Kryeministri Edi Rama nderoi sot, 100 vjetorin e Luftës Kombëtare të Vlorës. Në ceremonialin shtetëror në përkujtim të kësaj date të shënuar, Kryeministri Rama vendosi kurora me lule dhe u përkul me nderim në memoralin e “Luftës Kombëtare të Vlorës 1920”, i cili ngrihet në Qafën e Koçiut, Vlorë.
Në ceremoninë e posaçme zhvilluar dje në kujtim të kësaj ngjarjeje, Kryeministri Rama e vlerësoi Luftën e Vlorës si një nga luftërat më të veçanta në historinë e përbotshme të luftërave, ku luftëtarë të bashkuar ia dolën të realizojnë një nga fitoret më të bukura dhe më mbresëlënëse në historinë e strategjisë së betejave e të luftërave.