Historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë në vitet e errëta të Holokaustit do të kenë një vend të dedikuar kujtese, që është Muzeu Hebraik Shqiptar, ngritja e të cilit mbështetet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me synimin për të ndërtuar një institucion bashkëkohor që do të dëshmojë një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shprese mes shqiptarëve dhe hebrenjve, veçanërisht në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Projekti fitues për muzeun, vendndodhja e të cilit do të jetë në Vlorë, u prezantua sot në prag të ditës ndërkombëtare të muzeve, nga studio e njohur izraelite “Kimmel Eshkolot Architects”.
I pranishëm në këtë aktivitet, Kryeministri Rama theksoi që projekte të tilla duhet të kenë vijimësi në të ardhmen. “Jam realisht i kënaqur që ne sot hedhim një tjetër hap drejt krijimit të adresës së parë të kësaj historie, një muze hebraik në Vlorë. Unë uroj që ky muze të realizohet sa më parë dhe të mos jetë i vetmi sepse kjo histori është shumë e madhe për të patur vetëm një muze, ashtu sikundër lidhja e shqiptarëve me hebrejtë. – tha Kryeministri.
Është një nga gjërat më të munguara mendoj unë, në të gjithë hapësirën e territorit të vendit tonë, një muze i një historie të jashtëzakonshme dhe mbase i një prej faqeve më të arta të historisë së shqiptarëve, që është historia e shpëtimit të hebrenjve, për të cilën në këtë vend nuk ka asnjë adresë, akoma dhe jam realisht i kënaqur që sot ne hedhim një tjetër hap drejt krijimit të adresës së parë të kësaj historie. Një muze hebraik në Vlorë ku ka patur një komunitet të rëndësishëm hebre dhe ku është mundësia të ngrihet një strukturë e tillë pikërisht në lagjen ku ishte i përqendruar komuniteti hebre i Vlorës.
Kujtoj këtu që Shqipëria ka qenë ndoshta i vetmi vend në Europë që në vitet ’20-të ka miratuar një ligj për Shabatin, duke i detyruar të gjithë punëdhënësit që të mos i penalizonin financiarisht gjithë hebrenjtë që nuk shkonin të paraqiteshin në punë ditën e premte.
Ashtu sikundër ka shumë dokumente, madje dhe raporte të shkruara nga të dërguar të posaçëm të komuniteteve të ndryshme hebreje, si për shembull komuniteti hebre i SHBA-së, ku dëshmohet për një vend i cili ka një gatishmëri të posaçme për t’i mirëpritur hebrenjtë për t’i dhënë atyre strehë, për t’i dhënë atyre tokë, për t’iu krijuar atyre mundësinë që të krijojnë vendbanime. Në më shumë se në një rast, në këto raporte shkruhet se Shqipëria është streha ideale për të qenë toka rezervë e hebrenjve dhe kjo shkruhet nga vetë të dërguarit e këtyre komuniteteve.
Megjithatë historia e Luftës së Dytë Botërore pastaj është kulmi i gjithë kësaj historie shumë të gjatë lidhje mes shqiptarëve dhe hebrenjve sepse Shqipëria është jo vetëm vendi i vetëm në Europë ku pati më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se pas Luftës së Dytë Botërore, por është i vetmi vend në botë ku nuk ka asnjë rast të vetëm të dorëzimit të një hebreu tek nazistët.
Thënë të gjitha këto, historia e shpëtimit të hebrenjve nuk është e rëndësishme të përmblidhet në një muze, në dy ose në tre, unë them edhe më shumë duhen, por për t’ju treguar fëmijevë tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë sesa e rëndësishme është kjo pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe sesa e domosdoshme është madje gjithnje dhe më e domosdoshme që njerëzit dhe shoqëritë të mos humbasin këtë sens humanizmi dhe këtë sens përkatësie ndaj bashkësisë njerëzore që treguan të parët tanë.
Bashkëpunimi ynë me Fondacionin shqiptaro-amerikan është jashtëzakonisht i vyer dhe jashtëzakonisht domethënës dhe jashtëzakonisht produktiv.
Muzeu hebraik i Vlorës është i pari, por jo i vetmi. Ne po përgatitemi për të pasur një qendër të hebraizmit në Tiranë, e cila duhet të jetë një hapësirë ku edhe historia të tregohet, por edhe të kultivohet miqësia jonë me Izraelin, me popullin e Izraelit, me bashkësinë e hebrenjve, si një miqësi, e cila ka pasur një periudhë jo ndërprerje, por një periudhë që nuk është karakterizuar nga i njëjti intensitet i atyre viteve të mëparshme se këta janë bërë shumë të pasur tani, ky është problemi. E kur njerezit pasurohen shumë, kanë problem me memorien, por e kuptojmë këtë dhe do bëjmë çmos që të jemi sa më bindës për ta fuqizuar këtë marrëdhënie.