, si dhe projektet në proces për zgjerimin e flotave operacionale dhe investime infrastrukturore.
Gjithashtu u theksua rëndësia e koordinimit efektiv, veçanërisht në zonat më të prekura dhe në parqet kombëtare apo zonat e banuara, ku ndërhyrja e shpejtë në terren dhe veprimi në kohë janë thelbësore.
***
Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Në radhë të parë dua të nënvizoj faktin që ashtu sikundër e bëmë të qartë qysh në momentin e nxehtë të përballjes me zjarret, angazhimi moral, por edhe ligjor lidhur me banesat dhe krerët e humbur të bagëtive do të mbahet pikë për pikë, tanimë është inventari i plotë dhe të gjithë ata të cilët kanë humbur banesat apo krerë bagëtish duhet të jenë të qetë për faktin që me kalimin e aktit normativ të qeverisë së shpejti do të dëmshpërblehen qindarkë për qindarkë. Kjo besoj është shumë e rëndësishme. Ashtu sikundër është e rëndësishme që të gjithë të fillojnë dhe të mendojnë për të marrë masa për tu përfshirë në skemën e re të sigurimit të shtëpive nga fatkeqësitë natyrore, gjë që do ta sanksionojmë dhe me ligj.
Kemi mbetur për një kohë të gjatë për hir të së vërtetës, i vetmi vend në Europë që nuk e ka një ligj të tillë dhe ka ardhur koha t’i bashkohemi të gjitha vendeve duke i dhënë mundësi të gjithëve që për një kontribut modest të mund të jenë të siguruar nga fatkeqësitë dhe këtu nuk është fjala vetëm për shtëpitë sepse siç e dini të gjithë tek shtëpitë nuk i kemi lënë asnjëherë askujt asgjë mangët, por është fjala edhe për sipërmarrjet, për njësitë e biznesit të cilat duhet të sigurohen edhe nga përmbytjet pasi koha në të cilën jetojmë siç e shihni të gjithë dhe siç e shohim të gjithë në mbarë botën, por në çdo pjesë të Europës është një kohë ku ndryshimet e klimës po sjellin gjithmonë e më shumë pranë pragut të shtëpisë sfidat e mëdha të fatkeqësive natyrore dhe të emergjencave civile ku janë përmbytjet, ku janë edhe zjarret.
Tani natyrisht tek zjarret klima ka ndikimin e vet të madh, por ana tjetër e medaljes janë zjarrvënësit për të cilët do të kemi një shtrëngim të ri në Kodin Penal. Është përgatitur dhe do të kalojë për konsultim publik bashkë me masat e tjera që lidhen me të gjithë aktivitetet e paligjshme në dëm të territorit, në dëm të pronës publike apo private dhe me çdo lloj ndërtimi të paligjshëm.
Së dyti, dua të nënvizoj faktin që siç e kam thënë dhe më parë, por siç dhe e kam shpjeguar në përcaktimin e prioriteteve të Ministrisë së Brendshme dhe ministres së Brendshme, zjarrfikësit do të kalojnë në një nivel tërësisht tjetër vëmendjeje, trajtimi dhe mbështetjeje. Kjo do të thotë që ndër të tjera zjarrfikësit do të përfshihen në formulën e rritjes së pagave të forcave të armatosura të cilat sot janë dëshmitare të një rritjeje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të pagave me synimin që në Shqipërinë 2030 ne të kemi një Forcë të Armatosur të Republikës së Shqipërisë në mesataren e pagave të NATO-s. Ky është një synim ambicioz, por plotësisht i realizueshëm. Sot kemi Forcat e Armatosura më të mirë paguara të rajonit, ndërkohë që kur e kemi nisur këtë proces kishim Forcat e Armatosura më të keq paguara të kontinentit tonë. Dhe në këtë formulë do të fusim dhe zjarrfikësit për të cilët do të bëjmë një rritje të vazhdueshme të pagës. Shume e rëndësishme dhe e domosdoshmes, natyrisht për të gjithë është e rëndësishme dhe e domosdoshme dhe këtu nuk dua që punonjësit e Policisë të pranishëm apo dhe të tjerë që na ndjekin të mendojnë që do kemi ca të nënës dhe ca të njerkësh, por e vërteta është që ndaj zjarrfikësve kemi një borxh që nuk mund ta lëmë të thellohet pasi ndërkohë që ata përballen me një sfidë kolosale, gjithmonë e më të madhe çdo stinë vere pagat e tyre nuk i përgjigjen lartësisë së kësaj sfide, por nuk është vetëm çështje pagash.
Siç e tha ministrja, është një plan i tërë për modernizmin e mëtejshëm dhe për rritjen e kapaciteteve të gjithë trupës tonë të zjarrfikësve dhe për këtë arsye unë kam shumë besim që ky vit deri në përballjen e ardhshme do të jetë kyç për të pasur një performancë shumë më te mirë në territor, ku jo vetëm shpirti i sakrificës, jo vetëm ndjenja e fuqishme e shërbimit që i ka karakterizuar për hir të së vërtetës të gjithë djemtë edhe ndonjë vajzë, se kemi pak vajza tek zjarrfikësit për hir të së vërtetës, në këtë përballje, por edhe aftësitë teknike, mbështetja me teknologji, mbështetja me mjete të jenë në një nivel që rritet vit pas viti.
Sigurisht që është e pakrahasueshme sot me çfarë ishte kur ne kemi filluar gjithë këto përpjekje edhe situata e mjeteve, deri dhe situata e veshjeve. Ju kujtohet fare mirë se me çfarë niveli mbështetje në këtë aspekt kemi përballur emergjencat e viteve të para kur mundësitë tona financiare ishin shumë të kufizuara, kur kishim shumë borxhe për të larë dhe kishim shumë gropa për të mbushur. Sot kemi dalë nga gropat. Sot nuk kemi borxhe të prapambetura për t’i larë të shkuarës së mallkuar që trashëguam dhe sot ekonomia dhe rritja e të ardhurave na japin mundësi që të kthejmë më shumë në drejtim të atyre që i shërbejnë atdheut në radhë të parë dhe në radhë të parë pastaj që ndër shërbyesit e atdheut janë në frontet më të vështira dhe në frontet ku rrezikohet dhe jeta e njerëzve.
Përtej zjarrfikësve dhe forcave këtu të pranishëm që për hir të së vërtetës kanë bërë një punë të jashtëzakonshme edhe në këtë vit të vështirë, ka qenë viti më i vështirë që kemi pasur. Edhe ka qenë viti më i vështirë edhe për Evropën, edhe për gjithë vendet tona fqinje rreth e rrotull, është e domosdoshme ajo që tha ministri i Pushtetit Vendor dhe kjo është një nga detyrat e tij, që të përfshihet në këtë proces përgatitjeje qysh tani, gjithë pjesa civile në qendër dhe në territor.
Ne kemi filluar të punojmë për një reformë të prefekturave, por në të njëjtën kohë, kjo kërkon jo thjeshtë angazhimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të kapacitetit të prefekturave, por kjo kërkon angazhimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të kapacitetit të bashkive dhe të njësive administrative sepse ajo që vëmë re, është që kur vjen momenti i përballjes, kur forcat zjarrfikëse, forcat e ndërhyrjes së shpejtë të cilat duhet t’i vlerësojmë në mënyrë të veçantë për rolin që patën këtë verë, forcat e tjera ushtarake dhe policore zbresin në fushë, e shikojmë që nga ana e pushtetit vendor, nga ana e autoriteteve dhe forcave të organizuara në lokalitete, ka shumë konfuzion. Ka pak koordinim, ka pak qartësi ndërkohë që siç e dinë shumë mirë këtu disa nga drejtuesit kryesorë, që kanë dhe për shkak të detyrës një njohje më të thellë të mënyrës së organizimit të vendeve të tjera, po të marrim Italinë, dijenia për rolin dhe për vendin ku e ke detyrën, duke qenë një përfaqësues i forcave civile në territor, në rast fatkeqësie natyrore, është e plotë qysh në ditën kur ka diell. Pra kemi nevojë të rrisim këto kapacitete. Ne kemi nevojë të forcojmë këtë koordinim.
E dinë mirë drejtuesit këtu të Forcave të Armatosura apo të Policisë sesa shumë janë nën presionin e stresit të përfaqësuesve të pushtetit lokal që fillojnë me telefona e fillojnë me klithma alarmi, në një panik i cili shpjegohet me faktin që gjenden të papërgatitur.
Nga ana tjetër Ministria e Brendshme duhet të përgatitet që të ketë një hartë të qartë të përditësuar të gjithë shpërndarjes së forcave dhe të të gjitha situatave që janë në territor dhe emergjencat civile nga ana tjetër, duhet të jenë në gjendje që tu ofrojnë të gjithë atyre që janë të angazhuar në territor, këtë pasqyrë informacioni që të gjithë ta dinë që nëse helikopteri nuk po të vjen në atë moment, nuk do të thotë që nuk është diku tjetër duke bërë po këtë punë dhe koha për të ardhur helikopteri, duhet të jetë e ditur paraprakisht në mënyrë që të mos bllokohen linjat e komunikimit nga konfuzioni i thirrjeve dhe i klithjeve të të gjithëve kur vjen momenti i përballjes me zjarret.
Tjetra që prapë është shumë e rëndësishme, është gjithë pjesa e shërbimit pyjor dhe pjesa e përfshirjes së shkollave në lidhje me jo vetëm ndërgjegjësimin për çfarë na duhet të bëjmë ne sot që është një ditë e bukur me diell dhe që zjarret janë larg në horizont, por që do të vijnë shumë shpejt se vera do vijë përsëri, në mënyrë që çdo ditë duke bërë ato punët e vogla në thonjëza, nëpër territoret e pyjeve, të jemi më të përgatitur për momentin kur vjen zjarri dhe për këtë arsye do të angazhojmë dhe po punon ministrja e Arsimit, edhe shkollat në këtë proces në bashkëpunim të ngushtë me strukturat tona në territor të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit, edhe patjetër edhe të zjarrfikësve që do të kenë edhe një komponent të edukimit, pra të vizitave nëpër shkolla, të demonstrimeve të cilat janë nga një anë edhe argëtuese për fëmijët, tërheqëse për fëmijët, por nga ana tjetër janë edhe informuese. Dhe kur them fëmijët, kam parasysh nxënësit e shkollave të mesme që duhet të përfshihen në këtë proces por edhe më të vegjlit që duhet të fillojnë të ndërgjegjësohen për domosdoshmërinë që të jemi të gjithë të qartë se me çfarë kemi të bëjmë. Është një armik i ri i njerëzve të planetit dhe i këtij planeti, ndryshimi i klimës dhe ngrohja gjithmonë e më shqetësuese globale.
Elementi tjetër që u tha këtu dhe që unë dua ta nënvizoj, është teknologjia. Do vazhdojmë të fuqizojmë flotën tonë, pa diskutim. Së shpejti do të hapet edhe fizikisht sepse është çelur si proces me marrëveshjen e shkruar, Akademia e Forcave Ajrore dhe do të fillojë në Vlorë edhe përgatitja e pilotëve të rinj, ashtu sikundër do të vazhdojnë të rriten kapacitetet e flotës. Këtu jemi në një qendër që flet vetë kur e shikon, se si është transformuar për të administruar këtë flotën tonë të helikopterëve, por përtej kësaj duhet dhe do të shtojmë në mënyrë të ndjeshme, flotën e dronëve. Kemi përgatitur dhe jemi duke u marrë përditë qoftë me porositjen e dronëve me kamera termike, për të monitoruar në kohë reale pyjet dhe për të kapur sa më shpejt sinjalin e zjarrit, ashtu sikundër jemi duke vlerësuar porositë për dronët që bëjnë mbjellje, sepse është edhe ky element tjetër i rëndësishëm që të mendojmë menjëherë për ripërtëritjen e atyre territoreve që digjen nga zjarret dhe patjetër, këtu nuk harroj edhe nevojën që ta pasurojmë flotën tonë ajrore edhe me avionët e nevojshëm zjarrfikës hap pas hapi.
Po ashtu, e tha ministrja, kemi nevojë dhe kemi filluar punën për sistemet e hershme të alarmit duke krijuar qendrat e integruara të kontrollit për reagim të shpejtë me mjete tokësore. Këto janë pak a shumë pikat rreth së cilave përmblidhet gjithë kjo përpjekje e përbashkët, por arsyeja pse jemi këtu, është për të dhënë një sinjal shumë të qartë që sot, zjarret janë në horizont por koha deri kur të përballemi me to është shumë e çmendur dhe nuk është e gjatë, është e shkurtër. Prandaj çdo ditë sipas detyrave në këtë front të gjerë të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë dhe duhet të bëjmë punë tonë. Duhet të bëjmë punë tonë sepse nuk kemi mundësi që t’i ndalojmë zjarret se nuk e ka bërë kush, por kemi mundësi që të punojmë për të zvogëluar sadopak dëmin e evitueshëm që ato bëjnë.
Për arsye të kësaj sfide e kam ndjekur edhe personalisht të gjithë procesin e masave dhe të ndërhyrjeve që kanë bërë vendet e tjera, disa vende të tjera. Duke filluar nga Greqia që e ka pasur dhe e ka një problem të rëndë kronik problemin e zjarreve dhe që ka bërë investime masive në të gjitha drejtimet për të rritur rezistencën dhe për të ulur nivelin e demit. Tek Italia apo tek ndonjë vend këtu në rajon dhe megjithatë kur vjen puna tek sezoni i zjarreve prapëseprapë e shohim sa e vështirë është. Europa vet, BE po ashtu ka bërë shumë investime tek sistemi i përbashkët i mbrojtjes, por humbjet e këtij viti kanë qenë humbjet më të mëdha historike në pyje dhe në njerëz dhe në bagëti e kështu me radhë. Është një luftë e vërtetë që kërkon shumë durim dhe kërkon shumë forcë. Ndërkohë që, teknologjia vazhdon të prodhojë dronë inteligjentë me kapacitete të rritura për të kapur më shpejtë sinjalin.
Në mbyllje, dua të bëj një vlerësim të posaçëm për Policinë e Shtetit. Do bëj një vlerësim të veçantë për Policinë e Shtetit për faktin që në këtë sezon më shumë dhe më mirë se në sezonet e tjera dhe pse ishte sezoni më i vështirë, Policia e Shtetit ka qenë në gjendje të identifikojë dhe të arrestojë psikopatë dhe kriminelë që vënë zjarre dhe besoj shumë që fakti që ky sezon solli kaq përmirësim në këtë aspekt dhe këtu kemi një hapësirë për të rritur forcën goditëse të Policisë së Shtetit, për të rritur kapacitetet për parandalim pikërisht duke bërë që sot një punë operative në territore për të identifikuar personat potencialisht të rrezikshëm sepse këta që vënë zjarre siç duke kanë dhe disa karakteristika të veçanta si personalitete. Ndërkohë që, kemi bërë një ndërhyrje ligjore shumë të rëndësishme që aty ku vihet zjarr do të ndalohet çdo lloj leje ndërtimi për 30 vjet, pra nëse një territor i cili është si të thuash hap oreks për të ndërtuar, digjet, për 30 vjet aty nuk do jepet leje ndërtimi. Që ta kenë të qartë të gjithë që djegia nuk të sjell në kushtet që ti pastaj të vish të thuash nuk është pyll, nuk ka pemë aty kështu që kjo është toka ime dhe unë dua të ndërtoj. 30 vjet do të ndalohet dhënia e lejes së ndërtimit dhe ai territor do të rimbillet dhe për këtë jemi duke punuar me ministrinë e Mbrojtjes dhe për të sjellë dhe dronet mbjellës që janë një forcë e re e teknologjisë që ndihmojnë në ripërtëritjen e territoreve të djegura, gjë për të cilën është përfshirë dhe Ministria e Mjedisit drejtpërdrejtë.
Ju falënderoj vërtetë shumë për të gjithë punë që keni bërë, ju që jeni këtu.
Falënderoj në mënyrë të veçantë zjarrfikësit që i shoh në këmbë atje. Ju siguroj që jemi shumë të vetëdijshëm edhe për sfidën edhe për vlerat e mëdha të shërbimit ndaj vendit që ju keni promovuar përmes rolit tuaj në këtë përballje dhe këtë vit dhe jemi shumë të vetëdijshëm dhe për nevojat dhe për mungesat që duhet të plotësojmë që ju të ndiheni dhe më mirë dhe ta bëni punën me më shumë motivim duke u ndjerë në radhë të parë të vlerësuar dhe të respektuar deri në fund për këtë sakrificë. E natyrisht që përtej të gjithave edhe motivimi financiar apo më saktë, jo edhe, por motivimi financiar mbetet kyç dhe ne e kemi shumë mirë parasysh. Kështu që zjarrfikësve iu them Zoti ju bekoftë dhe bekoftë dhe familjet tuaja sepse realisht ajo që ju bëni është diçka e jashtëzakonshme, gjë të cilën e them me gjithë zemër dhe për të gjitha Forcat e Armatosura që janë të përfshira në vijën e parë në këto raste apo për forcat e Policisë së Shtetit. Shumë faleminderit të gjithëve dhe më kurajë dhe me vullnet do të bëjmë pa diskutim çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më mirë.
Shumë faleminderit!