Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e përurimit të “Murit të Kujtesës” dhe godinës së rikonstruktuar të Ministrisë së Brendshme:

 

I nderuar zoti ministër i Punëve të Brendshme!

I nderuar kryetar dhe të nderuar deputetë të komisionit të Sigurisë!

I nderuar zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit!

Të nderuar miq, drejtues, punonjës së policisë së shtetit, partnerë dhe të ftuar!

 

Të gjallëve u mbeten vetëm dy mënyra për t’u përballur me dëshmorët; T’i lënë në harresë, ose të formojnë rreth tyre një mit që nuk mund të shuhet kurrë. Zgjidhje e mesme nuk ekziston.

Kështu shkruante i  famshmi Albert Kamy në vitin 1956, në librin e tij “Rënia”. Ky mur kujtese, që sot përurojmë së bashku me këtë godinë, është simboli i një vullneti të hekurt për të mos i harruar më dëshmorët e Policisë së Shtetit dhe për të formuar rreth tyre një mit, mitin e uniformave blu. Është simboli i një ndarjeje përfundimtare nga koha e gjatë, e një rrënimi të gjithanshëm, që tek Policia e Shtetit pati shëmbëlltyrën e vet më kuptimplotë, ku të rënë apo të gjallë u përballën për vitet të tëra me murin e harresës shtetërore.

Janë plot 264 yje, të vendosur në këtë mur. Secili prej tyre është aty, pasi dikush nën uniformë nuk është më këtu. Çdo njëri nga ata yje përcjell shkëlqimin e një sakrifice, ku ndër sakrificat e të gjithë këtyre viteve, më e fundit, është ajo e Ardian Kodrës. Prindit, bashkëshortit, familjarit që ra dy javë më parë, në përpjekje për të shpëtuar nga plumbat banorët e Torovicës në Shkodër.

Nuk ekziston në këtë botë një fuqi që t’u kthejë familjeve, njeriun e dashur, por shteti duhet të jetë me patjetër, fuqia që familjet, të cilat humbin një njeri të dashur për shkak të detyrës, të mos ndjehen vetëm. Dhe të mos ndjehen më, kurrë, dyfish të tradhtuar nga tradhtia që çoi jo pak njerëz të kësaj trupe drejt plumbave në të kaluarën, tek tradhtia që rëndon jo pak, harresa!

Në këto tre vjet besoj se mund të jemi krenarë për çfarë kemi bërë për ta rilindur Policinë e Shtetit, por kjo nuk do të thotë aspak se jemi të kënaqur. Gjatë këtyre tre viteve, më në fund bëmë që sytë e këtij institucioni, vëmendja e qeverisë së Republikës së Shqipërisë të kthehet ndaj familjeve të të rënëve, për të cilët kemi disafishuar mbështetjen financiare, por më e rëndësishmja kemi njëqindfishuar vëmendjen dhe përkujdesjen e qeverisë. Në radhë të parë, për bashkëshortet e të vrarëve dhe fëmijët e tyre.

Në çdo vend, policia është shëmbëlltyra më domethënëse e shtetit. Pasqyra e parë ku shteti reflektohet në sytë e qytetarëve apo të vizitorëve të një vendi. Thjesht sillni ndërmend se, qysh nga 4 dhjetori i vitit 1912, kur u krijua e para qeveri e Shqipërisë shtet i pavarur, Ministria e Punëve të Brendshme është pjesë e çdo qeverie dhe është e vetmja që është aty, e pandryshuar në asnjë ndryshim qeverie apo sistemi. E megjithatë, deri pak kohë më parë, këtu kemi qenë sëbashku dhe pas kurrizit tim ishte një gërmadhë. Një gërmadhë që i ngjante një kështjelle të pushtuar e pastaj të braktisur, të cilës, siç ndodh me kështjellat e vjetra që janë jashtë vëmendjes, kalimtarët iu kishin hequr tulla pas tullash.

Suvaja e rrjepur e kësaj godine ishte simbolika më e drejtpërdrejtë e rrjepjes së imazhit të fytyrës së Policisë së Shtetit. Prej ndërtimit të saj në vitin 1930, kjo godinë ishte konsumuar në vazhdimësi, natyrisht, nga pesha e kohës, por dhe nga ndërhyrje, të cilat vetëm e kanë deformuar dhe degraduar.

Vendosëm të investojmë për ta transformuar atë “kala” të rrënuar në një institucion, duke ruajtur identitetin e godinës, si një detyrim ligjor për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, por dhe duke zgjeruar hapësirën funksionale për punonjësit e këtij institucioni, të cilët tanimë hyjnë në një godinë të pajisur me gjithçka duhet për ta bërë detyrën e tyre të vështirë në kushte optimale.

Në tre vjet, ne kemi investuar për Policinë e Shtetit më shumë se çdo qeveri, në 25 vjet, të marra sëbashku, në drejtim të rinovimit të dhjetëra komisariateve, të mbështetjes financiare të punonjësve, të ripërtëritjes së gjithë logjistikës së Policisë së Shtetit.

Në korrik hapi dyert Komisariati Rrugor i Tiranës. Një godinë që i shërben 200 000 qytetarëve çdo vit dhe ku nuk ishte vënë dorë që prej vitit 1981, duke e lënë atë institucion në një gjendje që ishte tortura e çdo njërit prej 200 000 qytetarëve, që shkonin për të marrë shërbimin. Një institucion torture.

Sëbashku me Komisariatin Rrugor të Tiranës u ndërtua dhe Komisariati i Ndërhyrjes së Shpejtë. Një tjetër investim i konsiderueshëm, ashtu sikundër është drejt përfundimit edhe

U ndërtua dhe komisariati i ndërhyrjes së shpejtë, një tjetër investim i konsiderueshëm, ashtu sikundër është drejt përfundimit dhe komisariati i forcave speciale. Ndërkohë, vazhdojnë rindërtimet për të transformuar nga pikëpamja e infrastrukturës të gjithë komisariatet e vendit. Në vitin 2013, sipas raportit të partnerëve ndërkombëtarë të ngarkuar për të bërë një diagnozë të plotë të situatës së logjistikës së policisë së shtetit, 70% e automjeteve të patrullave ishin në gjendje të dobët ose shumë të dobët dhe 82% e automjeteve për transport policor ishin jashtë çdo standardi.

Nga ana tjetër, mosha mesatare e efektivëve të policisë së shtetit ishte më e larta në Europë dhe vetëm 20% e totalit të efektivit zotëronte diplomë. Një gjendje që nuk mund të krahasohej, jo me Europën, por as me Kosovën, as me Malin e Zi, as me Maqedoninë fqinje. E ripërtërimë flotën e mjeteve të policisë, me mjete të reja me teknologji të avancuar për policinë rrugore që të mundësojë një nivel aktiviteti dhe performance që t’i përgjigjet ambicieve që ne kemi për këtë trupë që është në kontakt të përditshëm në çdo minutë me qytetarin. Sot, policia e shtetit ka një sallë operative dhe një numër unik emergjencash, 112.

Koha e telefonave që nuk përgjigjeshin për urgjenca, për emergjenca, për nevoja të qytetarëve ka vdekur. Sot, mjafton ti biesh numrit 112 dhe jo vetëm ke dikë që të përgjigjet, por një protokoll i tërë vihet në lëvizje për të parë se si reagon institucioni ndaj një ankese apo një kërkesë. Jemi kryeqyteti i parë në Ballkan që kemi një shërbim të tillë me një numër unik emergjencash. Dhe ky numër unik do të shtrihet me shpejtësi në të gjithë Shqipërinë. Është një sallë që koordinon në kohë reale komisariatin me policinë rrugore apo me shërbimet e Shqiponjave në rast ngjarjesh kriminale, monitoron në kohë reale kamerat e trupit, punonjësit e policisë dhe ndjek të gjitha njoftimet e komisariatit dixhital.

Një komisariat që sot është në xhepin e çdo qytetari që ka një smartphone, një komisariat i thjeshtë, i dëgjueshëm, i fuqishëm dhe i pa korruptueshëm, që ka rritur në mënyrë eksponenciale aksesin e publikut në shërbimin policor dhe po ashtu ka rritur në mënyrë shembullore cilësinë e reagimit të policisë ndaj qytetarit që i drejtohet komisariatit dixhital.

Në këto 3 vjet është bërë një revolucion për infrastrukturën dhe logjistikën, një revolucion që vazhdon, por revolucioni më i madh ka filluar në burimet njerëzore për rritjen e profesionalizmit dhe për përmirësimin e marrëdhënieve të efektivit të policisë me qytetarin. Thashë ka filluar, nuk thash ka përfunduar. Është ende një rrugë e gjatë por është një rrugë shumë herë më e shkurtër se sa rruga e pamundur që parafytyronte secili prej nesh deri 3 vite përpara, kur përpiqej të imagjinonte një polici shteti të denjë për ambiciet dhe nevojat e qytetarëve.

Së shpejti do të bëhet prezantimi i transformimit rrënjësor, sasior dhe cilësor të të gjithë uniformave të policisë së shtetit. Uniforma, më në fund, jo vetëm në pamje, por dhe në standarde dhe për t’i shërbyer punonjësve të policisë, të bazuara në të gjitha kriteret e trajtimit dhe të shërbimit të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian. Projektet vazhdojnë dhe përveç numrit unik të emergjencave që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, është drejt përfundimit dhe projekti tjetër transformues i kamerave të sigurisë dhe të kamerave të trafikut rrugor që do të monitorojnë të gjithë territorin e vendit, duke bërë të mundur ndjekjen përmes teknologjisë të të gjitha shkeljeve në trafikun rrugor dhe po ashtu identifikimin në kohë reale përmes teknologjisë të gjitha situatave kriminale në të gjithë territorin e vendit.

Ka filluar zbatimi i projektit për regjistrimin e shqiptarëve. Jemi i vetmi vend në Evropë, – por besoj edhe në botë pak shokë duhet të kemi, – që nuk kemi të regjistruar shtetasit tanë. Nuk dimë ku janë, nuk dimë çfarë bëjnë dhe kur kanë nevojë për ne kemi vështirësi për t’ju përgjigjur. Kam parasysh shtetasit shqiptarë jashtë vendit, të cilët meritojnë një shërbim shumë më të mirë dhe mbi të gjitha meritojnë garantimin e të drejtës së votës për çka është folur 20 vite rresht, është premtuar 20 vite rresht, por asnjë qeveri nuk mori mundimin që ta nisi nga numërimi dhe regjistrimi i tyre.

Nga ana tjetër, ka filluar zbatimi i dixhitalizimit të mëtejshëm të shërbimit të policisë rrugore për të identifikuar shkeljet në mënyrë automatike, jo më me sy, duke e çliruar përfundimisht qytetarin, por dhe punonjësin e policisë nga barra e provës kur fillon përballja e pafundme e ankesave dhe kundër ankesave.

Punonjësit do të vazhdojnë të pajisen me tableta për gjobën elektronike dixhitale dhe ajo që është më e rëndësishmja dhe është shprehja më kuptimplotë e gjithë këtij transformimi është rritja e vazhdueshme e numrit  të të rejave dhe të rinjve që kërkojnë të bëhen pjesë e kësaj trupe, një trupë që është bërë shumë më atraktive për të rinjtë nga njëra ana, sepse është dinjiteti në rritje i saj që tërheq, por nga ana tjetër edhe sepse është shpërblimi dinjitoz i saj përmes pagës.

Gjetëm një raport partnerësh për pagat e policisë së shtetit që e kishte në tavolinë qeveria e mëparshme. U zotuam se do ta zbatonim brenda 4 viteve dhe e zbatuam që në vitin e parë, kur bëmë buxhetin më të vështirë për një qeveri, buxhetin e krizës se trashëguar në 2013, kur rrezikonim kolapsin energjetik dhe pamundësinë për të paguar rrogat dhe pensionet në nëntor-dhjetor të vitit 2013. Rritëm deri 25% rrogat e policisë së shtetit. Ndërkohë që të gjithë sektorët e tjerë kanë përfituar vetëm rritjen nga ulja e taksës mbi rrogën, por nuk kanë pasur tani asnjë rritje rroge të drejtpërdrejtë për shkak të domosdoshmërisë për të ecur me programin e vendosjes së stabilitetit në themelet makroekonomike të shtetit dhe nga ana tjetër nga domosdoshmëria për të shlyer qindra e qindra miliona dollarë borxhe nga e shkuara. Sot jemi të vetëdijshëm se një rritje e mëtejshme e rrogave në tërësi është domosdoshmëri. Ministri këtu bëri detyrën si çdo ministër që kërkon te kujtojë kryeministrin sa i jepet mundësia se duhen rritur rrogat. Unë jam i bindur që ministri nuk e harron, siç nuk e harrojnë të gjithë punonjësit e policisë se ndërkohë janë të vetmit që kanë marrë rritje rrogash deri në 25% dhe me projektin ndërkombëtar, ne jemi në rregull, por sidoqoftë ne besojmë që nuk është asnjëherë mjaft dhe ashtu siç është domosdoshmëri një rritje e rrogave për të gjithë, patjetër do të vazhdojmë të rrisim edhe rrogat për policinë e shtetit, duke pasur mirëkuptimin që nëse mësuesit, mjekët, punonjësit e administratës dhe me radhë nuk u xhelozuan, kur rrogat e policisë së shtetit u rritën me 25%, punonjësit e policisë së shtetit nuk do të xhelozohen nëse në rritjen eventuale të rrogave, rrogat e këtyre të parëve do të rriten më shumë se sa punonjësit e policisë së shtetit që sidoqoftë do të bëjmë çmos që vazhdojmë t’i rrisim.

Milan Kundera një shkrimtar i madh dhe një disident i njohur cek, shkruan: “Armiku më i madh i policisë nuk është krimi, por vetmia. Vetmia që lind nga mungesa e mbështetjes, nga shtypja apo nga mungesa e vëmendjes për të dëgjuar”.

Këtë frazë ia kushtoj me dashuri sot Partisë Demokratike. E di që nuk është gjëja më e mirë që mund të bëhet, që në një takim me policinë e shtetit dhe për policinë e shtetit të flitet për parti politike, aq me tepër nga goja e kryeministrit, por fatkeqësisht PD, edhe në këtë aspekt ka arritur të bëjë atë që asnjë parti politike e majtë, e djathtë, marksiste apo fashiste nuk e bën sot dhe nuk e ka bërë dje dhe pardje në një vend demokratik. Sulmon çdo ditë policinë e shtetit. Jo thjeshtë ministrin, por policinë e shtetit. Një parti që i quan punonjësit e policisë “çunat e krimit” është fundi i vetëdijes morale, qytetare dhe lëre me pas pastaj politike, të një grupi që është krijuar për të qënë alternativë qeverisëse e një populli.

Ajo çka PD ka synuar që ditën e parë dhe synon çdo ditë, kur pavarësisht se çfarë temash ka, e pandalshme, e pazëvendësueshme, është tema e ditës së sulmit ndaj policisë së shtetit, është pikërisht ta rrethojë policinë e shtetit me vetmi dhe ta bëjë punonjësin e policisë së shtetit të ndihet vetëm. Një ide e çmendur, një plan politik halucinant dhe sigurisht një taktikë e dëshpëruar që në asnjë çast nuk mund të ketë sukses.

Por nga ana tjetër, nuk do ta përmendja këtu sot PD, nëse nuk do të ishte e nevojshme që përkundër këtyre goditjeve të përditshme që siç thotë Milan Kundera, – “e bëjnë atë grupim politik një armik më të madh të policisë, sesa vetë krimi”, – të ishte nevoja për t’ua u çuar këtë mesazh punonjësve të policisë, sepse në kaq shumë vite, PD jam i bindur, ka arritur të mësojë që sulmet ndaj meje, por edhe sulmet ndaj ministrit të brendshëm janë fjalë që ne, jo nga një vesh na hyjnë e nga një vesh na dalin, por nuk na hyjnë, fare as në njërin vesh e jo më të na dalin nga tjetri.

Por prirja për të goditur moralin dhe për të dekurajuar në mënyrë të vazhdueshme punonjësit e policisë së shtetit për t’i bërë ato të ndjehen pjesë jo e kësaj që po bëjmë dhe po bëjmë të gjithë së bashku, por e diçkaje që duhet t’i bëjnë të ndihen keq, është krejtësisht e papranueshme, është e neveritshme, e poshtër dhe pa as më të voglin dyshim armiqësore ndaj policisë së shtetit.

Nuk e kam thënë unë, e ka thënë një ndër shkrimtarët dhe mendimtarët më të shquar të shek. 20 në çështje të shoqërisë dhe të politikës: “Armiku më i madh i policisë, nuk është krimi, por vetmia që lind nga mungesa e mbështetjes apo mungesa e vëmendjes për të dëgjuar”, – që ishte një sjellje armiqësore deri përpara tre vjetësh se policia ishte tërësisht e pambështetur. Punonjësit e policisë nuk kishte asnjë shans t’i dëgjonte njeri. Forcat speciale drejtoheshin për të kapur kriminelët e shumëkërkuar, tradhtoheshin rrugës, nga ajo kalaja e rrënuar që sot nuk është më, prandaj besoj se çdo punonjës policie, çdo drejtues policie, sot ndihet shumë më mirë se dje. Ashtu sikundër nuk mendoj që nuk ka arsye për të kërkuar më shumë edhe nga ne, në të gjitha drejtimet.

“Ka gjithmonë kohë për të bërë diçka të vlefshme për popullin tënd” – thotë Ismail Kadareja, dhe unë dua t’i them sot PD, ka gjithmonë kohë për të hequr dorë nga kjo marrëzi, nga kjo pabesi, nga kjo poshtërsi, nga kjo armiqësi e shpallur me policinë e shtetit. Lëreni policinë e shtetit të bëjë detyrën dhe vazhdoni merruni sa të doni me qeverinë, me ministrin po të doni, me mua edhe po s’ua u thashë unë, do merreni se punë tjetër s’ keni, por policinë e shtetit lëreni t’i shërbeje vendit, njerëzve dhe nëse s’ keni asnjë ide, asnjë sugjerim, asnjë fije mendje në kokë për të ndihmuar që policia e shtetit të bëhet me e mirë, minimalisht qepeni gojën sepse rezultatet e policisë së shtetit janë në sytë e të gjithëve.

Lufta e policisë së shtetit me krimin, me drogën, me trafiqet e të gjitha llojeve dhe për qytetarin, është sot siç nuk ka qënë kurrë ndonjëherë më parë. Edhe më e mire do bëhet policia e shtetit, Edhe me rezultative do bëhet lufta kundër krimit, drogës, trafiqeve, korrupsionit, por është ende shumë e freskët kujtesa e shqiptareve, që ata të cilët e çuan policinë e shtetit në derexhenë më të fundit, sot flasin rroma-përtoma çdo ditë për policinë e shtetit.

Ndjesë për këtë mbyllje që nuk ishte ëmbëlsira në fund, por ishte një mbyllje e detyruar sepse punonjësit e policisë së shtetit, familjarët e tyre kanë nevojë për mbështetje, kanë nevojë për qetësi, kanë nevojë për siguri, mbi të gjitha kanë nevojë për solidaritet. Si shprehje simbolike të këtij solidariteti të mirënjohjes së thellë për ta, të respektit ndaj kujtdo prej tyre, unë ndihem sot shumë i privilegjuar që sëbashku me ju që jeni këtu, të përurojmë “murin e yjeve” duke vendosur në të edhe yllin më të fundit që përkon me sakrificën sublime të dëshmorit më të ri të policisë së shtetit.

Ftoj djemtë që të na bashkohen në këtë ceremoni të thjeshtë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.