Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot forumit mbi Ballkanin Perëndimor, organizuar nga prestigjiozja Financial Times, me temë: “Mundësia e investimit në një rajon me rritje të shpejtë”
Faleminderit për këtë mundësi!
Është një ndjesi shumë e mirë të vish nga Ballkani tek një vend i ri i Ballkanit Perëndimor, siç është Britania dhe është ndjesi po ashtu shumë e mirë të jesh pjesë e kësaj platforme kaq prestigjioze sa e juaja, për të folur për veten dhe rajonin tonë. Mendoj se jemi duke jetuar një periudhë interesante. Po përjetojmë reforma të rëndësishme brenda rajonit, kemi shifra me peshë që tregojnë ndryshimet që po ndodhin. Patjetër është e qartë që nuk mjaftojnë.
Në Shqipëri po punojmë fort që të reformojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që vendi të ketë një pozitë më të fortë për t’i ofruar jo vetëm qytetarëve tanë, por edhe investitorëve, garancitë maksimale, si dhe produktivitetin maksimal në investimet e tyre.
Në të njëjtën kohë e dimë shumë mirë që duhet të ndërthurim burimet tona natyrore, sidomos naftën dhe mineralet, si dhe energjinë hidrike. Po ashtu duhet të kujdesemi për investimet turistike përgjatë bregdetit. Së fundmi kemi marrë një lajm shumë të mirë nga Shell, që kishte zbuluar një rezervë shumë të rëndësishme me naftë të cilësisë së lartë, që premton një perspektivë të madhe në këtë drejtim. Po ashtu kemi disa investime shumë të rëndësishme në bregdet me linjën gazsjellëse, që shpresoj të materializohet së shpejti. Shifrat tona në sektorin e turizmit po rriten nga viti në vit. Pra, po arrijmë rezultate shumë të mira në mposhtjen e papunësisë. Siç e përmendi Banka Botërore në raportin e vitit të kaluar kemi rezultate të mira, por patjetër e kemi të qartë që ato që kemi bërë nuk mjaftojnë dhe duhet të bëjmë shumë më shumë dhe t’i arrijmë më shpejt qëllimet tona.
Unë mendoj që potenciali ynë qëndron te bashkëpunimi dhe ndërveprimi rajonal dhe jam shumë i bindur që, nëse tregohemi të zgjuar e të vendosur në forcimin e bashkëpunimit tonë rajonal dhe nëse hapim një kapitull të ri, thjesht duke e shndërruar këtë historinë dhe politikën obsesive të kufijve në një qasje të re dhe duke krijuar një zonë të re Shengen brenda Ballkanit Perëndimor e duke i transformuar kufijtë nga arsye për grindje e politika të ndezura në pika fluide takimi, pa dyshim do jemi më të hapur ndaj mundësive më të mëdha dhe do mund të eksplorojmë një pjesë të vlefshme të potencialit tonë të paprekur.
Lidhur me përmirësimin e pozitës dhe rregullave të biznesit në rajon, në veçanti në Shqipëri, a është e rëndësishme të ekzistojë një qëllim i qartë si anëtarësimi në BE, për të vazhduar përpjekjet në reformat lidhur me biznesin? A ka një afat kohor, pas të cilit entuziazmi për këto përpjekje mund të shuhet?
Kryeministri Edi Rama: Ka një arsye që përcakton shpejtësinë e integrimit që nga periudha komuniste deri te Bashkimi Europian dhe ka një arsye pse vendet si Polonia apo Republika Çeke, Sllovakia e të tjera kanë arritur rezultate më shpejt sesa vende si i yni dhe kjo arsye lidhet me të shkuarën e tyre, me historinë e institucioneve të tyre. Ata e patën shumë më të lehtë të rilidhen me historinë e institucioneve shtetërore, pas rënies së komunizmit.
Në rajonin tonë, historia e institucioneve është shumë më pak bujare, le të themi, që të tregohem optimist dhe për ne, integrimi në BE është një proces i ndërtimit të institucioneve, i ndërtimit të shtetit, nuk ishte të një proces rikthimi tek vlerat e së shkuarës, siç ishte për shtetet e tjera që u rindërtuan më shpejt, por një proces i lidhjes me të ardhmen. Nëse mund ta them, procesi i integrimit është më i rëndësishëm sesa anëtarësimi, sepse është i vetmi mekanizëm, e vetmja rrugë, i vetmi instrument unik dhe i pazëvendësueshëm për të ndërtuar një shtet funksional, me të gjitha elementet që do të garantojnë zbatimin e të drejtave për të gjithë dhe do të bënin të mundur që shteti t’u shërbente qytetarëve. Pasi të arrish këtë, mund të bësh siç zgjodhi Britania, të ikësh, por në fillim duhet të ndërtosh. Pra, është si martesa, të gjithë të thonë që nuk është aq fantastike sa duket, por s’ka rëndësi, ti e do gjithsesi. Pastaj merr vendimet e tua.
Meqë ra fjala, kjo që po ndodh në Britani tregon që divorci është shumë herë më i vështirë se martesa, do thoja, po për ne, perspektiva europiane është e domosdoshme. Nga ana tjetër, Ana e përmendi pak hipokrizinë dhe ka shumë hipokrizi, ka shumë poshtërim, sepse po bëhet gjithnjë e më pak e rëndësishme puna që bëjmë ne dhe gjithmonë e më rëndësi po i jepet dinamikave të brendshme të shteteve të ndryshme europiane. Gjithnjë e më pak e lidhur me sa i përmbushim standardet dhe kriteret e gjithnjë e më shumë për zgjedhjet në këtë apo atë shtet. Zoran tha sot se po pret t’i ndodhë diçka e mirë, këtu ndryshojmë. Ai është optimist i pashërueshëm, unë jam optimist tragjik, ka një ndryshim.
Çështja është se Raporti i Komisionit Europian doli këtë radhë në fund të majit, për shkak të zgjedhjeve europiane. Përse raporti mbi arritjet tona në këtë e atë fushë duhet të ketë lidhje me zgjedhjet në BE? Sepse, nëse raporti do kishte dalë përpara me një rekomandim të qartë ‘pro’ nesh, do frymëzonte zonjën Le Pen të kërkonte me më shumë furi delen e zezë dhe fantazmat e frikshme në horizont. Kjo është një nga shumë shembujt, sesi gjërat janë gjithnjë e më pak të parashikueshme dhe gjithmonë e më shumë të padrejta. Dhe është e qartë se shtetet që vinë më vonë do duhet të bëjnë më shumë në një faze të caktuar, sesa shtetet që janë anëtarësuar përpara. Pra, rriten kërkesat, por në fund të ditës, kjo është e vetmja rrugë. Pra, nëse më pyesni nëse kemi ndonjë rrugë tjetër, alternativë apo shpëtim, do thoja jo nuk kemi. Edhe nëse Bashkimi Europian zhduket nesër, ne do bënim të njëjtën gjë, sepse duhet të ndërtojmë sistemin gjyqësor, jo vetëm ligje të besueshme por edhe institucione ligjzbatuese të besueshme. Ne duhet të vëmë në jetë atë që është e shkruar.
Në këtë aspekt, Bashkimi Europian është një bekim, pasi na bën ndryshe nga vendet që janë larg nesh, duke ndryshuar dhe jetën dhe perspektivat e të rinjve tanë. Çfarë ndryshimi ka midis një djali të ri në Shkup, Beograd apo Tiranë, me një të ri në Mosul, Kandahar apo diku tjetër? Europa! Fakti që jeton në një hapësirë ku ka të ardhme, ku ka perspektivë dhe ke mundësinë të ushqesh ëndrra të mëdha.
Përpjekja ia vlen dhe do i shkojmë deri në fund, pavarësisht zhgënjimeve, përfrikësimeve, hipokrizisë, standardet e dyfishta të saj. Nëse merrni Holandën, ku janë shumë të gatshëm të sulmojnë shqiptarët në çdo zgjedhje që zhvillojnë. Para një jave pashë një kryetitull “Eliminohen gangsterët shqiptarë” dhe kur lexova artikullin gangsterët ishin belgë, marokenë, holandezë dhe vetëm dy shqiptarë. Por po trajtoheshin sikur të gjithë ishin shqiptarë dhe vëmendja ishte te sulmi ndaj Shqipërisë. Problemi është te politikat keqdashëse europiane.
Shumë faleminderit! Jam i sigurt që dëgjuesit do marrin parasysh thëniet tuaja mbi martesën dhe divorcin.
Kryeministri Edi Rama: Jo, por Brexit vërtetë i ngjan. Pastaj divorci mund të ketë disa faza, e them nga përvoja. Por të divorcohesh nga Europa duket se qenka makth. Qenka lloji i gruas që s’mund ta ndash dhe pa marrëveshje është edhe ca më keq.
A ka konsensus?
Kryeministri Edi Rama: Kur po flisja, po mendoja sa veta në parlamentet e shteteve të BE-së e dinë që vendet tona, Ballkani Perëndimor rrethohet nga kufij të BE-së. Mendoj se shumë pak, sepse kur flasin dhe dëgjojnë për zgjerimin, mendojnë diçka të madhe. Kemi Turqinë, pas Turqisë Ukrainën, pas Ukrainës Serbinë, pas Serbisë Shqipërinë dhe më pas Maqedoninë e Veriut dhe arrijmë tek kufiri me Kinën. Këta njerëz ndonjëherë nuk e dinë për çfarë po flasin. Jemi brenda kufijve të BE-së, jemi të rrethuar nga kufijtë e BE-së dhe gjatë krizës së refugjatëve, ata hynin në BE përmes Greqisë dhe dilnin nga BE-ja përmes Maqedonisë së atëhershme, tani Maqedonisë së Veriut, sepse ndryshuan emrin që të anëtarësohen në BE. E imagjinoni dot t’i kërkojnë britanikëve të ndryshojnë emrin e Mbretërisë për të qëndruar?! Vazhdonin rrugën për në Serbi dhe hynin në BE nga Kroacia. Pra, është një organ i të njëjtit trup, që ka dale jashtë dhe derdh gjak e tani, ta heqësh është e pamundur, sepse është pjesë e tij. Vendimi mund të jetë ta mbash me gjithë infeksionet e mundshme, duhet të ketë një arsye pse Lufta e Dytë Botërore filloi nga ky organ dhe sëmuri tërë trupin, – ose e pranon dhe e integron. Së dyti, duhet të mendojmë që si rajon kemi ende shumë për të bërë, ka edhe mundësi.
Kemi konsensus. Shqipëria ka popullin më pro-europian. Optimizmi ynë europian ia kalon optimizmit të Zoran Zaevit, si popullsi them. Kemi popullsi myslimane dhe katolike dhe myslimanët tanë janë shumë më europianë sesa elektorati i Marine Le Pen-it, pa dyshim. Nuk ka asnjë parti anti-europiane në Shqipëri, as Parti Komuniste në Shqipëri, megjithëse ne kishim Partinë Komuniste më të ashpër në Europë. Tani nuk do merrte as vëmendje e as mbështetje. Kur e sheh Shqipërinë sot, në foto, nuk mendon s’është vend për investime apo për pushime, sepse është në fakt. Nuk janë njerëzit të ngritur në revoltë, janë skenarë politike dhe protestat mund të integrohen në paketën tonë turistike, sepse zhvillohen si koncertet të shtunave në orën 20.00, pra, nëse do të shohësh një protestë, prenoto një vend aty rrotull. Nuk është i tërë vendi në flake, vijnë disa veta te bulevardi kryesor, hedhin ca gurë e molotov, por, nëse mban një distancë të sigurt, mund ta shijosh dhe nuk e gjen tani nëpër Europë këtë.
Pra, ejani në Shqipëri e investoni. Ne e kemi pjesë të traditës sonë, nga Kushtetuta jonë e parë, Kanuni ka një rresht shumë të fuqishëm, i cili ka përcaktuar marrëdhëniet tona me të huajt dhe gjithashtu bukurinë e vendit për çdo të huaj. “Shtëpia është e zotit dhe e mikut”, që do të thotë se nëse je i shtëpisë dhe jo mik, mund të futesh në telashe, por, nëse je mik, nuk ke kurrë telashe. Investitorët vendorë mund të kenë probleme, por investitorët e huaj jo, janë miq, janë zot. Prandaj, ejani. Ka edhe shumë gjëra të tjera shumë të bukura. Nuk është Gjermania apo Zvicra, por, nëse nuk doni të mërziteni dhe doni eksperienca emocionuese, ejani tek ne.