Muaji maj, zyrat e punës arrijnë objektivin

Deklaratë për mediat e zëvendësministres së Ekonomisë dhe Financave, Dajna Sorensen:

Sot, 36 zyrat e punësimit kryen raportimin mujor pranë Zyrës së Kryeministrit mbi performancën e tyre për muajin maj.

Qëllimi i këtij takimi ishte raportimi i rezultateve të arritura, konkretisht, shifrat e punësimit, përfshirë këtu edhe punësimin e ish përfituesve të ndihmës ekonomike, jo vetëm për muajin maj, por edhe për tre muajt e fundit, vendet e punës të identifikuara pranë sektorit privat dhe problematikat që zyrat e punës hasin gjatë procesit që ato ndërmarrin.

Gjatë muajit maj janë realizuar 3296 punësime, krahasuar me 2314 që ishte trageti i zyrave të punës këtë muaj.

Do të doja të nënvizoja që zyra të veçanta si zyra e Kukësit, Pogradecit dhe e Sarandës, që janë zyra me treg relativisht të vogël pune, kanë bërë një punë fantastike, duke e tejkaluar tragetin e tyre me 4-fish e 5-fish në disa raste. Të gjitha zyrat e punës e kanë arritur targetin.

Në total, për periudhën mars-prill-maj numri i vendeve të punës, të cilat janë ndërmjetësuar nëpërmjet SHKP ka arritur në shifrën 10858 persona.

Në total, për vitin 2018, zyrat e punës kanë një target prej 25 mijë ndërmjetësimesh.

Duke pasur parasysh performacën e zyrave të punës në këto 3 muaj, ne jemi konfidentë që ky objektiv për 2018 do të realizohet.

Një kategori e veçantë, të cilës zyrat e punës i shërbejnë, janë persona, të cilët kanë qenë përfitues të skemave të ndihmës ekonomike. Janë 560 familje që kanë përfituar nga shërbimet e zyrave të punës dhe aktualisht kanë të ardhura më të larta, sepse persona në këto familje tashmë janë punësuar nëpërmjet zyrave të punës.

Zyrat e Punës punojnë fort, për t’i shkuar afër biznesit dhe për të identifikuar vende të lira pune.

Gjatë periudhës mars-prill-maj janë 23682 vende pune, të cilat janë identifikuar pranë sektorit privat. Zyrat e punës kanë  një target prej 45 mijë vende pune, të cilat do të identifikohen pranë sektorit privat. Kjo nuk është e mjaftueshme. Zyrat e punës duhet të jenë më shumë proaktive, për të shkuar pranë bizneseve dhe për t’iu përgjigjur atyre në lidhje me nevojat që kanë për forcë pune të kualifikuar.

Gjithashtu, zyrat e punës do të punojnë më fuqishëm me të gjitha institucionet në nivel bashkish, për të mundësuar punësimin e një numri sa më të madh njerëzish pranë sektorit privat.

Ne jemi konfidentë që objektivi që zyrat e punës kanë për vitin 2018 do të jetë i arritshëm.

Faleminderit!