Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Rama në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për asistencën teknike që do të ofrohet për 61 bashkitë e reja në procesin e konsolidimit të tyre:

Në radhë të parë ju uroj mirëseardhjen të gjithë kryebashkiakeve dhe kryebashkiakëve të zgjedhur në 21 qershor.

Që në fillim dua të them, se ajo çka ne e kemi paralajmëruar duke e konceptuar ndarjen e re territoriale, jo si një shumatore bashkimesh mekanike të njësive gjeografike, por si një proces shtetndërtues për të transformuar njësitë e trashëguara administrative në njësi zhvillimi ekonomik. Nuk ka qenë një fjalë goje, as një lumë fjalësh në fushatën e shkuar zgjedhore, por një vizion që jemi të vendosur ta vëmë në jetë së bashku me të gjithë ju, pa dallime partiake, por me një sens të misionit tonë të përbashkët që t’u japim qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë një qeverisje të nivelit të dytë, të denjë për një vend europian.

E dëgjuat Teki Selenicën që sot e gjithë ditën tingëllon aktual deri në dhimbje. Madje, unë besoj, që nëse bashkia e Gjirokastrës në ’28-tën letrat i kishte marrë nga italianët ose nëse bashkia e Shkodrës i kishte marrë nga austrohungarezët, ose nëse bashkia e Korçës i kishte marrë nga francezët, sot ne letrat i kemi marrë nga burimet tona, mbi të cilat nëse do të ngjallej Eqerem Çabej do të na këshillonte një strukturë të veçantë për përkthimin shqip-shqip.

Sidoqoftë jemi këtu sot me mirënjohjen më të thellë për PNUD që u investua në një projekt strategjik të qeverisë shqiptare dhe që na lehtësoi një punë që është e domosdoshme, por që për financat tona do të ishte vërtet një punë e rëndë.

Po ashtu dua të jem mirënjohës që na vënë në dispozicion një ndër kompanitë më të mëdha ndërkombëtare të auditimit, për t’ju vënë në dispozicion të gjithë kryetarëve dhe kryetareve të bashkive Shqipërisë, jo vetëm një dokumentacion shterrues lidhur me gjendjen aktuale të financave dhe të aseteve të njësive të reja administrative, por edhe një dije të re mbi mënyrën se si në të ardhmen duhet të mbahen librat e llogarive dhe se si në të ardhmen duhet punuar me librat e llogarive, jo thjesht për të mbajtur inventar, por për të ndërtuar politika zhvillimi.

Jam i bindur që ky proces, shumë i ngjashëm me atë të ndjerit Teki, do të na japë një pasqyrë të plotë dhe do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë se çfarë humbjesh kolosale në financa dhe në asete kanë ndodhur në gjithë këto vite dhe sesi ne të përgatitemi që t’i minimizojmë humbjet dhe të maksimalizojmë të ardhurat nga asetet e bashkive.

Ne jemi shumë të investuar dhe shumë seriozisht për një reformë reale decentralizmi dhe për një fuqizim real të qeverisjes së nivelit të dytë, sepse ne kemi bindjen që, çka është quajtur decentralizim në gjithë këto vite ka qenë vetëm një fragmentarizim, një copëzim dhe një thërrmim i potencialeve dhe jo vetëm i territorit, por edhe i gjithë strukturës ekonomike dhe financiare të këtij vendi, si i tërë.

Nga ana tjetër, jam i bindur që ky audit do të jetë një instrument shumë i rëndësishëm edhe për të luftuar korrupsionin e madh që trashëgojmë në nivelin e qeverisjes vendore, në dy aspekte; Në aspektin e domosdoshmërisë për ndëshkim dhe, në aspektin e domosdoshmërisë për modernizim, sepse korrupsioni është një alternativë e qeverisjes. Korrupsioni është shumë më i shpejtë sesa qeverisja në ofrimin në rrugë të paligjshme të atyre që njerëzit i kërkojnë në rrugë të ligjshme. E për ta asgjësuar këtë alternativë duhet t’i japim shpejtësi, efektshmëri dhe rezultatshmëri të lartë rrugës së ligjshme të qeverisjes. Pra, duhet të modernizojmë.

Modernizimi i qeverisjes vendore është misioni i kësaj qeverie që ne duam ta realizojmë sëbashku me të gjithë ju, duke përfituar nga eksperienca e atyre që në 21 qershor kanë konfirmuar mandatet e tyre dhe nga idetë dhe energjia atyre që në 21 qershor janë zgjedhur për herë të parë.

Prandaj dhe pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje me rëndësi strategjike për ecurinë e punës suaj dhe punës sonë të përbashkët do të kemi një pjesë të dytë ku do të flasim për se si ne duam ta qasim bashkë me ju dhe me shpejtësi procesin e decentralizmit, si një proces të ri për të bërë decentralizim të pushtetit, të përgjegjësive, dhe të gjithë mekanizmave që i japin konsistencë pushtetit dhe i bëjnë përgjegjësitë të mundura për t’u mbajtur, në mënyrë që të mbyllim epokën e fragmentimit, të copëzimit dhe të thërrmimit total të një territori ku ne ende nuk kemi shtetin që meritojnë shqiptarët dhe që duhet ta kenë në dispozicion të zgjedhurit për të bërë sa më shumë në ato që aspirojnë të bëjnë për komunitetet e tyre.

Edhe njëherë mirënjohje të thellë për UNDP-në. Ju e dini që unë jam i kursyer në mirënjohjen për ndërkombëtarët. Por, ky është rasti për të qenë vërtet mirënjohës, sepse ky është një projekt strategjik që ka gjetur mbështetjen e donatorit. Nuk është vazhdën e atyre projekteve që shpeshherë vlejnë për të larë ndërgjegjen e donatorëve, por që nuk i lënë asnjë gjë pas këtij vendi. Njëkohësisht edhe mirëserdhët për ju dhe për kompaninë tuaj. Me kulturën, me eksperiencën dhe me njohjen tuaj, jam i bindur që do të na ndihmoni, që më në fund i shkreti Teki të flejë i qetë në varrin e tij.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.