Rindërtimi po vijon në fshatrat e Bashkisë së Tiranës. Shtëpitë e reja individuale po ju dorëzohen çdo ditë familjeve që i humbën ato natën tragjike të 26 nëntorit. Klementi, bashkëshortja dhe vajza e tyre 4 vjeçare, banorë të Baldushkut morën sot çelësin e banesës së re nga Kryeministri Edi Rama. Vetë ata pohojnë se mbi gërmadhat që la tërmeti, streha e re ngrihet më e bukur, më e madhe e më e fortë se ajo që humbëm. Po ashtu, ajo është e pajisur me të gjitha dokumentet që e kthejnë në një pasuri të shfrytëzueshme për të zotët e saj.
“Shtëpia që inspektuam para pak javësh sot ka mbaruar dhe është tipologjia 2+1, meqë janë tre anëtarë. Klementi me të shoqen janë super të kënaqur, sepse marrin procesverbalin. Çdo familje ka një akt të marrjes në dorëzim dhe pastaj mbi atë akt bëjmë letrat e hipotekës, që të jetë e regjistruar në hipotekë. E më pas është e drejta e tyre që ta investojnë, ta çojnë për kredi, për aset që mund të vlejë në bankë, a në çdo investim tjetër,” -shpjegoi Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Synimi është që Viti i Ri të gjejë pjesën më të madhe të familjeve që humbën shtëpitë natën e 26 nëntorit, në banesën e re. E për këtë po punohet intensivisht. “Si kjo tipologji mbarojnë më shumë se 400 shtëpi në Bashkinë e Tiranës, para datës 31 dhjetor dhe rreth 1000 shtëpi në bashkitë e tjera. Janë dhe 2000 mijë njësi individuale të tjera që përfshihen në rindërtim, pas vlerësimeve të fundit që po kalojnë njësitë administrative dhe Këshilli Bashkiak,” – u shpreh ministri i Rindërtimit Ahmetaj, i cili ndër të tjera ndau lajmin se zyrtarisht ka nisur ndërtimi i pallateve në Durrës. “Sot është hapur faza e dytë e prokurimit të pallateve në Durrës. Zyrtarisht ka filluar ndërtimi i pallateve në Durrës. Do të ndërtohen 2 pallate aty ku kanë qenë, që do të thotë do të presim ofertat financiare për 7 ditë në bazë të ligjit specifik dhe besoj maksimumi për 15 ditë kemi themele në Durrës,” – tha ai.
Në bisedën me të zotët e shtëpisë dhe duke vlerësuar shembullin e tyre, Kryeministri kërkoi mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve që gjenden ende në vështirësi, për të patur durimin e duhur, deri në përmbylljen e procesit të rindërtimit për banesat e tyre. Proces që nis kohë përpara se të hidhen themelet. “Ti je njeri i punës dhe e kupton, se ka disa që punojnë në FB dhe nuk i kuptojnë këto gjëra. Vërtetë puna për ta ndërtuar shtëpinë ishte e shkurtër, por deri tek momenti i fillimit të punës ishte një punë e madhe përpara, se duhet bërë inventarizimi i gjithë dëmeve, duhen bërë verifikimet e inventarit, pastaj vjen projekti dhe lidhja e projektit me financimin, gara, kontrata dhe më pas puna. Për shtëpitë individuale, kjo është më e thjeshtë, por për pallatet është më e ngatërruar, pasi janë plane masive, janë projekte masive dhe kështu që marrin më shumë kohë. Nga ana tjetër jeni shembull për njerëzit që janë në qytet. Ju shitët lopën, sepse vendin ku mbanit lopën u desh ta adaptonit dhe ta kthenit në një dhomë për të kaluar deri kur të vijë dita e shtëpisë. Kurse ata në qytet janë me qera nëpër shtëpi. Kështu që duhet ta kuptojnë që ka siklet, por ka dhe siklet më të madh. Për ne është e rëndësishme që shtëpitë në fshat t’i mbyllim sa më shpejt, sepse janë nëpër tenda, janë tek të afërm dhe në raste si i juaji, nëpër dhoma të përkohshme, aty ku më parë kanë mbajtur bagëtitë. Por duhet durim. Jemi duke u marrë me ujin. Kemi dhjetëfishuar numrin e banorëve që marrin ujë të pijshëm në 24 orë. Tirana ka ujë 24 orë në një pjesë të konsiderueshme. Nuk ka 24 orë në një pjesë tjetër, por ka shumë më tepër ujë gjatë ditës në të gjithë pjesën tjetër, sesa kishte përpara,” – u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Rama dorëzoi çelësin e banesës së re edhe tek një familje tjetër aty pranë, të cilët deri më sot ishin strehuar tek të afërmit e tyre.