Ndihmën ekonomike për herë të parë e marrin gratë

Deklaratë e zëvendësministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, zonjës Genta Sula, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Një lajm i mirë. Sot Këshilli i Ministrave vendosi të aprovojë një propozim shumë të rëndësishëm të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë që ka të bëjë me procedurat, kriteret dhe masën e ndihmës ekonomike që shpërndahet për shtresat në nevojë.

Siç është propozuar prej kohësh, muajve të fundit, ndihma ekonomike, do të bëhet e mundur të shpërndahet nëpërmjet dhe vetëm tek bashkëshortet. Kjo është një masë shumë e rëndësishme që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me rritjen e barazisë gjinore, këtë herë,  jo vetëm në nivele të larta të politikës shqiptare, siç ka ndodhur, por edhe brenda familjes.

Për herë të parë, gruaja do të ketë një fuqizim ekonomik, sepse do të jetë drejtpërsëdrejti përdoruesja e fondeve që shpërndahen nga ndihma ekonomike. Në këtë mënyrë, mundet fare mirë, të parandalohet ndonjë abuzim i mundshëm që është vënë re, aty-këtu, në përdorimin e këtyre fondeve, për atë që shpërndahet ndihma ekonomike, pra për një cilësi më të mirë të jetës brenda familjes.

Ndryshimi i dytë i skemës, kritereve dhe masës së ndihmës ekonomike, ka të bëjë me atë që u miratua edhe një ndryshim tjetër esencial, shumë i rëndësishëm;  Do të ketë një fond shtesë në ndihmën ekonomike, pikërisht për ato familje të cilat janë shumë të kujdesshme në mbarëvajtjen arsimore të fëmijëve të tyre dhe në vaksinimin  e tyre sipas kalendarit zyrtar.

Për herë të parë është alokuar një fond shtesë për ato familje që do të mund të provojnë me dëftesat shkollore, me raportet shkollore, një mbarëvajtje të mirë të fëmijëve në shkollë. Në këtë mënyrë do të eliminojmë në maksimum tendencat e braktisjes së shkollës që janë më të shpeshta, pikërisht në familjet që kanë pasur probleme të forta ekonomike.

Së dyti, me kartelën e vaksinave të paraqitur do të ketë një fond tjetër shtesë. Nëse familjet janë të kujdesshëm në vaksinimin e fëmijëve të tyre, kjo lidhet drejtpërsëdrejti me të drejtën e tyre për të përfituar dhe nga ky fond tjetër shtesë, për vaksinimin  e çdo fëmijë qe ata kanë në familje. Shtesa në ndihmën ekonomike parashikohet të shkojë drejtpërsëdrejti për rreth 83 mijë fëmijë që bëjnë pjesë në familjet që përfitojnë nga ndihma ekonomike.

Me këto dy ndryshime, së pari me shpërndarjen e ndihmës ekonomike nëpërmjet bashkëshorteve dhe së dyti duke promovuar prindërimin e mirë, kujdesin e mirë shëndetësor dhe arsimor ndaj fëmijëve, ndihma ekonomike bëhet më solidare, më e drejtë dhe do të ndikojë drejtpërsëdrejti në mirëqenien e familjeve në nevojë dhe fëmijëve të tyre.