“E kishim menduar të vinim këtu, për shkak se donim ta hapnin këtë vit të ri shkollor për gjithë nxënësit në gjithë Shqipërinë, duke përshëndetur nëpërmjet shkollës “Ismail Qemali”, që është shkolla më e dalluar, bazuar tek Matura Shtetërore dhe që falë atyre që sapo e përfunduan, por edhe falë jush që do ta vazhdoni. Kjo shkollë ka qëndruar në lartësinë e famës së vet të dikurshme, duke qenë një shkollë model dhe një pikë referimi për të gjithë.
Ashtu sikundër e tha edhe drejtoresha, edhe Ministrja, shkolla “Ismail Qemali” është e përzgjedhur ndër shkollat që do të jenë shkolla pilot për t’u transformuar në qendra komunitare. Pra, jo vetëm për të ardhur për të hyrë në klasë, për të dëgjuar mësuesit dhe për të dhënë llogari për dijet, por edhe për të vazhduar aktivitetin social, edhe përtej orëve të mësimit duke e kthyer mjedisin e shkollës, një mjedis jo vetëm për mësimin, por për jetën e përbashkët sociale, artistike, kulturore dhe sportive. Besoj që e dini që do të rifuten në programin mësimor edhe orët e edukimit fizik. Do të jenë tre orë në javë që do t’ju ndihmojnë që të lëvizni më shumë, edhe të lëvizni bashkërisht, duke përfituar edhe nga kënaqësia e veçantë që ka sporti kur bëhet bashkë me shoqërinë.
Ne po përgatisim edhe një program për të nxitur idetë dhe për të nxitur edhe nismat e vetë nxënësve për aktivitete në funksion të komunitetit. Që do të thotë se, të gjithë ata që do të kenë ide apo që do të bashkohen sëbashku për të paraqitur nisma dhe për të përfituar nga ky program mbështetjeje, qoftë morale, qoftë financiare, nga Ministria e Arsimit, do ta kenë këtë bazuar tek vlera e ideve dhe e nismave të tyre.
Kështu që, besoj, juve dhe gjithë ata që e fillojnë sot shkollën, nga cilido vit, mjafton që të keni ide dhe pastaj të mund të provoni se janë idetë më të vlefshme për t’u mbështetur dhe do të gjeni mbështetje.
Sigurisht që, ne nuk kënaqemi me sa është arritur. Jemi shumë të inkurajuar nga rezultatet e Maturës Shtetërore, por jemi të bindur se ka ende shumë për të bërë. Sapo kemi filluar një pjesë tjetër të reformës për mësuesit, duke synuar në një kohë sa më të shkurtër të përputhim profilet e mësuesve me orët e mësimit, sepse ka shumë, fatkeqësisht, shkolla dhe raste, nëpër Shqipëri, ku mësues që kanë profil biologjie japin gjeografi, mësues që kanë profil gjeografie japin muzikë, mësues që kanë profil kimie japin gjuhë e kështu me radhë. Për të mos folur pastaj, për ata që tentojnë të japin fizkulturë, që mund të kenë profile nga më të ndryshmet, përveçse fizkulturën.
Së fundi, ne jemi duke avancuar me shpejtësi, edhe për projektin e futjes së teknologjisë së re në shkolla. Besoj se shkolla “Ismail Qemali” është nga shkollat që do të hyjë në fazën e parë të projektit të kalimit nga librat tek teknologjia dixhitale e të mësuarit. Ajo ka të mirat e veta, por ka edhe ca taksirate. Prindërit do jenë të lidhur online dhe sapo ju të mos shfaqeni në mësim, do t’u shkojë lajmi që ju mungoni e nuk do mund t’u thoni që isha në shkollë, por nuk më pa zysha. Ose në momentin që vihet nota, ajo do t’u shkojë prindërve drejt e në celular dhe s’mund t’u thoni dot, që nuk e di çfarë mora se do ta dinë vetë ata përpara se ju të arrini në derën e shtëpisë. Por këto janë taksirate që do t’i kaloni, nuk keni çfarë bëni.
***
Kryeministri Edi Rama zgjodhi shkollën e mesme të përgjithshme “Ismail Qemali” në Tiranë, për t’ju drejtuar një urim 540 mijë nxënësve në gjithë Shqipërinë, për një vit të mbarë e të suksesshëm shkollor.
Shkolla “Ismail Qemali” vlerësohet ndër shkollat me një traditë të gjatë suksesi, e dëshmuar edhe në rezultat e fundit të Maturës Shtetërore.
“Nga kjo shkollë janë marrë më shumë 10-ta në gjithë Shqipërinë, duke marrë vendin e parë në Maturën Shtetërore në lëndën e matematikës. Unë e di që nga kjo shkollë kanë dalë dhe vijojnë të dalin talente në fusha të ndryshme. Do jemi pranë jush, për të mundësuar sukses dhe vetëm sukses,” – u shpreh Ministrja Nikolla.
Për këtë ditë, një urim të posaçëm, Kryeministri u adresoi edhe 35 mijë mësuesve në mbarë vendin. Në bisedë me ekipin pedagogjik të shkollës “Ismail Qemali”, Kryeministri siguroi për vëmendjen e vazhdueshme ndaj tyre, në përmbushje me sukses të misionit të tyre si përçues të diturisë dhe vlerave, por edhe si pjesë e rëndësishme e reformës modernizuese të arsimit në Shqipëri.
Kryeministri Rama dhe Ministrja Nikolla vizituan klasat e shkollës dhe shkëmbyen biseda të shkurtra me ‘ismailsat’, si edhe nxënësit e kësaj shkolle njihen. Ndërkohë, siç është në traditën e kësaj dite, mësuesve me rezultate të larta, Kryeministri u dhuroi buqetë me lule.
“Kishim vite pa çuar lule për 1 shtatorin, kështu që hoqëm edhe këtë mall të madh për kohërat që nuk kthehen më, duke sjellë këto buqeta me lule për aq mësues sa s’ishin vite që s’kemi çuar lule, qëkur kemi mbaruar shkollën. Por edhe për një arsye shumë më të fortë sesa kjo, që vërtet është një moment për të shprehur respekt për skuadrën e mësuesve të kësaj shkolle, sepse është shkolla që ka dalë me rezultat më të mira në Maturën Shtetërore dhe me rezultate reale, jo rezultate fiktive, që tregon që puna e skuadrës së mësuesve ka qenë vërtet cilësore. Dhe ndërkohë, nëpërmjet jush për t’i shprehur këtë respekt, gjithë atyre mësuesve dhe mësuesve që në gjithë Shqipërinë përpiqen seriozisht për t’ju dhënë nxënësve dije dhe për t’iu kërkuar që të shkojnë më përpara, në rrugën e dijes,” – u shpreh Kryeministri.
Ndërsa foli për një problematikë të mprehtë në arsim, si ajo e pasjes së mësuesve jashtë profilit të lëndës, Kryeministri theksoi se përshtatja e profilit të mësuesve në procesin e mësimdhënies është një nga aspekt e kësaj reforme.
“Duam shumë të mbështetemi tek ju dhe tek gjithë mësuesit e zotë dhe seriozë, për të kthyer faqen e një historie që ka pasur, siç e dini edhe ju vetë, shumë trazira dhe probleme dhe duam ta bëjmë fillimin e këtij viti, fillimin e një përpjekjeje që besoj do ta përfundojmë me sukses dhe shumë shpejt, që të mos kemi mësues jashtë profilit, të mos kemi më një fiktivitet organik në gjithë procesin e mësimdhënies, për shkak se ka shumë mësues dhe ju e dini më mirë se unë, që kanë profil tjetër dhe japin tjetër gjë në shkollë dhe praktikisht mos dhënë asgjë,” – theksoi Kryeministri, ndërsa shprehu vetëdijen se reforma është disapërmasore dhe do të prekë edhe më shumë, edhe më thellë “plagët që janë të hapura në të gjithë sistemin arsimor, për t’i kuruar ashtu siç duhet dhe për t’i mbyllur një herë e mirë.”