Sokol Mesiti dhe familja e tij është një prej 457 familjeve në Thumanë, të cilat kanë humbur shtëpinë nga tërmeti dhe aktualisht janë përfitues të bonusit të qerasë, duke u akomoduar në një banesë të përkohshme, deri në përfundim të shtëpisë së rindërtuar, në zonën e re për zhvillim. Kryeministri Edi Rama vizitoi sot shtëpinë e Sokolit, me profesion bukëpjekës, të cilit tërmeti i 26 nëntorit përveç shtëpisë i dëmtoi rëndë edhe biznesin. Banesa e tij ndodhej tek pallatet në qendër të Thumanës, shumica prej të cilave janë shembur dhe pastruar rrënojat, ndërsa po vijon pastrimi edhe i pjesës që ka mbetur.
Teksa kërkoi mirëkuptimin e tyre për kohën që kërkon procesi i rindërtimit, Kryeministri premtoi se Thumana do të jetë një model suksesi. “Do të fillojmë të bëjmë takime me komunitetet që janë dëmtuar që t’u tregojmë projektet, t’iu flasim për procesin dhe t’u japim një qartësi të drejtpërdrejtë se si do të jetë procesi, kur do të fillojnë, kur do të ndërtohen , kur do të ndahen, kur do të hynë etj. Por duhet durim. Kemi bërë maksimumin për t’i bërë sa më shpejt, por projektet duan kohën e vet. Javën e ardhshme do të fillojmë me garën ndërkombëtare. Thumana do të jetë model.”
Në Bashkinë Krujë janë 1503 familje që kanë përfituar bonusin e qerasë.