Të rinjtë e Beratit, ishin këtë pasdite së bashku me kryeministrin Rama në bashkëbisedimin e radhës mbi arsimin, artin, teknologjinë, perspektivën e punësimit dhe ndërtimin e të ardhmes së tyre.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirë, shumë faleminderit edhe përshëndetje të gjithëve atyre që janë ulur, por në veçanti atyre që janë në këmbë, para se të them disa fjalë, do doja që ju vetë, cilido që ka diçka për të thënë të marrë mikrofonin edhe të shprehet, për çfarëdo qoftë, edhe nëse është një ankesë, edhe nëse është kritikë, në rast se është një dëshirë, një sugjerim, nuk e di, çfarëdo qoftë.
-Përshëndetje! Jam admiruese e teknologjisë. Këtë verë na u dha mundësia për të bërë një trajnim mbi ‘’digital marketing’’ që po përdoret kudo. Shumë kompani të mëdha po e aplikojnë shumë këtë. Ne trajnim ne mësuam si të dizajnonim banera apo si bënim marketing online. Mësuam shumë gjëra të tjera gjëra që na ndihmojnë për të dalë në tregun e punës. Në Berat ka një rini që dëshiron të vazhdojë për këto degë dhe është gjë shumë e mirë që bashkia dhe qeveria ka investuar edhe për shkollën tonë.
– Nga bashkia Kuçovë. Doja t’ju falënderoja për mundësitë që na dhatë me takimin e sotëm. Pëlqej marrëdhëniet me publikun, ndjek trajnimet të ndryshme dhe faleminderit që keni hapur dhe krijuar mundësi për ne të rinjtë. Do doja që në gjimnazet tona të ketë laboratorë për kiminë, biologjinë, për shkencat e natyrës , pasi do jenë ndihmesë për ne. Faleminderit për mundësitë që na jepni!
-Ju uroj mirëseardhjen! Mendoj që ky qytet vitet e fundit ka arritur një zhvillim të madh, falë edhe kryetarit të bashkisë dhe ka një rini tepër aktive, por shpresoj që të jetë edhe më shumë aktive edhe në vijim.
Kryeministri Edi Rama: Mirë, faleminderit atëherë. Po them edhe unë disa fjalë meqë ma vutë në dukje se keni ftohtë. Së pari, faleminderit për praninë këtu. Ne jemi shumë të vetëdijshëm për vështirësitë, të jenit të sigurtë për këtë, për problemet që ju hasni në të përditshmen tuaj për situatën aktuale, nuk e di sa ju jeni të vetëdijshëm, lidhur me vështirësitë e shtuara për shkak të luftës në Ukrainë, e cila në Ukrainë bën gjithato shkatërrime, që jam i bindur se të gjithë ju i keni parë, por nuk është e konceptuar dhe nuk është e organizuar thjeshtw dhe vetëm për të goditur Ukrainën, por edhe për të goditur të gjithë perëndimin e Rusisë, jo me bomba, por me armë të tjera. Është një kohë e re për botën, është një kohë kërcënimi dhe është një kohë kur edhe ushqimi rrezikon të kthehet në një armë për të bërë dëm tek të tjerët, ashtu sikundër është kthyer energjia, çmimi i së cilës është rritur në stratosferë dhe ashtu sikundër është vënë mbi kokat e të gjitha vendeve inflacioni i luftës.
Por përtej të gjitha këtyre, unë besoj që sot ne mund të themi me plot gojën që asgjë nuk është si më parë, edhe në aspektin pozitiv. Berati nuk është si më parë, pa diskutim që Berati është ende jo ai që mund të jetë, ai që duhet të jetë dhe për këtë arsye, ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku me tw gjithë ata që, kur i thonë vetes shqiptarë, dinë se çfarë thonë dhe që krenarinë e të qenit shqiptarë, e kanë të panegociueshme për asnjë arsye. Dhe krenarinë për vendin e tyre e kanë domosdoshmëri në të përditshmen e punës së tyre.
Unë mendoj që ne sot kemi të gjitha arsyet të besojmë që këtë transformim të nisur mund ta çojmë deri në fund dhe shumëçka mbetet për tu bërë mund ta bëjmë pikërisht sepse kemi provuar që gjërat bëhen, gjërat duan kohën e tyre, duan mundin e tyre, duan durimin e tyre, por bëhen.
Unë sot dua t’ju them shumë pak gjëra që lidhen me atë që është dilema juaj e natyrshme, mendoj unë. Të jesh në këtë moshë që jeni ju dhe të jetosh në këtë kohë ku jetojmë, është gjëja më e natyrshme që t’i bësh pyetjen vetes “Ku dua unë të jetoj? A dua të rri këtu? A dua të shkojë në Tiranë apo dua të iki fare diku tjetër”? Në këtë moshë, kjo është gjëja që do të ishte çudi të mos ekzistonte tek secili prej jush.
Unë nuk jam këtu për t’ju thënë se çfarë zgjedhje duhet të bëni, zgjedhja që ju duhet të bëni është zgjedhja juaj dhe unë nuk hyj tek ata që predikojnë që kush vendos të shkojë në një vend tjetër gabon apo kush vendos të rrijë këtu është një patriot i vërtetë, jo. Unë mendoj që nuk është kjo ajo që e ndan se kush është patriot i vërtetë dhe kush është patriot i rremë sepse në të gjitha rastet e rëndësishme është që krenarinë e të qenurit shqiptar dhe krenarinë për Shqipërinë të mos e negociosh kudo qoftë që ti jeton gjeografikisht.
Ama, një gjë dua ta them me forcë. Të bësh një zgjedhje për të provuar veten në një vend tjetër është e natyrshme, por ama të thuash, “unë do shkoj në një vend tjetër sepse këtu nuk ka mundësi ” kjo nuk është e vërtetë. Natyrisht që këtu ka vështirësi, por kudo ka vështirësi, askund nuk është shtruar një tapet i kuq ku po presin që ti të shkosh dhe të kesh një jetë siç e ëndërron. Kudo do duhet të bësh sakrifica dhe do duhet të luftosh shumë për të arritur atë që mendon dhe jo domosdoshmërish do ta arrish. Këtu patjetër që ka mundësi dhe ka gjithmonë e më shumë mundësi për ata që duan të shikojnë mundësitë dhe për ata që janë të gatshëm që të luftojnë për t’i realizuar ato që mund të realizohen.
Vajza që foli preku një sferë që është ende e gjitha për tu eksploruar. Janë një numër të rinjsh dhe të rejash në Shqipëri sot që flasim, nuk janë shumë, por fatmirësisht ekzistojnë, që punojnë nga shtëpia për tregje të tjera jashtë Shqipërisë, paguhen më mirë sesa të gjithë ne që jemi këtu minimalisht dhe janë akoma në shkollë një pjesë e tyre, në shkollë të mesme apo universitet sepse koha e sotme e ka sjellë këtë mundësi që përmes teknologjisë, në rast se ti aftësohesh dhe ke çfarë t’i ofrosh atij tregu, ti mund të gjesh punë në çdo cep të globit, pa lëvizur fare nga shtëpia. Nuk ka rëndësi jeton në qytetin e Beratit apo në fshat; në rast se ke një kompjuter dhe ke një qasje në rrjet, ti mund të punosh kudo dhe madje të jesh burimi kryesor e të ardhurve për familjen tënde, por nuk është vetëm kjo, kjo është një.
Nga ana tjetër, është gjithë kjo pasuri e jashtëzakonshme që është e njohur dhe si pasuri botërore, qyteti dhe bashkia ku ju keni lindur dhe po rriteni e ju jetoni. Mjafton të duash t’ia dalësh dhe të kesh idenë e duhur për ta vënë një pjesë shumë të vogël të kësaj pasurie në dispozicion të mirëqenies tënde duke u bërë pjesë e gjithë kësaj lëvizjeje që ka filluar për të shfrytëzuar turizmin, i cili ju e keni parë, po rritet vit pas viti. Numri i vizitorëve sot në Berat është më i lartë se ç’ka qenë kurrë ndonjëherë dhe potenciali i rritjes është ende shumë i madh.
Sigurisht që ata vizitorë kur vijnë duan arsye për të qëndruar dhe secili prej nesh, prej jush në këtë rast, mund të gjejë një arsye më shumë për të qëndruar duke bërë në gjithë këtë mozaik gjërash, shërbimesh, një gjë që të tjerët nuk e bëjnë ose një gjë që edhe të tjerë mund të bëjnë, por duke e bërë ndryshe nga të tjerët, që ka të bëjë e gjitha me mikpritjen, që ka të bëjë me traditën, që ka të bëjë e gjitha me artizanatin, që ka të bëjë e gjitha me natyrën, që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore e me radhë. Kush bën këtë këtu nuk diskutohet që fiton më shumë sesa duke shkuar të bëjë një punë për dikë tjetër kudo qoftë.
Sa i përket pjesës së shkollës, Bora i preku pak ato programet dhe mua më vjen mirë që ne tani kemi hyrë në një fazë ku po shkojmë përtej kohës mësimore dhe jo vetëm me shkollën qendër komunitare, por dhe me programe për artet, zejet, sportin dhe teknologjinë që do jenë në dispozicionin tuaj pas orarit të mësimit zyrtar.
Për t’iu përgjigjur djalit që e kam mbajtur në krah kur ka qenë i vogël, ma ha mendja që nëse të ka ecur, të ka ecur se të kam mbajtur unë në krah sepse po të kisha këtë fuqi magjike, kushedi se çdo kishte ndodhur. Megjithatë, faleminderit që të shkon mendja se mund të jetë edhe kështu, por unë nuk e besoj.
Ajo që the për laboratorët është shumë e rëndësishme dhe prandaj ne po bëjmë një investim komplet të ri për laboratorët, është një investim që ka filluar dhe hap pas hapi do fillojmë me pajisjen komplet ndryshe të laboratorëve të kimisë, të biologjisë e kështu me radhë. Ndërkohë që kemi filluar punët dhe për laboratorët e rinj të teknologjisë që nuk do të jenë si ato që keni, por do të jenë komplet ndryshe. Ka filluar me 100 shkollat e para, do vazhdojmë me të tjerat, por në të gjitha rastet, do të jenë laboratorë që do të jenë në dispozicion edhe të të tjerëve, jo vetëm të nxënësve të shkollës, por edhe të tjerëve në mësimet e pasdites.
Më vjen mirë po ashtu, por kjo për hir të vërtetës jo sepse dua ta them këtu tani për të marrë ndonjë duartrokitje për Ervinin, por më vjen mirë që i dhamë drejtim, më në fund, investimit tek shkolla Babë Dudë Karbunara sepse ishte realisht e padrejtë që ajo shkollë me traditë, me aq shumë nxënës dhe me atë nevojë të mbetej e pa trajtuar.
Besoj që do të bëhet aty një investim i mirë. Ervini bëri çmos për të marrë fondet nga qeveria, tani ju bëni çmos që Ervini ta bëjë punën si duhet, është detyra juaj që ta shikoni që të bëhet puna deri në fund si duhet. Unë jam i bindur që siç kemi bërë, siç janë bërë dhe falë Ervinit natyrisht, shumë punë të mira këtu, do bëhet edhe shkolla Babë Dudë Karbunara.
Dhe në fund fare, nuk dua t’ju lë më shumë në këmbë juve që jeni atje, megjithëse prapë në këmbë do jeni po të paktën do ecni dhe ndërkohë është koha që të ngrihen në këmbë edhe këta të tjerët, se po rrinë shumë ulur, ju falënderoj jashtëzakonisht shumë për qëndrimin këtu edhe pse në kushte jo shumë të favorshme sepse ju jeni edhe të rinj dhe nuk e duroni shumë erën, s’jeni si puna ime që jam si ‘’pemë e thatë’’, ju jeni filiza që mund t’ju marrë era, kështu që para se t’ju marrë era dhe pastaj të më mallkoni mua që ju mori era, faleminderit shumë edhe një herë dhe ti nëse do, edhe këtë pallton time ta jap, por ma ha mendja që po e mbërtheve do kesh më pak probleme. Shumë faleminderit!