Modernizmi i flotës së Policisë së Shtetit

Projekti i modernizmit të flotës së Policisë së Shtetit vijoi sot me shtimin e 196 automjeteve të reja në kuadër të programit IPA të BE- së për Shqipërinë.
Modernizimi me mjete motorike synon të rrisë efektivitetin e policisë dhe të thellojë transformimin e saj për të qenë gjithmonë e më tepër në lartësinë e pritshmërisë dhe të kërkesave të qytetarëve për shërbim optimal.
Kryeministri Edi Rama, sëbashku me Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj ishte në sheshin “Nënë Tereza”, ku u bë dorëzimi i mjeteve moderne të lëvizjes, të cilat do të shpërndahen për sektorë të ndryshëm të Policisë së Shtetit.
Ministri Lleshaj tha se nga programi i përbashkët i financimit prej 8,1 milionë eurosh, ku bëjnë pjesë automjetet e reja, do të plotësohen nevojat e Policisë së Rendit, Policisë Kriminale, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe do të rinovohet flota e komisariateve vendore. “Kemi 196 mjete të rreshtuara këtu në kuadër të programit IPA të BE për Shqipërinë, një program i përbashkët i financuar prej rreth 8.1 milionë euro që janë shpenzuar për këtë projekt, nga ku 4.8 milionë janë fonde europiane dhe 3.3 janë të Shqipërisë. Me këtë flotë ne motorrizojmë rreth 2 mijë punonjës policie. Ka shumë kohë që nuk ka patur një investim të kësaj përmase dhe do të shpërndahen sipas një plani të miratuar nga drejtori i policisë. Do të shkojnë për Forcat Renea, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të gjitha do të rinovojnë flotën dhe komisariatet vendore po ashtu një numër të madh. Kjo do të rrisë eficencën e policisë, sepse vërtetë, ne kemi pak polici, por, nëse e bëjmë mobile dhe të lëvizshme, shtojmë në mënyrë të ndjeshme efektivitetin e saj. Meritojnë falenderime të mëdha edhe partnerët europianë dhe të gjithë ata që janë angazhuar për këtë projekt, sepse projekti ka kërkuar volum të madh administrativ.”
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u shpreh se për herë të parë, të tilla mjete lehtësojnë ndjeshëm  punonjësit e policisë gjatë operacioneve.
“Kemi 49 nga fuoristradat e bardha që do t’ua japim drejtorive. Fuoristradat janë 4 herë 4. Për herë të parë, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë “Renea” do të jenë me të njëjtin model makine. Automjetet brenda janë të pajisura me të gjitha pjesët e veçanta dhe nga jashtë janë me mbrojtëse, për të mos u dëmtuar nga gurët, qoftë nga pjesa e xhamave, qoftë nga pjesa anësore. Pjesën e poshtme e kanë me çelik për të mos u dëmtuar motorri, ndërsa pjesën e brendshme e kanë me nje armaturë speciale për të mbajtur armët e zjarrit. Ndryshe nga herët e tjera , punonjësit do të jenë sa më të lehtë gjatë lëvizjes, por edhe mbrapa kemi përgatitur disa rafte që të kenë qoftë mburoja, qoftë pajisje të tjera individuale apo kolektive, që përdorin shërbimet e forcave të lëvizjes operacionale dhe RENEA gjatë operacioneve. Kemi gjithsej 51 të tilla. Të gjitha forcat speciale do të jenë me këtë lloj makine. 30% e flotës që kemi në përdorim do të rinovohet,“ u shpreh ai.
Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca shprehu falenderimet e tij për punën e palodhur të policisë gjatë muajve të fundit dhe theksoi se BE-ja që prej muajit nëntor ka qenë dhe mbetet një donator i rëndësishëm për Shqipërinë dhe nevojën e saj për rimëkëmbje. “Jam i lumtur që jam këtu sot që t’u dorëzoj këtë flotë moderne të mjeteve. Kemi 49 Land Rover, kemi 96 mikrobusë, që do të përdoren për patrullimin për policinë, për transportin e oficerëve të policisë, për operacionet në vijë të parë, për operacionet kundër drogës, për aktivitet e kufirit. Në fakt, kjo është një kohë krize, siç e dimë dhe në këtë kohë të pandemisë në mënyrë që të bëhet puna ashtu si duhet dhe policia të jetë efikase në punën e saj profesionale, është shumë e rëndësishme për sigurinë që policia të ketë të gjitha mjetet e duhura. Për këtë arsye dëshiroj të falenderoj shumë Policinë e Shtetit për punën  e palodhur që kanë bërë gjatë këtyre muajve  të fundit. Gjatë këtyre momenteve të vështira, BE-ja ka qëndruar pranë Shqipërisë dhe që nga nëntori, ne kemi qenë dhe vazhdojmë të mbetemi, pra, BE-ja mbetet donatori më i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë, për nevojat e menjëhershme që kanë patur për rimëkëmbëjn e vendit. Ne sapo kemi përfunduar Javën e Europës dhe motoja është “Më të fortë sëbashku” e kjo është shumë e qartë sot,”- u shpreh Ambasadori Soreca.
Kryeministri Rama, duke falenderuar për kontributin e BE dhe bashkëpunimin e konsoliduar, tha se projekti për modernizimin vijon dhe se do të shkohet më tutje me rritjen e kapaciteteve teknologjike të Policisë së Shtetit, me futjen e mjeteve më të sofistikuara. “Shumë faleminderit për kontributin dhe bashkëpunimin. Ky kontribut i përbashkët financiar, ku padiskutim kontributi i BE-së është një pjesë e konsiderueshme, përveç kontributit të qeverisë, është një shprehje e qartë e faktit që sëbashku, ne po me transformojmë rrënjësisht vendin dhe Policinë e Shtetit, në mënyrë të veçantë. Disa vite më parë, kjo ishte e paimagjinueshme. Policia e Shtetit që ne gjetëm në vend ishte në një gjendje të mjerë. Flota motorike e Policisë së Shtetit ishte qesharake, ndërkohë që sot, ne u japim të gjithë punonjësve të policisë një forcë të re motorike e sidomos forcave speciale, një flotë të tërë mjetesh që do të mundësojnë kushte optimale operacionesh, që janë operacionet më speciale dhe më të rrezikshme për ta. Sigurisht që këtu nuk mbaron. Këtu hidhet një hap i rëndësishëm i modernizimit. Tani, ne duam të shkojmë më tutje me rritjen e kapaciteteve teknologjike të Policisë së Shtetit, me rritjen e kapaciteteve digjitale, me futjen e mjeteve më të sofistikuara, me dronat e fjalës së fundit e kështu me radhë,” – u shpreh në përfundim Kryeministri.