Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

MONUMENTET E KULTURËS SIPAS QARQEVE

1. Qarku Korçë

Zona e Korçës

  • Pazari i Korçës: Pazari është objekt me vlera të hershme historike, kulturore e artistike. Karakterizohet nga ndërtesa një dhe dy katëshe, rrugica të ngushta e një stil ndërtimi që tërheq vëmendjen e vizitorëve. Shekuj më parë pazari ka qenë vendi i shkëmbimeve të tregtarëve që vinin jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Turqia, Greqia, Trieste dhe Venecia. Ka qenë i shquar për hanet e vendosur njëri pas tjetrit ku veçohet Hani i Elbasanit dhe Hani i Manastirit, të cilët shërbenin si fjetore.

Pazari i Korçës

Pazari i vjetër përfshin 33 blloqe dyqanesh qe kane rreth 150 dyqane. Nga këto blloqe 6 janë hane:

  1. Hani i Elbasanit
  2. Hani i Manastirit
  3. Hani i Gjelit
  4. Hani i Oparakeve
  5. Hani i Kicos
  6. Hani me dy porta.

Ndërtesat janë një ansambël arkitekturor te cilat parcelizohen ndermjet tyre nga rruget e shtruara me kalldrem. Muratura e ndërtesave te pazarit është prej guri kryesisht në katet e para dhe tullë në katet e dyta. Çatitë janë të mbuluara me tjegulla vendi.

  • Qendra Historike Korçë: Lagjet e vjetra të Korçës (Lagjet 1, 2, 11 & 12) gjenden në lindje të qytetit. Shtëpitë e vjetra në to dhe rrugicat me kalldrëm i bëjnë këto lagje, një zonë interesante për tu vizituar.
  • Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar: Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar: çelur në 1980. Fondet e tij përbëhen nga objekte historike, kulturore e artistike të periudhës mesjetare që lidhen kryesisht me trashëgiminë e krishterë bizantine dhe pas bizantine. Muzeu ka rreth 200 objekte arti. Në të ndodhen disa laboratorë ekzaminimi e konservimi, mjediset e fondeve si dhe një infrastrukturë modeste mikroklimaterike.

Muzeu i Artit Mesjetar, Korçë

 

  • Muzeu Kombëtar i Arsimit: Ky muze është ngritur në godinën ku më 7 mars 1887 u hap e para shkollë shqipe “Mësonjëtorja”. Godina ishte dhuruar për shkollë nga patrioti korçar Diamanti Tërpo. Në stendat e muzeut, veç të tjerash, ekziston fotokopja e abetares së parë shqipe e shkruar nga patrioti Naum Veqilarxhi, si dhe abetarja e dytë e patriotit Kostandin Kristoforidhi.
  • Muzeu Arkeologjik: Muzeu u krijua në 1985 dhe mori formë më të gjërë e më të plotë pas riorganizimit të tij në 1990. Ky muze është vendosur në dy banesa karakteristike korçare të fillimit të shekullit të XIX, të cilat për vlerat arkitektonike të tyre janë shpallur monumente kulture. Muzeu është përqëndruar në prehistorinë e zonës juglindore, e fillon nga periudha neolitike dhe deri në fazën e zhvilluar të epokës së hekurit. Në të ka rreth 1.200 objekte të ekspozuara, shumica me përkatësi nga epokat e neo-eneolitike, bronzit dhe epokës së hekurit.
  • Xhamia e Iljaz bej Mirahorit ndodhet në qytetin e Korçës, pranë pazarit të qytetit, dhe është pjesë e një kompleksi ndërtimor socio-kulturor.
    Ndërtimi i saj daton në 1495 dhe merr emrin e ndërtuesit të saj Iljas Bej Mihrahorit. Xhamia në origjinën e saj është pjesë e një kullije (kompleks ndërtimesh social-kulturore) që përfshinte faltoren, teqenë, varrin monumental të vetë ndërtuesit, banjat dhe anekset e vakëfit. Në fund të shek. 19të – shek. 20të ndërtohet kulla e sahatit në hapësirën e hyrjes së kullijes. Xhamia është monumenti i parë i tipit klasik osman në Shqipëri dhe më e vjetër e tipit sallë me kupolë në vendin tonë. Pas ndërtimit të saj ajo është restauruar dhe plotësuar 3 herë në shekujt 16 – 19. (1562, 1831, 1887). Ajo përbëhet nga Salla e lutjes dhe Hajati i ndarë në tre pjesë. Salla e lutjeve ka plan katror dhe mbulohet me kupolë gjysmë sferike mbi trompa në qoshet (të cilat shfaqen në formën e tyre të plotë për herë të parë në vendin tonë). Në murin jugor ruhet mihrabi i dekoruar si nike me stalaktite dhe anash tij minberi. Në anën veriore ka një mafil të drejtë në të cilin hyet nga shkallët e minares. Salla ka një hapësirë të brendshme unike, e cila ndricohet nga një numër i madh dritaresh të vendosura në muret anësore dhe tamburin 8-faqësh. Muret e xhamisë janë ndërtuar me teknikën e kluasonazhit me dy rradhë tullash horizontale dhe dy tulla vertikale e cila ishte në përdorim në periudhën e fundit përpara pushtimit Osman. Ndërmjet tullave ka gurë smërci të suvatuar hollë për të krijuar sipërfaqe të rrafshët. Kështu ndërmjet gurëve dhe tullave ka fuga të përpunuara gjë që dëshmon jo vetëm për kërkesa të larta nga porositësi por edhe për nivel të mirë ndërtimor të mjeshtrave vendas.

Xhamia e Iljaz bej Mirahorit, Korçë

 

  • Shtëpia Muze e piktorit Vangjush Mio: Shtëpia e piktorit impresionist korçar Vangjush Mio, është shpallur monument kulture dhe përmban rreth 40 piktura në vaj, peisazhe, natyra të qeta. Vangjush Mio është i pari piktor shqiptar që hapi ekspozitën e parë në Tiranë në vitin 1920, ndërsa në vitin 1942 hapi ekspozitën vetjake në Bari.
  • Tuma e Kamenicës: Tuma e Kamenicës është nga më të mëdhatë të njohura deri më tani. Në të janë evidentuar 400 varre dhe më shumë se 3500 objekte. Tuma e Kamenicës ndodhet në ekstremin juglindor të fushëgropës së Korçës. Sikurse dhe tumat e tjera të rajonit, ajo është vendosur në brezin e parë të terracës së krijuar ndërmjet fushës dhe unazës kodrinore rreth saj. Territori përreth Tumës së Kamenicës përmban edhe disa tuma të tjera më të vogla, tashmë të dëmtuara pothuajse tërësisht. Megjithë gjurmët e pranishme të banimit në periudha të ndryshme, nuk është identifikuar ende një vendbanim me madhësi të krahasueshme me madhësinë e grupit shoqëror të përfaqësuar në varrezën tumulare të Kamenicës. Vendbanimi më i afërt i njohur deri tani është ai i “Kalasë së Belodovës”. Si një nga monumentet prehistorikë më përfaqësues dhe më e madhja në llojin e vet nga territori shqiptar, Tuma e Kamenicës është varreza e një komuniteti rural që ka funksionuar si e tillë për më shumë se shtatë shekuj (nga periudha e Bronzit të vonë, rreth shek. 13-të p.e.s deri në periudhën e Hekurit të zhvilluar, rreth mesit të shek. 6-të p.e.s). Ajo është gërmuar në fillim të viteve 2000 nga Grupi i Arkeologjisë së Shpëtimit të Qendrës Ndërkombëtare për Arkeologjinë Shqiptare në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik, Tiranë. Enët prej qeramike përbëjnë objektet më tipike të varreve. Format më të përfaqësuara janë kanat, kantarët, amforat, amforiskët, kupat, filxhanët, etj. Objektet e tjera të zbuluara gjatë gërmimeve përfaqësohen nga shumë kategori objektesh metalike (prej bronzi, hekuri, ari), kocke, qelqi apo guri. Ndër to përmendim një numër të madh tipesh gjilpërash të gjata, fibula gjyslykore dhe me hark, varëse, diadema, byzylykë, aplika, rruaza, etj.
  • Kisha e Ristozit i përket tipit arkitekturor të kishave formë kryq i brendashkruar me kupolë. Mbishkrimi i dhuruesit e daton ndërtimin e saj në shek. XIV. Brendësia e kishës është e zbukuruar me piktura murale, të cilat shquajnë për ekzekutimin e përsosur, kompozimin harmonik dhe përdorimin mjeshtëror të ngjyrave dhe mbart karakteristika tipike të periudhës së vonë paleologe. Analiza stilistikore dhe historike ia atribuon veprën të njëjtëve piktorë anonimë të cilët janë angazhuar në dekorimin e kishës së Shën Mërisë në Maligrad, Shën Athanasi në Kostur, etj. Krahas pikturave të shek. XIV, në hajatin e kishës ruhen edhe piktura të një periudhe më të vonë, të cilat trajtojnë skena nga Apokalipsi i Gjonit dhe mendohet se janë ekzekutuar nga piktori shqiptar i njohur si Kostandin “mësuesi”.

Kisha e Ristozit, Mborje

 

  • Kisha e Shën Mitrit Boboshticë është një kishë njënefshe, me absidë e cila është mbuluar në një kohë të dytë me çati dyujëse. Brendësia e kishës është zbukuruar me piktura murale, të cilat datojnë në dy periudha të ndryshme realizimi. Shtresa e parë datohet në çerekun e fundit të shek. XIV ndërsa e dyta në shek. XVII – XVIII. Piktura shfaq paralele stilistikore dhe ikonografike me kishën e Ristozit në Mborje, jo vetëm se është kisha e më e afërt nga pikëpamja gjeografike, por edhe për faktin se është fondacion të të njëjtit grup dhuruesish dhe vepër e së njëjtës atelie piktorësh.
  • Kisha e Shën Jovanit është një ndërtesë njënefshe, me përmasa mesatare, e përbërë naosi dhe një hajat i vonë i mbyllur në anën perëndimore. Naosi ka planimetri drejtkëndëshe dhe në gjendjen e tij fillestare kufizohej nga ambienti i altarit nëpërmjet një ikonostasi prej druri. Ambienti i altarit përbëhet nga absida, trefaqëshe nga jashtë dhe e rrumbullakët nga brenda, dhe niket e protezisit dhe të diakonikonit. Dyshemeja e kishës është e shtruar me tulla, të rrethuara me shirita gurësh të vegjël. Brendësia e kishës është e dekoruar me piktura murale të një cilësie të lartë artistike, të cilat përfaqësojnë ciklin më të plotë të jetës së Shën Gjon Pagëzorit si dhe skena të tjera të frymëzuara nga Testamenti i Ri. Ato klasifikohen në grupin e pikturave pasbizantine.
  • Fshati Voskopojë (Qendër Historike): Qendër e zhvilluar kulturore e themeluar në 1330, ku gjenden kushtet e nevojshme për turizëm malor. Në dimër funksionon Pista e Skive dhe zhvillohen garat e famshme rajonale. Një nga vendet e rralla ku mund të zhvillohen këto lloje sportesh dimërore.
  • Manastiri i Shën Prodhromit Voskopojë: Kisha e Manastirit të Shën Prodhromit është një monument i rëndësishëm, jo vetëm për vlerat historike si një ndërtim i shek. XVII dhe refleksion i lulëzimit kulturor dhe ekonomik të Voskopojës, por edhe për sa u përket elementëve dhe trajtimit arkitektonik. Ajo është një kishë trekonkëshe e stilit bizantin, dhe si e tillë zë një vend të posaçëm në monumentet e kësaj kategorie në mbarë vendin. Gjithashtu, ajo spikat për vlerat artistike të cilat manifestohen në objekte të ndryshme që ruan brenda saj, e në veçanti për pikturat murale, vepër e murgut Andon i Shipckës.

Manastiri i Shën Prodhromit, Voskopojë

 

  • Kisha e Shën Kollit Voskopojë daton në shek. XVIII. Struktura konsiston në një ndërtim prej guri të tipit bazilikal, me naos me kupolë, narteks dhe hajat. Brendësia e kishës është dekoruar me piktura murale të ekzekutuara nga mjeshtri i shquar David Selenica dhe bashkëpunëtorët e tij Kostandini dhe Kristo. Arti i Davidit dallon për natyrën e tij realiste, siç tregon edhe portreti i dhuruesit por gjithashtu edhe për njohuritë e thella në fushën e teologjisë. Sipas mbishkrimit, piktura ka përfunduar në vitin 1726. Rreth 24 vjet më vonë një tjetër atelie e famshme e kohës, ajo e Kostandin dhe Athanas Zografit, u thirr për të pikturuar hajatin.

Kisha e Shën Kollit, Voskopojë, Korçë

 

  • Bazilika e Shën Thanasit Voskopojë është një ndërtim i tipit bazilikal. Rëndësia e monumentit qëndron në faktin se përbën ndër të paktët shembuj, jo vetëm në Voskopojë por edhe qendra të tjera të vendit tonë, ku ndërtuesit dhe piktorët kanë lënë gjurmë për t’u identifikuar dhe më tepër të dhëna të vlefshme për nëpërmjet një sërë mbishkrimesh. Piktura murale e kishës mban autorësinë e personaliteteve artistike të kohës, Kostandin dhe Athanas Zografi, dhe konsiderohet si një ndër momentet më të mira të veprimtarisë së tyre artistike, realizuar në vitin 1745.
  • Kisha e Shën Mëhillit Voskopojë është një monument i tipit bazilikal, me përmasa relativisht të mëdha, e cila dallon për formulimin arkitekturor dhe ekzekutimin rigoroz të tij. Gjithashtu, në brendësinë e saj ruhen piktura të shumta murale, të cilat manifestojnë adoptimin e tipareve më cilësore të artit të shek. XVIII.

Kisha e Shën Mëhillit, Voskopojë

 

  • Kisha e Shën Mërisë Voskopojë është një ndërtim bazilikal, i cili spikat për vlerat monumentale të trajtimit të jashtëm. Ajo ishte pjesë e një kompleksi godinash shoqërore, të ndërtuara në fund të shek. XVII dhe në fillim të shek. XVIII, duke përfshirë edhe paraklisin e shenjtëve anargjirë Kozmai dhe Damjanoi dhe qimitirin e Shën Marenës. Në brendësi ruhen piktura murale, ikona dhe ikonostasi i thadruar në dru, të cilat shfaqin vlera të mëdha artistike dhe kanë rëndësi të veçantë historike. Mbishkrimi i pikturave murale, njofton për veprimtarinë artistike të mjeshtërve Theodhori, Anagnosti dhe Sterani nga Agrafa ndërsa disa prej ikonave mbajnë autorësinë e Kostandin Jeromonahut. Pikturimi i kishës ka mbaruar në vitin 1712.

Kisha Fjetja e Shën Mërisë, Voskopojë

 

  • Shipska përbën një qendër të rëndësishme, e cila njohu zhvillim të lartë ekonomik dhe kulturor gjatë shek. XVII – XVIII. Tani në vend të qytetit të dikurshëm ka mbetur një fshat i vogël, rreth tri orë në veri të Voskopojës, dëshmi e lulëzimit të së cilit është vetëm Kisha e Shën Gjergjit. Monumenti ngrihet mbi një breg në hyrje të fshatit. Ai përbëhet nga naosi, narteksi, hajati, kambanorja dhe një ndërtim i vonë, i cili i është bashkëngjitur ndërtimit fillestar të kishës në anën jugore dhe ka funksionuar si faltore. Kompozimi i brendshëm planimetrik e hapësinor dhe ndërtimi strukturor janë bazuar mbi të njëjtat kritere si dhe ato të bazilikave të Voskopojës. Brendësia e kishës është dekoruar me piktura murale, të cilat i përkasin kohës së ndërtimit të saj. Ato bazohen në një cikël të zgjeruar të frymëzuar nga Testamenti i Vjetër dhe Testamenti i Ri, dhe nga literatura teologjike siç është Himni Akathist, apo Jetët e shenjtorëve të ndryshëm. Ndërtimi i kishës lidhet me periudhën e lulëzimit të Shipskës si qendër qytetare dhe tregtare.
  • Kompleksi manastiror i Shën Pjetrit dhe Pavlit përfaqëson një ndër monumentet më të rëndësishme të kulturës materiale të Vithkuqit të shek. XVIII, i cili veç katholikonit dedikuar apostujve të shenjtë Pjetri dhe Pavli përfshin varrezën e shenjtëve anargjirë Kozmait dhe Damjanit dhe konakët. Monumenti është një dëshmi e rëndësishme që mbart vlera të spikatura arkitekturore, historike dhe artistike. Në dekorimin e brendësisë së ambienteve të tij me piktura murale ikonostas dhe ikona janë angazhuar atelie të njohura të kohës si ajo e vëllezërve Kostandin dhe Athanas Zografi dhe Kostandin Shpataraku.
  • Kisha e Shën Mërisë është një ndër monumentet e ruajtura më mirë në Vithkuq, shprehje e lulëzimit ekonomik dhe kulturor të qytetit në shek. XVII – XVIII. Nga pikëpamja arkitekturore, ajo përbën një ndërtim të tipit bazilikal me kupolë. Brendësia e monumentit është dekoruar me pikturë murale. Karakteristika ndërtimore, të ngjashme me kishën e Shën Mëhillit, e cila mban datën 1682, e vendosin ndërtimin e saj në gjysmën e dytë të shek. XVII ose fillimin e shek. XVIII.
  • Kisha e Shën Mëhillit është një monumentet më të vjetra dhe më madhështore të Vithkuqit, e ndërtuar në vitin 1682 dhe e pikturuar në vitin 1728. Nga pikëpamja arkitekturore, kisha është një ndërtesë e tipit bazilikal, brendësi e së cilës mbulohet me një sistem kompleks qemerësh, harqesh dhe kupolash, që fshihen nën strukturën e çatisë së gjerë dyujëse.
  • Kisha e Shën Mërisë (ishull, Maligrad) është monumenti më përfaqësues në liqenin e Prespës së Madhe, e cila spikat për vlerat historike, arkitektonike dhe artistike. Ajo ruan mirë pikturën murale, e realizuar në tri faza të ndryshme dhe mbishkrime të shumta si dhe portretin familjar të Kesar Novakut në fasadën perëndimore. Të gjitha këto të dhëna përbëjnë një burim të rëndësishëm historik, duke na treguar të aspekte të rëndësishme mbi fondacionet dhe shijet artistike të fisnikëve lokalë si dhe organizimin e programit ikonografik në kishat njënefshe me qemer.
  • Kisha e Shën Mitrit në Bezmisht përbën një monument të rëndësishëm të shekullit XIV, e cila shfaq një ndërthurje harmonike midis arkitekturës dhe pikturës. Skenat e ruajtura të pikturës murale trajtojnë ngjarje të frymëzuara nga Testamenti i Ri dhe paraqitje shenjtorësh individualë, midis tyre edhe Shën Mitri, të cilit i blatohet kisha. Trajtimi grafik linear, ngjyrat e zbehta dhe të papërpunuara e vendosin datimin e pikturës në shek. XIV.
  • Shpella eremite e Shën Mërisë Glluboko (Bezmisht) ndodhet në lindje të fshatit Bezmisht, buzë liqenit. Ajo ruan në gjendje të mirë pikturat murale, të cilat sipas të dhënave epigrafike i atribuohen kontributit të murgut Partheni dhe gjithë shoqërisë së priftërinjve. Shpella është një shprehje e rëndësishme e lindjes dhe organizimit të jetës manastirore në brigjet e Prespës së Madhe ndërsa pikturat e saj përbëjnë një fazë të rëndësishme kalimtare drejt stilit më të përparuar të artit pamor bizantin, që u zhvillua në fillimin e shek. XIV.
  • Shpella eremite e Evangjelizmoit në vendin e njohur me toponimin Crnapesh ose Gollomboç, në afërsi të fshatit Pustec në bregun perëndimor të Prespës së Madhe. Paraklisi i saj ruan piktura murale të cilësisë së mirë, të cilat për nga karakteristikat janë tipike të shkollës së Maqedonisë dhe studimet e deritanishme i kanë datuar në gjysmën e dytë të shek. XIV.
  • Kisha e Shën Mërisë është një kapelë njënefshe në qendër të fshatit Gollomboç, me absidë dhe e mbuluar me qemer. Brendësia e kishës ruan piktura murale të dy fazave të ndryshme, të cilat janë shprehje e veprimtarisë artistike në zonën e Korçës në periudhën e vonë bizantine.

Zona e Devollit

  • Shpella e Trenit: Shpella e Trenit është përfaqësuese e artit shkëmbor në territorin shqiptar dhe është një prej elementeve që bart një masë të madhe vlerash arkeologjike. Shpella është një dëshmi e popullsisë autoktone dhe do të përbënte një atraksion turistik për turistët vendas dhe të huaj. Ndodhet në pjesën perëndimore të liqenit të Prespës së Vogël dhe daton nga viti 6000 p.e.s.. Në të janë gjetur një larmi objektesh si piktura por edhe punimet qeramike të cilat janë një vlerë dhe dëshmi e vërtetë e banimit të hershëm të saj. Shpella e Trenit në rrethin e Devollit, ndodhet në pjesën perëndimore të liqenit të Prespës së Vogël dhe daton nga viti 6000 p.e.s. Shpella e Trenit është studiuar për vlerat e saj historike dhe natyrore. Në brendësi të saj gjenden piktura murale prehistorike me skena gjahu. Shpella e Trenit, është një nga monumentet e kategorisë se pare te Kulturës, qe dëshmon prehistorinë e popullsisë se kësaj zone. Shpella e Trenit zë vend kryesor në tërësinë e monumenteve arkeologjike, në fushën e Devollit e pellgun e Korçës. Si vendbanim prehistorik është bërë e njohur për herë të parë në vitin 1952, nga vëzhgimet e H. Ceka e S. Anamali. Shpella e Trenit dhe zona në afërsi të saj është bërë objekt gërmimesh dhe ekspeditash arkeologjike që nga viti 1966, duke zbuluar objekte me vlera në të.

Zona e Kolonjës

  • Kisha e Shën Mërisë në Cerckë të Kolonjës n ngrihet mbi një breg shkëmbor, pjesë të të cilit përfshihen brenda mureve. Kisha përbëhet nga një narteks i vonë që shtrihet në anën perëndimore dhe atë jugore, nga naosi drejtkëndor në plan dhe mjedisi i altarit. Brendësi e kishës është dekoruar me afreske, të një cilësie të lartë artistike, studimi i të cilave ka çuar në përfundimin se prototipat e tyre gjenden në ambientin e Maqedonisë veriperëndimore dhe stili, si i sintezave të përbëra edhe atyre të paraqitjeve individuale, paraqesin lidhje të ngushta me ansamblet piktorike që u pikturuan në këtë zonë në pjesën e tretë të shek. XIV.
  • Kisha e Shën Mërisë në Barmash ngrihet në të hyrë të fshatit, jashtë lagjeve të banuara, në oborrin e së cilës ndodhen varrezat e fshatit. Sipas mbishkrimit, kisha është pikturuar në vitin 1616. Kisha përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati.

Zona e Pogradecit

  • Kisha Trikonkëshe e Linit rruhet në gjendje rrënoje në një kodër mbi fshatin Lin buzë Liqenit të Ohrit. Përbëhet nga naosi, nga dy kapela me apsidë në jug dhe në veri të tij, nga baptisteri, atriumi dhe nga një kapelë katërkonkëshe në anën veriore, ku zbritet me disa këmbë shkallë. I gjithë kompleksi i ka dyshemetë të shtruara me mozaikë. Mozaiku shumëngjyrësh ka zbukurime me motive nga bota shtazore e bimore, si dhe me motive gjeometrike, ku mbizotërojnë simbolet e kultit. Duke patur parasysh ngjashmëritë me kishat në zonat e afërta, në mënyrë të veçantë me ato të Lyhnidit (Ohrit), mendohet se kisha trikonkshe e Linit duhet të jetë ndërtuar në fillim të shek.VI.

Kisha Trikonkëshe e Linit, Pogradec

 

  • Manastiri i Shën Marenës ngrihet mbi një pllajë të vogël malore të krahinës së Mokrës, në pjesën juglindore të Shqipërisë. Llënga shtrihet poshtë kësaj kodre, në luginën e lumit Shkumbin dhe gjatë shek. XVIII ishte zhvilluar në një qendër të lulëzuar ekonomike dhe kulturore. Kisha e Shën Marenës përfaqëson një bazilikë njënefshe, e cila përbëhet nga naosi, narteksi dykatësh dhe hajati jugor dhe i hapur me arkada dhe kambanorja. E gjithë kisha është mbuluar në pjesën e brendshme me afreske, të cilat sipas mbishkrimit bashkë me ndërtimin e kishës janë fondacione të kryera me shpenzimet e banorëve, esnafëve, mjeshtrit rrobaqepës, kasapëve të qytetit të Llëngës në datën 2 tetor 1754. Tematika e pikturës është e zakonshme për kishën ortodokse pasbizantine: Festat e Mëdha, duke filluar nga Ungjillëzimi deri tek Shestja e Krishtit, tematika nga Apokalipsi dhe paraqitje shenjtësh individual. Piktura e Shën Marenës – Llëngë përfaqëson një vepër të piktorit të talentuar Kostandin Shpataraku, rreth 10 vjet pasi ai kish përfunduar ikonat e manastirit të Ardenicës në Lushnjë. Ajo dëshmon pjekurinë artistike të piktorit; vepra e tij është humane, njeriu i cili zë vendin kryesor dallon për dimensionet e spikatura ndërsa peizazhi humb funksion e vetë duke u shndërruar në element të thjeshtë dekorativ, që shërben për të evidentuar figurat nga ana koloristike dhe kompozicionale.

Manastiri i Shën Marenës, Llëngë, Pogradec

 

  • Selca e poshtme përfaqëson një qendër të rëndësishme ilire të krahinës së Dasaretisë, e cila shfaqet në burimet e shkruara nën emrin e qytetit antik të Pelionit, vendi ku u zhvillua beteja vendimtare midis Aleksandrit të Madh dhe prijësve ilirë. Varreza monumentale është shprehje e qartë e frymëzimit autokton të realizuesve të saj, ku gdhendje si mburoja ilire, përkrenarja e ngjashme me atë të zbuluar në bregun tjetër të Ohrit që mbart mbishkrimin e Monunit, mbishkrimi i emrit ilir Meko, imitimi i teatrit iliro – epirot me analema të drejta në arkitekturën e një prej varreve, përbëjnë njëkohësisht edhe tipare të identitetit të përdoruesve të saj dhe të ritualeve të tyre të varrimit.
  • Ura e Golikut ka ardhur si monument i plotë deri në ditët tona dhe është përdorur gjatë kohës së sundimit osman dhe është ndërtuar në shek. XVIII. Është urë me dy qemerë në formë gjysmë rrethore, dhe midis tyre gjendet një dritare shkarkuese. Ura është ndërtuar me gurë të gdhendur, ku bie në sy pjesa e poshtme e qemerit e cila ka gurë të mëdhenj dhe të punuar mirë, kjo jo thjesht për estetikë, por për ta bërë strukturën më solide dhe më të fortë.

 

2. Qarku Shkodër

  • Kalaja e Shkodrës është një kala tipike mesjetare. Ruan gjurmë muresh fortifikuese të antikitetit. Kalaja ndahet në 3 oborre. Ka në brendësi te saj ndërtime të karakterit shoqëror si objekt kulti, stera uji, burgu dhe të karakterit ushtarak si kulla mbrojtëse, vrojtimi, galeri, apo dhe Kapiteneria. Formën themelore, kalaja e ka marrë që në gjysmën e dytë të shek. XIV dhe ka arritur trajtën e sotme me një varg plotësimesh të vazhdueshme. Në brendësi të këtij sistemi dallohen qartë një numër ndërtimesh si të periudhës ilire shek. IV p.Kr. e kryesisht ato mesjetare që fillojnë që nga periudha e dinastisë Balshaj shek. XIV, Venedikase shek. XV, të periudhës turke shek. XVI-XVII dhe së fundmi ato të periudhës së Pashallëkut të Bushatllijve shek. XVIII. Kalaja dallohet për mure të ndërtuara mirë, me rregull, të skuadruar, latuar, punuar dhe me shumë fragmente arkitektonike si frëngji topash apo pushkë, kontraforte, porta, shkallë, qemerë. Në fragmentet e antikitetit gurët janë të përmasave të mëdha (ciklopik) të ngjeshur pa llaç por të latuar për tu puthitur mirë me njëri-tjetrin. Ndërsa konstruksionet mesjetare kanë gurë te përmasave te vogla por të vendosur me kujdes dhe të fuguara mirë. Periudha Osmane ka shumë ripërdorime nga periudhat e mëparshme dhe konstruksionet dhe muraturat nuk kanë cilësinë dhe rregullin e strukturave më të hershme. Gurët në përgjithësi në periudhën turke janë të vendosur çregullt, të pa punuar dhe të mbushur me copa tullash apo tjegullash ndër boshllëqe.

Kalaja e Shkodrës

 

  • Kalaja e Drishtit ndodhet në verilindje të Shkodrës, mbi një kodër shkëmbore me një mbrojtje të fuqishme natyrore, e cila përveç faqeve me pjerrësi të madhe, ka si mbrojtje edhe lumin e Kirit që e rrethon nga veriu dhe perëndimi, ndërsa nga jugu, rrëzë kodrës, rrjedh një përrua malor, i cili derdhet në Kir. E ngritur mbi një kodër të lartë shkëmbore, që rrethohet nga një bërryl i tillë lumenjsh, kalaja e Drishtit plotëson një nga kërkesat kryesore të një fortifikimi mesjetar. Muri rrethues i qytetit në Drisht, zë një sipërfaqe mjaft më të madhe nga ai Shurdhahut, ndërsa përkundrazi, rrethimi i sipërm është mjaft më i vogël dhe nuk krijon një ndarje të sipërme të qytetit, por vetëm një kështjellë si në kalanë e Danjës. Muri rrethues i Drishtit përshkohet nga dy hyrje, njëra nga lindja dhe tjetra nga perëndimi, ndërsa kështjella nga një hyrje e vetme që përshkon faqen anësore të një kulle drejtkëndëshe. Kalaja ka kulla të vogla gjysmërrethore, teknikë ndërtimi me mure të holla pa breza dhe me shtegun e rojeve që krijohet nga platforma druri të mbështetura mbi trarë të dalë konsol. Në kështjellë, që ka formën e një katërkëndëshi, dallohen disa faza ndërtimi. Të katër kullat e saj shohin nga ana e brendshme e kalasë, pasi muret periferike janë ngritur mbi një humnerë të pangjitshme. Në fillim, kështjella ka pasur 3 kulla katërkëndëshe, ndërsa në një periudhë të dytë është shtuar një kullë gjysmërrethore. Gjithashtu, një nga kullat katërkëndëshe është veshur me një këmishë rrethore dhe në përgjithësi kullat në pjesën e poshtme janë veshur me mure që bien pjerrtas mbi terrenin. Njëra nga kullat katërkëndëshe, që ka qenë e rrënuar, është rindërtuar në formën ekzistuese, po kësaj radhë me gurë të latuar me kujdes. Nga teknika e ndërtimit duket se i përket periudhës së pushtimit venecian 1396-1478. Kjo kullë si dhe ajo e hyrjes janë pajisur me frëngji të vogla për topa. Pas pushtimit të Drishtit nga turqit, më 1478, bie rëndësia e tij si qytet dhe si fortesë, ndërsa popullsia u largua në masë prej andej.
  • Ura e Mesit është monument kulture i kategorisë së parë. E gjithë sipërfaqja është e ndërtuar me gurë e shtruar me kalldrëm, shtihet mbi lumin Kiri. Shpallet monument kulture I kategorisë së pare ne vitin 1948. Ura e Mesit e ndërtuar nga Mehmet Pasha Bushati nga fundi I shek XVIII, është një nga urat prej guri me të mëdha dhe më të ruajtura ne vendin tone. Ajo është një tip me kurriz,e realizuar me mbi 13 harqe me përmasa hapësirash te ndryshme me një gjatësi prej 108m. Ndërtimi i urës ka kaluar në dy faza. Fazës së parë i takon me harkun kryesor me hapësire dritë 21,5m dhe 4 harqe traseja e kësaj faze te urës është shtruar me gurë pllake te vendosur këlliç duke i dhenë harkut te urës tendencën ne forme shkallareje. Me vone ,kur me sa duket prurje te mëdha përmbytnin pjesët e pjerrëta ne hyrje dhe dalje te urës, lindi nevoja e zgjatjes se saj , duke shtuar 4 harqe nga e majta dhe 5 harqe nga e djathta muratura e te cilit është punuar me kujdes qe ne fazën e pare. Ura e Mesit është e ndërtuar me gurë dhe e gjithë sipërfaqja e saj është e shtruar me kalldrëm.

Ura e Mesit, Shkodër

 

  • Xhamia e Plumbit është monument i kategorisë se pare e ndërtuar ne vitin 1773 nga Shqiptare Mehmed Bushati i familjes fisnore të Bushatllinjve, vezir i pashallëkut te Shkodrës në atë kohë. Ndodhet Brenda qytetit të Shkodrës. Mehmed Bushati u kujdes personalisht për ndërtimin e saj dhe gurët ishin të gdhendur me urdhër te tij. Xhamia përfaqëson një shembull unik te monumenteve të arkitekturës klasike te qytetit dhe një oborr te mbyllur mbuluar nga një kube qe mbështet ne arkada fine dhe me kolona te dekoruara. Imami i pare i xhamisë ishte Haxhi Ahmet Misria, me origjine nga Egjipti. Ai erdhi në Shqipëri si pasojë e kontaktit me Mehmed Bushatin. Pas tij, imamë të tjerë shërbyen dhe u kujdesen për xhaminë.

Xhamia e Plumbit, Shkodër

 

  • Ura e Bahçallëkut ndodhet mbi lumin në hyrje të qytetit të Shkodrës. Është vënë në funksion të plotë për transport në ditët e para të Shkurtit 1914, fale investimit te austriakeve dhe borgjezisë së kohës. Aktualisht ura për shkak të prurjeve të mëdha ka pësuar dëmtime në këmbët e saj. Ka mbetur vetëm struktura metalike e konstruksionit te urës. Këmbët e urës janë prej guri të lidhura mes tyre me trarë hekuri.
  • Kalaja e Shurdhahut ngrihet mbi një kodër shkëmbore me lartësi 130m, në bregun e djathtë të lumit Drin, rreth 8 km në jug të qytetit të Shkodrës. Dikur kjo kodër lidhej nëpërmjet një qafe të ulët me vargun e kodrave që shtriheshin në bregun jugor të këtij lumi, por me krijimin e liqenit artificial të hidrocentralit të Vaut të Dejës, kodra e Shurdhahut u kthye në ishull. Kalaja e Shurdhahut daton në fundin e shek. XII ose nga fillimi i shek. XIII, por lulëzimin më të madh si qytet e pati në shek. XI. Rreth vitit 1184 Shurdhahu u pushtua nga serbët, më vonë ka qenë nën juridiksionin e familjes feudale shqiptare të Dukagjinëve dhe më 1491 u pushtua nga turqit. Në këtë periudhë qyteti pësoi një rënie të vazhdueshme, derisa pas shek. XVII, emri i tij nuk përmendet më. Muret mbrojtëse e ndajnë qytetin në dy pjesë: në qytetin e sipërm, që zë majën e kodrës, dhe në të poshtmin që zë shpatin e saj nga veriu, lindja dhe jugu. Si muri rrethues i sipërm ashtu dhe i poshtmi janë pajisur me kulla, që kanë formën e shkronjës U, trekëndëshe dhe katërkëndëshe, por nuk janë vendosur në distanca të caktuara, veç diku kemi grumbullime kullash të vendosura pranë njëra- tjetrës dhe diku linja të gjata muresh pa asnjë kullë. Kalaja rrethon një sipërfaqe prej 4, 7 ha.

Kalaja e Shurdhahut

 

  • Kalaja e Dalmacës ndodhet mbi një majë shkëmbore, në verilindje të fshatit Koman. Sipas shpjegimit të dhënë nga F. Nopça, kalaja e Dalmacës do të thotë “kështjella e Dalmatëve” dhe fjala e Dalmacës, sipas tij përbën veçse genitivin e shtuar të fjalës Dalmate (e shquar = Dalmatia). Kalaja e Dalmacës është mjaft e njohur për varrezën e saj. Ajo u zbulua për herë të parë nga konsulli francez në Shkodër A. Degrand në vitin 1898. Prej kalasë ruhen vetëm disa rrënoja muresh, të ndërtuara me gurë të vegjël dhe mesatarë, të punuar lehtësisht në fasadën e jashtme. Këto mure, si nga pikëpamja e materialit edhe e teknikës së ndërtimit, janë të ngjashme me muret e kalasë së Shurdhahut. Kjo teknikë është tipike e periudhës së hershme mesjetare. Në territorin e rrethimit janë vërejtur rrënojat e disa kishave, të cilat duke iu referuar kujtesës së popullsisë lokale, i blatohen Shën Mëhillit, Shën Gjergjit, Shën Todrit, Shën Gjinit dhe Shën Kollit.

 

3. Qarku Gjirokastër

  • Guri i qytetit të Përmetit është një shkëmb masiv me faqe të thikta 12 m i lartë. Në pjesën e sipërme shkëmbi rrafshohet në një syprinë 15mx15m në të cilën ruhen rrënojat e një fortifikimi të shekullit të IV – VI. Në rrëzë të shkëmbit ndodhet një trakt i periudhës antike i njëjtë me fortifikimet e shekullit të III p. Kr. në luginën e Drinosit. Në sipërfaqe të gurit gjenden dy ambiente të rrënuara, njëra është përdorur si ujëmbledhës me sipërfaqe 14m2 dhe tjetra me sipërfaqe 22. 5m2.

Guri i Përmetit

 

  • Kisha e Shën Premtes është ndër monumentet më të vjetra në zonën e Përmetit dhe prej shembujve më të ruajtur të arkitekturës dhe pikturës pasbizantine në pjesën jugore të Shqipërisë. E ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XVIII, kisha lokalizohet në pjesën jugore të qytetit. Bëhet fjalë për një ndërtim bazilikal, që përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati. Brendësia e kishës është zbukuruar me piktura murale, të cilat përfaqësojnë një ansambël interesant të pikturës pas bizantine. Skenat e Shën Mërisë “Platitera” dhe të Kungimit të Apostujve në bemë, figurat e plota të portreteve të shenjtorëve dhe të paraqitjeve në naos të skenave përshkruese të Gjenezës qysh nga momenti i Krijimit dhe Mëkatit fillestar, etj., dhe të Testamentit të Ri duke ndjekur rrjedhën kronologjike të ngjarjeve. Gjithashtu, mbresëlënës mbetet edhe pikturimi i shenjave zodiakale dhe frymëzimi i piktorit nga Manuali i Pikturës dhe arti i David Selenicës, me të cilat duket shumë familjar. Mbishkrimi njofton se autori i pikturave është Terpo Zografi, i cili i ka realizuar ato në Shtator të vitit 1808.
  • Kisha e Leusës i dedikohet Shën Mërisë dhe ndodhet në fshatin me të njëjtin emër, i cili shtrihet në jug të qytetit të Përmetit. Ajo është mjaft e njohur edhe prej ikonostasit të saj prej druri, të gdhendur me mjeshtëri të lartë artistike. Kisha përbëhet nga naosi, i ndërtuar në vitin 1812, narteksi dhe hajati. Në brendësinë e saj kisha është zbukuruar me piktura murale të një cilësie të lartë artistike, të cilat janë vepër e piktorëve nga Fjonjati, Mihalit dhe Gjergjit, në vitin 1812.

Kisha e Shën Mërisë, Leusë

 

  • Kisha e Shën Dëllisë ndodhet në një bregore, në anë të fshatit Buhal, pranë lumit Vjosë. Ajo përbëhet nga naosi drejtkëndësh, narteksi kuadratik dhe hajati i hapur në anën jugore. Në origjinën e saj kisha ka qenë një kapelë bizantine njënefshe. Gjurmët e kësaj faze fillestare vërehen ende në muraturën e kishës. Brendësia e kishës është mbuluar me afreske të një cilësie të lartë artistike, të cilat ruajnë dy faza të ekzekutimit. Faza e parë i përket kohës së ndërtimit të kishës ndërsa faza e dytë lidhet me periudhën e rindërtimit të saj. Duke u bazuar në tiparet stilistikore të pikturës, ajo duhet t’i përkasë shek. XIX.
  • Kisha e Shën Mërisë në Kosinë është një monument i hershëm i tipit kryq i brendashkruar me kupolë, që ka ende të paformuara qartë tiparet themelore, sidomos në ndërtimin e pjesës së poshtme. Kisha përbëhet nga naosi dhe narteksi. Në brendësi të kishës ruhet piktura murale të dy fazave të ndryshme. Faza e parë duhet të lidhet me kohën e ndërtimit të kishës ndërsa për faza e dytë datohen në periudhën pasbizantine.

Kisha e Shën Mërisë, Kosinë, Përmet

 

  • Banesa e Lefter Cullufës është monument i kategorisë së pare dhe ndodhet në fshatin Buhal, komuna Piskovë, Përmet. Është një ndërtesë trekatëshe prej guri me tipare të qarta qytetare. Në qendër theksohet qoshku i dale në formën e erkerit që mbahet me dy kolona guri. Mjediset e katit të pare përbëhen nga dy ambiente për mbajtjen e drithërave. Ka dhomë dimri me oxhak me tambur. Në të djathtë ndodhet dhoma e gjumit e pasur me sergjenë druri të montuara në mur. Në katin e tretë bie në sy hajati I vendosur në qoshkun e përbërë prej 7 dritaresh që kanë pamje nga lugina.
  • Kalaja e Këlcyrës e ndërtuar në shek. III p. K., por është ripërdorur gjatë periudhës së Mesjetës.

Kalaja e Këlcyrës

 

  • Shpella e Bënjës (Fshati Bënjë, Përmet) ndodhet në hyrje të Kanionit të Langaricës në lartësinë 8m mbi nivelin e lumit ndodhet vendbanimi shpellor, i cili i përket periudhës së eneolitit. Shpella përbëhet prej shkëmbinjve gëlqerorë. Gjatësia e brendshme e shpellës është 16m me gjerësi 3m dhe lartësi 3m. në qendër të saj ndodhet një hapësirë tjetër me thellësi 9m dhe gjerësi 3m dhe lartësi 3m. hyrja e shpellës përbëhet nga 4 hapësira.

Bënjë

 

  • Teqeja e Frashërit përbëhet nga dy ndërtesa të veçanta, të cilat lidhen me një mur dhe në qendër të saj një portë me qemer. Ndërtesa ndodhet në krahun e djathte, ka formën e germës L me sipërfaqe 325m2, e cila zhvillohet në tre ambiente, kafe oxhaku, ashefi dhe furra e bukës. Ndërtesa në krah të majtë është pjesërisht dykatëshe me sipërfaqe 218m2. Aty ndodhet Mejdani, vendi i shenjtë ku zhvillohen ceremonitë fetare dhe shkolla me përmbajtje fetare bektashiane. Në distance prej 20m ndodhen dy tyrbe bashkë me kupola dhe hyrje të veçanta me sipërfaqe 102m2. Ndërtesa përbëhet prej guri shtufi të zi të lidhur me llac gëlqereje me qoshe të punuara drejt dhe çatitë janë të mbuluara me dërrasa guri të zi.
  • Banesa e vëllezërve Frashëri është monument kulture i kategorisë së parë dhe ndodhet në fshatin Frashër, Përmet. Banesa u rrënua në vitin 1892 dhe u rindërtua në vitin 1974. Banesa përbëhet prej dy katesh dhe me portë me qemer. Në krahun e djathtë ndodhet dhoma e gatimit ndërsa në të majtë ndodhen tre dhoma me një dhomë me oxhak. Ngjitja për në katin e dytë realizohet nëpërmjet shkallëve prej druri, në të cilën ndodhen 5 dhoma dhe një dhomë me oxhak.

Banesa e Vëllezërve Frashëri, Përmet

 

  • Ndërtesa e Kongresit të Përmetit ndodhet brenda qytetit të Përmetit dhe është ngritur në vitet 1938-1940 nga ushtria italiane e cila ka shërbyer si Kazermë deri në vitet 1944. Ka formë drejtkëndëshi dhe ka përmasat 29.3 m x 8.9 m, e përbërë nga dy ambiente njëra prej së cilës ka shërbyer si dhomë muze. Çatia ka qenë e mbuluar me eternit dhe sot e mbuluar me tjegulla.
  • Parku Arkeologjik i Antigonesë Gjirokastër (Komuna e Antigonesë); Sipas historianit grek të lashtësisë, Plutarkut, Antigonea qe qyteti që u lind nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja. Kur ishte 17 vjeç, mbreti Pirro u rrëzua nga froni pas një kryengritjeje kundër tij. Pas kësaj ai shkoi në shërbim të mbretit Demetër të Maqedonisë e më vonë në oborrin e mbretit Ptoleme të Egjiptit. Atje tërhoqi vëmendjen e mbretëreshës së Egjiptit, Berenices, që e përzgjodhi midis princërve të tjerë për t’u martuar me Antigonenë, njërën prej vajzave të çiftit mbretëror të Egjiptit. Duke pasur mbështetjen e gruas së tij, Antigonesë ai mblodhi të holla dhe ushtri dhe u kthye në Epir duke rrimarë fronin mbretëror. Mirënjohja ndaj vjehrrës Berenice dhe gruas së tij Antigone e nxitën Pirron të themelojë dy qytete me emrin e tyre: Berenika dhe Antigonea. I pari gjendej në Thesproti, ndërsa Antigonea në Antitani. Antigonea u themelua në vitin 295 p.e.s. Shpejt u kthye në një qendër të rëndësishme për shkak të kontrollit të luginës së Drinosit, e cila në Antikitet quhej ngushticat e Antigonesë. Fitorja e Republikës Romake në luftën me ushtritë maqedonase të mbretit Filipi V pati pasoja fatale për Antigonenë. Pas fitores përfundimtare në vitin 167 p.e.s., Roma i dënoi ashpër epirotët që kishin luftuar kundër saj si aleatë të Maqedonisë. Konsulli romak , duke zbatuar një urdhër të Senatit, kreu më 168 p.e.s. plaçkitjen dhe shkatërrimin e 70 qyteteve të Epirit dhe të Ilirisë, përfshi Antigonenë. Qyteti u shkatërrua plotësisht nga ushtria romake dhe nuk u rindërtua më kurrë. Pas kësaj qyteti u braktis për disa shekuj dhe vetëm në shekullin VI mbas Krishtit brenda tij u ndërtua një kishë paleokristiane.

Parku Arkeologjik i Antigonesë

 

  • Pazari i Gjirokastrës është një nga komplekset tregetaro – zejtare i ndërtuar ( rikonstruktuar) në shek. XVIII – XIX me vlera historike dh urbanistiko- arkitektonike unikale për vendin tonë por dhe më gjerë. Ai ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm njëjtën ekonomiko – shoqërore të qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës. Pozicioni i tij në qendër të qytetit, shtrirja kompozicionale dhe trajtimi arkitektoniko – dekorativ i japin këtij kompleksi një rëndësi të vecantë në tipologjinë e pazareve në vendin tonë. Ky monument është i kategorisë së parë dhe ndodhet në qytetin e Gjirokastrës, i cili u shpall pasuri kulturore botërore nga UNESCO në korrik të 2005. Qendra zejtaro – tregtare e qytetit, pazari, siç përmendem, aty nga fillimi i shek. XVII zhvendoset në qendër të qytetit aty ku ruhet sot e kësaj dite. Pazari u ndërtua aty, për të qenë lehtësisht i arritshëm nga banorët e të gjitha lagjeve. Ai ka një kompozim radial, ku nga qafa e Pazarit, hapen katër rrugë kryesore, të cilat duke u degëzuar me tej sigurojnë lidhjen me lagjet e banuara. Vendosur si një qendër e spikatur urbanistike, lidhet organikisht me zonat e banuara. Skema urbanistike e tij me prirje te theksuara radiale për një ndërlidhje sa më të mirë të tij, ka datim të hershëm XVII. Përkundrazi ndërtimet e pazarit, i përkasin një kohe më të vonë XIX dhe XX.

Pazari Gjirokastër

 

  • Xhamia e Pazarit të qytetit, Gjirokastër. Ngrihet në qendër të qytetit, në anën perëndimore të pazarit. Me përmasat dhe me trajtimin arkitektonik luan një rol të rëndësishëm në formulimin urbanistik të qendrës. Është ndërtuar në terren të pjerrët, çka ka kushtëzuar edhe kompozimin me gjysëmkat të ndërtesës. Në anën e poshtme lejon ndërtimin e një nënkalimi të mbuluar me qemer, në të dy anët e të cilit reshtohen dyqane. Sipas mbishkrimit që ruhet, xhamia është ndërtuar në vitin 1821.

Xhamia e Pazarit, Gjirokastër

 

  • Qyteti antik i Antigonesë shtrihet në kodrën e Jermës në jug-perëndim te fshatit Saraqinisht, rreth 15km nga Gjirokastra. Qyteti është themeluar nga Pirro i Epirit në nder të gruas së tij Antigonës në fillim të shekullit të shek. III para Kr. dhe mendohet të jetë djegur nga gjenerali romak Emilio Paolo në vitin 168 para Kr. Muri fortifikues i gjatë rreth 4000m mbyll një sipërfaqe rreth 45ha. Trashësia e murit arrin rreth 3,5m dhe pika më e lartë e konservuar arrin lartësinë 3m. Një nga karakteristikat dalluese të Antigonesë është sistemi i saj urbanistik shumë i rregullt me rrugët ortogonale dhe insula të rregullta. Një tjetër monument me dimensione të mëdha është shëtitorja stoà e gjatë 60 m që ndodhet në zonën e agora-së. Pas djegies (shenja të karbonit evidente në të gjithë gërmimet e Dh. Budinës) së qytetit ka një faze çezure të qytetit duke pritur shekullin e IV-V pas Kr. Ndërtimin e një bazilike paleokristiane e tipit trikonkë. Gjatë shek. IX-X pas Kr. ndërtohet një kishë njënefshe me orientim lindje-perëndim në kryqëzimin kryesor të qytetit.
  • Pusi i Sofratikës, megjithëse jo në kushte pune,ruhet pothuajse i plotë dhe fletë qartë për funksionin e tij. I trajtuar i tëri me gurë gëlqeror-pllaka, ky objekt hidraulik ka formën e një cilindri me diametër 5m, i ngritur 1m nga toka, në qendrën e të cilit lartësohet gryka e marrjes. Sipërfaqja rreth grykës së këtij cilindri të gurtë është shtruar me kalldrëm me gurë këlliç me pendencë nga anët. Në këtë shesh rreth grykës së pusit hipet me tri këmbë shkallë. Ato lidhen me një rrugë të ngushtë e të shkurtër të ngushtë e të shkurtër të shtruar me kalldrëm. Në periferi të cilindrit të madh të ngurtë përfshirë brenda diametrit, janë vendosur katër vaska monolite prej guri me madhësi të ndryshme, që përdoreshin për të pirë ujë kafshët. Uji nga pusi nxirrej me kovë, me krahë. I trajtuar i tëri me gurë gëlqeror-pllaka, ky objekt hidraulik ka formën e një cilindri me diametër 5m, i ngritur 1m nga toka, në qendrën e të cilit lartësohet gryka e marrjes. Sipërfaqja rreth grykës së këtij cilindri të gurtë është shtruar me kalldrëm me gurë këlliç me pedencë nga anët. Në këtë shesh rreth grykës së pusit hipet me tri këmbë shkallë. Ato lidhen me një rrugë të ngushtë e të shkurtër të ngushtë e të shkurtër të shtruar me kalldrëm.
  • Kalaja e Libohovës ndodhet mbi një platformë shkëmbore në lindje të qytetit të Libohovës, Gjirokastër. Kalaja i është përshtatur terrenit duke lënë një rrip toke prej 10 m nga shkëmbi i thepisur në anën perëndimore dhe atë jugore. Ndërsa kodra që ngrihet në anën lindore ka pozitë të favorshme dhe dominon kalanë. Ky fakt lë të mendohet se kalaja nuk ka pasur ndonjë rol të rëndësishëm strategjik dhe nuk bënte pjesë në grupin e kalave si ajo e Gjirokastrës – Tepelenës – Porto Palermos, por ka pasur rolin e një pallati të mbrojtur. Megjithatë, kalaja ruan të gjitha karakteristikat e ndërtimeve tipike të Ali Pashës. Kjo kala, së bashku me sarajin që ajo rrethonte, është ndërtuar nga Ali Pasha për motrën e tij, Shaninshanë.
  • Manastiri i Shën Mërisë ndodhet mbi fshatin Goranxi dhe paraqet tipare specifike në formulimin arkitektoniko – dekorativ të jashtëm. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë, triabsidal, me përmasa të brendshme 6,80×5,60m. Katër kolona me kapitele të gdhendura me motive bimore kanë krijuar një bërthamë qendrore katrore, të mbuluara me kupolë mbi një tambur të lartë. Ambienti i altarit është tepër i zhvilluar. Ai përmban absidën e bemës, tepër të nxjerrë jashtë dhe anash saj, dy absida të vogla të protezisit dhe të diakonikonit, gjithashtu të nxjerra jashtë. Interieri ndriçohet nga dritare të vogla, të hapura në tambur, në absida dhe në frontonet e krahëve të kryqit, karakterizohet nga proporcionimi i goditur i pjesëve përbërëse. Naosi lidhet me narteksin në anën perëndimore me tri hapësira të harkuara. Ai mbulohet në pjesën qendrore me kësulë sferike e cila ngrihet mbi dy qemerë anash saj. Eksonarteksi mbulohet me qemer cilindrik paralel me aksin gjatësor në pjesën qendrore, që ngrihet mbi dy qemerë cilindrike tërthore. Muret e jashtme të eksonarteksit janë të hapura me hapësira të mbuluara me harqe të mprehta. Kisha është pikturuar në vitin 1600 përbehet nga naosi, narteksi dhe eksonarteksi.

Kisha e Shën Maria e Ravenjës, Goranxi, Gjirokastër

 

  • Kisha e Shën Mërisë ndodhet në mes të fshatit Labovë e Kryqit. Kisha e Labovës së Kryqit është një nga më të vjetrat në Shqipëri dhe dikur përmbante një relike të shenjtë që besohej se ishte pjesë e kryqit të vërtetë të Krishtit. Ndërtesa është tipike bizantine me një kupolë të lartë qendrore, me naosin dhe nefet e ndërtuara në mënyrë që të krijojnë figurën e kryqit. Hyrja kryesore në kishë është përmes një narteksi të mëvonshëm. Kisha, siç shihet sot, është kryesisht ndërtim i shekullit të 13-të dhe kohës së Despotatit të Epirit, megjithëse një themel fillestar mund të shkojë thellë në kohën e Perandorit Justinian në vitet 527 – 565 m. Kr.

Kisha e Lindjes së Shën Mërisë, Labova e Kryqit

 

4. Qarku Elbasan

  • Zona arkeologjike e qytetit të Elbasanit (Qyteti i Elbasanit) identifikohet si një vend me potencial të pasur arkeologjik dhe historik dhe fillimet e datimit i gjejmë në rrënoja të shekulli i II p.Kr. Në zonën e sotme të Elbasanit kalonte një nga rrugët më të famshme të Perandorisë Romake, Via Egnatia, stacionet e së cilës janë gjetur rreth qytetit. Gjatë mesjetës Elbasani ka luajtur përsëri rolin e një vendi tranzit kalimi por me popullsi kristiane që dëshmohet nga gjetja e Bazilikës Paleokristiane lokalizuar në qendër të qytetit. Periudha otomane duket të ketë zënë vend të rëndësishëm në jetën e qytetit e reflektuar si në zakone ashtu edhe në arkitekturë. Një nga monument më të rëndësishme të Elbasanit është kalaja e saj së bashku me brendinë në të cilën identifikohen monumente të periudhave të ndryshme dhe që konsiderohet si zona me potencial arkeologjik. Ajo përfaqëson një Castrum Statum, qendër e një legjioni romak. Si të gjitha kampet ushtarake romake edhe ky i skampis është ndërtuar sipas një plani ortogonal, i përcaktuar nga kryqëzimi në kënd të drejtë i dy rrugëve: decumanus në drejtimin P-L dhe cardo në drejtimin V-J. kjo gjë ka përcaktuar dhe planimetrinë e saj. Kështjella ka formën e një katërkëndëshi kënddrejtë. Përbërja e murit rrethues tregon për tri periudha kryesore ndërtimi, që janë:
  1. Periudha e vonë romake;
  2. Periudha e hershme bizantine;
  3. Periudha osmane.

Karakteristike e qyteteve shqiptare, në krahasim me qendrat e tjera urbane të Perandorisë Osmane, ishte prania në mjediset e tyre urbane që nga mesi i shek. XVI, i kullave të posaçme në të cilat kishte orë për matjen e kohës. Një nga këto është dhe sahati i Elbasanit.

  • Kisha e Shën e Premtes, monument kulture i kategorisë së I-rë, ndodhet në fshatin Valsh të Elbasanit. Brendësia e monumentit, ruan piktura murale, të cilat mbajnë autorësinë e mjeshtrit të njohur të Shek. 16-të, Onufrit. Kisha është një kapelë një nefshe e përbërë nga naosi dhe një hajat i vogël.

Kisha Shën e Premtes, Valsh

 

5. Qarku Dibër

  • Kalaja e Grazhdanit, ndodhet buzë rrugës automobilistike Bulqizë – Peshkopi, 11 km në juglindje të qytetit të Peshkopisë, në mes të dy përrenjve, Grazhdanit (në veri-perëndim) dhe Maqellarës (në jug – perëndim), të cilët derdhen në lumin Drini i Zi. Kalaja është ndërtuar në një terren kodrinor – fushor në lartësinë 525 – 600 m mbi nivelin e detit. Ajo spikat për pozitën e saj gjeo-strategjike mjaft e rëndësishme në pellgun e Drinit të Zi, veçanërisht për rrugët tregtare – ushtarake Via Egnatia dhe Lissus – Naissus që lidhnin provincat e Epirit te Ri, Dardanisë dhe Maqedonisë së II – të. Sipërfaqja prej rreth 34 ha e bën atë qytetin më të madh të Periudhës së Antikitetit të Vonë në vendin tonë, pas Dyrrahut. Kalaja datohet në shek. IV m. Kr.

Kalaja e Grazhdanit

 

  • Muzeu i Kastrioteve, monument kulture i kategorisë së II-të, ndodhet në fshatin Sinë të rrethit të Dibrës. Ai ka filluar të ndërtohet në vitin 1982 dhe për herë të parë është hapur për publikun në vitin 1985. Muzeu i Kastriotëve është një objekt një katësh ndërtuar me gurë dhe me llaç gëlqereje, me një planimetri disi të thjeshtë me dy dhoma dhe hollin e hyrjes mes tyre. Përgjatë vitit 2018, në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”, objekti iu nënshtruar një restaurimi të plotë, duke u transformuar kështu në një antraksion të mirëfilltë për turistët.

Muzeu i Kastriotëve, Sinë

 

  • Kisha e Shpërfytyrimit në Herbel të Peshkopisë ndodhet në breg në jugperëndim të fshatit dhe përbëhet nga dy pjesë. Pjesa nga lindja, së bashku m e absidën trefaqëshe i takon periudhës së parapushtimit turk dhe shërben sot si mjedis altari për pjesën tjetër në anën perëndimore të saj. Sot të dyja pjesët mbulohen me çati dyujëse mbi strukturë druri ndërsa në formën fillestare kisha e vjetër mbulohej me qemer cilindrik. Pjesa lindore e kishës është ndërtuar me gurë çmërsi të lidhur me llaç gëlqereje ndërsa për nivelim ndërmjet rreshtave vërehet edhe përdorimi i tullave. Duke u bazuar në teknikën e ndërtimit faza e parë e kishës datohet në shek. XII.

 

6. Qarku Durrës

  • Kalaja në qytetin e Durrësit; Në Shqipërinë e mesme bregdetare qyteti më i madh i fortifikuar ishte Durrësi, i themeluar nga kolonët e ardhur nga Korkyra dhe Korinthi rreth vitit 625 p. Kr, ndonëse objektet arkeologjike të zbuluara në territorin e tij dëshmojnë për lindjen e vendbanimit në periudhë më të hershme. Në burimet e shkruara qyteti del me dy emërtime Epidamn – Dyrrahu, por në periudhën romake fillon të përdoret vetëm emri Dyrrahium. Prej mureve rrethuese të kësaj periudhe nuk ruhet asnjë gjurmë, megjithatë rëndësia e qytetit si qendër tregtare vërehet në kështjellat e shumta e ndërtuara në funksion të mbrojtjes së tij dhe të arteries kryesore rrugore që lidhte atë me Maqedoninë dhe krahinat e tjera të brendshme. Në Antikitetin e Vonë, qyteti mbrohej me mure dhe kulla të fuqishme, të cilat përbënin bazën e fortifikimeve edhe gjatë Mesjetës së Hershme dhe të Mesme deri në pushtimin osman. Rrethimi i Durrësit me mure të trefishta u përfundua nga perandori Anastas; rrethimi i parë formonte Akropolin, i dyti përbënte kalanë e madhe katërkëndëshe ndërsa i treti pa kulla ndodhej në veri të qytetit.

Kalaja në qytetin e Durrësit

 

  • Rotonda: Pazari i vjetër është zbuluar ne vitet 1987 – 1990 dhe është shpallur monument kulture ne vitin 2003. U zbulua nga arkeologët ku dolën në dritë rrënojat e një shesh – tregu të periudhës bizantine. Mendohet që monumenti te jete ndërtuar ne shek. II p.e.s deri ne shek. IV dhe të ketë funksionuar si i tille deri ne shek. VII. Me vone ky Pazar është kthyer ne varreza. Monumenti është kompozuar ne formën e një portiku rrethor, ne mesin e të cilit gjendet një podium. Monumenti ka shërbyer si shesh publik ku organizoheshin panairet.
  • Amfiteatri përbën një nga monumentet më të rëndësishme të Durrësit antik. Ai është një ndërtim i shekullit të Antoninëve (shek. II m. Kr.), i realizuar gjatë mbretërimit të Trajanit. Amfiteatri sot ndodhet brenda mureve rrethuese të ndërtuara nga Anastasi në shek. VI. Studimet mbi monumentin sugjerojnë për një kapacitet mbajtës prej 15 deri në 20000 spektatorë. Aksi i madh i tij është 136 m ndërsa nga ana e kodrës është ruajtur deri në 20 m lartësi. Gjatë mesjetës vendi u përdor nga banorët për t’u mbrojtur. Në galeritë e tij të nëndheshme është ndërtuar një kishë paleokristiane, e cila është zbukuruar me mozaikë parietal që paraqesin Shën Mërinë me veshje perandorake midis dy engjëjve. Kompozimi shoqërohet edhe nga portretet e dhuruesve, një farë Aleksandri me të shoqen dhe përbën një nga dëshmitë më të hershme të Krishterimit të Hershëm në qytet.

Amfiteatri i Durrësit

 

  • Mozaiku i Orfeut është zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike të vitit 1988 në Durrës dhe përfaqëson një nga shprehjet më të bukura të artit romak në qytet. Në panelin kryesor të mozaikut Orfeu shfaqet i ulur mbi një shkëmb në shkretëtirë dhe kafshët e grupuara përreth të magjepsura nga muzika e lirës së tij. Ndonëse nuk është zbuluar i plotë, paneli është konceptuar në mënyrë të tillë që Orfeu të përbëjë qendrën e tij, por pjesa që shtrihet në krah të djathtë me kafshët e tjera tashmë ka humbur. Ai veçohet nga pjesa tjetër e dyshemesë nëpërmjet një kornize komplekse, që përbëhet nga fasha të kuqe, fasha bardhë e zi dhe gërshet dysh. Më tej vijojnë një seri motivesh gjeometrike, si yll me gjashtë cepa, katrorë, rombe, të cilat kanë të integruar motive floreale. Ato alternohen me njëra tjetrën duke formuar një tërësi harmonike. Tematika e Orfeut midis kafshëve ka qenë mjaft popullore gjatë shek. II – IV, dhe është e vetmja nga disa skena të mbështetura në mitin e Orfeut që gjeti shprehje në artin romak.
  • Kalaja e Ishmit ndodhet mbi një kodër në lindje të fshatit Ishëm, në një pozicion dominues nga ku vrojtohet nga lindja fusha e Ishmit dhe vargmali Krujë – Dajt, nga perëndimi grykëderdhja e lumit, Kepi i Rodonit dhe një pjesë e bregut të detit Adriatik. Ajo u ndërtua ne vitet 1572 – 1574, nga feudali vendas, Mehmeti, me porosi të Portës së Larte Osmane. Pas përfundimit te punimeve struktura u pajis me topa dhe në të u strehua një garnizon ushtaresh. Kështjella ka planimetri katër këndore (100×40 m), dy porta, dhe 5 kulla vrojtimi. Nga burimet historike njihet me saktësi si qëllimi dhe koha e ndërtimit të saj. Gjate shekullit te XVI –te, Ishmi përfshihej ne Sanxhakun e Ohrit që ishte një krahine e mbushur me revolta fshatare dhe trazira për perandorinë Osmane, për ketë arsye dhe feudali Mehmet i propozoi Portës së Lartë ndërtimin e një kështjelle të fuqishme në Ishëm, e cila do te ruante vilajetin nga kryengritësit.

Kalaja e Ishmit

 

  • Shumë pranë Tiranës ndodhet Kepi i Rodonit, vendi ku gjeni të ndërthurur më së miri historinë me natyrën dhe detin. Në pjesën verilindore të Kepit ndodhet një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulture, Kalaja e Skënderbeut, e cila nisi të ndërtohej mbas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1451, e më tej mendohet të jetë përfunduar rreth vitit 1452. Sot ajo ç’ka ruhet nga ky monument kulture i kategorisë së I-rë është kryekulla dhe disa mure mbrojtëse. Në ndryshim nga kalatë e tjera në Shqipëri, Kalaja e Skënderbeut nuk është e rrethuar nga mure të lartë, në të gjithë anët e saj.

Kalaja e Skënderbeut, Kepi i Rodonit

 

  • Kisha e Shën Ndojit gjendet në bregun e Detit Adriatik në anën veriore të Kepit të Rodonit. Përmendet në dokumentet historike si Kisha e Shën Anastasias në shek. XVIII – XIV. Në shek. XV ajo u morr në zotërim nga misionarët françeskanë të cilët kryen një restaurim të saj dhe që nga ajo kohë kisha njihet me emrin e Shën Antonit. Fillimisht kisha ishte e tipit me një navatë dhe narteks para hyrjes. Teknika e ndërtimit është një lloj kluasonazhi i thjeshtuar ndërsa harqet mbajtës anësorë nuk janë rrethorë por me majë. Nuk dihet kur ju shtuan kishës navatet anësore por disa pjesë afreskesh të mbetur në nefin verior datojnë në periudhën kur u ndërtua manastiri.

Kisha e Shën Ndojit, Kepi i Rodonit

 

  • Muret e Portës ose Porto Romano ndodhet rreth 7 km në veri të qytetit të Durrësit, në vendin e quajtur Porto Romano. Ai shërbente dikur për të mbyllur rripin e ngushtë të tokës, ndërmjet detit dhe kënetës. Muri i portës u ndërtua për të mbrojtur qytetin e Durrësit prej një sulmi të mundshëm nga Veriu, duke shfrytëzuar në këtë rast dhuntitë e terrenit, afërsinë e detit me kënetën e Durrësit. Kjo vërtetohet edhe me ngjarjen e sulmit që pësoi Durrësi nga ushtritë e Cezarit disa vite më parë. Dhjetë shekuj më vonë, kur muri i portës nuk funksiononte më, në një prej kodrinave në veri të Durrësit vendosën kampin e tyre normanët, të cilët e pushtuan qytetin. Muri i Portës përfaqëson një vepër të Justinianit I, i cili sipas Propokopit të Cezaresë, ndërtoi në Durrës një kala të re.
  • Bazilika e Shën Mëhillit ndodhet e pozicionuar në faqen perëndimore të kodrës me të njëjtin emër, në zonën e Arapajt, rreth 6 km nga qyteti i Durrësit. Ajo ka dalë në dritë nga fushatat arkeologjike të viteve ‘80. dyshemeja e këtij ambienti është e shtruar me mozaik polikrom, me figura antropomorfe, zoomorfe dhe dekor bimor e gjeometrik. Ai është një ndër mozaikët paleokristianë më të bukur në vendin tonë, i datuar në shek. V – VI m Kr.
  • Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” në Krujë është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. Vendosur në brendësi të rrënojave të kalasë shekullore të Krujës, muzeu u hap më 1982. Ndërtesa është e konceptuar si një fortesë e një kështjelle Mesjetare Shqiptare me nje fokus kryesor në dokumentimin e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skëndërbeut, heroit kombëtar të vendit.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”

 

  • Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës është hapur më 20 Nëntor 1989. Ai u përshtat brenda një banese, të ndërtuar në vitin 1764 nga Ismail Pashë Toptani, në një stil të influencuar nga ai Osman. Ndërthurja e elementëve Osmane me ato të karakterit vendas i jep këtij muzeu një qëndrim unik. Shtëpia-muze ka një total prej 15 dhomash, secila me funksionin, kompozicionin, dhe simbolikën socio-etnografike përkatëse.

Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës

 

7. Qarku Tiranë

  • Mozaiku i Tiranës është monument kulture i kategorisë së I-rë që prej vitit 1973. Monumenti konsiston në rrënojat e një ndërtese të periudhës antike të cilat u zbuluan rastësisht në vitin 1972 gjatë punimeve për ndërtimin e një godine banimi në bllokun “Partizani”, Tiranë. Rrënojat e ndërtesës antike përbëhen nga tre ambiente të dekoruar me mozaikë polikrome, kryesisht me motive gjeometrike, të realizuar në teknikën opus tesselatum. Në vitet ‘70 menjëherë fillluan gërmimet nga Insituti i Monumenteve të Kulturës dhe Insituti i Historisë. Gjatë punimeve të para, përveç dyshemeve me mozaikë, u zbuluan pjesë muresh, pjesë enësh qeramike, tjegulla e tulla të cilat datuan fillimet e vendbanimit në shek I m Kr. Kompleksi mendohet të ketë qenë banesë e tipit rural (vila rustica). Në shek. III vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor. Më vonë duke u nisur nga ekzistenca e një abside në anën lindore kjo godinë është konsideruar si një objekt kulti e periudhës paleokristiane. Bazuar në dokumentacionin arkivor (Arkivi teknik i IKTK-së), mozaikët e të tre ambienteve që mbas zbulimit të tyre në vitin 1972, kanë pësuar ndërhyrje restauruese dhe konservuese me karakter masiv. Pikërisht gjatë ndërhyrjeve restauruese të viteve 1976 – 1986, mozaikët i jane nënshtruar teknikës së shkëputjes nga suporti origjinal dhe janë rivendosur në panele betoni të armuar. Ndërhyrjet kanë vazhduar në vitin 1998, ku u realizuan plotësime me tesera të lakunave të pjesshme dhe konsolidime. Gjithashtu ndërhyrje janë kryer dhe në vitin 2008, të cilat edhe këto synuan në plotësimin me tesera të lakunave në disa raste dhe me llaç si dhe konsolidime me injektim. Në fund të vitit 2009, pas një analize të detajuar të gjendjes së tyre dhe problematikave kryesore, të tre mozaikët u janë nënshtruar ndërhyrjeve konservuese/pastruese me karakter të gjerë.

Mozaiku i Tiranës

 

  • Kalaja e Petrelës pozicionohet në 400 m lartësi,rreth 17 km nga Tirana dhe ka një pozicion mjaft të mbrojtur. Që nga lashtësia, kjo kala kontrollonte kryqëzimin e rrugëve me rëndësi ekonomike dhe ushtarake të cilat kalonin pranë saj, si rruga Egnatia (dega Durrës-Tiranë-Elbasan). Ndërtimet i përkasin periudhave të ndryshme, të cilat duke u nisur nga teknika e ndërtimit dhe mbivendosja ndahen në disa faza. Kjo kala ka formë trekëndore dhe perimetri i saj nuk i kalon 100 metra.

Kalaja e Petrelës

 

  • Varri Monumental në Persqop ndodhet në pjesën lindore të malit të Vilës, në faqen e kësaj kodre, e cila ka përballë Dajtin dhe grykën që të çon në Shëngjergj. Varri ndodhet 3.3 km larg qendrës së Petreles. Varri Monumental sipas studiuesve shqiptarë, klasifikohet i tipit “Varr me dy ambiente me qemer”. Për mungesë të gjetjeve të plota gjatë gërmimeve arkeologjike, nuk është datuar saktë periudha e tij, por ai lidhet me pjesën tjetër të vendbanimit të fortifikuar i cili datohet si i shek V – II p.e.s, që përkon me periudhën e njohur si “Periudha qytetare ilire” dhe ku dallohen ndikimet e kulturës Helene1.

Varri Monumental Persqop, Petrelë

 

  • Kalaja e Prezës, është ndërtuar mbi një shkëmb, i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të veri-jugut dhe ka formën e një pesëkëndëshi të çrregullt. Përmasat e vogla të saj si dhe qëndrueshmëria jo shumë e madhe e mureve rrethuese, e klasifikojnë këtë kala si një objekt që ka shërbyer për vëzhgimin e rrugëve të rëndësishme ekonomike dhe ushtarake, që kalonin poshtë saj, nëpër fushën e Tiranës. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqëndruar pikërisht në këtë pjesë.

Kalaja e Prezës

 

  • Muzeu Historik Kombëtar është institucioni muzeor më i madhë në Shqipëri dhe një ndër më të rëndësishmit. Ai u përurua më 28 Tetor 1981. Në mjediset e muzeut janë rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu Historik Kombëtar është institucion studimor shkencor. Krahas sallave të pavijoneve, muzeu ka edhe mjediset e arkivit e të laboratorëve, salla për ekspozita të përkohshme dhe salla konferencash.

Muzeu Historik Kombëtar

 

  • Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, i hapur më 23 Maj 2017 është muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantët, i cili synon t’u rrëfejë të gjithë të interesuarve, një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit. Pozicionuar në qendër të Tiranës, objekti ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944 – 1991. Muzeu është konceptuar në 9 seksione dhe përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre, ku çdo dhomë ka një funksion të veçantë.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”

Nënprefektura Kavajë

  • Kalaja e Bashtovës është ndërtuar mbi një terren fushor, rreth 400 m në veri të lumit Shkumbin dhe 3-4 km larg bregut të detit Adriatik, në Vilë Bashtovë, Kavajë. Kështjella e Bashtovës përmendet në fillim të shek. XVI në një hartë të përpiluar në vitin 1521 nga Piri Reiz si pjesë përbërëse e një manuali, i cili u shërbente detarëve për nevoja praktike. Sipas udhëtarit turk Evlia Çelebiu kështjella u themelua nga venedikasit, më vonë ajo u pushtua nga turqit, në kohën kur Sulltan Mehmeti u nis për pushtimin e Shkodrës, viti 1478. Koha më e mundshme e ndërtimit të kështjellës janë dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XV, sidomos pas rindërtimit nga turqit të kalasë së Elbasanit më 1466, e cila e ulte thuajse krejt vlerën strategjike të kështjellave të tjera bregdetare që ishin mjaft larg për mbrojtjen e Durrësit. Një diçka tjetër, që i shqetësonte venecianët në këtë kohë ishte mundësia e shfrytëzimit nga turqit e derdhjes së Shkumbinit dhe shfrytëzimi i lëndës së pasur të drurit që ndodhej aty për ndërtimin e anijeve dhe për të dalë në det. Akoma në shek. XVII Bashtova vazhdonte të ishte një kështjellë garnizoni. Pas kësaj periudhe u rindërtua muri perëndimor që ishte rrëzuar si pasojë e vërshimit të lumit. Sipas Hanit, kështjella ishte ndërtuar në stilin frank. Arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober e konsiderojnë atë të periudhës së vonë antike. Sipas Gjerak Karaiskaj, i mbështetur në burimet historike dhe në teknikën e ndërtimit, data e ndërtimit të kështjellës duhet të jetë ndërmjet viteve 1467-1478 dhe autorët e ndërtimit janë venecianët. Kështjella ka planimetri drejtëkëndëshe, me përmasa 60×90 m. Në të katër qoshet dhe në mesin e çdo muri ka nga një kullë, me përjashtim të murit perëndimor i cili i takon një faze të dytë ndërtimi (rindërtuar në shekullin e XVIII-të).
  • Kisha e Shën Premtes ndodhet në majë të kodrës së fshatit Çetë, rreth 2 km në lindje të qytetit të Kavajës. Brendësia e kishës është zbukuruar me afreske, të realizuara nga Joan Çetiri (Katro) nga Grabova, veprimtaria e të cilit vendoset në një hark kohor ndërmjet viteve 1792 dhe 1813. Kisha e Çetës përbën monumentin më verior ku ka punuar Joan Çetiri apo piktorët e tjerë të kësaj familjeje.

 

8. Qarku Fier

  • Manastiri i Shën Mërisë, Ardenicë përfaqëson një nga ndërtimet religjioze më të mëdha të zonës së Myzeqesë. Ai ngrihet në pozitë dominuese mbi një kodër të lartë, nga e cila nga njëra anë vizitori ndeshet me pamjen e gjerë të fushës së Myzeqesë ndërsa në anën tjetër vështrimi shtrihet deri në Adriatik. I pozicionuar midis fshatrave Kolonjë dhe Libofshë ai përbënte një stacion kulmor, në kontakt të vazhdueshëm me marrëdhëniet ekonomike dhe shoqërore të këtyre dy zonave. Në anën perëndimore të kodrës, ku shtrihet manastiri, kalonte dega jugore e rrugës Egnatia, e cila vazhdoi të përdorej edhe në periudhën Mesjetare. Monumenti paraqet interes jo vetëm për vlerat e tij monumentale, arkitekturore dhe artistike por edhe për historinë e pasur që mbart me vete. Burimet historike bëjnë fjalë për kohën e themelimit të tij në kohën e Despotatit të Epirit, në shek. XIII – XIV. Gojëdhënat e identifikojnë atë si vendin ku është kryer ceremonia martesore e Gjergj Kastriot Skënderbeut në vitin 1451, ndërsa mbishkrimi që mban datën 1 maj 1477 dëshmon për ekzistencën e manastirit në këtë periudhë. Manastiri i Ardenicës përfaqëson një ansambël arkitekturor me planimetri trekëndore, me në qendër të tij kishën. Kompleksi përbëhet nga kapela e “Shën Triadhës” në verilindje, Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në jugperëndim të saj dhe konakët përqark tyre, forma planimetrike e të cilave është kushtëzuar nga terreni.

Manastiri i Shën Mërisë, Ardenicë

 

  • Parku Arkeologjik i Apolonisë përfaqëson një ndër qendrat më të mëdha të botës mesdhetare dhe të pellgut të Adriatikut, e cila u themelua rreth vitit 600 p. Kr. nga një grup kolonësh grekë të ardhur nga Korinti dhe Korfuzi. Pas fazës së themelimit, qyteti ndryshon emrin e tij në Apolonia, për nder të themeluesit hyjnor Apolonit. Pozita strategjike në derdhjen e lumit Aoos (Vjosa) i siguron statusin e një qyteti port të rëndësishëm pranë derdhjes së këtij lumi, i cili së bashku me Epidamnos – Dyrrahun, në periudhën helenistike njihet si dy ndër qytetet më të rëndësishme mesdhetare. Gjatë kohës së ekzistencës së tij qyteti përjeton një histori të pasur zhvillimi dhe luftërash. Në shek. IV p. Kr. (rreth vitit 312), së bashku me Epidamnos – Dyrrahun, qyteti vihet nën sundimin e mbretit ilir Glaukias ndërsa në shek. III u qeveris në mënyrë autonome nga mbreti Monun, kryeqendra e të cilit ishte Cakrani (kodra e Gurëzezës). Në shek. III p. Kr. arrin kulmin e lulëzimit ekonomik, ndaj dhe veprat më të rëndësishme të qytetit të zbuluara deri më sot, janë ndërtuar gjatë kësaj periudhe. Në vitit 229 p. Kr. Apolonia vihet nën sundimin romak dhe si një qytet i rëndësishëm vizitohet nga një sërë personalitetesh të perandorisë më të madhe të botës së atëhershme. Gjatë kësaj periudhe ajo kthehet në një prej portave më të rëndësishme të rrugës së famshme transballkanike Egnatia ndërsa në Akademinë e qytetit studion edhe Oktaviani. Pas rreth tetë shekujsh lulëzimi dhe zhvillimi ekonomik të vazhdueshëm, qyteti filloi të përjetojë kohë të vështira qoftë si rrjedhojë e kushteve natyrore, politike dhe ushtarake. Ndryshimi i shtratit të Aoosit dhe si pasojë humbja e kontaktit me detin apo tërmeti i vitit 234 m. Kr., që preku qytetet e bregdetit lindor të Adriatikut, shkaktuan paralajmëruan rënien graduale. Shthurja e sistemit skllavopronar dhe sulmet e gotëve, shkaktuan tkurrje të sipërfaqes dhe depresion demografik. Pavarësisht përpjekjeve për të rindërtuar muret mbrojtëse, asgjë nuk kujtonte shkëlqimin e mëparshëm të qytetit, të cilit burimet e shkruara të shek. IV i referohen si një qendër e rëndësishme peshkopale. Në shek. V m. Kr. kjo qendër transferohet në Bylis, i cili shndërrohet në një nga qendrat e krishtera më të famshme në Mesdhe, siç dëshmojnë dhe objektet e shumta të kultit të mbuluara me mozaikë shumëngjyrësh paleokristianë. I vetmi monument që dëshmon historinë e mëvonshme mesjetare të Apolonisë është Manastiri i Shën Mërisë, i ndërtuar fillimisht në shek. XIII, mbi rrënojat e rezidencës peshkopale paleokristiane, duke shfrytëzuar materiale nga monumentet antike të qytetit, kryesisht të teatrit. Ai spikat për vlerat e tij arkitekturore dhe artistike. Manastirit vazhdoi të përdorej deri në shek. XIX nga një komunitet i vogël murgjish. Prej kësaj periudhe qyteti u braktis, për tu rikthyer në vëmendjen e njerëzimit nëpërmjet zbulimeve arkeologjike, të cilat vazhdojnë sistematikisht edhe në ditët e sotme.

Parku Arkeologjik i Apolonisë

 

  • Manastiri i Shën Marisë në Apoloni është një kompleks që mbart veçanti arkitekturore që sugjerojnë ndërthurjen e traditave ndërtimore lindore dhe perëndimore, të cilat veshin monumentin me individualitet të veçantë. Bashkëveprimi dhe rivaliteti midis këtyre dy sferave të influencës është reflektuar në formulimin arkitekturor, skulpturën dekorative dhe ekzekutimin piktorik dhe teknik të afreskeve. Pavarësisht faktit që arkitektura e ndërtesës është bizantine në koncept, disa elementë të ekzonarteksit, skulpturës dhe karakteristika të pikturës shfaqin punën e mjeshtërve që ushtrojnë praktikat ndërtimore dhe piktorike romaneske.

Manastiri i Shën Marisë në Apoloni

 

  • Kisha e Shën Kollit, monument kulture i kategorisë së I-rë, ndodhet në juglindje të Manastirit të Ardenicës. Kisha përbën një pasuri të vyer për zonën e Libofshës dhe të gjithë Myzeqesë, për historinë dhe afresket në brendësi të saj.

Kisha e Shën Kollit, Vanaj, Libofshë

 

  • Kisha e Shën Todrit Kadipashaj është një ndërtim bazilikal dhe përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati. Brendësia e kishës ndriçohet me dritare të shumta të hapura në pjesët e sipërme të mureve anësore veriore dhe jugore. Hyrja realizohet nga ana perëndimore nëpërmjet narteksit, i cili i bashkëngjitet naosit në këtë krah. Ky i fundit është dykatësh. I gjithë ambienti i brendshëm është dekoruar me piktura murale të realizuara në vitin 1801 nga Joan Çetiri dhe nipi i tij Nikolla, me origjinë nga Grabova.
  • Kisha e Shën Kollit ndodhet në fshatin Krutje e Sipërme, Lushnjë. Ajo është pikturuar në vitin 1811 nga Nikolla Çetiri nga Grabova. Kisha është e variantit të kishave të Myzeqesë, e përbërë nga naosi dhe hajatet që e rrethojnë në tri anë. Kisha ka një funksion të vazhdueshëm dhe një frekuentim të dendur për meshën e përjavshme, pagëzimet, dasmat, vdekjet, përkujtimoret etj. Përreth kishës shtrihen varrezat e fshatit, të cilat janë plotësisht të sistemuara.
  • Kisha e Shën Marisë, ndodhet në fshatin Bishqethëm të Lushnjës. Kisha është ndërtuar në vitin 1798, shek. XVIII. Ajo është pikturuar nga piktori i familjes së Çetirëve nga Grabova, Johani. Kisha është një bazilikë trenefshe me hajate në tre anët. Ajo përbëhet nga naosi me ambjentin e altarit, ndërtim i vjetër dhe hajatet në veri, jug dhe perëndim.
  • Kisha e Shën Kollit, Toshkëz, përbëhet nga naosi dhe hajatet që e rrethojnë në tri anët – veriore, jugore dhe perëndimore. Ajo është ndërtuar në vitin 1811 dhe është pikturuar në vitin 1813 nga Joani dhe i biri, Naumi, të familjes Çetiri nga Grabova.

Kisha e Shën Kollit, Toshkëz

 

  • Parku Arkeologjik Bylis (Qyteti Antik Bylis). Fillimet e tij i takojnë mesit të shekullit të IV – të para Krishtit dhe deri në fundin e shekullit të VI – të pas Krishtit, pra 10 shekuj jetë. Por, pas shekullit të VI – të, ai nuk është banuar më e në këtë mënyrë u ka shpëtuar dëmtimeve që do të sillte banimi mbi këto rrënoja. Falë kësaj, Bylisi është një qendër e rëndësishme edhe për shekullin e VI kur është braktisur, gjë që dëshmohet nga pesë bazilikat e zbuluara brenda mureve rrethuese. Fundi i qyteti mendohet të jetë viti 587-588 nga pushtimet avare – sllave, kur qyteti është shkatërruar plotësisht dhe popullsia është larguar. Por ka mendime që fundi i qytetit të mos jetë kjo datë, por një periudhë disa shekuj më vonë.

Parku Arkeologjik Bylis

 

  • Rrënojat e Kishës Paleokristiane të Shën Marisë (bazilikë), Ballsh ndodhen në hyrje të qytetit të Ballshit, rreth 6 km në veri të qytetit antik të Bylisit. Ajo është ndërtuar gjatë mesjetës së mesme pas braktisjes së qytetit të Bylisit, me materiale të nxjerra nga kishat e tij në një kohë kur kjo qendër peshkopale u shkatërrua. Kisha e Ballshit është mjaft e njohur sepse aty u krye akti i konvertimin dhe i pagëzimit të carit të bullgarëve Boris (866) dhe popullit të tij.

 

9. Qarku Vlorë

  • Kalaja e Kaninës përfaqëson një qendër qytetare te periudhës helenistike (shek. III – II p. Kr.), e cila lulëzoi si qytet mesjetar deri ne shek. XVIII pa ndryshuar sistemin fortifikues. Muri rrethues ka një gjatësi te përgjithshme 986 m. dhe kufizon një sipërfaqe 3,6 ha. Ne disa sektorë dallohet qarte muri antik izodomik me disa rreshta blloqesh dhe mbi to vazhdon muri mesjetar. Kanina është ballkoni i zonës bregdetare te gjirit te Vlorës duke qene me mbrojtje natyrore nga lugina e Shushicës. Kjo qendër antiko – mesjetare urbane ka vlera studimore për interpretimin e vazhdimësisë iliro – arbërore duke i shërbyer njëkohësisht dhe turizmit kulturor.

Kalaja e Kaninës

 

  • Kalaja e Himarës; Himara përbën një qytet me histori të gjatë, e cila fillon që në periudhën antike, shek. XIII p. Kr., Ajo është vendosur mbi një kodër ku sot ndodhet lagjja kala. Kreshta shkëmbore është fortifikuar për herë të parë në shek. XIII p. Kr. Më pas ndërtohet një tjetër fortifikim në shek. V p. Kr., me mure të ndërtuar me blloqe gurësh poligonalë ndërsa në shek. IV fortifikohet me mure të tipit trapezoidalë. Në shek. IV – III p. Kr. Himara renditet midis qendrave të lulëzuara të bregdetit Akrokeraun, krahas Meandrias (Borshit). Në brendësinë e rrethimit, në anën perëndimore të rrëpirës shkëmbore, përfshiheshin dhe banesa të ndërtuara dhe të punuara pjesërisht në shkëmb. Rëndësia e kësaj qendre në periudhën antike vlerësohet nëpërmjet gjetjeve të shumta arkeologjike, si objekte qeramike, maja heshtash, shpata hekuri, etj. dhe mbishkrimi i vitit 169 p. Kr. i zbuluar në Delf, sipas të cilit qyteti Kemarai (Himarë), dërgon tek orakulli i Delfit theorodokët (priftërinjtë), krahas qyteteve të tjera të Foinikes dhe Abanties. Në burimet e shek. VIII Himara përmendet si qendër peshkopale, me rezidencë kishën e Shën Sergjit dhe Bakut. Nga shek. IX ajo përjeton sundime të ndryshme bizantine, sllave, bullgare, normane, Despotatit të Epirit, anzhuine. Në fund të shekullit XIII kalon nën kontrollin venecian, të cilët rindërtojnë kalanë dhe përforcojnë limanin e saj me pirgje. Qyteti vazhdon të përmendet edhe gjatë sundimit osman dhe në dokumentet e shekujve të mëvonshëm, ndërsa njihet për mbështetjen ndaj figurave të rëndësishme kombëtare si Gjergj Araniti dhe Skënderbeu.

Kalaja e Himarës

 

  • Kështjella e Porto Palermos është ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në vitin 1804. Në këtë kohë ky sundimtar u dallua për rindërtimin dhe ndërtimin e një sërë fortifikimesh. Ai krijoi një sistem të tërë kështjellash dhe kullash të veçuara, pasi parashikonte një konflikt të mundshëm me Turqinë. Kështjellat janë ndërtuar në pika të rëndësishme strategjike, pranë rrugëve dhe porteve kryesore të vendit. Pozicioni i ndërtimit të kështjellës së Porto Palermos flet qartë. Në ndërtimet e tij ushtarake Ali Pasha përdori një numër të madh arkitektësh dhe inxhinierësh italianë dhe francezë, por punimet e tij gjatë viteve 1800 deri më 1812 kryesoheshin nga Petro Korçari, një mjeshtër korçar.

Kështjella e Porto Palermos

 

  • Kalaja është monument historik në qytetin e Vlorës. Rrënojat e kalasë së Vlorës ndodhen në qendër të qytetit, në lulishten prapa Monumentit të Pavarësisë. Sondazhet e bëra në pranverën e vitit 1985 nxorën në dritë rrënojat e një muri. Këto sondazhe shërbyen si pikënisje për gërmimet arkeologjike të vitit 1986. Shtresa kulturore përfaqësohet nga dy periudha, antikiteti i vonë dhe mesjeta, e cila përputhet edhe me fazat e ndërtimit të murit rrethues. Sistemi fortifikues është ngritur në shek. IV të erës sonë dhe i riforcuar dhe më vonë (shek. VI – fillim shek. VII), i pajisur edhe me kulla përforcuese katërkëndëshe.
  • Parku Arkeologjik i Orikut përmendet që në mesin e shek. V – IV p. Kr. nga Herodoti dhe Hekateu që e cilësojnë liman të Epirit. Në mesin e shek. IV, sipas Pseudo-Skylaksit dhe më vonë Kalimahut, Oriku banohej nga amantët. Ndërsa Apollodori, i cituar nga Stefan Bizanti e cilëson Orikun polis. Sipas të dhënave arkeologjike, jeta në këtë qytet fillon rreth shek. VI dhe njeh një zhvillim të rëndësishëm gjatë peiudhës helenistike, kur fillon dhe urbanizimi i qytetit. Duke qenë liman dhe qytet bregdetar pranë rrugëve më të rëndësishme tregtare të Adriatikut, baza e ekonomisë së tij ishte tregtimi i lëndëve të para, që sigurohej nga guroret e Karaburunit dhe pyjet e pasura të Akrokerauneve. Në mesin e shek. IV Oriku figuron në pllakëzat orakullore të Dodonës si aleat i Korkyrës. Si shumë qytete të Ilirisë së Jugut, Oriku duhet të ketë qënë nën sundimin e Mbretërisë Epirote të Pirros së Epirit. Me largimin e sundimit epirot, Oriku pret monedhat e veta, duke huazuar modelet apolloniate me paraqitjen e Apollon Agieus – Obelisk. Pseudo – Skymni në shek. II p.Kr. e cilëson Orikun si qytet helen i themeluar nga eubeasit që kthehen nga lufta e Trojës, ndërsa Plini në kapërcyellin e shek. I ia atribuon kolkëve themelimin e këtij qyteti. Duke qenë një nga portet më të afërta me brigjet italike, Oriku luan një rol mjaft të rëndësishëm në luftën midis romakëve dhe Maqedonisë së Filipit V, por kryesisht në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut në mesin e shek. I p. Kr. Në shek. II m. Kr., Filostrati përmend përpjekjet e fundit të Herod Atikut për rindërtimin e qytetit. Në antikitetin e vonë dhe gjatë mesjetës së hershme, në gjirin e bregdetit të Vlorës rëndësia e Orikut zbehet për shkak të lulëzimit të Aulonës dhe emri i tij nuk përmendet më në burimet historike.

Parku Arkeologjik i Orikut

 

  • Parku Arkeologjik Amantia ndodhet në lidje të qyteti të Vlorës në fshatin Plocë, 34 km larg nga qyteti. Përbëhet nga Akropoli, Nekropoli, Stadiumi. Akropoli pjesa më e lartë e qyteti rrethohet nga një murë me gurrë kuadratik dhe poligonal. Në pjesën më të ngritur të akropolit në pjesën shkëmbore janë hapur kuadrate mbi të cilat ngriheshin banesat antike. Në pjesën veriore dallohet edhe hyrja kryesore e kalasë ku rruhet ende një pjesë e harkut të saj. Në pjesën e Akropolit janë zbuluar themelet e tempullit dhe te basilikës paleokristiane. Brenda kishës dallohen grumbuj vresh në të dy nefet anësore. Naosi dhe altari ka qënë e ndarë nga kollona cilindrike. Muret rrethuese të qyteti janë punuar me gurre të mëdhenj kuadratik (shek. V P.e.s) me përmasa relativisht të mëdha të punuar në të thatë. Tempulli ka patur formë kuadratike dhe me një cati që qëndron mbi kollona cilinrike. Pranë saj ndodhen themelet e bazilikës paleokristiane, tre nefshe. Brenda kishës dallohen grumbuj vresh në të dy nefet anësore. Naosi dhe altari ka qënë e ndarë nga kollona cilindrike.

Parku Arkeologjik Amantia

 

  • Varri monumental i Ismail Qemalit; Ismail Qemal Bej Vlora (1844 – 1919) ishte nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes shqiptare, deputet në Mexhlisin Osman, themelues i shtetit shqiptar. Ismail Qemali ishte firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë. Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20 vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, në lulishten e qytetit, u ngrit një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Sot, përbri varrit të tij, ngrihet një monument madhështor, që simbolizon atë ditë nëntori, që do t’i jepte emrin e bukur atij sheshi të madh: “Sheshi i Flamurit”.
  • Kisha e manastirit të Shën Mërisë ndodhet në ishullin e Zvërnecit, përballë fshatit me të njëjtin emër. Ajo është e tipit kryq i lirë me kupolë dhe narteks, ndërsa ekzonarteksi dhe një hajat i hapur janë shtuar më vonë. Arkitektura e kishës, me format e hedhura dhe të zhvilluara, trajtimi i fasadave me arkada, janë elementë që e çojnë datimin e saj në gjysmën e dytë të shek. XIV. Ndikimet e arkitekturës romanike janë të ndjeshme në pamjen e jashtme të saj, çka është lidhur me kontrollin dhe sundimin e këtyre territoreve të familjes fisnike të Balshajve.

Kisha e Manastirit të Shën Mërisë ndodhet në ishullin e Zvërnecit

 

  • Kisha e Shën Mitrit ndodhet në pjesën e poshtme të fshatit Qeparo, ku krijon një ansambël së bashku me ndërtime të tjera të karakterit shoqëror, si ndërtesa e administratës së kishës, ndërtesa e shkollës, etj. Viti 1760 i gdhendur mbi një gur, në anën e djathtë të portës perëndimore, mendohet se i përket kohës së ndërtimit të kishës.
  • Kisha e Burimit të Jetës (Marmiroit) në Orikum, gjendet prapa Pashalimanit, në një vend të veçuar në kreshtën e një kodre të ulët, në pjesën perëndimore të gjirit të Vlorës. Ajo i është blatuar figurës së Shën Mërisë Burim i Jetës por në kujtesën popullore, është trashëguar me emrin e Marmiroit, që del në burimet historike në vitin 1307 dhe lidhet me guroren e mermerit aty pranë. Kisha e Marmiroit datohet në fazën e hershme të periudhës së mesme bizantine, d. m. th. nga gjysma e parë e shek. X.

Kisha e Manastirit të Shën Mërisë ndodhet në ishullin e Zvërnecit

 

  • Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut përfaqëson selinë e dikurshme të peshkopatës së Himarës, e cila del për herë të parë në dokumentacionin historik në fund të shek. X në Noticie e Jan Cimiskes dhe në vitin 1019, kur i aneksohet kryepeshkopatës së Ohrit. Ajo është ndërtuar në vendin më të lartë të fshatit, në anën veriore dhe pranë mureve të kalasë. Kisha përbëhet nga naosi, mjedisi i altarit, të ndarë nga njëri tjetri nëpërmjet një ikonostasi prej muri dhe narteksi në anën perëndimore. Ajo ka dy faza kryesore ndërtimore. Ndërtimit fillestar i takon naosi me pjesët e poshtme të mureve, pasi pjesët e sipërme janë rindërtuar disa herë, ndërsa narteksi përfaqëson shtesë të mëvonshme. Muret e vjetra janë ndërtuar me gurë gëlqerorë të madhësive mesatare dhe të vegjël, ndërsa vërehet prania e copërave të tjegullave. Muret janë meremetuar disa herë në kohë të ndryshme. Duke u bazuar në të dhënat e mësipërme, faza e parë e monumentit është datuar në fundin e shek. X dhe fillim i shek. XI.

Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut, Himarë

 

  • Kisha e Shën Spiridhonit është ndërtuar në lagjen e poshtme të fshatit Vuno, ku formon një ansambël ndërtimor së bashku me ndërtesat e tjera të karakterit shoqëror si shkolla dhe administrata kishtare. Brendësia e kishës është dekoruar me pikturë murale, e cila sipas mbishkrimit mbi portën jugore është realizuar në vitin 1784 nga dora e Janit nga eparkia e Drinopojës dhe e Gjirokastrës, me kontributin e banorëve të fshatit dhe në kohën e peshkopit Joaniq. I njëjti mjeshtër mendohet se ka pikturuar edhe ikonën e Krishtit dhe të Arkangjelit Mikael në ikonostas.

Kisha e Shën Spiridhonit, Vuno

 

  • Kisha e Ipapandisë ndodhet në pjesën e poshtme të fshatit Dhërmi, pranë detit. Ajo ruan tiparet tipologjike të kishave njënefshe të bregdetit. Brendësia e kishës është dekoruar me pikturë murale, e cila reflekton dy faza të ndryshme të realizimit. Pikturat e fazës së parë lidhen me Shkollën e pikturës së Jonit dhe sipas mbishkrimit janë realizuar në vitin 1751 ndërsa të fazës së dytë me atelienë e Fjonjatëve, në zonën e Kosturit, dhe datohen në gjysmën e dytë të shek. XIX.

Kisha e Ipapandisë, Dhërmi

 

  • Kisha e Shën Stefanit ndodhet në pjesën e poshtme të fshatit Dhërmi, afër detit. Në gjendjen e sotme ajo paraqitet si një kapelë e vogël pasbizantine, në muret e së cilës janë integruar pjesë të një bazilike më të hershme, që përbëhej nga naosi i ndarë në tre nefe, altari dhe narteksi në anën perëndimore. Brendësia e kishës ruan gjurmë të pikturës murale të dy fazave të ndryshme të realizimit. Faza e parë i përket shek. XVI ndërsa faza e dytë është realizuar në gjysmën e dytë të shek. XIX, nga atelie fjonjatase.
  • Kisha e Shën e Premtes ndodhet në fshatin Lukovë, ndërtimi i së cilës i përket shekullit të XVII. Ajo është kishë e tipit bazilikal me kupolë, trenefëshe me përmasa të brendshme 8.90 x 4.40 m. Është e ndërtuar me mure guri rreth 70 cm të gjera dhe mbulohet me çati dyujëse, mbuluar me rrasa guri, e cila ndërpritet nga tamburi tetëfaqësh mbi të cilin qëndron kupola e kishës.

Kisha e Shën e Premtes, Lukovë

 

  • Xhamia e Muradijes përbëhet nga salla kubike dhe minarja, ndërsa nga portiku i dikurshëm ruhen gjurmët në murin verior dhe bazamenti i tij. Muret janë të ndërtuar me gurë e tulla të vendosura në mënyrë të rregullt, dy rreshta gurësh te gëdhendur që këmbehen me dy rreshta tullash. Objekti është i mbuluar me kupolë. Ne xhami hyet nga ana veriore. Është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XVI. Projekti dhe realizimi i xhamisë janë kryer nga arkitekti shqiptar Sinani, i cili ishte një nga ndërtuesit më të rëndësishëm të xhamive në periudhën e parë të Perandorisë Osmane. Xhamia e Muradies është e ndërtuar me konstruksion murë mbajtës. Muret jane te ndërtuar me materialë guri dhe tulle. Objekti është i mbuluar me kupolë sferike me materialë guri.

Xhamia e Muradies Vlorë

  • Ansambli i rrugës “Justin Godar” , paraqet një rrugë në të dy anët e së cilës zhvillohen godina që përfaqësojnë banesën karakteristike vlonjate. Një pjese tyre kane dhe statusin e Monumentit te Kulturës se Kategorisë së I. Nder ndërtesat me karakter historik përmendim ndërtesën ku Marigo Posio qëndisi flamurin kombëtar. Përpara viteve 90’ kjo rruge ka shërbyer për aktivitete tregtare shtetërore, si dhe banohej nga familje te vjetra qytetare. Pas viteve 90’ ne te u vendosen banore te cilët filluan tregtimin e rrobave te përdorura. Monumenti paraqitet ne gjendje te dyfishte. Nga njëra ane banoret e vjetër të cilët janë kujdesur vazhdimisht për mirëmbajtjen e objekteve të tyre, ndërsa nga ana tjetër banoret e ardhur se fundmi , mungesa e kujdesit te cilëve ka çuar ne degradim te godinave. Aktualisht objektet paraqesin dëmtime ne fasada, ballkone, dyer, dritare, kangjella, çati etj.

Ansambli i rrugës “Justin Godar”, Vlorë

 

  • Sahati Kompleks; Është ndërtuar ne vitin 1918. U ndërtua me interesimin e z. Ali Asllani ( kryetar Bashkie ne atë kohe) dhe është financuar nga tregtaret e qytetit. Përveç anes funksionale ka edhe vlera estetike. Merkata dhe sahati është projektuar nga specialiste italiane. Ka shërbyer si pike referimi për qytetin dhe qendren tregetare. Ne ketë objekt kemi futjen e strukturave dhe teknologjive te reja si betoni I armuar dhe lidhëset me çimento portland. Ne vitin 1996 ndërtesa është trajtuar me punime restauruese ne mjediset e brendisë dhe fasadat e jashtme. Janë me interes ne këtë monument prania e ornamentikes ne kornizat dhe rozetat me motive patriotike, nga te cilat veçoje : portretin e Skënderbeut me pamje nga balli i ndërtesës, shqiponjën dykrenore me pamje nga lindja.
  • Banesa e Eqrem Bej Vlores u ndërtua ne fillim te shekullit te XIX. Është banesa e familjes se njohur Vlora. Ndërtimi është dykatësh dhe çatia është e mbuluar me tjegulla marsejeze. Është përdorur për ekspozimin e objekteve historike dhe etnografike. Veç këtyre vlen te përmendet biblioteka mjaft e pasur.

Banesa e Eqrem Bej Vlorës

Rrethi Delvinë

  • Kalaja e Delvinës, me sipërfaqe 0.17 ha ngrihet mbi një kurriz shkëmbor, në fushën pjellore të Vurgut. Ajo dominon hyrjen nga treva e Gjirokastrës në atë të Delvinës, e cila kalonte nëpërmjet Qafës së Muzinës. Rreth kështjellës grupohet qyteti i Delvinës. Sipas udhëtarit turk E. Çelebiu kështjella është ndërtuar përpara pushtimit turk. Ky fortifikim lidhet me fuqizimin e principatave arbëreshe. Ngjashmëria e fazës së tretë me Kardhiqin, e cila daton në gjysmën e dytë të shek. XII-XIV, tregon se fazat e para duhet t’i përkasin një kohe më të hershme, por qeramika e gjetur në kështjellë në kanale të thellë, që arrin shtresën sterile, i përket mesjetës së mesme. Teknika e ndërtimit me breza përforcues e shmang mundësinë e ndërtimit në antikitetin e vonë të punimit të mureve. Duke u bazuar në të dhënat historike dhe teknikën e ndërtimit të saj fillestar kalaja është e shek. XI-XII, ndërsa marrjen e plotë të fizionomisë e merr në shek. XIII-XIV.

Kalaja e Delvinës

 

  • Qyteti antik i Foinikes (Finiq): Jeta këtu ka nisur që në periudhën e bronzit, porse vetëm në shekullin e V-të pas Krishtit, Foinike mori pamjen e një qyteti të vërtetë dhe u kthye në qendrën më të fortifikuar të fisit ilir të kaonëve. Fortifikimi është kryer në tri faza, në tri periudha të ndryshme kohore. Në qendër të kodrës së Fonikes ndodhet akropoli, zemra e qytetit. Duket se zhvillimin më të madh qyteti e ka pasur në shekullin e II-të para Krishtit. Të kësaj periudhe janë edhe gjetjet më të rëndësishme. Një vend shumë interesant është akropoli që shtrihet në fushën në perëndim të qytetit antik. Në vitin 233 para Krishtit, Finiqi bëhet qendra e Lidhjes Epirote, në vitin 230 para Krishtit, ardianët, një fis tjetër ilir që vinte nga Veriu e pushtoi për pak kohë qytetin. Finiqi është gjithashtu i njohur sepse pikërisht këtu u nënshkrua traktati i paqes mes romakëve dhe Filipit të Maqedonisë.

Qyteti antik i Foinikës

 

  • Shpella me piktura në fshatin Kostar i blatohet Shën Mërisë dhe ndodhet midis fshatrave Kostar dhe Brailat të rrethit të Delvinës, mbi rrugën që lidh këto dy fshatra. Ajo është ndërtuar rrëzë malit të Lihogjës, në anën veriperëndimore të tij, me pamje të gjerë drejt fshatit Kostar. Rëndësia e shpellës si një qendër pelegrinazhi vërehet në përdorimin e vazhdueshëm të saj, që në periudha më të hershme, siç dëshmon ekzistenca e dy shtresave të ndryshme të pikturimit. Faza e parë mendojmë se për nga karakteristikat e saj i përket periudhës së mesme ose të vonë bizantine. Monumenti më i afërt me shpellën është kisha e Shën Mëhillit, e cila për nga tiparet arkitekturore, teknika e ndërtimit dhe materiali arkeologjik, është datuar në shek. XII – XIII. Nuk përjashtohet hipoteza se kisha dhe shpella, e cila sot ka funksionin e një manastiri dhe është integruar brenda një strukture më të vonë, të kenë pasur lidhje historike me njëra tjetrën. Pikturat murale janë të një cilësie të lartë artistike dhe teknike. Ato janë realizuar me teknikën e incizimit, siç është më e dukshme në mbishkrimin mbi portën perëndimore. Kompozimet janë frymëzuar nga tekstet ungjillore dhe përmbajnë një cikël të zgjeruar ikonografik, me skena nga jeta e Krishtit dhe e Shën Mërisë. Krahas tyre kemi edhe paraqitje individuale të shenjtorëve (anargjirë, ushtarakë, mbretërorë). Pikturat e fazës së dytë mbartin tipare të pikturës pas bizantine, një ndërthurje midis traditave bizantine dhe atyre lokale të pikturimit. Duke u bazuar në karakteristikat e saj por edhe në mbishkrimin e gdhendur mbi gur mbi portën e hyrjes, mendojmë se kjo fazë datohet në gjysmën e dytë të shek. XVIII.
  • Bazilika e Shën Janit ndodhet e pozicionuar pothuajse 1 km në perëndim të fshatit Blerimas (Shijanit) në rrjedhën e majtë të lumit të Kalasës, mbi majën e një kodre të vogël me përbërje gjeologjike ranore. Pikërisht këtu gjenden rrënojat e një bazilike të antikitetit të vonë e njohur nga banorët përreth me emrin e Shën Janit. Bazilika ka katër faza ndërtimi: Faza e parë i përket në shek. X, ku ka qenë një kishë e vogël me një navatë dhe absidë me planimetri gjysmë rrethore, me pesë hyrje ndër të cilat ajo e pjesës perëndimore është e pajisur me kolona graniti. Faza e dytë i përket fundit të shek. të X – 1/2 e I-rë të shek. XI, ku kisha shndërrohet në një Bazilikë me tre nefe, tre absida me planimetri gjysmë rrethore në pjesën lindore, narteks dhe një hyrje e re në pjesën jugore. Në fazën e tretë që i përket shek. të XIII i shtohet një ekzonarteks dhe ambienti qëndror ( naosi ) ndahet në tre pjesë. Së fundmi, në fazën e katërt pas shkatërrimit të Bazilikës, në pjesën veriore të narteksit ndërtohet një kapele e vogël. Në këtë fazë muret janë të veshur me afreske. Varre të ndryshme ndodheshin në brendësi të sipërfaqes së kishës dhe jashtë saj në krahun lindor.
  • Kisha e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam ndodhet në anën jugore të manastirit. Kjo kishë përbën një tip unikal, ajo është më e madhja ndër kishat bizantine të ruajtura në Shqipëri në shek. XI-XIV. Kisha ka formën e një kubi me pjesën qendrore që ngrihet më lart, të cilën e kurorëzojnë katër kupola. Mendohet që kisha rrethohej nga tri anë me galeri ose hajate të hapura me harkada dhe që u rrëzuan më 1793. Sipas studiuesve më 1510 Kisha u godit nga një tërmet që shkaktoi dëme të shumta. Kisha shquhet për arkitekturë unikale, për dekoracionin e saj me tulla për relievet skulpturale në muret e jashtme të fasadave, për kapitelet, për vlerat artistike, për nivelin e ndërtimit të stilit bizantin pa përjashtuar ndonjë ndikim romak. I përket shekullit XIII, që duket nga stema e Anzhuineve.

Kisha Shën Kollit, Mesopotam

 

  • Kisha e Shën Thanasit në Pecë ndodhet në veri të rrugës hyrëse për në fshat, rreth 500 m poshtë rrugës nacionale. Ajo është një kapelë e vogël. Brendësia e kishës është e zbukuruar me piktura murale, rëndësia e të cilave qëndron jo vetëm në faktin që ato përbëjnë dëshmi të rëndësishme në studimin e veprimtarisë artistike dhe të kontekstit historik që përjetoi vendi, por edhe për veprimtarinë e një artisti të shquar të kohës. Bazuar në mbishkrimin mbi portën perëndimore të naosit, pikturat janë vepër e artistit të talentuar Ilia Llongovitit dhe janë realizuar në vitin 1525. Kompleksi karakterizohet nga thjeshtësia, shmangia e detajeve, kontrasteve të forta të ngjyrave dhe përpunimi i kujdesshëm i tyre, tendenca e dhënies së shenjtorëve me paraqitje fisnike / ushtarake, tipare që i referohen traditës së periudhës së vonë paleologe, e në veçanti asaj të Maqedonisë veriperëndimore. Kufizimi i ciklit ikonografik vetëm në disa skena kryesore, përmasat e mëdha të seksioneve të paraqitjeve të nivelit të parë si dhe data e njëjtë e pikturimit me kishën e Shën Gjergjit në Leshnicë të Sipërme, realizuar gjithashtu në vitin 1525, sugjerojnë për mjetet e kufizuara materiale dhe financiare të dhuruesve të pikturës, si dhe nevojën për realizimin me shpejtësi të saj, madje duke shfrytëzuar shabllonet e një kishe të përmasave më të mëdha. Piktura e Ilia Llongovitit reflekton tiparet e artit fetar, pak kohë pas rënies së Kostandinopojës (viti 1453) dhe pushtimit të qyteteve më të rëndësishme shqiptare. Veprimtaria e këtij piktori, e cila sot identifikohet vetëm nëpërmjet dy kishave, tregon jo vetëm vazhdimësinë e traditës bizantine por edhe realitetin e ri që përjetonte piktura monumentale e provincave.

Kisha e Shën Thanasit, Pecë

 

  • Xhamia e Gjin Aleksit Rusan; Kompleksi përbëhet nga Xhamia e Gjin Aleksit, rrethuar me 4 tyrbe poligonale dhe kroi i Xhamisë. Xhamia është një monument me vlera në gjininë e vet. Dy tyrbe poligonale janë vendosura përpara hajatit të xhamisë një tyrbe e tretë i bashkëngjitet murit jugor të Xhamisë dhe tyrbja e katërt ndodhet pas Xhamisë. Pjesë këtij kompleksi në krahun lindor është një çezmë e hershme . Volumi kryesor i Xhamisë përbëhet nga Portiku, Salla e lutjeve dhe minarja.

Xhamia Gjin Aleksit, Rusanë, Delvinë

 

  • Kompleksi Islamik ne Xher Mëhallë, Delvinë; Ndodhet në qytetin e Delvinës në lagjen Lejla Malo. Objekti më i rëndësishëm dhe më i hershmi i kompleksit Islamik të Xher-Mëhallës është Xhamia e cila është një ndërtim i shek. XVI. Ndërtim i fillimit të shekullit të XVI është edhe Hamami, ndërsa Krojet dhe Ura i përkasin shekullit të XVII-të. Së fundi dy Tyrbet duhet të jenë ndërtuar gjatë shekujve XVIII-XIX. Pranë Krojeve ka qenë dhe Imareti, i ndërtuar me gurë e tulla, i cili sot nuk ruhet më dhe që duke u vlerësuar nga teknika e ndërtimit, duhet të jetë nga ndërtimet më të hershme të Kompleksit, fillimi i shek. XVI-ës. Xhamia përfaqëson tipologjikisht xhaminë me planimetri katrore, është e ndërtuar me mure guri dhe llaç gëlqere.

Rrethi Sarandë

  • Qyteti antik i Butrintit; Butrinti është një vend magjik. Atmosfera e tij speciale është krijuar nga kombinimi i arkeologjisë me natyrën që nuk gjendet asgjëkund në Mesdhe. Qendra e Butrintit është vendosur në një kodër të vogël, rrethuar nga ujërat e liqenit të Butrintit dhe kanalit të Vivarit, i cili bashkon liqenin me ngushticën pranë. Në jug, Butrinti shtrihet në një distance që asgjë nuk ta shqetëson syrin veç disa fshatra të vogla shqiptare. Në veri dhe në lindje liqeni dhe toka rrethohen nga male të larta. Ishulli i Korfuzit mbyll pamjen në perëndim. Butrinti është përshkruar si një botë e vogël e historisë së Mesdheut. Ky vend ka qenë pushtuar vazhdimisht që nga shekulli i 8-të p. Kr. Nga vendosja e tij strategjike, Butrinti ka figuruar në historinë e Mesdheut që nga lufta e parë e Peloponezit në shekullin e 5-të p. Kr deri në luftërat e Napolonit në shekullin e 19-të. Monumentet e tij Greke, Romake, Bizantine, Anzhuinë, Veneciane, Otomane pasqyrojnë këtë histori të gjatë dhe komplekse. Muri rrethues i Butrintit mbulon një sip. 16 ha duke u shtrirë akoma më tej në 24 ha që shtrihet në rrethinat antike të fushës së Butrintit mbrapa kanalit të Vivarit. Përgjithësisht, vendi qendror është i kompletuar nga një mbrojtje e mirë që lidh këtë pjesë.

Butrint

 

  • Kalaja e Borshit ndodhet rreth 3 km në VP të fshatit Borsh, Sarandë. Ajo ngrihet mbi një kodër, e cila përfundon në majë me një kreshtë shkëmbore dhe zë një pozicion qendror kundrejt qytetit antik të Borshit, i cili shtrihej dikur në shpatet e kësaj kodre. Kalaja ka një pozitë të rëndësishme strategjike jo vetëm sepse ndodhet pranë detit por edhe pranë njërës nga dy grykat që përshkonin që në lashtësi malet Akrokeraune, në mesjetë të njohura si malet e Himarës, duke lidhur bregdetin me brendësinë e vendit. Nëpërmjet “Grykës së Borshit” realizohej lidhja me Kalasën dhe Delvinën.
  • Kalaja e Lëkurësit është një fortifikim tjetër i ndërtuar nga turqit. Ndodhet mbi një kodër të lartë në juglindje të Sarandës, pranë rrënojave të fshatit Lëkurës, të braktisura para një shekulli. Kalaja ka planimetri gati katrore me përmasa 42 x 44 m, me dy kulla të rrumbullakta të vendosura në qoshen veriperëndimore dhe juglindore dhe një kullë drejtkëndëshe në murin perëndimor. Kalaja e Lëkurësit, për sa i përket zgjidhjes planimetrike ngjason me kala të tjera të periudhës së pushtimit turk, si kalaja e Peqinit dhe e Prezës. Secila prej tyre, përveç kullave të rrumbullakëta në qoshe, ka dhe një kullë drejtëkëndëshe me ballë të gjerë në njërin nga muret. Por nga ana tjetër, ajo paraqet një fazë më të zhvilluar për sa i përket parapetit me frëngji, kullave masive për topa, si dhe pjerrësisë së mureve të kullave dhe kurtinave. Duke gjykuar nga këto të dhënat në dispozicion, koha më e mundshme e ndërtimit të kësaj kalaje është periudha që përfshin gjysmën e dytë të shek. XVI deri në fund të shek. XVII.
  • Kisha e manastirit të Shën Mërisë, Kakome; Manastiri i Shën Mërisë ngrihet mbi pllajën kodrinore në brendësi të gjirit të Kakomesë, larg nga qendrat e banuara. Fshati më i afërt është Nivicë – Bubari. Pozita e manastirit dhe niveli arkitektonik – konstruktiv i ndërtimeve që kanë mbetur dëshmojnë për rëndësinë dhe vlerat e tij. Kompleksi manastiror përbëhet nga kisha, kulla dhe një ndërtesë dykatëshe, që përdorej për ambiente shërbimi. I gjithë kompleksi manastiror rrethohet nga mure të larta guri, ku ndodhet porta e hyrjes e mbrojtur mirë.

Kisha e Manastirit të Shën Mërisë, Kakome

 

  • Kisha e Manastirit të Shën Mërisë Mavrodhivër ndodhet rreth 3 km mbi fshatin Dhivër. Është ndërtuar në fund të shek. XVI. Përbëhet nga naosi, narteksi dhe altari. I pari ka përmasa të brendshme 7,30 m x 4, 80 m dhe ndahet në tre nefe nga të cilat qendrori është më i lartë se dy anësoret. Naosi ndriçohet nga dritare të vogla dhe lidhet me narteksin në anën perëndimore. Ambjenti i altarit përmban niketë e protezisit dhe absidën e bemës. Kisha është pikturuar në vitin 1604 nga Mihali dhe Kostandini nga fshati Gramoz. Ka 5 dritare në gjendje jo të mirë. Restaurim është bërë në vitin 1998 vetëm në çati nga DRMK-Sarandë. Afresket e kishës janë të dëmtuara në pjesën e poshtme 1 m nga dyshemeja kurse në pjesën e sipërme janë në gjendje të mirë. Kisha është e tipit bazilikal, e mbuluar me një sistem qemerësh. Muratura është ngritur me gurë të lidhur me llaç gëlqereje. Dritaret janë të vogla me harqe me tulla e të punuara me gurë të latuar. Në pamjen e jashtme bie në sy vëllimi i zgjatur i mbuluar me çati dyujëse. Konstruksioni i çatisë së kishës është dy llojesh; naosi me qemer guri dhe narteksi mbulohet me çati me konstruksion druri. Karakteristike janë pilastrat e vendosura në muret gjatësore dhe të lidhura ndërmjet tyre me harqe në drejtim tërthor.
  • Kisha e Shën Gjergjit ndodhet në fshatin Leshnicë e Sipërme. Është kishë e thjeshtë një nefëshe e ngritur në një terren të pjerrët në hyrje të fshatit dhe daton shek. XV. Është ndër të parat kisha të ndërtuara pas pushtimit osman. Ka përmasa të brendshme 5,30 x 2,90 m. Përbëhet nga naosi, hajati dhe ambienti i altarit, i cili përmban absidën rrethore të nxjerrë jashtë naosit dhe një ikonostas të thjeshtë prej druri. Është e mbuluar me çati druri, pa tavan e dritare dhe me dysheme të shtruar me rrasa guri. Është pikturuar nga Ilia Llongoviti (1525) nga fshati Llongo i Dropullit, i cili ka pikturuar edhe kishën e Shën Thanasit në Pecë. Pikturat e këtyre kishave janë ndër më të vjetrat në Shqipëri, pas pushtimit turk.
  • Kisha e Manastirit të Shën Mërisë së Krimarovës është ndërtuar mbi lartësinë kodrinore që dominon fshatin Piqeras, duke pasur pamje të gjerë drejt peizazhit bregdetar. Kisha përfaqëson qendrën kompozicionale të manastirit, nga ndërtimet e të cilit kanë mbetur në gjendje gjysmë të rrënuar konakët në anën veriore dhe jugore. Ajo përbëhet nga naosi dhe narteksi në anën perëndimore. Arkitektura është i tipit bazilikal me kupolë, triabsidal, me përmasa të brendshme 8,30×4,60 m. Ai ndahet në tri nefe gjatësore nëpërmjet dy radhë kolonash. Nefi qendror mbulohet me qemer cilindrik dhe ndërpritet në pjesën qendrore nga kupola e ngritur mbi një tambur të lartë. Viti 1672, i gdhendur mbi një gur të murosur mbi portën jugore të kishës së manastirit të Shën Mërisë, tregon kohën e ndërtimit të saj.
  • Kisha e Peshkëpisë ndodhet në juglindje të fshatit Nivicë – Bubar, në vendin që njihet nga banorët vendas me mikrotoponimin Peshkëpi. Kështu, bëhet fjalë për një bazilikë trenefshe, me arkada mbi shtylla muri, me tri absida në anën lindore dhe narteks në anën perëndimore. Absida qendrore ishte trefaqëshe nga jashtë dhe gjysmë rrethore nga brenda, ndërsa absidat e protezisit dhe diakonikonit gjysmë rrethore. Gjatësia maksimale e bazilikës, së bashku me absidat dhe hyrjet është 16×12,4 m. Dyshemetë e saj, janë shtruar me teknikën opus sectile. Këto faza reflektohen edhe në pikturën murale, e cila dekoronte muret e kishës dhe arkadat mbi shtyllat ndarëse të nefeve. Fazës së parë i përket kompozimi që shtrihet në narteks ku paraqiten një grup personash, të identifikuar me martirizimin e 40 Shenjtorëve të Sebastes, skenë që lidhet me simbolikën e Pagëzimit të Krishtit. Koha e shkatërrimit të kishës dhe si rrjedhojë braktisja e saj janë lidhur me ngjarjet e vitit 1336 dhe fushatat ndëshkuese të Andronikut III Paleolog.
  • Kisha e Shën Mërisë ndodhet në fshatin Malçan në Dhivër. Është kishë pas bizantine, me strukturë në formë kryqi, me kupolë, ndërtuar në fund të shekullit XVI – fillim i shekullit të XVII. Përbëhet nga naosi dhe narteksi në anën perëndimore. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë me përmasa të brendshme 6.60 x 5.90 m, por tiparet kompozicionale dhe ndërtimi struktural janë ende të paformuara mirë. Ambienti i altarit që ndahet me një ikonostas druri të mbështetur në çiftin lindor të kolonave, përmban bemën me absidën të dalë jashtë dhe vetëm një nike për protezisin. Ndryshe nga muratura e zhveshur e kishës, tamburi është tepër i dekoruar. Ai përmban 12 nike e dritare të shkallëzuara dhe të mbuluara me harqe tullash, mbi të cilat zhvillohet një friz i rrafshët i dekoruar me copa tjegullash. Narteksi është i thjeshtë, i mbuluar me çati druri pa tavan.
  • Kisha e Shën Thanasit në Sopik është e ndërtuar në një nga majat e kodrës në qendër të fshatit Sopik. Përbëhet nga narteksi, naosi dhe absida. Nga ana veriore kisha ka hajat me çati njëujëse. Në gjendjen e sotme kisha duket si ndërtim i shek. XVII, ndërsa mendohet që ajo ngrihet mbi themelet e një ndërtimi më të hershëm. Në interier kisha nuk ka afresk të ekspozuar, i cili duhet të jetë mbuluar me gëlqere në periudhën e diktaturës.

Kisha e Shën Thanasit, Sopik

 

  • Manastiri i Shën Gjergjit në Demë qëndron në pozitë mbizotëruese mbi kodrën që ngrihet në rripin ndarës tokësor midis Detit Jon dhe Liqenit të Butrintit, në krye të Gadishullit të Ksamilit. Ndonëse ndodhet larg qendrave të banuara, vendi ka qenë mjaft i njohur në kohën antike për shkak të murit barrierë që kalonte në këmbët e kodrës, i cili fillonte nga liqeni dhe përfundonte në det për të fortifikuar territorin e qytetit të Butrintit. Prej ndërtimeve të vjetra të manastirit kanë mbetur dy kisha dhe dy ndërtesa shërbimi, ndërsa pjesa tjetër janë ndërtime të reja.

Manastiri i Shën Gjergjit, Demë

 

  • Manastiri i Shën Mërisë në Krorëz ngrihet mbi një breg shkëmbor, me mbrojtje natyrore dhe pamje të gjerë drejt peizazhit bregdetar. Nga kompleksi manastiror ruhen kisha, kulla dhe një ndërtesë me çardak. Kisha është formë kryqi me kupolë, me përmasa të brendshme 7, 90×4,40 m. Ndërtesa me çardak ose konaku i kishës është dykatëshe. Kulla ose ndërtesa e fortifikuar është trekatëshe, me karakter të mbyllur dhe hapësira ndriçimi të pakta dhe të vogla. Krahas këtyre ndërtimeve, rreth kishës ekzistojnë edhe rrënoja godinash të tjera. Oborri i manastirit është i shtruar me plloça guri.
  • Mozaiku ndodhet në katin e parë të ndërtesës së ish Postës. Është zbuluar në vitin 1968 nga arkeologu Dhimosten Budina. Dhe i përket periudhës së Antikitetit të Vonë. Kjo sallë është zbuluar gjatë ndërtimit të godinës së PTT (e vjetra). Ajo ka dalë në dritë e fragmentuar dhe paraqet mjedisin e një godine te shek. III m. Kr. Sipas arkeologëve që kryen gërmimet, në objekt janë vërejtur ndërhyrje për ta shndërruar atë në ndërtesë kulti (Bazilikë shek. VI m. Kr.). Mozaiku ka dimensione 12.8 m x 11 m dhe përbëhet nga tre pjesë: emblema, korniza dhe motivet anësore. Është ndërtuar me gurë të vegjël dhe llaç gëlqere. Në disa vende mozaiku është i dëmtuar dhe i deformuar; pjesa lindore ndryshon nga ajo perëndimore, kryesisht janë figura gjeometrike (harqe, katrore dhe spirale) dhe shpendë, më e bukura ndër to është skena e eukaristisë. Siç duket 1-2 shekuj pas fazës së parë të zbukurimit, mjeshtrit mozaicistë janë ndodhur përballë kërkesash të reja, të diktuara nga ndryshimi i funksionit të ndërtesës.

Mozaikët e Butrintit

 

  • Sinagoga dhe Bazilika e Sarandës; Gjatë gërmimeve për ndërtimin e pallatit të Kulturës në Sarandë në thellësi mbi 1 m u zbulua gjurmë të një mozaiku. Aty janë kryer gërmime sistematike arkeologjike të cilat kanë nxjerrë në dritë rrënoja ndërtimesh, me interes që i takojnë mesjetës së hershme. Këto rrënoja, kur kemi parasysh gjurmët e shtrirjes së kalasë mesjetare lidhen me ndërtime brenda saj. Nga gërmimet e fundit, bëhet e qartë se në tërësinë e ndërtimeve ka hyrë edhe një ndërtesë kulti me tre aniata të shtruara me mozaik.

Sinagoga dhe Bazilika e Sarandës

 

  • Bazilika pranë ndodhet në perëndim të fshatit Çiflik dhe të Çukës së Ajtoit, në një kodër të ulët në breg të lumit Pavël. Në pllajën kodrinore ekzistojnë edhe rrënoja të tjera, të cilat vendasit i thërrasin me emrin “manastir”. Kisha paraqet një bazilikë trenefshe dhe përbëhet nga naosi, narteksi dhe mjedisi i altarit. Teknika e ndërtimit me tri breza, ku ai i poshtëm ndërtohet me gurë dhe copëra tullash e tjegullash midis tyre, i mesit me shfaq të njëjtën teknikë me murin lindor dhe ai i sipërm me teknikën e klausonazhit, e rendisin kishë në raporte të afërta me kishat e Beratit dhe në përgjithësi me kishat e Artës në Epir. Datimi i kishës është vendosur në fund të shek. XIII.

 

10. Qarku Lezhë

  • Kalaja Lisus dhe Memoriali i Skënderbeut; Kështjella e Lezhës, fazat me te hershme të ndërtimit i ka në shek III p. K. Muret arrijnë lartësinë maksimale deri ne 8 m dhe gjerësi nga 2,5-4 m. Ndërkohe mbi nderimet helenistike kemi faza te mëvonshme, si ato romake,bizantine,veneciane dhe se fundmi otomane. Kështjella ka një sipërfaqe prej 2 ha, perimetri i mureve rrethuese shkon deri ne 850 m. Kalaja ka pjesën e poshtme te saj te karakterit mbrojtës dhe atë të sipërme ku dallojmë ndërtimet e karakterit shoqëror si: objekte kulti, stera uji,depo armesh dhe banesa. Fazat e ndërtimeve me te hershme kane tipologjinë antike, me gurë te mëdhenj te ndërtuar ne te thate dhe te vendosur ne poligonal dhe trapezoidal. Faza e mëvonshme e ndryshme nga antikja është ajo mesjetare ku futen konstruksionet e periudhës bizantine,veneciane dhe se fundmi otomane. Konstruksionet e kësaj periudhe janë me gurë të vegjël te fuguar mire dhe kane dhe elemente si qemerë, kthina, kontraforte, frëngji topash dhe armësh.

Kalaja e Lezhës

 

Memoriali i Skënderbeut

 

  • Gërmadhat e malit të Shelbuem (Akrolis), Lezhë; Akrolisi përfaqëson gjurmët më të hershme te civilizimit në qytetin dhe rrethinat e Lezhës pasi përkon me periudhën historike të kalimit nga ajo e bronzit në periudhën e hekurit. Ky sit arkeologjik përveç disa fragmenteve murale në anën veriore dhe jugore është shumë i varfër me material arkeologjik gjë qe konfirmohet edhe nga ekspeditat e fundit arkeologjike te vitit 2007. Në pjesën veriore ekzistojnë akoma disa fragmente muresh te tipit poligonal që dëshmon gjurmët më të vjetra të këtij fortifikimi antik ndërsa 4-rreshta gurësh trapezoidal kane ruajtur mbetjet e pakta që dëshmojnë bazamentin e Kishës së vjetër të Shën Shelbuemit dhe qe nga viti 1478 pas pushtimit Osman u kthye ne Xhami(Tyrbe).
  • Kisha e Rubikut (Bashkia Rrubik, Mirditë) ose Kisha e Shëlbuemit, që aktualisht ndodhet nën juridiksionin e dioqezës së sapo themeluar të Rrëshenit, historikisht ka qenë gjithmonë pjesë e dioqezës së Lezhës. Ajo është ndërtuar në shek. XII si një kishës bizantine ndërsa në vitin 1272 kisha ripikturohet, dhe në bazë të të dhënave mbishkrimore del e lidhur ngushtë me një bashkësi murgjish të Urdhrit të Benediktit. Kjo vërehet edhe në veshjen abatit Inocent, të paraqitur në miniaturë në kompozimin e Deisis, të cilat i përkasin ritit latin.

Kisha e Rubikut

 

11. Qarku Berat

  • Qyteti i Beratit është promovuar kryesisht si qendër ndërkombëtare e trashëgimisë kulturore (lagjet tradicionale të Mangalemit, Goricës dhe kalasë, Muzeu Kombëtar i Ikonografisë “Onufri’” dhe galeritë tjera, muze, kishat dhe xhami). Që prej vitit 2008, qyteti njihet nga UNESCO, si pjesë e Trashëgimisë Botërore. Në vitin 2010, numri më i madh i turistëve që vizituan Beratin, vinte nga Evropa perëndimore, si Franca, Britania e Madhe, Italia, dhe Gjermania (55%) dhe shqiptarët nga jashtë Shqipërisë (29%), duke qëndruar mesatarisht pothuajse 5 ditë, kryesisht në hotele, duke shpenzuar rreth 40 euro në ditë. Shumica e vizitorëve janë mbi 45 vjeç, por grupi i dytë më i madh i vizitorëve janë nën 24 vjeç.

Berat

 

  • Xhamia e Plumbit ndodhet në qendër të qytetit. Eshtë ndërtuar në vitet 1553-54 nga Skurajt e Beratit. Xhamia e plumbit, siç pohon tradita gojore, u ngrit në truallin e një manastiri të hershëm. Ajo ishte në Berat e para xhami e tipit të vogël monumental karakteristik për vendet e Ballkanit, me kupolë sferike dhe portik përpara hyrjes, ndryshe nga xhamitë e ndërtuara në Berat deri atëherë. Ajo hyn në një grup tipologjik me xhaminë e Mirahorit në Korçë, xhaminë e Muradies në Vlorë, të Gjin Aleksit, në Delvinë, të Allajbegisë në Peshkopi etj, të gjitha në të njëjtën periudhë (shek. XV-XVI). Volumin kryesor të xhamisë e zë salla e shërbesës (faltorja) me përmasa planimetrike 14×14 m dhe lartësi 15 m. Faltorja formohet prej muresh të gjerë guri. Në tri anët muret kanë të çelura nag pesë dritare. Më lart në qoshet janë formuar katër trampa sferike për mbështetjen e një tamburi tetëkëndësh dhe mbi tambur rëndon kupola e mbuluar me fletë plumbi. Kjo zgjidhje konstruktive krijon në brendi një hapësirë pa copzime, si kërkesë funksionale e zgjidhur drejt. Ballin e xhamisë e prin hajati, dhe në të djathtë lartësohet minareja. Në pamjen e jashtme xhamia ka një aspekt dekorativ të ndjeshëm, të realizuar nga vendosja e tullave të kuqe në dy reshta horizontale dhe nga kuadraet e bardha të gurëve që ndahen nga njëri- tjetri prej dy tullash vertikale të alternuara nga reshti në resht.

Xhamia e Plumbit, Berat

 

  • Kalaja e Beratit gjendet e ngritur në një kodër 187 metra të lartë, në të majtë të grykës së lumit Osum. Fillimisht, një vendbanim protourban, në shekullin e VII-V p.e.s, si një pikë strategjike e rëndesishme, ajo u shndërrua në qytet kështjellë me mure që arrinin në gjatësi deri në 1.400 metra dhe me një sipërfaqe prej 10 ha. Burimet historike dëshmojnë se prej këtij viti kalaja e Beratit ka qenë objekt i sulmeve të ndryshme. Në të kaluarën siguria e kësaj kështjelle ka qënë maksimale sepse projektuesit e saj e ndërtuan pikërisht në këtë kodër ku ana jugore bie thikë mbi Osum, anët lindore dhe perëndimore kanë pjerrësi të madhe ndërsa në anën veriore kodra ulet ëmbël drejt qafës së Biftës, duke siguruar komunikimin. Ndryshe nga kështjellat e tjera kalaja e Beratit ka qenë e pajisur me 24 kulla të cilat emërtohen sot me emrin turk TABJE së bashku me muret ato i përkasin periudhave të ndryshme të ndërtimit që nisin qysh nga shekulli IV Pk dhe përfundojnë gjatë kohës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës (1813-1821). Brenda sipërfaqes prej 9.6 ha të kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënojë, Sarajet turke, rrënojat e dy xhamive, sternat e ujit të quajtura Saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur fusha e madhe etj.

Kalaja e Beratit

 

  • Ura e Goricës ndodhet në qendër të qytetit të Beratit mbi lumin Osum dhe lidh aktualisht qendrën administrative të këtij qyteti me lagjen Goricë. E kthyer nga urë druri në urë guri në shek. XVIII, ajo është ndërtuar me konstruksion guri me dopio qemer në 1777, nën sundimin e Ahmet Kurt pashës dhe e rindërtuar në vitet 1920, 1930 duke u përshtatur edhe në një urë jo thjesht për këmbësorët por edhe për automjetet. Ajo ngrihet 10 m mbi shtratin e lumit. Është një urë e bukur me pamje elegante me shtatë harqe në gjithë gjatësinë e saj. Ura e Goricës, në gjendjen e sotme ka arrirë pas riparimeve dhe rindërtimeve të bëra në të në fundin e shekullit XIX – fillimin e XX. Ajo është e gjatë 127 m duke qënë kështu ura e gurtë e ndërtuar gjatë sundimit osman, më e gjatë në vendin tone dhe që ende është funksionale. Ura ngrihet mbi shtatë qemere të mëdha gjysmë rrethore në këmbët e të cilave janë çelur gjashtë dritare të mëdha shkarkuese dhe dhjetë me të vogla anash lart tyre, të cilat zvogëlojnë presionin hidrodinamik mbi muret e urës në rastin e prurjeve të mëdha të lumit. Dritaret shkarkuese janë kryesisht gjysmërrethore dhe me pak formë shigjete e çerekrrethore. Qemeret janë më hapësirë drite nga 6.7 m deri në 16.5 m maksimumi. Ballet e mureve dhe të qemereve janë ndërtuar me gurë gëlqerorë të gdhendur me fuga të dallueshme ndërmjet tyre.

Ura e Goricës, Berat

 

  • Xhamia e Beqarëve është një monument i kategorisë së I-rë me vlera të shumta arkitekturore dhe përfaqson një arritje të lartë në nivelin e ndërtimit të objekteve të kultit, në qytetin e Beratit. Ndodhet në anën e poshtme të lagjes Mangalem dhe u ndërtua në fillim të shek. XIX për ti shërbyer reparteve të Beqarëve të esnafeve të ndryshme të qytetit, si një bashkim i zejtarëve të pamartuar, të cilët kryenin edhe detyrën e rojës së natës në Pazar. Karekteristik për këtë monument është aplikimi i pikturës murale në fasadat e jashtëme dhe të brenshme. Piktura datohet në vitet 1827-1828 dhe shquhet për një nivel të lartë kompozimi. Piktura murale është aplikuar në brendësi të sallës së lutjeve në dy rreshta horizontal. Për të pasur një funksion sa më të mirë në shërbim të besimtarëve edhe në portikun e pasëm të xhamisë është ndërtuar një mirab në mur. Minarja është e stilit të ulët ndërsa nga përpara monumenti për t’u përshtatur me terrrenin ngrihet mbi një portik me kollona prej rrathësh guri në ngjyrë gri. Xhamia ngrihet në dy kate për t’iu përshtatur terrenit të pjerrët, ku kati i poshtëm ngrihet në një portik me kollona prej rrathësh guri ngjyrë gri. Veçanti tjetër është rrethimi i portikut të hapur në katin e sipërm me harkada nga të tri anët e tij. Gjithashtu në pamjen e jashtëme xhamia e Beqarëve dallohet për vëllimin masiv, minaren e ulët dhe arkadën e përparme me kolona prej rrathësh guri.

Xhamia e Beqarëve, Berat

 

  • Xhamia Mbret në gjendjen e sotme paraqitet tepër e trans­formuar nga faza e ndërtimit fillestar të fundit të shek. XV. Gjatë viteve 1832-1833 mo-numenti rrezikohej të shem­bej, prandaj dhe iu nënsh­trua një ristrukturimi gati të përgjithshëm, duke iu përshtatur teknikave ndër­tuese dhe kushteve historike të kësaj periudhe. Xhamia bënte pjesë në kuadër të një kompleksi socialo – fetar, së bashku me godina të tjera, si teqetë, biblioteka, konakët e banimit të dervishëve, etj. Në anën veriore të xhamisë ndodhen edhe dy tyrbe (varre monumentale) të tra­jtuara me mjeshtëri nga ana arkitektonike. Përsa i përket interiorit, xhamia dallohet për kompozicionin e veçantë të pjesëve përbërësë.

Xhamia Mbret, Berat

 

  • Teqeja e Helvetive bën pjesë në një kompleks fetaro-social ku përfshihet edhe Xhamia Mbret, konakët e dervishëve dhe Teqeja e Sheh Qerimit dhe aktualisht është një nga monumentet e rralla me vlera arkitekturore dhe artistike të papërsëritshme. Ndërtesa, që i takon gjysmës së dytë të shek. XVIII, dëshmon për një aktivitet të lartë ndërtimor në qytetin e Beratit gjatë periudhës së qeverisjes së Ahmet Kurt Pashës. Në qëndër të kompozimit qëndron semahane (salla e lutjeve); në anën jugore – një ambient varrimi (dhoma e varrit), ndërsa një portik interesant – në anën perëndimore. Salla e lutjeve ngrihet më tepër se ambientet e tjera, duke e bërë ndërtesën të duket më madhështore.

Teqeja e Helvetive, Berat

 

  • Kisha e Shen Kollit, Perondi I vetmi informacion për fshatin dhe për kishën është një shënim i ipeshkvit të manastirit të Beratit Anthimios Aleksudhis në fundin e shek. XIX. Sipas këtij shënimi në 1399 kryemurgu i manastirit të Shën Kollit në Pendearhontion, ia dha bibliotekën Teodorit III Muzaka në mënyrë që ta shpëtojë atë prej turqve. Në një tjetër publikim, Aleksudhis jep informacion mbi vetë fshatin dhe përmend që atje ka qenë portreti i perandorit bizantin Andronik Paleolog (pa specifikuar se cili prej tyre) dhe të anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore në portikun poshtë kullës së kambanës. Kisha ose manastiri në Perhondi ishte e lidhur administrativisht dhe subjekt i qytetit të Beratit. Ajo është e tipit bazilikal me kupolë. Për pikturat e Perhondisë D. Dhamo dhe F. Thaçi thonë që janë e së njëjtës atelje që ka punuar në Ohër, një pohim që është i vështirë për tu pranuar. Imazhet e Shën Mërkurit dhe Arkangjelit Mikael mund të presupozohet se janë mbrojtës të kishës dhe kanë funksion aportropaik pasi ata ndeshen mjaft shpesh në hyrje. Arkadat anësore gjithashtu paraqesin fragmente të imazheve të shenjta. Kisha është tërësisht e mbuluar me suva gëlqereje brenda dhe vetëm disa fragmente janë qartësuar.

Kisha e Shën Kollit, Perondi, Kuçovë

 

  • Muzeu Ikonografik Onufri është organizuar në ambjentet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj.
  • Muzeu Etnografik ndodhet, në zonën e mbrojtur shume pranë qendrës historike (lagjeve Mangalem, Kala). Ai është përshtatur në vitin 1979 në një banesë tradicionale të qytetit, me dy kate me çardak në një krah, ndërtuar në fillim të shek XVIII. Vëmendje kryesore në këtë banese i kushtohet mjediseve të hapura të hajatit që zë tërësisht katin përdhes dhe çardakut në katin e sipërm i cili komunikon me të gjitha dhomat, që shërbenin për të qëndruar, punuar, gatim, ngrënie, fjetje.

Muzeu Etnografik, Berat

 

  • Turi i Kishave në brendësi të lagjes Kala, Berat. “Lagja Kala” ndodhet në pikën më të lartë të qendrës historike dhe është nga të paktat monumente të periudhës mesjetare në Shqipëri që vazhdon edhe sot të ketë një jetë intensive brenda mureve të saj rre­thues. Deri në shekullin XIII qyteti mesjetar zhvillohej kryesisht brenda territorit të kalasë, ku, përveç shumë monumenteve me karakter re­ligjioz, mbrojtës dhe inxhin­ierik, kishte edhe një numër të konsiderueshëm banesash. Pamjen e sotme arkitektonike dhe urbanistike, ashtu si edhe dy lagjet e tjera, kalaja e mori gjatë shekujve XVIII-XIX. Në brendësi të saj do të mund të realizoni një tur mjaft interesant të objekteve të kultit, të tilla si: Kisha e Shën Konstandinit dhe Helenës, Kisha e Shën Mëri Vllahernës, Kisha e Shën Kollit, Kisha e Shën Triadhës, Kisha e Shën Gjergjit, Kisha e Shën Mitrit, Kisha e Shën Todrit, Kisha e Shën Sofias dhe Kisha e Shën Evangjelistrës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.