Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama siguroi edhe një herë përfaqësuesit e lartë të Komunitetit Mysliman Shqiptar për ndërtimin e xhamisë së re, ndërsa u shpreh se familjarisht do të ishte një donator modest në ndërtimin e saj. Këtë deklaratë Kryeministri e bëri pas vizitës në Komunitetin Mysliman Shqiptar, nga ku uroi të gjithë besimtarët myslimanë “Gëzuar Kurban Bajramin!”

Në një prononcim për mediat, pas vizitës në Komunitetin Mysliman, Kryeministri u shpreh: “Ishte kënaqësi që për herë të parë si Kryeministër erdha këtu dhe urova “Gëzuar!” në këtë ditë kaq të shënuar, mikun tim Selim Muça, si dhe të gjithë përfaqësuesit e lartë të Komunitetit Mysliman. Folëm për xhaminë e re dhe i sigurova edhe një herë që nga një pallat me xhami do të kemi një xhami pa pallat. Nga ana tjetër, familjarisht do të jemi edhe ne në radhën e donatorëve modestë të këtij tempulli, ku jam i bindur që së bashku do të ngremë një tjetër pikë referimi në qytet. Pikë referimi e munguar për besimtarët myslimanë, pikë referimi që me ndryshimin e bërë do ta kthejmë në një vlerë të shtuar edhe arkitektonike, edhe urbanistike, një zonë të qytetit, ku sigurisht do të shtohet një xhami, por me ndryshimin e bërë nuk do të humbasë i gjithë parku.”

Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë edhe në selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, ku në një prononcim për mediat u shpreh: “Jemi një vend i pasur edhe për faktin se kemi komunitetin bektashi, ku është gjithmonë një kënaqësi e qetë që të vish të takohesh, të urosh dhe të marrësh rrezatimin e të gjithë qetësisë së këtij komuniteti përmes përfaqësuesve të vet të nderuar. Kështu që, edhe një herë, Gëzuar këtë ditë kaq të shënuar dhe kaq të posaçme, veçanërisht për të gjithë besimtarët myslimanë, por që është një ditë e posaçme për të gjithë shqiptarët. Jam i bindur që njësoj si unë, edhe ju të gjithë merrni urime nga të katër anët, pa dallim përkatësie fetare.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.