Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Rama në analizën për 300 ditshin e Ministrisë së Arsimit:

Nuk mund të largohesha pa thënë disa fjalë në këtë Raportim Publik të 300 ditëve të Ministrisë së Arsimit, i bindur që në këto 300 ditë janë hedhur bazat e një revolucioni në arsimin shqiptar, që sapo ka nisur. Një revolucioni, që ka për protagonist një skuadër shumë të përkushtuar, që drejtohet me pasion, me largpamësi dhe, mbi të gjitha, me shumë durim dhe sens gjithëpërfshirjeje, nga Ministrja Lindita Nikolla.

Përtej gjithë rezultateve të renditura imtësisht në gjithë kapitujt e këtij Raporti Publik, unë do të konsideroja rezultatin kryesor të këtyre 300 ditëve, shprehjen e plotë të vullnetit për ta demokratizuar shkollën në Shqipëri. Për ta demokratizuar duke mbyllur përgjithmonë kapitullin e një historie shumë të dhimbshme dhe me shumë kosto të politizimit të tejskajshëm të shkollës dhe për të hapur një kapitull ku merita është kriteri kryesor i vlerësimit, në bazë të konkurrencës së vlerave, që ka nisur dhe sigurisht ka ende shumë për të bërë, për të qenë një konkurrencë e kudondodhur dhe e shëndetshme.

Por ajo që mbetet është se këto 300 ditë mjaftuan për t’ju dhënë të gjithë mësuesve, për t’ju dhënë të gjithë drejtuesve, mesazhin e qartë se ne nuk i ndajmë njerëzit e arsimit në tanët dhe në të atyre. Për ne, njerëzit e arsimit janë një kapital njerëzor, jashtëzakonisht i çmuar, të cilin do ta trajtojmë me kujdesin më të madh, duke u nisur thjesht e vetëm nga kontributi i gjithsecilit për shkollën. Jo nga çfarë gjithsecili mendon me të drejtën e tij për politikën, për kahjet e politikës dhe për zhvillimet e tjera jashtë sistemit arsimor.

Këtu besoj nis një rrugëtim që pastaj nuk kishte sesi të mos sillte përmes këtij vullneti demokratizues, përfshirjen e mësuesve në procesin e vlerësimit të drejtuesve. Një hap i parë, i ndërmarrë me shumë kurajë nga Lindita, që tani me siguri duhet të institucionalizohet dhe të marrë një formë sa më transparente e sa më të qëndrueshme, për ta kthyer vlerësimin e mësuesve nga komuniteti në një standard, vlerësimin e drejtuesve nga mësuesit në një standard dhe vlerësimin tërësor të gjithë mënyrës së funksionimit të sistemit tonë nga agjencitë kompetente, në një standard.

Ne kemi hartuar një kornizë të re kurrikulare, duke e përafruar Shqipërinë me vendet e Bashkimit Europian, në bazë të rekomandimeve  të Bashkimit Europian.

Por në 300 ditë kemi bërë atë që në 20 vjet as nuk u tentua të imagjinohej dhe jo më të  realizohej. Kemi arritur një marrëveshje konkrete për të unifikuar kurrikulën e arsimit parauniversitar me Kosovën dhe për të krijuar një standard të vetëm arsimor në të dyja shtetet shqiptare në rajon. Besoj që, është një themel shumë i fortë, për të ndërtuar një ngrehinë që do t’i shërbejë gjeneratës tjetër të shqiptarëve në rajon dhe t’i shërbejë vetëdijes sonë kombëtare, drejtpërdrejt, jo duke rrahur gjoksin dhe duke i rënë daulleve me qeleshe në kokë, por duke e shoqëruar gjeneratën tjetër drejt bashkimit kombëtar në qiellin e Europës së Bashkuar.

Kemi ndërhyrë në gjithë sistemin kanceroz të librave mësimorë. Një sistem kanceroz, që ka gjeneruar vit pas viti, metastaza me pasoja të tmerrshme për nivelin e edukimit dhe të arsimimit të fëmijëve dhe të të rinjve, në gjithë sistemin tonë parauniversitar. 120 tituj librash mësimor janë hequr. Janë hequr jo nga lart-poshtë, me një vendim arbitrar, por nga poshtë-lart, në konsultim të drejtpërdrejt me të gjithë mësuesit. Janë mësuesit që kanë vendosur në një quasi referendum brenda sistemit të shkollës, që të heqin këta 120 libra. Ndërkohë që, revolucioni me tekstet do të vazhdojë. Shumë shpejt, vetë altertekstit do t’i vijë fundi, si një eksperiment tërësisht i dështuar, që krijoi vetëm kaos vlerash, kaos pikash referimi, kaos në gjithë hapësirën e formimit të më të rinjve dhe të fëmijëve.

Nga ana tjetër, për ne ka qenë dhe mbetet objektiv i patjetërsueshëm e strategjik, që shkolla të mos jetë një vend ku brenda mureve jepet mësim dhe pastaj provohet cilësia e mësimdhënies, por të jetë një hapësirë e hapur komunitare dhe ku aleanca mes mësuesve, prindërve dhe qeverisë të jetë një partneritet strategjik, i patjetërsueshëm, për ta transformuar shkollën në një qendër të edukimit të gjeneratës tjetër të qytetarëve të këtij vendi. Praktikisht, në 66 shkolla ka nisur projekti i shkollës si qendër komunitare. Ndërkohë, në 300 ditë është kaluar në hartimin dhe aprovimin e kartës së performancës së shkollës, që ofron të dhëna për arritjet e shkollës gjatë një viti të tërë arsimor. Të dhëna që do të jenë në shërbim të prindërve, në shërbim të Ministrisë së Arsimit, në shërbim të partneritetit strategjik mes prindërve, qeverisë dhe mësuesve, për të gjykuar realisht arritjen dhe nevojat dhe për të marrë masat e duhura, bazuar jo mbi epshe politike të radhës, por mbi realitetin konkret të shkollës, lidhur me çfarë duhet bërë që situata në çdonjërën nga këto shkolla, të marra veç e veç, në bazë të kartës së përformancës të shkojë duke u përmirësuar.

Jemi të gjithë të vetëdijshëm se është bërë një hap kolosal përpara, shumë i domosdoshëm, jetik, për shkollën dhe për integritetin moral të shkollës shqiptare, në Maturën Shtetërore. E, faktikisht, ne trashëguam një sistem ku me 50 pyetje mjaftonte t’i përgjigjeshe 3 pyetjeve për të marrë  “5”. Që në 50 pyetje ta kalosh maturën me 3 pyetje, do të thotë që të kesh pranuar defiçencën si standard. Defiçenca është pranuar si standard kryesor në gjithë politikën arsimore të gjithë këtyre viteve, në të gjitha planet. Ndërkohë që, u arrit të vendosej një minimum, 20%, për kalueshmërinë. Pra, 10 pyetje nga 50, që solli pastaj në atë rezultat të njohur botërisht, që, nëse deri dje flitej për kalueshmëri që na e kishte zili Gjermania, Anglia, Amerika, gjithë bota, sepse praktikisht kalonin të gjithë, kemi 33% të nxënësve që nuk kaluan dot. 33% të nxënësve që shumë prej tyre janë viktima jo të vetvetes, jo të familjes, por të një sistemi që pati si standard defiçencën në gjithë ecurinë drejt Maturës Shtetërore. Sa më defiçent, aq më rehat. Sa më defiçent, aq më i vlerësuar. Sepse, në fund të fundit, është shumë më tepër i vlerësuar dikush që me 3 pyetje nga 50 merr “5”, sesa dikush që i përgjigjet 50 pyetjeve dhe merr “10”, se s’ka ç’të marrë më shumë.

Ka qenë një test për Drejtoritë tona Arsimore dhe për drejtuesit e rinj të Drejtorive Arsimore dhe për gjithë standardet e reja të administrimit të sistemit, integriteti i Maturës Shtetërore. Të gjitha kontrollet dhe të gjitha testet e bëra shkencërisht, për nivelin e kopjueshmërisë në këto provime, kanë konfirmuar integritetin e Maturës Shtetërore, si shprehje të integritetit që ne po garantojmë në drejtimin e Drejtorive Arsimore të Qarqeve. Për këtë, sot dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë drejtuesit e Drejtorive Arsimore të çdo qarku. Në mënyrë të posaçme dua të falenderoj një zonjë, Drejtoren e Drejtorisë Arsimore të Kukësit, që trashëgoi një situatë skandaloze dhe që, praktikisht po i kthen edhe në Kukës, integritetin, sistemit tonë arsimor.

Pjesë e punës sonë do të jetë padyshim ajo që Ministrja e thotë sa herë që e merr fjalën dhe e thotë sepse e beson, nuk e beson se e thotë, që në asnjë moment të mos reshtim së kërkuari në radhë të parë, nga vetvetja; cilësi, cilësi, cilësi. Për këtë arsye, është e domosdoshme që gjithë periudhën e gushtit të bëhet një inspektim në çdo drejtori dhe në çdo zyrë arsimore, për të kontrolluar standardet e cilësisë së rekrutimeve të bëra gjatë gjithë kësaj periudhe dhe cilësinë që garantojnë  të gjithë punonjësit që janë pjesë e drejtorive dhe zyrave tona arsimore, bazuar tek merita, merita, merita. Jo tek tesera e partisë, jo tek mbiemri, jo tek lidhjet farefisnore, jo tek lidhjet krahinore, por tek merita, tek merita, tek merita. Sepse investimi tek merita e tyre është investim për mijëra, dhjetëra mijëra, qindra mijëra fëmijë dhe të rinj, që nuk mund të jenë më viktima të gjithfarë trukesh dhe tarafesh, që për vite të tëra i pushtuan dhe i transformuan Drejtoritë Arsimore në fole të defiçencës.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përveçse ashtu siç ka ndodhur, që dokumenti më i rëndësishëm strategjik për arsimin e lartë të ishte produkt i këtij procesi demokratizimi që ne po sjellim në sistemin arsimor. Për herë të parë, kemi një Komision të pavarur ekspertësh, të të gjitha përkatësive dhe simpative, – unë me shumë kënaqësi kam parë në atë Komision njerëz që na kanë votuar hapur kundër, por që janë aty për arsye të kompetencave të tyre lidhur me arsimin, – dhe për herë të parë, do të kemi një reformë radikale në arsimin e lartë, që do të bazohet tek puna e bërë nga ky Komision, si një qendër graviteti që ka krijuar një fushë të tërë magnetike, përmes kontributeve të të gjithë profesoratit dhe në të gjitha nivelet, në të gjithë territorin. Prandaj, dua ta them qartë, se nga një anë ne jemi krenar që kemi përgatitur një nga reformat më të rëndësishme për 20 vitet e ardhshme, së paku, dhe për t’i dhënë fund të gjithë katrahurës së 20 viteve të shkuara, bazuar tek demokracia e brendshme që është krijuar në sistem dhe tek një proces tërësisht demokratik i mbledhjes së opinioneve dhe gjithë profesoratit, por edhe i mbledhjes së gjithë eksperiencave më të mira ndërkombëtare. Praktikisht, jemi përballë një reforme që me një skemë të re financimi do të reflektojë një qasje tërësisht të re mbi autonominë financiare dhe administrative të universiteteve, duke garantuar konkurrencën e lirë brenda sistemit, pa dallim. Shtetëror apo privat, do konkurrojnë. Shtetëror apo privat, do të mbyllen nëse nuk konkurrojnë dot. Nuk do të kemi më universitete shtetërore dhe private në kuptimin e sotëm, por do të kemi universitete publike, me financim shtetëror ose privat, që do të konkurrojnë mes tyre për të ofruar cilësinë më të mirë të mësimdhënies. Shpresoj që nuk do të kemi më doktorata si këto që kemi pasur me shumicë vitet e fundit.

Pashë një raport fantastik të bërë nga Inspektorati i Ministrisë së Arsimit dhe lexova një doktoratë në infermieri, që besoj do të gajaste jo gjithë botën njerëzore, por edhe botën e kafshëve. Doktoratë në infermieri me titullin “Roli i diplomacisë së vendeve të vogla në sigurinë rajonale”. Ose doktoratë tjetër në infermieri, me titullin “Vlerësimi i performancës në politikën e Shkodrës”. Megjithatë, kjo e dyta duket shumë më korrekte në krahasim me të parën. Jam shumë kurioz se ku i bën gjilpërat ky Doktori i Shkencave që ka doktoruar për siguri rajonale dhe nuk e di a e ka fjalën për Ballkanin apo për ndonjë rajon të trupit. Gjithsesi, sot, ne jemi përpara një fakti dhe fakti është se Shqipëria jonë e vogël ka 20 institucione të arsimit të lartë për 1 milionë banorë, ose 8 herë më shumë sesa Britania e Madhe. Sa për të sjellë një shembull, sepse me siguri, me herë mundim Gjermaninë, mundim Francën, mundim Amerikën, i mundim të gjithë, sepse kemi arritur në shkallën që kemi doktorë infermierie që merren me sigurinë rajonale.

Procesi i verifikimit për kushtet e ligjshmërisë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë do të sjellë në një vlerësim të plotë. Do të sjellë, sigurisht, të gjithë bashkë, jo qeveritë por qeverinë, trupën drejtuese në të gjitha rajonet, do të sjellë prindërit, do të sjellë shoqërinë përballë domosdoshmërisë për të bërë një operacion pa asnjë mëshirë, me tolerancë zero ndaj defiçencës, me tolerancë zero ndaj këtij biznesi makut që ka shkrirë para pa fund nga xhepat e prindërve të shkretë, për të provuar një industri të tërë babëzie dhe diplomash pa asnjë vlerë dhe për ta bërë Shqipërinë, në këtë sektor të posaçëm, vendin më qesharak të planetit. Prandaj, nuk do të kemi asnjë hezitim që bazuar në ligjin e Republikës së Shqipërisë dhe bazuar në standarde të caktuara, jo nga ne arbitrarisht, por nga ligji, të ndajmë nga njëra anë ata që meritojnë të shkojnë më tutje dhe nga ana tjetër ata që duhen, absolutisht, nxjerrë jashtë sistemit. Sepse kanë nxjerrë veten jashtë sistemit dhe nuk mund të jenë më në pozitat e mashtruesve publikë për të vazhduar të grabisin paratë e prindërve të këtij vendi dhe për të vazhduar të shtojnë nivelin e defiçencës në këtë vend.

Në dhjetor, siç e kemi premtuar, do të vijë pjesa më e vështirë, por kjo është pjesa që na takon. Sepse në dhjetor të vitit ’90 kemi kërkuar liri dhe demokraci, kemi kërkuar pikërisht këtë; Konkurrencë, meritë dhe integrim në Bashkimin Europian.

Kështu që, në dhjetor, një nga agjencitë më prestigjioze ndërkombëtare, agjenci britanike, do të nisë procesin e akreditimit të gjithë institucioneve të arsimit të lartë, pa dallim, të shtetit apo të privatit. Të gjithë do të akreditohen dhe do të akreditohen me standarde të Bashkimit Europian, jo me standardet e fisit, jo me standardet e krahinës, jo me standardet e deridjeshme të politikës së mbylljes së syve përpara këtij mashtrimi të madh ordiner dhe përpara këtij shkatërrimi të madh, në shkallë të gjerë, ëndrrash dhe shpresash për familje të tëra, që pasi mezi i presin të dalin fëmijët nga universitetet fantazmë, kanë në shtëpi një “ushtri” të tërë me të papunë. Të reja e të rinj të papunë, që posedojnë një diplomë pa asnjë vlerë, për të cilën janë shkrirë paratë e kursimeve të prindërve dhe me të cilën nuk mund të shkojnë asgjëkund.

Renditja e universiteteve sipas cilësisë, sigurisht, do të krijojë kushtet për konkurrencë, por do të krijojë edhe një kusht themelor, që çdo prind do ta dijë paraprakisht se ku po investon; çdo djalë apo vajzë do ta dijë paraprakisht se ku po tenton të futet dhe çfarë duhet të presë në fund; i gjithë tregu do ta dijë paraprakisht se ku t’i drejtojë sytë më shumë dhe ku më pak, për të thithur burimet e reja njerëzore, që dalin nga universitete reale, universitete publike me financim shtetëror ose privat, të cilat trajtohen njësoj, pa asnjë dallim. Jo, këta të shtetit të “nënës” dhe ata të privatit të “njerkës”. As anasjelltas, ata të privatit “o burra”, kush të fitojë më shumë në kurriz të prindërve dhe ata të shtetit “o burra”, kush ta vjedhë më shumë buxhetin në emër të autonomisë.

Një tjetër transformim rrënjësor që ne jemi të vendosur ta sjellim, është futja e sportit në të gjithë sistemin tonë arsimor. Jemi vendi më qesharak në shifrat e aktivitetit fizik. Po ju jap vetëm një shifër, sa për të pasur një ide, se ku jemi katandisur. Bazuar në rezultatet e Qendrës Kërkimore Shkencore dhe të Sportit në Shqipëri, që ka konstatuar se vetëm 4 % e popullit shqiptar merret me aktivitet fizik. Ndërkohë që vendi tjetër i parafundit në Bashkimin Europian është ku e ku mbi 50 %. Dhe ndërkohë që Finlanda, ku treçereku i vitit është errësirë dhe ngricë, ka 92 % të popullit që merret me aktivitet fizik. Kjo nuk është as më shumë, as më pak, por  investimi i një shoqërie dhe një shteti në shëndet. Sepse, siç thotë Instituti i Shëndetit Publik, vitet e fundit, krahasuar me vitet ’90, janë rritur me 25 % sëmundjet kardiovaskulare dhe 30 % numri i vdekjeve nga sëmundjet tumorale. 54.4 % e popullit shqiptar është mbipeshë, ndërkohë që 21.3% është obez. Janë shifra të paimagjinueshme për një popull dinamik dhe mesdhetar e ballkanik, si i yni. Janë shifra që burojnë nga një sistem vlerash tërësisht i degraduar dhe një sistem shkolle që e braktisi sportin dhe aktivitetin fizik, e ndërroi me bingot, me bilardot, me lojërat e fatit, 20 metër nga dera e shkollës. Kuptohet, dhe me ato të tjerat që vijnë pas tyre. Futja e sistemit të sportit në të gjithë sistemin tonë arsimor është një investim për shëndetin dhe është edhe kursim i shumë parave që derdhen për shëndetësinë në përpjekjen e dëshpëruar për t’i ardhur në ndihmë atyre që janë viktimë e mungesës së aktivitetit fizik në vite dhe e mungesës së edukatës minimale fizike në vite, duke realizuar kështu vendosjen e qeverisjes së këtij vendi në një vetëdije, bazuar në një shifër botërisht të njohur; çdo shtet që investon 1 euro në sport, kursen 3 euro në shëndetësi. Botërisht e njohur! Këtu e ka bazën edhe investimi gjigand në sport i Shteteve të Bashkuara dhe me radhë pastaj i të gjithë vendeve të tjera, për të ardhur tek investimet shumë më të rëndësishme sesa tonat në sport, të vendeve të rajonit, deri tek Mali i Zi, që është një vend i vogël sa Tirana, për popullsi. Ne jemi të vendosur që në bazë të një strategjie të mirëartikuluar të fillojmë që këtë vit me futjen e sportit në të gjithë sistemin tonë shkollor, duke iu dhënë edhe prindërve një aleat shumë të madh për të luftuar veset, për të luftuar sëmundjet sociale, për të luftuar drogën dhe për të luftuar sjelljet asociale të të rinjve dhe për të luftuar në përgjithësi atë nivel depresioni social që shoqëron në moshën e re të gjithë ato vende ku bingot dhe bilardot janë sport kombëtar.

Këto vende nuk gjenden në Europë. Jemi i vetmi që jemi në Europë, nga këto vende. E, ne do të dalim nga harta e këtyre vendeve. Do të bashkohemi me hartën e Europës edhe në këtë aspekt. I kemi të gjitha mundësitë. Ashtu siç kemi gjithë shembujt më të mirë të sportit për t’i kthyer në heronj të vajzave dhe djemve, që nuk janë dembelë nga natyra, nuk janë antisport nga dëshira, por janë viktima, njësoj si ata të Maturës Shtetërore, të një sistemi skandaloz degradimi vlerash dhe vendosje në piedestal të defiçencës, si standard bazë për të shkuar përpara.

Ju falenderoj nga zemra për kohën dhe mundësinë!

Ju falenderoj nga zemra për gjithçka keni bërë!

Pa asnjë modesti, Lindita thotë se rezultati i arritur deri tani, sidomos në sistemin parauniversitar që u kurorëzua me një Maturë Shtetërore krejt tjetër nga tradita, është fryt i përkushtimit dhe i punës së të gjithëve ju dhe shumë të tjerëve që nuk janë këtu sot. Për këtë ju përulem me mirënjohje, duke ju kërkuar që të jeni aleatë besnik në të parën e të vërtetës në sy, kur vjen puna tek arsimi i fëmijëve tanë. Sepse, çfarë gabimesh bëjmë sot dhe i paguajmë po sot, ne, i meritojmë plotësisht dhe bëjmë mirë t’i paguajmë. Për gabimet që bëjmë sot dhe do t’i paguajnë nesër fëmijët tanë, jo vetëm ata nuk i meritojnë, por do të na bëjnë të meritojmë mallkimet e tyre edhe në botën e përtejme. Prandaj, nëse ka një fushë ku nuk mund të bëjmë asnjë shaka dhe ku nuk mund t’i mbyllim më sytë, por ku duhet ta shohim të vërtetën drejt e në sy dhe t’i bëjmë të gjithë operacionet e vështira, me çfarëdo dhimbje që të kenë dhe me çfarëdo kosto që të kenë, për të shpëtuar njëherë e përgjithmonë gjeneratën tjetër, kjo fushë është arsimi. Në këtë fushë, protagonistët jeni ju! Për këtë arsye, tek kjo fushë, ne kemi bërë investimin më të madh moral për demokratizimin dhe vendosjen e meritës si kriterin bazë.

Faleminderit!

***

Ministria e Arsimit dhe Sportit doli sot, në Raportim Publik për 300 ditët e para të qeverisjes në arsim. Drejtuesit e Ministrisë dhe të agjencive arsimore raportuan në detaje, për rezultat kryesore të punës së këtyre 300 ditëve në arsim, të cilat, theksuan ata, përbëjnë bazat për një reformë rrënjësore për modernizimin e sistemit arsimor në Shqipëri.

Ndër to, në Arsimin Parauniversitar, u nënvizua hartimi i kornizës së re kurrikulare, që e përafron Shqipërinë me BE; Administrimi në mënyrë inovatore i Maturës  Shtetërore; Nisja e projektit pilot për dixhitalizimin e arsimit; Në 66 shkolla 9-vjeçare e të mesme nisi projekti i shkollës si qendër komunitare. Por, mbi të gjitha, u vlerësua demokratizimi i shkollës dhe depolitizimi i arsimit.

Në Arsimin e Lartë, u hartua raporti përfundimtar për reformën në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor; U krye për herë të parë, procesi i verifikimit të ligjshmërisë në të gjitha institucioneve të Arsimit të Lartë; U kontraktua një agjenci e huaj akreditimi për vlerësimin e 15 institucioneve të Arsimit të Lartë publik dhe 44 institucioneve jopublike.

Me rëndësi të posaçme për të ardhmen u vlerësua Marrëveshja për Unifikimin e Kurrikulës së Sistemit Arsimor Parauniversitar të Shqipërisë me atë të Kosovës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.