Kryeministri Edi Rama ishte sot në Prizren, Kosovë, ku mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatoreve të tre prej figurave shquara të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri; Sulejman Vokshi, organizuar në kuadrin e vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Në nderim të kontributit dhe veprës së tyre me rëndësi të madhe historike, kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur me këtë rast, u shpreh:
“Më 8 qershor 1878, Prizreni kishte marrë pamjen e një feste të jashtëzakonshme, të cilën qyteti nuk e kishte parë asnjëherë gjatë historisë së tij qindravjeçare. Nëpër rrugët e qytetit, krahas banorëve të tij të përhershëm qarkullonin me mijëra mysafirë, thonë rreth 5 mijë veta, në mos më shumë, të veshur secili me petkun e larmishëm të krahinës së vet, secili i ngjeshur me armë në krah dhe me jatagan ose kobure në brez”.
Këto fjalë, i shkruan i dërguari në Prizren i konsullit austriak në Shkodër, duke përshkruar një nga ato momente shumë të çmuara përbashkimi, që kombi ynë, kur tejkalon mëritë dhe trazimet vetjake, di t’i dëshmojë botës së qytetëruar.
Më të madhe dëshmi, në këtë aspekt, se Lidhja shqiptare e Prizrenit zor se e gjen në historinë tonë mbarëkombëtare, që prej Kuvendit të ndritshëm të Lezhës.
Sapo përuruam tri shëmbëlltyrat e bronzta të udhëheqësve më shënjues të një Lidhje, që prej intensitetit të veprimtarisë së saj vetëmohuese, e përgënjeshtroi një herë e mirë tezën pothuajse raciste, sipas së cilës shqiptarët nuk mund të ngrihen e të mbrothësojnë si komb më vete, kinse nuk janë të prirur prej natyre të jenë të denjë për një shtet, për një qytetërim, për një rol qytetërues në kontinentin dhe në rajonin ku jetojnë.
“Qëllimi i kësaj mbledhjeje sot për sot” – shpallte Abdyl Frashëri këtu në Prizren, më 10 qershor 1878 – “është t’u presim hovin armiqve të egër, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.
Këtyre tri udhëheqësve, Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit, por edhe secili prej 110 delegatëve të Lidhjes, sikundër edhe mijëra e mijëra luftëtarë të njohur e të panjohur të saj, iu desh të fitonin një betejë të lodhshme, të gjatë e të hidhur dhe plot të papritura ogurzeza, pikërisht betejën mbi veten, mbi brengat e thëna e të pathëna të një populli që është madhështor në përbashkim, sa c’është i prirur të përçahet kur egoizmi i zë frymën dhe kur protagonizmi i shfrenuar i merr mendjen.
“Shqiptarët e Kosovës” – lexohet në një raport konsullor – “e gjetën rrugën e drejtë kur iu përveshën formimit të Lidhjes Popullore. Ata deklaruan se në rastin ekstrem do të udhëhiqeshin nga parimi i mbështetjes në forcat e tyre. Ky parim i dha një nxitje të mëtejshme idesë së Lidhjes, e cila është bërë shumë popullore edhe në Shqipëri”.
Përballë entuziazmit të të huajve që asistojnë në rizgjimin e një kombi, Abdyl Frashëri nuk ngurron, mes Kosovës dhe Stambollit, të hedhë poshtë një perde të rëndë, prapa së cilës fshihen brengat e vërteta, që ende sot gjallojnë në shpirtin e shqiptarëve:
“Pse jemi kaq të prapambetur?” – shtron ai pyetjen në mes të mexhlisit – “Tri janë arsyet: padituria, despotizmi, paaftësia e funksionarëve që ndodhen në krye të punëve, të cilët merren ose me argëtime ose me kotësira, por aspak me përparimin e shtetit dhe të kombit. Një nga zyrtarët e Mabejnit më pyeti nëse dua ndonjë memuriet (nëpunësi), ndonjë nishan (dekoratë) ose ndonjë rytbe (titull). Unë u përgjigja se për mua memuriet janë shërbimi ndaj mëmëdheut dhe nishan është që të jem shërbëtor i tij.”
Ora e Shqipërisë e desh, për fat, që në ato muaj kritikë për kombin e rigjetur, të tillë krerë të shfaqeshin përballë figurave të tilla dhe përmes figurave të tilla si vetë Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Zija Prishtina, Ahmet Koronica, Shuajip Spahiu, Haxhi Zeka, Ali Ibra, Iljaz pashë Gucia, Hasan pashë Tetova, Selim beg Bushati, Mihal Harito, Abdullah pashë Dreni, Hodo beg Sokoli, e shumë të tjerë.
Por të tilla figura, që historia i lind rrallë, nuk do t’i kemi gjithmonë për të na udhëhequr, sikundër çastet kritike i kemi pasur dhe do t’i kemi me bollëk për të vënë në sprovë sot e gjithë ditën aftësinë tonë për të qenë shëmbëlltyra të atyre që i përkujtojmë gjithmonë me nderim, por shpesh herë i harrojmë kur duhet përkushtim.
I biri i Abdyl Frashërit, Mid’hat Frashëri, pat shkruar diku se pavarësia e Kosovës dhe shtetndërtimi i saj, ishte amaneti dhe përmbushja e projektit të Lidhjes së Prizrenit.
Kjo tokë pra, Kosova, është trashëgimia më e vyer dhe për udhërrëfyesit e Lidhjes së Prizrenit është vetë udhërrëfimi i qartë i kombit shqiptar.
Si atëherë, si sot, nën petkun e dyshimtë të një ligjësie ndërkombëtare, në fakt të nëpërkëmbur dhe për fat të keq sot e gjithë ditën, të njollosur mu aty ku është e pamundur të imagjinohet pse, Kosova përjeton një mohim. Një mohim të papranueshëm, atë të ndalimit të lëvizjes së lirë si një popull, i cili zgjodhi dhe çoi deri në fund rrugën e lirisë, gjeti dhe bëri të mundur pavarësinë përmes kësaj rruge dhe sot, në mënyrë paradoksale, gjendet në një rrethim sa absurd, aq edhe të pajustifikueshëm për krejt bashkësinë ndërkombëtare.
Abdyl Frashëri na kishte paralajmëruar në fjalën e tij të janarit 1881, mbajtur në orët më kritike të Lidhjes së Prizrenit: “Janë të shumtë cmirëzinjtë vetëm ndaj faktit që ne ekzistojmë. Ata kërkojnë të na e grabisin mendimin e ekzistencës sonë. Le të mendojmë dhe të punojmë për vete dhe të mos ketë asnjë ndryshim mes toskëve dhe gegëve. Ne jemi të gjithë shqiptarë dhe formojmë një Shqipëri të bashkuar. Duhet që asnjë pikë e Shqipërisë, asnjë qytet, asnjë fshat shqiptar të mos u jepet vendeve me kombësi të huaja”.
“Do të vijë dita” – vazhdon më tej Abdyl Frashëri – “kur Evropa do të bindet se shqiptarët i shërbejnë çështjes së njerëzimit dhe të qytetërimit më mirë se çdo popull tjetër i Lindjes. Do të mbetemi kurdoherë pararojë e Europës dhe gjithmonë të lidhur me Europën me të cilën kemi afërsi në gjak, ngjashmëri në gjuhë dhe pjesërisht në fe”.
Me qesëndi, një konsull i huaj e pyet Abdyl Frashërin kur e sheh të prangosur rrugëve të Prizrenit:
“Ç’bëre, me idetë e tua?”.
Përgjigja e toskut të madh dhe gegut të birësuar nga mbarë Kosova ishte: “Si mund t’i thuash bujkut çfarë bëre kur ai sapo e ka mbjellë farën në arë? Sot fara nuk duket, por do të mbijë. Në mos ne, do ta korrin brezat e ardhshëm. Shqipëria, do të bëhet!”.
Faleminderit!