Rritja e cilësisë, momenti i ri i bujqësisë shqiptare

Një tjetër sipërmarrje e suksesshme në bujqësi dhe agropërpunim në zonën e Divjakës është edhe kompania “Lisar Seedlings”, e cila furnizon me fidanë jo vetëm tregun vendas, por edhe tregun e huaj. Kryeministri Rama u ndal në kompleksin e madh të serave të kësaj sipërmarrjeje për tu njohur më nga afër me nevojat dhe zhvillimin që këto sipërmarrje kanë njohur në vitet e fundit. Mbështetja e qeverisë, jo vetëm nëpërmjet programeve, por edhe me nisma ligjore, i ka dhënë një shtysë së madhe zhvillimit të bujqësisë në vend.

“Lisar Seedlings” prodhon mbi 15 milionë fidanë në vit, në një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh. “Bashkëpunimin me AZHBR-në e kemi shumë të mirë. Shifrat janë gati trefishuar. Kërkesa për eksport është e lartë, ndërsa tek projekti i ri, falë AZHBR, jemi duke bërë një serë eksperimentale ku do të testojmë varietetet e reja”, – u shpreh sipërmarrësi.

Puna, përkushtimi dhe pasioni kanë arritur të ngrenë këtë model në bujqësi, i cili shërben jo vetëm si shembull për jo vetëm fermerët e Divjakës, ndërsa mbështetja nëpërmjet programit IPARD për zgjerimin e saj nuk ka munguar.

“Momenti për bujqësinë shqiptare është ngritja e nivelit të produktit, të cilësisë. Kompanitë e mëdha europiane na njohin, kanë ardhur e na kanë vizituar”, – tha themeluesi i kompanisë “Lisar Seedlings”.​