Histori suksesi në një fabrikë e cila një vit më parë nisi vetëm me 60 punëtorë dhe është shndërruar në 360 ditë në një sipërmarrje të fuqishme me mbi 600 të punësuar dhe me perspektivë për t’u zgjeruar në të ardhmen.
Kryeministri Rama vizitoi këtë sipërmarrje fason që prej një viti operon në Tiranë, e cila në një periudhë të shkurtër, nga një ndërmarrje të vogël është bërë tashmë një fabrikë me cikël të mbyllur të prodhimit.
Sipërmarrësi italian Fabio Attanassio, me një eksperiencë 15 vjeçare në këtë sektor u shpreh se ai parashikonte që brenda një periudhe 2 vjeçare të arrinte në 3500 të punësuar. “Produkti ynë shkon në Kanada, Gjermani Amerikë dhe jemi të nderuar të prezantojmë Shqipërinë me markën Made in Albania,” – u shpreh sipërmarrësi italian.
Drejtues të sipërmarrjes u shprehën se bashkëpunimi me zyrat e punës, lehtësitë fiskale, në mënyrë të veçantë heqja e tvsh për makineritë e importit kanë qenë një shtysë e rëndësishme për suksesin e saj. “Brenda një viti jemi rritur, kemi filluar me 60 punonjës para një viti, sot jemi me 600. Qeveria na ka mbështetur. Zyrat e punës kanë qenë bashkërendëse në këtë drejtim dhe na kanë ndihmuar shumë duke na sjellë punonjës me eksperiencë. Kemi gjetur mbështetjen fiskale të qeverisë. Ky është një investim krejtësisht i ri. Përjashtimi nga TVSH për makineritë e importuara ka qenë një ndihmesë e madhe. Kemi gjetur terrenin e duhur për t’u zhvilluar.”
Duke theksuar se kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen, Kryeministri u shpreh se qeveria do të jetë përkrah biznesit, duke nxitur me politika të reja zhvillimin e tij. Si, një prej masave më të rëndësishme lehtësuese në paketën e re fiskale, Kryeministri veçoi pagesën e skanimit në dogana, e cila do të bëhet nga shteti.
“Kjo është një histori suksesi në investim, në punësim dhe në marrëdhënien shumë korrekte me shtetin, me taksat me detyrimet. Përfitimi nga heqja e taksës së importit mbi makineritë është konkret këtu, siç është në shumë realitete të tjera.
Së dyti, ky është një realitet suksesi sepse nga 60 punonjës që ishin vjet, sot numërohen 600, 100 prej të cilëve janë rezultat i politikave të nxitjes së punësimit nga ana e qeverisë. Aktualisht sot, që flasim, kemi 26 mijë e disa qindra vende të lira pune, në zyrat e punës në territorin e Shqipërisë.
Është rasti për t’u thënë atyre që vërtetë duan punë, që vërtetë duan të jetojnë me punë që të drejtohen tek zyrat e punës dhe të këmbëngulin, pasi ka mundësi nga ato me arsim të lartë dhe me specializime të veçanta, deri tek punët më të thjeshta.
Me buxhetin e ri ne do të mbrojmë të gjithë manifakturën nga fatura e skanimit në dogana, të cilën do ta paguajë shteti për të vazhduar eksportet, për të vazhduar që manifaktura të rritet sepse ka një potencial shumë të madh.
Shumë njerëz e marrin si një punë të një kategorie të ulët, por në fakt ajo që po shohim ne dhe që e kemi nxitur është krijimi i një cikli të mbyllur. Jo thjesht merr material porositësi, qep dhe ço, por fabrika të mirëfillta të manifakturës që fillojnë nga dizenjimi, deri tek shitja në vendet ku eksportohet.”
Kryeministri theksoi se do të mbështeten të gjithë ata që krijojnë sukses, nëpërmjet idesë, kurajës dhe vendosmërisë për të jetuar me punë të ndershme.