Diktatura që izoloi Shqipërinë për thuajse gjysmë shekulli, nuk mbante nën kontroll të hekurt vetëm kufijtë shtetërorë, por edhe ata territorialë, brenda vendit. Vetë lëvizshmëria e qytetarëve ishte tërësisht e kontrolluar, jo vetëm për jashtë vendit, por edhe brenda për brenda vendit. Shkrirja e kufijve të dukshëm dhe të padukshëm, me anë të të cilëve shteti kishte ndërtuar barrikada, duke kanalizuar jashtë kontrollit individual të gjithë jetën e qytetarëve, solli dallgëzime shumë të forta demografike. Dallgëzime, që tronditën nga ana kulturore, sociale dhe ekonomike, trupin e Shqipërisë, i cili u zhyt në to dhe u drobit në vijimësi pa u qeverisur, duke i bërë ballë çalë-çalë transformimeve të jashtëzakonshme, për të shërbyer si baza e mirëqenies së banorëve të vet.
Disa më pak, e disa më shumë, por përgjithësisht qeveritë e tranzicionit, dështuan në sfidën e menaxhimit të territorit. U dështua në adresimin e sfidës së kuptimit të socio-demografisë së vendit, për ta kthyer atë në një aset zhvillimi; sfidës së analizës statistikore të këtyre dallgëzimeve demografike dhe tensioneve social – ekonomike, për t’i menaxhuar dhe transformuar në forca ndërveprimi social. U dështua në sfidën e cilësisë, për të gërshetuar në qasjen ndaj trupit të vendit, efektivitetin dhe efiçencën e një bashkëpunimi sa më të gjerë, për të pasur sa më shpejt rezultate të prekshme nga qytetarët në një periudhë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë.
Fragmentarizmi i tejskajshëm i njësive vendore, gjendja me të cilën përballemi sot, përbën, le ta themi hapur, një copëzim asfiksues dhe rëndom vrastar të trupit të Shqipërisë. Nga ky copëzim, lindin të vdekura shërbimet publike në shumë hapësira të vendit. Dëmtohet pa pushim potenciali zhvillimor i këtyre hapësirave. Ndërkohë që, njësi vendore krejt të paqëndrueshme ekonomikisht, vazhdojnë të jetojnë një agoni në kushte fondesh buxhetore që sigurojnë vetëm vazhdimin e agonisë dhe janë jo pak, por rreth 50% e bashkive dhe e komunave të vendit. Po ashtu, rrjedhojë e këtij fragmentarizimi janë njësi vendore me numër shumë të vogël popullsie që, ç’është e vërteta, të vetmin funksion që kryejnë kanë shpërdorimin e fondeve buxhetore, për një administratë sa të fryrë artificialisht, aq edhe krejtësisht të padobishme për qytetarët, në kushtet e mungesës së plotë të çdo mundësie tjetër financiare, përveç pagën ndaj kësaj administrate.
Ky fragmentarizim, flet qartë për domosdoshmërinë e ndaljes së një rrënimi 20 vjeçar dhe marrjes përsipër të një sfide të madhe përgjegjshmërie dhe profesionalizmi të gjithë njësive vendore të Shqipërisë. Kthimi i çështjes së reformës administrative territoriale, pra i çështjes së trajtimit të “trupit” të Shqipërisë, në një llogari përfitimesh politike, tregon në fakt se dallgëzimet e mëdha social – demografike, qysh në fillimet e pluralizmit shqiptar, veç të tjerash, kanë tronditur në themel gjithë mënyrën e funksionimit të shtetit shqiptar dhe kështu, ka dështuar edhe decentralizimi i kthyer në një fjalë kyçe në gjithë zhargonin administrativ. Por për shkak të këtij fragmentarizimi të tejskajshëm, në kushtet e pafuqisë buxhetore, i zbrazur nga kuptimi dhe nga funksioni i vet decentralizimi është kthyer në një qëllim në vetvete, ndërkohë që nuk është dhe nuk mund të jetë i tillë, por duhet të jetë një proces që e afron qeverisjen me qytetarin dhe e bën qytetarin pjesëmarrës real, duke e fuqizuar dhe duke i mundësuar që të kthehet në përcaktues i të nesërmes së vet dhe të komunitetit. Por kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e një decentralizimi, që është fragmentarizim dhe që për pasojë, sjell vetëm copëzimin, deri në paralizë dhe pamundësi të plotë për efiçencë të buxhetit përkatës.
Territori është ekonomi, territori është shëndet, territori është edukim, territori është zhvillim, është “trupi” i një shteti, është banesa e një shoqërie, është hapësira e krijimit të mirëqenies për çdo individ. Ndaj në menaxhimin e territorit, sikundër e thotë një profesor i njohur i politikave publike Eduard Page, rolin qendror e ka pasur, e ka dhe do ta ketë gjithmonë lidershipi, pavarësisht nëse bëhet fjalë për diktaturë apo për demokraci.
Lidershipi si kapacitet, për të mbajtur në harmoni dhe në koordinim aktor heterogjen, në një bashkëjetesë që nuk e lejon ndrydhjen e trupit të vendit, në ndarje territoriale fragmentarizuese dhe për pasojë shkatërruese, për hapësira dhe për komunitete të tëra.
Aktorët në fjalë janë kombëtarë, lokalë, ndërkombëtarë, madje dhe transnacionalë. Sa vendorë aq edhe kombëtare dhe evropian, e globalë edhe në rastin tonë, sa politikë aq edhe socialë dhe kulturorë, sa individë aq edhe grupe dhe bashkësi në ndërveprim, kanë interesa të ndryshme, por që mund të gërshetohen dhe duhet të vihen në shërbim të një decentralizimi koherent me interesat e çdo qytetari, në çdo lokalitet dhe me interesat tërësore të zhvillimit afatgjatë të vendit në tërësi.
Problemet me Menaxhimin e Territorit dhe Ndarjen Administrative Territoriale nuk janë në fakt një veçori unikale e Shqipërisë. Me këto probleme janë përballur dhe vazhdojnë të përballen vende të ndryshme edhe të BE-së edhe të Rajonit, nga Kroacia tek Franca, nga Greqia tek Suedia. Problemet me ndarjen Administrative Territoriale në Shqipëri janë gjithashtu të njohura, botërisht të njohura dhe të gjithëpranuara, tanimë nga i gjithë spektri politik dhe nga të gjithë partnerët, apo ekspertët, qofshin vendas, qofshin edhe të huaj.
Puna sot, për një reformë Administrative Territoriale, pa as më të voglin dyshim, as nuk fillon nga zero dhe as nuk është një punë në një territor të pashkelur. Në të kundërt, është një punë që vetëm duhet çuar më tej, me një bazë të shëndetshme reflektimi, debati dhe po ashtu, ballafaqimi me eksperiencat më të mira për rreth nesh; Shqipërisë, që nuk mund të ngelet më peng i drobitjeve të shkaktuara nga dallgëzimet shumë të forta demokratike të 20 viteve, i duhet sot përgjegjshmëria dhe ndjeshmëria më e lartë e gjithë klasës politike dhe kurajoja e një lidershipi sa kombëtar, aq edhe lokal, për t’i dhënë fund një epoke dhe për të hapur një epokë të re, duke pranuar dhe duke jetësuar një reformë Administrative Territoriale, që duhet të jetë radikale.
Ndaj, reforma Administrative Territoriale është një prioritet absolut i yni dhe ne do të bëjmë çmos, që ta çojmë përpara, duke e trajtuar sipas qasjes së pranuar në dokumentet referuese të Bashkimit Evropian. Duke u bazuar në tre pika kyçe, për ta bërë atë një çështje të përbashkët, jo vetëm në shqetësimet e shprehura dhe të gjithëpranuara nga të tërë, por edhe në një tryezë pune të përbashkët.
Së pari, – Dialog me të gjithë aktorët. Është një proces ky i Reformës Administrative Territoriale që duhet dhe ne do të bëjmë çmos që të jetë plotësisht gjithëpërfshirës, që duhet dhe ne do të bëjmë çmos, që ta mbështesim në një dialog shumë të hapur dhe me një frymë tërësisht konsensuale, në qasje me të gjitha forcat politike, me të gjithë aktorët e qeverisjes vendore, si dhe në konsultim intensiv me komunitetet, me grupet e interesit dhe padyshim edhe në bashkëpunim të ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, që në këtë fushë kanë një eksperiencë shumë të pasur.
Së dyti,- Kompleksitet në qasje, por me një synim të përbashkët dhe të pandalshëm: thjeshtëzim në ndarjen territoriale. Konsultimet për ta çuar përpara dhe më në fund për ta konkretizuar këtë reformë, duhet të intensifikohen edhe pas kësaj konference, si shprehje e qartë e një vizioni dhe e një vendosmërie të përbashkët. Nuk është, – nuk ka si të jetë -, reforma e një shumice qeverisëse, por është dhe duhet të jetë një reformë ku të gjitha forcat dhe të gjithë protagonistët të marrin pjesë dhe të thonë fjalën e tyre. Por, padyshim, ajo çka na takon është që, me përgjegjshmëri, lidershipin tonë ta vendosim në funksion të një reforme që, në fund, të mund të ketë adresuar të gjitha ato probleme që e kanë bërë sot atë të domosdoshme dhe të pashmangshme.
Së treti,- Fuqizimi i hapësirave ekonomike, sociale dhe kulturore të njësive vendore, në funksion të fuqizimit tërësor të vendit. Padyshim, në fund të fundit, ky është edhe thelbi i kësaj reforme, për të bërë të mundur që financimet tona të fuqizojnë, duke iu përgjigjur nevojës së hapësirave vendore, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në atë social, qoftë edhe në atë kulturor.
Dua të theksoj këtu se reforma në vetvete nuk është një reformë që e frenon, përkundrazi, është një reformë që e çliron decentralizimin. Ccka kjo reformë lypset të bëjë, është që Shqipëria të kalojë nga fragmentarizimi, gabimisht i nënkuptuar si decentralizim, në decentralizmin domosdoshmërisht të kuptuar si fuqizim i kapaciteteve vendore dhe i aftësisë dhe i mundësisë së çdo qytetari që të përfitojë nga pjesëmarrja në një qeverisje vendore reale dhe të aftë për të disbursuar financime dhe për të jetësuar projekte.
E kështu, financimet, pa as më të voglin dyshim, do të transformohen në strukturën dhe në fuqinë e tyre, si rrjedhojë e një reforme administrative territoriale me vizion, që është kusht primar për të jetësuar në këtë vend një shoqëri evropiane edhe në nivelin komunitar. Në radhë të parë, në nivelin komunitar.
Rruga për ta çuar përpara këtë reformë është doemos një eksperiencë evropiane dialogu shumëplanësh, që padyshim do t’i shërbejë edhe orientimit të aksionit tërësor publik, në funksion të zhvillimit të vendit. Një aksion publik i drejtuar nga qeveria që sot, e ka të gjithë vetëdijen se në dështimin e deritanishëm të kësaj reforme nuk qëndron mungesa e kapaciteteve njerëzore të vendit, por një shtyrje e pakuptimtë, mandat pas mandati, e kalendarit të reformës në funksion të axhendës politike të ditës.
Reforma Administrative Territoriale, që shtysë themelore të vetën ka në fakt zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, mbështetet në zhvillimin e territorit në bazë më të gjerë rajonale apo njësish të reja të zgjeruara, duke i hapur rrugën një rritjeje të integruar që gjeneron mundësi për kooperim në shkallë rajonale, por që jep mundësinë për prioritizim të investimeve të mëdha dhe të projekteve të dobishme, për zhvillimin tërësor të vendit.
Na duhet sot kjo reformë edhe në kushtet kur jo thjesht ekonomia e vendit është në një krizë të thellë, apo thjesht për faktin se financat e vendit sot e kanë të pamundur ta përballojnë më tutje luksin e thërrmimit të tyre për një numër kaq të madh njësish vendore që në një masë të konsiderueshme, e përsëris, janë thjesht administrata që marrin rrogë dhe në pamundësi të plotë për të ushtruar çfarëdo funksioni tjetër. Por, më shumë se kaq dhe më shumë se sa thjesht për aktualitetin që e bën të domosdoshme edhe në vetvete këtë reformë, kjo reformë na duhet për një rritje të zgjuar të vendit, në pikëpamjen ekonomike, në pikëpamjen sociale dhe kulturore, duke vlerësuar dhe fuqizuar burimet zhvillimore të këtij vendi në të tre këto drejtime, përmes krijimit të mundësive që këto burime të mos shterojnë, në pamundësi për të qenë të kompaktësuara.
Më lejoni t’ju them, ndër shumë e shumë shifra që mund të dalin për të mbështetur argumentin e domosdoshmërisë së kësaj reforme, se sot është e papranueshme, në kushtet e Shqipërisë dhe jo thjesht të Shqipërisë dhe të krizës ekonomike, por të Shqipërisë kështu siç e kemi, me mundësitë që kemi, që administrata e komunave t’u kushtojë taksapaguesve 25 milionë dollarë në vit dhe të ketë 80 komuna me më pak se 5 mijë banorë dhe jo pak, por 71 komuna që i kanë të ardhurat 0 dhe që qëndrojnë në këmbë vetëm falë pagave të financuara nga buxheti i shtetit.
E gjitha kjo do të thotë që kemi çdo vit një barrë të konsiderueshme shpenzimesh për të mbajtur në këmbë dhe për të paguar me rroga një mikro strukturë, ndërkohë që kjo mikro strukturë është tërësisht e paralizuar, në raport me gjithë këto komunitete. Ndërkohë që në gjithë këto komuna me më pak se 5 mijë banorë, janë disa qindra që janë të punësuar në administratë, mijëra të tjerë lëngojnë në izolimin e pamundësisë së tyre administrative për të bërë shërbimet më minimale. Për të mos folur për investime dhe për zhvillime të tjera që vijnë vetëm si rrjedhojë, atëherë kur vijnë, e presonit politik dhe e interesave politike elektorale, kryesisht, në formën e fondeve edhe ato të copëzuara lart e poshtë, pa asnjë eficensë.
Reforma Administrative Territoriale është e domosdoshme për një qasje të re territoriale dhe administrative, që t’i shërbejë edhe barazisë së shanseve në aksesin ndaj fondeve publike, apo gjithë burimeve të ndryshme të financimit, në nivelin vendor.
Sot, praktikisht, kjo barazi shansesh është tërësisht inekzistente dhe disbalanca që ka gjithë ndarja aktuale territoriale, përkthehet në një disbalancë shumë të dhimbshme në nivelin e vëmendjes ndaj zonave dhe territoreve të ndryshme. Që sjell, tek e fundit, një pabarazi me diskriminim të madh në shumë pjesë të territorit të shumë komuniteteve, të shumë familjeve dhe të shumë individëve, për faktin e thjeshtë dhe të vetëm që janë anëtarë njësish vendore të vogla, të papërfillshme, jo rentabël dhe të paadresueshme për projekte të mëdha zhvillimi apo për projekte të integruara.
Transformimi thjesht i territorit të vendit, nga një territor i ndarë dhe i fragmentuar kaq shumë në një territor të ndarë në mënyrë kompakte, do të sjellë automatikisht rritjen e menjëhershme të barazisë mes njerëzve që jetojnë në zonat periferike të vendit dhe njerëzve që jetojnë në zona më qendrore të vendit, qoftë edhe brenda vet rajoneve të vendit.
Kjo është sfida dhe jam i bindur që sot më shumë se dje, janë krijuar kushtet psikologjike dhe padyshim edhe politike, për t’iu qasur kësaj sfide dhe për ta kapërcyer murin që kemi përpara prej kaq shumë vitesh dhe që ka penguar kryerjen e kësaj reforme kaq të domosdoshme, në të treja planet.
Është pak, por e sigurt, që një ndarje e re territoriale administrative do të fuqizojë ekonominë, do të fuqizojë komunitetet në pikëpamje sociale dhe do t’i japë një shans më shumë kulturës së të jetuarit dhe të bashkëjetuarit në këtë vend, me të njëjtat burime financimi do të mund të bëhet shumë më tepër, vetëm falë ndryshimit të një sërë kufijsh të brendshëm territorialë dhe administrativ.
Kjo është tendenca sot kudo. Këtë që po them, siç e dinë mirë të gjithë të pranishmit, jam i sigurt, e provojnë të gjitha eksperiencat e reformave Territoriale- Administrative, ku kompaktësimi i shumë njësive vendore në njësi më të mëdha dhe parimi i rajonalizimit, i vendosur në themelin e një reforme të tillë, sjell menjëherë përfitime të drejtpërdrejta të natyrës ekonomike dhe financiare, pa e rënduar, por përkundrazi duke e lehtësuar barrën mbi buxhetin e shtetit dhe duke krijuar rrugë të reja dhe perspektiva të reja zhvillimi, për shkak të rritjes së menjëhershme të interesit të sipërmarrjes dhe po ashtu edhe të donatorëve.
Faleminderit!
*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën Kombëtare “Reforma Administrativo – Territoriale në Shqipëri”.