Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Deklarata e Kryeministrit Edi Rama dhe e ministrit të Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në përfundim të takimit mes tyre:

 

Kryeministri Rama: Ishte një privilegj dhe një kënaqësi e pazakonshme që të mikprisnim sot, një mik dhe një mbështetës të zjarrtë të Shqipërisë, por edhe të gjithë rajonit tonë në rrugën drejt anëtarësimit në familjen europiane.

Sigurisht që kjo vizitë është një tjetër moment i rëndësishëm, domethënës, edhe në marrëdhëniet e intensifikuara me Gjermaninë mike, të cilës i jemi mirënjohëse, ndër të tjera dhe për rolin e marrë në çeljen e Procesit historik të Berlinit, që ka futur rajonin tonë në një epokë të re.

Patjetër, vizita e ministrit Steinmeier ishte e rëndësishme edhe për momentin ku gjendemi. Një moment historik për një reformë historike, reforma në drejtësi, që duke kaluar me sukses në parlament, do të çelë rrugën e negociatave për në Bashkimin Europian, gjë për të cilën, Gjermania në radhë të parë, ministri i Jashtëm personalisht janë investuar shumë seriozisht, për t’i dhënë popullit shqiptar një mesazh të qartë që Bashkimi Europian pret krahëhapur Shqipërinë, natyrisht, duke pritur nga Shqipëria që të plotësojë një për një, të gjitha kushtet që duhen për të qënë anëtar i familjes europiane.

Jam i gëzuar që edhe ministri sot, në mënyrë të pa ekuivok nënvizoi qoftë rëndësinë e kësaj reforme, qoftë domosdoshmërinë që opozita të bëjë hapat e veta për t’iu bashkuar një drafti që nuk është prodhuar në selinë e Partisë Socialiste, nuk është prodhuar në selinë e qeverisë dhe të koalicionit tonë, por është produkt i një bashkëpunimi intensiv, në një proces shembullor me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Gjermania ka pasur që në fillim një vëmendje të veçantë dhe e ka ndjekur procesin me një kujdes të veçantë.

Shumë faleminderit zoti ministër! Ky është një shembull tjetër që Gjermania e ka zor të japë fjalën, kur e jep fjalën, e mban. Ju mund të keni dhënë fjalën që do vinit në Shqipëri, sot jeni këtu dhe në Shqipëri është vështirë të vish herën e parë, por kush vjen një herë, do të kthehet gjithmonë. Ju jeni i mirëpritur të ktheheni sa herë të doni.

Ministri Frank-Walter Steinmeier: Shumë faleminderit, i nderuar zoti Kryeministër, për pritjen që më rezervuat mua dhe të gjithë delegacionit që më shoqëronte gjatë kësaj vizite. Përzemërsisht faleminderit edhe për bisedimet që zhvilluam në këto orë të fundit. Sigurisht, Gjermania ndjek me një vëmendje të veçantë të gjitha zhvillimet politike që ndodhin në Shqipëri.

Shqipëria është së fundmi në gojën e të gjithë opinionit publik gjerman, edhe për shkak të golit të shënuar nga një lojtar shqiptar, në kuadrin e lojërave të kampionatit europian.

Kryeministri Rama: Kjo është e mira  e emigrantëve

Ministri Frank-Walter Steinmeier: Me shumë kënaqësi do të kishim dashur të vijonim bisedat tona për sportin dhe për ndeshjet e Kampionatit Europian të Futbollit, por ajo ç’na ka shtyrë realisht të vijmë këtu, sigurisht kanë qenë gjëra më të rëndësishme sesa kaq. Nuk është sekret nëse them se Shqipëria gjenden në një fazë mjaft vendimtare të procesit të anëtarësimit të saj në Bashkimit Europian.

Do të doja të përsërisja edhe një herë, me shumë kënaqësi, atë çka thashë sot, gjatë konferencës për shtyp me ministrin e Jashtëm, Gjermania ka vërtet një respekt mjaft të madh përsa i përket rrugës së reformave që është ndërmarrë dhe që është mbërritur të realizohet deri më tani në Shqipëri. Ne ndjekim me interes mjaft të madh në veçanti reformat që janë zhvilluar në sektorin ekonomik, që patjetër do të sjellin pastaj në investime edhe më të suksesshme të investitorëve dhe sipërmarrjeve gjermane këtu në Shqipëri.

Por sigurisht, më tepër interes do të kishim që Shqipëria të ndjekë dhe të gjejë rrugët e veta për krijimin e një shteti, e një sistemi sa më demokratik e sa më të qëndrueshëm. Pikë kyçe në këtë kontekst do të ishte lufta kundër korrupsionit, shoqëruar me reformën në sistemin e drejtësisë.  Nuk është hera e parë sigurisht që diskutohet për këtë tematikë kaq të rëndësishme, por tanimë ndodhemi në një fazë mjaft vendimtare. Në vjeshtën e këtij viti, Komisioni Europian do të shqyrtojë pritshmëritë e veta përkundrejt Shqipërisë, nëse ato janë plotësuar apo jo dhe këtu, reforma në sistemin e drejtësisë luan një rol deçiziv.

Jemi tanimë në fazën e një dritareje të hapur të mundësive të dhëna dhe shpresoj shumë që forcat politike në vend të mund të gjejnë gjuhën e përbashkët që të mbërrijnë në përmbushjen e pritshmërive të Komisionit Europian përsa i përket përmbylljes së reformës në sistemin e drejtësisë. Mendoj që jemi në një pikë ku Shqipëria nuk kishte qenë kurrë më parë, pra, ka bërë  një pjesë të madhe të rrugës së saj, jemi përpara një produkti, i cili nuk vjen si produkt vetëm shqiptar, por vjen si një produkt në konsulencë me Komisionin e Venecias, sikurse dhe me ekspertë të  mirënjohur ndërkombëtarë.

Unë shpresoj që forcat politike të mund të gjejnë kurajën për të marrë vendimet e duhura në këtë kontekst dhe shpresoj që në kuadër pikërisht të përmbushjes së kësaj reforme do të nevojitet edhe mbështetja konkrete e opozitës. Është në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë, në interes të një të ardhmeje sa më transparente që kjo reformë të përmbyllet pikërisht në funksion të luftës kundër korrupsionit. Faleminderit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.