Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Rama në raportimin për 300 ditët e punës të Ministrisë së Shëndetësisë:

Përshëndetje të gjithëve!

Faleminderit për mundësinë. Dëshirova të isha në këtë Analizë-Raport Publik të Ministrisë së Shëndetësisë, sepse siç dihet, ne kemi marrë një angazhim me rëndësi shumë madhore lidhur me shëndetësinë. U jemi zotuar shqiptarëve, që me votën e tyre për “Aleancën për Shqipërinë Europiane” do t’i hapin rrugë një shërbimi shëndetësor që nuk do të bazohet më tek sa paguan, po do të bazohet tek sa ke nevojë, pra, shërbimi shëndetësor me mbulim universal, siç quhet apo shqip, falas, në çdo hapësirë ku shëndetësia është përgjegjësi e sektorit publik.

Kam dëgjuar gjatë gjithë kësaj kohe, që një nga akuzat që na bëhet, është se nuk e kemi realizuar shërbimin shëndetësor falas. A thua se kjo është një magji që bëhet realitet sa hap e mbyll sytë dhe jo një revolucion që kërkon përmbysjen nga themeli të një sistemi të ngritur mbi sigurimet, i cili është provuar tanimë prej shumë vitesh se nuk funksionon. Ky është një zotim që ne do ta mbajmë, por sigurisht do ta mbajmë në kohën e nevojshme, për ta kryer këtë revolucion.

Sot, në paraqitjen e drejtuesve të sektorit ishte e qartë se hapat drejt realizimit të këtij qëllimi madhor kanë filluar të hidhen dhe se sot, 300 ditë pune intensive, sigurisht nuk e kanë transformuar rrënjësisht shëndetësinë, sepse kjo do të donte një fuqi madhore që ne nuk e kemi, por kanë shënuar disa piketa të një kthese, që tanimë po merret. E dua ta theksoj shumë qartë, se mbulimi universal shëndetësor nuk është as një halucinacion ideologjik ose elektoral dhe as një prirje e izoluar, por është një tendencë botërore sot, që, siç nënvizon edhe vetë presidenti i Bankës Botërore, Jim Kim, ‘nuk është një kërkesë për një shëndetësi më të mirë, por është kusht për barazi’. Për barazi, jo përpara një malli që e blen kush ka lekë, por përpara një nevojë që një shtet i përgjegjshëm e plotëson për këdo, në mënyrë të barabartë, ka apo s’ka lekë.

Sigurisht, për të arritur në këtë horizont ambicioz, ne na duhet një zinxhir zgjidhjesh, që tejkalojnë sektorin shëndetësor dhe që lidhen me një sërë fushash të tjera, që nga edukimi, – e më pas do ta them pse, – tek mbrojtja sociale, tek infrastruktura dhe padyshim, deri tek financat dhe teknologjia e informacionit, që shëndetësia të bëhet një e mirë publike, e disponueshme për të gjithë dhe jo një barrë në kurrizin e njerëzve, në ditën e tyre më të keqe.

Faktikisht, gjëja që sot duhet të na bëjë të ndjehemi të inkurajuar dhe që mua vetë më inkurajon duke parë Raportin Publik të shëndetësisë është se kemi vendosur disa piketa në drejtimin e duhur dhe kemi nisur një rrugë të re, jashtëzakonisht të vështirë, me sfida në çdo hap, por që kërkon nga njëra anë, vizion, që e kemi, një sens të përgjegjësisë dhe misionit, që e kemi dhe një vullnet të palëkundur përballë pengesave, që nuk do të shkojnë duke u bërë më të lehta, por do të shkojnë duke u bërë më të vështira, që e kemi.

Kemi buxhetin e parë të qeverisë sonë të Koalicionit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, të ndërtuar në kushtet e një krize dhe kaosi financiar që trashëguam. Megjithatë, kemi buxhetin më të lartë të 10 viteve të fundit për shëndetësinë, afro 10% më të lartë se buxhetin e vitit të mëparshëm, që ishte edhe vit elektoral.

Kemi miratuar në rrugën drejt kalimit nga shërbimi i bazuar tek sigurimet, pra, tek mundësia e kujt ka, tek shërbimi i bazuar tek kush ka nevojë, miratimin e kontrolleve falas për të gjithë shtetasit nga mosha 40 deri në 65 vjeç. Sepse të bësh këtë kalim, nuk është një fjalë goje, por kërkon një bazë të dhënash, tërësisht të ndryshme nga ajo që kemi. E, ky kontroll do të jetë nga njëra anë, një e mirë e paprovuar në 20 e kusur vite, nga qytetarët nga 40 deri në 65 vjeç, por nga ana tjetër, edhe vendosja një guri të rëndësishëm në themelin e bazës së re të të dhënave për gjendjen e përgjithshme shëndetësore të shoqërisë sonë.

Kemi 10 paketa pa pagesë, të financuara 100% nga qeveria, që kanë nisur të zbatohen si në spitalet shtetërore, ashtu edhe në spitalet jopublike. Janë paketa që përfshijnë shërbime bazë, që i financon shteti, për kardiokirurgjinë, për nefrologjinë, për kardiologjinë e me radhë.

Premtuam se do të hiqnim atë, që për ne ishte taksa e sëmundjes, e famshmja TVSH e barnave dhe e hoqëm dhe ndryshe nga ç’u pretendua nga ata që ishin deri dje në pushtet, sollëm ulje të çmimit, siç ishim zotuar. Ndërkohë, në rrugën e uljes së çmimeve, për të arritur në zotimin tonë se në Shqipëri nuk do të shiten më ilaçe më të shtrenjta se në vendet e origjinës, kemi arritur të rrisim listën e barnave të rimbursueshme me 55 medikamente të reja. Këtu jemi, tani, përballë një sfide që jemi shumë të vendosur që ta fitojmë dhe do ta fitojmë pa u tërhequr përpara askujt; Sfidën, me një sistem që e ka korrupsionin dhe klientelizmin patologji. Sepse, ende sot, një numër i madh njerëzish në nevojë mbeten viktima të recetave qëllimisht më të shtrenjta dhe të adresave të imponuara të farmacive nga mjekë, që janë sot përpara një zgjedhjeje shumë të qartë, ose të heqin dorë nga kjo praktikë, ose do të largohen nga shërbimi. Minimalisht.

Hetimi i brendshëm që ka filluar Ministria e Shëndetësisë do të kurorëzohet me emra e mbiemra konkretë mjekësh që, qofshin kushdo qofshin, do të largohen nga shërbimi publik si të padenjë për t’u mbajtur në këtë shërbim, me taksat e qytetarëve dhe në ndërkohë, si pjesë  atij problemi që bashkërisht duam të zgjidhim, e patologjisë brenda sistemit, të korrupsionit dhe të klientelizmit.

Ne kemi qenë gjithmonë kundër demonizimit të mjekut, infermierit, e të trupës të shërbimit shëndetësor apo abuzimit në emër të antikorrupsionit, me metoda fashiste, si ato që janë përdorur në disa raste në të shkuarën, për të kapur me demek me “presh në duar”, njërin apo tjetrin, në kuadrin e një lufte krejtësisht të paprinciptë. Sepse, ne besojmë se mjekët, infermierët dhe e gjithë trupa janë partnerë në realizimin e qëllimit tonë të përbashkët, por, nga ana tjetër, ne nuk jemi këtu për të përkëdhelur askënd dhe për t’i mbyllur sytë përpara askujt.

Viti i dytë i mandatit tonë do të karakterizohet nga një luftë e panjohur më parë kundër korrupsionit. Një luftë e shtrirë në të gjitha nivelet dhe në të gjitha planet. Besnikë deri në fund të bindjes sonë se lufta kundër korrupsionit është në radhë të parë, reformë, transformim i sistemit, dhe sigurisht edhe ndëshkim. Fushata antikorrupsion që do të fillojë në vjeshtë do të ketë në zemrën e vet, luftën kundër  korrupsionit në shëndetësi, luftën kundër korrupsionit nëpër spitale, luftën kundër korrupsionit dhe bakshishit në çdo sportel dhe në çdo derë ku njerëz në nevojë dhe në pikë të hallit vijnë për të marrë atë që u takon, kujdesin e shoqërisë përmes shërbimit publik. Në këtë drejtim, toleranca do të jetë Zero. Goditja do të jetë e vazhdueshme dhe e kudondodhur ndaj kujtdo, duke filluar që nga drejtorët e spitaleve, në rast se do të gjenden në faj, deri tek më i fundit, në gjithë sistemin e shërbimit spitalor.

Është e patolerueshme që Shqipëria në mes të Europës, kandidate për Bashkimin Europian, të jetë vendi ku nëpër gjithë arteriet e shërbimit shëndetësor flluskon llumi i korrupsionit. Kjo nuk është një çështje njerëzish, por është, në radhë të parë, një çështje sistemi. E, sigurisht, pastaj, është edhe një çështje përgjegjësie politike dhe publike që duhet ta ketë gjithsecili.

Ne kemi rritur 15 % fondin për sigurimin e barnave thelbësore spitalore. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se çfarë ndodhi posaçërisht në 6-mujorin e parë të vitit të shkuar dhe se ku e gjetëm ne situatën, pas edhe inercisë të papërgjegjshmërisë të paszgjedhjeve deri ditën kur morëm detyrën nëpër spitale. Spitale, ku mungonin plotësisht ilaçet dhe ku s’ishte marrë asnjë masë, gati-gati si për të na lënë në dorë një bombë që të na shpërthente dhe të hidhte në erë të gjithë sistemin. Pa folur për shumë aparatura të lëna jashtë përdorimi apo të lëna qëllimisht jashtë përdorimi. Sot, ne arritëm që të plotësojmë nevojat e spitaleve me ilaçe, por nuk kemi arritur akoma që të plotësojmë nevojat e njerëzve që vijnë në spital, me ilaçet që shpeshherë iu mohohen, këtu apo atje, për të vazhduar avazin e vjetër, ndërkohë që Qeveria i ka vënë të gjithë ilaçet në dispozicion të mjekëve dhe të spitaleve.

Kemi rritur 30 % fondin për këtë spital, për Qendrën Spitalore Universitare, për të mundësuar rikthimin në punë të shumë aparaturave, që praktikisht ishin aty dhe nuk funksiononin. Sigurisht, që ka ende jashtëzakonisht shumë punë për të bërë, duke filluar nga këtu, por ne do ta mbajmë zotimin që këtë spital do ta transformojmë në modelin e ri të shërbimit publik shëndetësor, falë investimeve masive që do të bëjmë, bazuar në masterplanin e kahershëm dhe shpeshherë të anashkaluar apo të lënë pas dore, por edhe me vëmendjen e jashtëzakonshme dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që do të japim për burimet njerëzore të këtij spitali, sigurisht edhe të spitaleve të tjera rajonale më tutje, që të garantojmë ekselencë në shërbim, që nga profesorët e mëdhenj deri tek sanitaret, në hallkën e fundit të zinxhirit. Sepse, për ne trajtimi që njerëzit gjejnë në spital është shumë më tepër sesa thjesht një trajtim mjekësor. Është shprehja e nivelit të vetëdijes së një shoqërie dhe shprehja e solidaritetit mes njerëzve që i përkasin të njëjtës shoqëri. Madje, është dhe shprehja nga më konkretet e nivelit të patriotizmit në një shoqëri. Nuk ka gjë më të kollajshme sesa të bëhemi patriotë kur flasim për flamurin, por nuk ka gjë më të pështirë sesa nga njëra anë të bëhemi patriotë me flamurin dhe nga ana tjetër të spekulojmë deri në gjakun që iu duhet njerëzve në nevojë për gjak.

Patriotizmi ynë duhet dhe do të mishërohet në shërbimin shëndetësor, duke filluar nga kjo qendër shëndetësore. Kush do të shërbejë këtu në këtë qendër, e pastaj me radhë në të gjithë spitalet e tjera, duhet ta mishërojë patriotizmin tek sjellja dhe tek cilësia e shërbimit ndaj atyre që janë më në nevojë mes nesh. E kjo nuk është propagandë. Kjo është platformë. Ne do ta përmbushim çdo objektiv të kësaj platforme, duke i dhënë fund edhe historisë së trajtimit të spitaleve publike, si kooperativa apo ndërmarrje ku askush nuk mban përgjegjësi. Duke filluar nga drejtorët do të vendosim kritere shumë të rrepta performance. Ajo që tha ministri, dua ta përsëris edhe unë, në fushatën kundër korrupsionit në shërbimin shëndetësor, pjesë e masave do të jetë anketimi i atyre që shërbehen nga spitali dhe në bazë të anketimit do të përcaktohen edhe përgjegjësitë, duke filluar që nga drejtori i spitalit. Në rast se të anketuarit që shërbehen në një spital përgjigjen se iu kërkohet ryshfet, çdo gjë mund të justifikohet, por kjo është e pajustifikueshme. E, kushdo mund të justifikohet, por drejtori nuk mund të justifikohet, i pari dhe kështu të gjithë të tjerët, me radhë.

Sikundër, drejtori i pari nuk mund të justifikohet që spitalet vazhdojnë të mos paguajnë energjinë elektrike, me idenë që nuk ia ndërpret kush energjinë elektrike. Sigurisht, askush nuk ka ndërmend të ndërpresë energjinë elektrike të spitaleve, por askush nuk ka ndërmend më të tolerojë abuzimin me energjinë elektrike përmes spitaleve. Janë drejtorët të parët që duhet të bëhen pararojë e betejës, për t’i dhënë fund qoftë lidhjeve të paligjshme me spitalin, të energjisë dhe të ujit, – se me ketë spital këtu jeton me drita dhe me ujë, nuk e di sesa pjesë e kësaj zone të Tiranës, – qoftë edhe për gjithë pjesën tjetër të administrimit.

Unë kam fjalët më të mira për transformimin që po bëhet këtij spitali, por, sigurisht, ne duhet të mos kënaqemi në asnjë mënyrë me asgjë nga ato që bëjmë. Sepse, ajo që njerëzit presin prej nesh, me të drejtë, është shumë më tepër sesa ajo që ne mund të bëjmë në të përditshmen tonë. Duhet të shohim larg. Duhet të shkojmë të vendosur drejt horizontit që i kemi vënë vetes. Kush është gati ta bëjë këtë betejë është i nderuar. Kush nuk është gati ta bëjë këtë betejë nuk ka pse të jetë pjesë në këtë përpjekje, për çfarëdo arsye në botë. E, mbi modelin që po ngremë në këtë qendër, ne duam të punojmë që të gjithë spitalet rajonale dhe të gjithë spitalet e Shqipërisë të ngrenë nivelin e tyre.

Dy gjëra në fund;

E para, pas kaq shumë vitesh ne rimorëm procesin e dezinsektimit. Është fatkeqësi që ai proces kaq i domosdoshëm dhe jetik, si shumë procese të tjera të funksionimit normal të shtetit, ishte inekzistent. Por, nga ana tjetër, jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë shumë më tepër në këtë drejtim. Vitin e ardhshëm do të jemi shumë më të gatshëm për t’iu përgjigjur nevojave në këtë aspekt.

E dyta, spitali dhe shërbimi shëndetësor është fundi, nuk është fillimi. Fillimi është edukimi fizik i popullatës. Kemi arritur në nivele të papranueshme të peshës si komb, këtu në këtë territor dhe të kolesteroleve e historive të tjera që, ju e dini shumë mirë, janë pararoja që na çon drejt spitalit.

Nuk shpikim asgjë, thjesht i referohemi studimeve të botës së zhvilluar, që nuk investon në sport dhe në Edukim Fizik për luks, por për shëndet. Në administrim financiar, 1 euro e shpenzuar për edukim fizik është baras me 3.7 euro të kursyera për shërbim shëndetësor. Ndaj, duke filluar nga ky vit, shtatori i këtij viti, sporti do të kthehet në shkolla dhe do të hyjë me një fuqi dhe sistem krejt të ri në të gjitha nivelet e shkollës, për të pasur një gjeneratë tjetër shumë më të shëndetshme dhe shumë më të vetëdijshme për rreziqet që sjell mungesa e aktivitetit fizik, por edhe për të pasur mundësinë që ta financojmë këtë shërbim shëndetësor falas, ashtu siç duhet. Sepse falas do të thotë falas për ata që s’kanë, nuk do të thotë falas që bie nga qielli. Falas do të thotë që do ta paguajë shteti dhe shteti dihet se nga i gjen paratë. Nuk i gjen nga qielli, por i gjen nga të ardhurat që siguron përmes rrugëve të ligjshme që ka për të siguruar të ardhurat. E shteti nuk mund të jetë i papërgjegjshëm në raport me pjesën më të rëndësishme që është parandalimi, përpara sesa njerëzit të vijnë tek dera e spitalit, ku kostot rriten disafish. Për këtë arsye, jo vetëm do të investojmë për sportin në shkollë, por do të investojmë për të rritur në të gjitha nivelet e shoqërisë vetëdijen se edukimi fizik dhe ushtrimi fizik janë një parakusht për të garantuar shëndet më të mirë, por edhe për të garantuar sëbashku se ky sistem që kemi marrë përsipër të ndërtojmë, të funksionojë.

Duke i shprehur konsideratën më të lartë të gjithë atyre që janë angazhuar, të gjithëve ju që jeni këtu, për punën e nisur dhe duke ndarë me ju, besoj, bindjen se ky është vetëm fillimi, unë dëshiroj t’ju inkurajoj që të ecim më shpejt, sepse Rilindja e Shëndetësisë është një nga pjesët më të vështira të Rilindjes, për të cilën të gjithë sëbashku gjendemi në të njëjtën vijë fronti. Rilindja e Shëndetësisë është një nga sfidat me komplekse, që kërkon bashkim të madh forcash, energjish, idesh dhe mbi të gjitha, një solidaritet të madh, real, social me ata që janë më në nevojë dhe kundër atyre që nuk kanë frena përballë babëzisë dhe epshit të korrupsionit që, për fat të keq, jo këtu por në të gjithë botën, e sheh shëndetësinë si një nga pjesët më vulnerabël.

Faleminderit edhe njëherë për vëmendjen, për punën!

Një falenderim të posaçëm edhe për deputetët që janë këtu në sallë, sepse bashkëpunimi me Komisionin përkatës ka qenë kyç dhe mbetet i domosdoshëm për të realizuar gjithë atë proces ligjvënie që na jep mundësinë që fjalët t’i kthejmë në vepra dhe luftën kundër korrupsionit ta kthejmë në një sistem garancish, ku njerëzit të ndjehen më të mbrojtur, por edhe ku ata që japin shërbimin të ndjehen më pak të tunduar.

***

Ministria e Shëndetësisë zhvilloi sot, raportimin publik të punës së saj në 300 ditët e para të qeverisjes. Ministri Ilir Beqaj dhe drejtuesit e institucioneve në varësi të MSH raportuan për ç’është realizuar gjatë kësaj periudhe, por duke nënvizuar edhe sfidat në vazhdim, për reformimin dhe modernizimin e sistemit shëndetësor.

Për Ministrin Beqaj, këto 300 ditë kanë qenë një periudhë intensive pune në të gjithë sektorin e shëndetësisë, fillimisht për stabilizimin e gjendjes së rrënuar, të trashëguar, veçanërisht në furnizimin e spitaleve me barna dhe rivënien në funksionim të aparaturave bio-mjekësore.

Duke nënvizuar edhe sfidat në vazhdim, për reformimin dhe modernizimin e sistemit shëndetësor, sfidë themelore, theksoi Ministri Beqaj, mbetet lufta kundër abuzimit dhe korrupsionit brenda sistemit shëndetësor.

Nga drejtuesit e Ministrisë dhe institucioneve të tjera shëndetësore publike u raportua se një nga arritjet e prekshme për qytetarin ishte heqja e TVSH-së prej 10% për barnat, ndërkohë që u zgjerua lista e barnave të rimbursueshme për vitin 2014, me 55 barna të reja, më tepër se katër vitet e fundit së bashku.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.