Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Pas përfundimit të punimeve në Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë, park ky që lidh pjesën e brendshme të qytetit me Lungomaren, tashmë janë ndezur edhe emrat e firmëtarëve të pavarësisë, në oborrin e shtëpisë muze. 

Kryeministri Rama u ndal gjatë vizitës së tij në Vlorë për të parë nga afër këtë park. 

“Këtu kemi firmëtarët e pavarësisë të kthyer në xixëllonja, që shkëlqejnë çdo mbrëmje dhe që janë të pranishëm në çdo mëngjes e gjatë gjithë ditës patjetër”, – nënvizoi Kryeministri, teksa përshkoi në këmbë këtë hapësirë të re të qytetit. 

 “Është një homazh mendoj i denjë dhe i shërben gjithë vizitorëve edhe atyre që vijnë nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga diaspora, por edhe fëmijëve sepse është si libër i hapur i faqes, në faqen ku janë gjithë firmëtarët e pavarësisë. Është një park i bukur dhe me këtë punë i kemi vënë një qershi mbi tortë po themi dhe tani ka marrë dhe ngjyra çdo gjë” – shtoi kreu i qeverisë. 

Ky park i ri jo vetëm do t’i shërbejë qytetarëve, por është edhe një atraksion më shumë për turistët vendas e të huaj që pushojnë në qytetin bregdetar.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.