Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën “Nxitja e kulturës për zhvillim të qëndrueshëm”:
Mirë se keni ardhur që të gjithë në Tiranë! Shpresoj të keni kohë të shkoni edhe në Durrës. Nuk e di sa kohë keni të shkoni edhe përtej Durrësit, sepse besoj që ka shumë për të parë.
Jam shumë krenar të them se në këtë fazë të qeverisjes së vendit, me gjithë vështirësitë e jashtëzakonshme që ne patëm dhe akoma vazhdojmë të kemi, për shkak të një trashëgimie shumë të rëndë përsa i përket financave të shtetit, ne hymë në një program disiplinimi financiar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por rritëm buxhetin për kulturën.
Natyrisht të rrisësh buxhetin për kulturën është gjithmonë relative, sepse nuk është asnjëherë mjaft, por unë besoj se aty ku është e mundur, është gjithmonë më përfituese për shoqërinë dhe për zhvillimin e vendit që në vend se të bësh një kilometër në infrastrukturë, të mbrosh, të shpëtosh apo të restaurosh një objekt të trashëgimisë kulturore.
Është me rëndësi të madhe që ne vazhdojmë të gjejmë rrugë për të thelluar dialogun dhe bashkëpunimin mes njëri-tjetrit këtu në rajon. Ka shumë gjëra që na lidhin dhe ka shumë gjëra që janë sfida të përbashkëta, për të cilat eksperienca e secilit mund të vlejë jashtëzakonisht shumë, për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime, apo për të zgjidhur në një kohë më të shpejtë, bazuar në eksperiencat më të mira, problemet që na shfaqen dhe që janë të ngjashme.
Gjithmonë më mundon një pyetje, që besoj se është e tillë që mund të ngrihet, jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend të rajonit tonë. Si ka mundësi që të parët tanë, të cilët prezumohet se ishin njerëz me shumë më pak mundësi për të parë botën, apo për të mësuar nga bota, kur ndërtonin shtëpitë e tyre, apo kur ndërtonin fshatrat e tyre, ndërtonin shumë bukur sesa ndërtojmë ne?!
Mjafton të shikosh bregdetin tonë të përbashkët, për të bërë krahasimin midis fshatrave të vjetër dhe zhvillimeve të reja, për të parë një degradim të dhimbshëm dhe të pakuptueshëm të shijes, raportit me të bukurën dhe të agresionit të së shëmtuarës. Besoj se rajoni ynë prej shumë vitesh jeton nën agresionin e të shëmtuarës, përsa i përket marrëdhënies me të bukurën si trashëgimi dhe raportit me zhvillimin si përfitim.
Ky agresion i të së shëmtuarës na ka varfëruar në raport me trashëgiminë e jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore të të gjithë vendeve tona. Kjo rendje marramendëse në rrugën e një zhvillimi të paqëndrueshëm për përfitime afatshkurtra apo edhe afatmesme, na ka pamundësuar që jo vetëm të kemi një reflektim të thellë, por të kemi edhe një qasje strategjike ndaj të bukurës si burim zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. Është me shumë rëndësi që të gjejmë rrugët për të influencuar sa më shumë qeverisjen në nivelin qendror dhe në nivelin vendor në funksion të së bukurës.
Unë shpeshherë ndeshem me një kritikë vulgare që lidhet me programin tonë të Rilindjes Urbane, i cili në thelb është një program që synon të ringjallë një raport me të bukurën në hapësirën publike. Një kritikë, sipas të cilës, “ne jemi pa bukë, ju investoni për fasada; Ne jemi pa ujë, ju investoni për ndriçim; Ne kemi njëmijenjë halle të tjera, ju merreni me muzeume dhe hapësira publike, ku në fund të ditës nuk gjen bukë, nuk gjen ujë dhe nuk gjen zgjidhje për problemet imediate.”
Natyrisht, kjo është një kritikë krejtësisht mendjelehtë.
Mbase mund të duket e kotë të humbasim kohën për të shpjeguar “pse”, por unë e sjell këtë, edhe këtu, në vëmendje, për të nënvizuar aspektin tjetër, pozitiv, të gjithë kësaj qasjeje që, nëse do të kishim mundësi, do duhet ta përforconim me më shumë investime dhe më shumë financime.
Aspekti pozitiv lidhet me faktin se mund të ketë vende të bukura dhe të varfra, por nuk ekziston një vend i shëmtuar dhe i mirëqenë. Mund të ketë vende ku ka njëmijenjë probleme dhe që janë të bukura, por nuk ka një vend ku agresioni i të shëmtuarës të ketë sjellë mirëqenie, të ketë sjellë sens të masës dhe të ardhmërisë për brezat më të rinj apo brezat që vijnë.
Ajo që shikojmë në shifra reale, është se aty ku investimet tona për të bukurën janë konsistente, është konsistente edhe rritja e ekonomisë vendore. Aty ku nuk kemi arritur ende të shtrijmë këtë program, vërehet menjëherë diferenca. Edhe pse mund të bëhet fjalë për zona që janë shumë pranë njëra-tjetrës, një rrugë e re mund t’i ketë lidhur këto dy zona, por nuk ka sjellë të njëjtat shenja të zhvillimit vendor si në zonën ku është investuar për të bukurën, apo ku agresioni i të shëmtuarës është i pasfiduar nga asnjë përpjekje për të vendosur një standard tjetër të raportit me hapësirën publike.
Dua ta mbyll me një prej shembujve të eksperiencës time si kryetar bashkie, ku kam parë dhe kam mundur të prek me fakte konkrete sesi ripërtëritja fizike dhe një raport tjetër me hapësirën, përsa i përket sensit të së bukurës, ka sjellë impakt të menjëhershëm në qasjen e njerëzve ndaj ligjit, ndaj detyrimeve të tyre për të paguar kontributet për bashkinë dhe në qasjen e tyre në gatishmërinë për qenë bashkëkontribuues, për të çuar më tutje një projekt rehabilitimi, rikualifikimi dhe ripërtëritjeje fizike të hapësirës.
Nëse në të njëjtën ditë, në një fabrikë që prodhon ashensorë marrim dy ashensorë, njërin e vendosim siç është, tjetrin e shkarravisim, e shëmtojmë dhe e vendosim në krah të tij, ashensori i shkarravitur do të dalë nga përdorimi shumë më shpejt sesa ashensori tjetër, edhe pse nga pikëpamja mekanike kanë ekzaktësisht të njëjtën moshë.
Ky është një eksperiment i vërtetuar, që hyn në listën e gjatë të shembujve që unë pata mbledhur atëherë, për të argumentuar përballë kritikës vulgare dhe mendjelehtë, sesa e rëndësishme është e bukura në raport me nevojën tonë për të pasur një marrëdhënie harmonike mes njerëzve të një komuniteti. Por edhe një marrëdhënie korrekte me ligjet që rregullojnë bashkëjetesën e komunitetit, një marrëdhënie pozitive me një sens zhvillimi të qëndrueshëm, që është në dukje shumë më i lodhshëm dhe shumë më i vështirë, por që, nëse futet në një ritëm konstant, me një vizion strategjik dhe me një sens praktik të realizimit të tij, i sjell frytet e veta shumë më cilësore sesa zhvillimi agresiv, i paqëndrueshëm, kuturu. Zhvillim që faktikisht e ka shëmtuar në mënyrë dramatike të gjithë rajonin tonë, të gjitha vendet e rajonit tonë, ku më shumë e ku më pak, qoftë vendet pjesë e Bashkimit Europian sot, qoftë vendet që synojnë sot të hyjnë në BE.
Unë e konsideroj shumë të rëndësishëm faktin që Bashkimi Europian ka gjithmonë e më shumë, një qasje pozitive ndaj kërkesës tonë insistuese që në projektet e veta, në financimet e veta të mos e ketë mendjen vetëm si të ndërtojmë burgje të reja, si të ndërtojmë gjykata të reja, apo komisariate të reja policie, por si të sjellim pranë njerëzve sot, bukuritë e të shkuarës dhe si të lidhim atë që sot ndërtojmë me ato bukuri, për t’i dhënë një kontinuitet një historie që është bërë diskontinue, për shkak të një frymëzimi barbar që nuk ka ardhur nga të parët tanë, por ka ardhur nga ne, pasardhësit tyre.
Asnjë arkitekt sot nuk arrin dot të sfidojë ndërtimet e bëra në fshatin e gjyshërve të mi. Nëse shikoni fshatin lart dhe ndërtimet poshtë, në rrugën drejt bregut, mendoni që barbarët janë ata poshtë dhe europianët e sotëm janë ata lart. Ndërkohë që ata lart ishin një, dy shekuj më parë, ndërsa ata poshtë janë ata që jetojnë bashkë me ne sot, në mesin tonë.
Faleminderit!