Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:
Fan Noli do rrotullohej në varr, bashkë me katundarët dhe punëtorët, se nuk di ku gjendet një katundar dhe një punëtor që t’i besojë Ben Blushit.
Zoti Patozi, meqë e nise me veshjen time të detyrohem një shpjegim. Raporti im me veshjen, si rregull, prej shumë kohësh përqeshet, pastaj diskutohet, pastaj bëhet modë. Nëse do jesh në parlamentin e ardhshëm, mos u çudit po ta gjesh veten një ditë në këtë modë. Po puna është kush e hap rrugën.
Veshja ime sot nuk është mungesë respekti, është modë dhe mesazh për ata 1 milionë njerëz që votuan këtë qeveri që sot ta kuptojnë se kjo qeveri është krejt tjetër nga ajo që sapo përshkroi deputeti më i mërzitur nga marrëveshja këtu në sallë.
Gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje, ose më saktë, që më ka ngjallur më shumë neveri, – se përshtypje nuk më ka bërë, pasi nuk ka qenë surprizë për mua, – ka qenë që, pas marrëveshjes një lukuni e tërë personazhesh të katundit politik dhe mediatik u turrën për të hedhur baltë mbi marrëveshjen dhe nuk gjetën asnjë mënyrë më elegante për ta bërë këtë sesa për t’u marrë nga fillimi deri në fund me byrekun, me kekun, me bakllavanë, me sultjashin, me paçen dhe me të gjithë asortimentet e kuzhinës, ku të tërhequr nga erërat dhe pangopësia e tyre, shumëkush prej tyre hyn. Disa thonë: “po hyj për të shpëtuar katundarët dhe punëtorët nga zgjedha e këtyre dhe atyre.” Disa thonë: “po hyj për të qenë zëdhënës i së vërtetës”. Disa thonë: “po hyj për të qenë i pavarur në klubet e katundit mediatik”. Por, çuditërisht, të gjithë e tregonin qartësisht që e vetmja gjë që i shqetësonte tek marrëveshja ishte që nuk gjenin vendin e tyre në tepsi.
E pavarësisht look-ut, apo romaneve Ben Blushi është një njeri që ka një lidhje shumë të fortë me tepsinë. Për fat të keq vazhdon dhe këtu persiston si zëdhënës i të gjithë atyre që ndjehen të privuar në pjesën e tyre të tepsisë, sepse është thënë, është rithënë dhe në fund është bërë, jo një ndryshim në qeveri për të ndarë tepsinë. Ministrat që sot janë votua këtu nuk kanë ardhur në qeveri për të përfaqësuar Partinë Demokratike, por për të garantuar Partinë Demokratike dhe opozitën si ministra teknike në mbrojtje të zgjedhjeve.
Jo vetëm kaq, por edhe sikur Partia Demokratike të mos hynte në zgjedhje, kishte dalë një urdhër më parë, që, tanimë do të monitorohet nga zëvendëskryeministrja e votuar sot, për ndalimin e të gjitha shpenzimeve dhe të gjitha procedurave të reja në të gjithë kohën e fushatës.
Faktikisht, edhe pa Partinë Demokratike në zgjedhje, qeveria, deri në 25 qershor, do të ishte thjesht një administratore e të përditshmes, ose asaj që mund ta quajmë rutina e mekanizmit shtetëror.
Së dyti, drejtorët, Blush nuk do të zëvendësojnë drejtorët e mëparshëm as për të bërë emërime, as për të bërë tendera, as për të dhënë koncesione dhe as për të prekur qoftë edhe një petë të byrekut që ti e sheh nga larg dhe sa më larg ikën, aq më shumë të shtohet oreksi dhe aq më i madh të del helmi që prodhon barku i uritur, por i pangopur, që do të thotë Blush, që është kurajo shumë e madhe që të fyesh inteligjencën tënde, por edhe të të gjithë atyre që po pretendon t’i përfaqësosh si pionieri i diçkaje të re që është vetëm në mendjen tënde dhe do të mbetet vetëm në mendjen tënde si një roman i pashkruar, ku personazhi je ti, që të bësh gjithë këtë logore këtu dhe ta mbyllësh me konkluzionin se këtu qenka bërë një bashkim kundër reformës në drejtësi.
Sikur të kishte fuqi ky vend, kjo sallë dhe të kishin fuqi këto parti për t’iu kundërvënë Reformës në Drejtësi do e kishin bërë me kohë. Por as nuk e bënë, as nuk po e bëjnë dhe as nuk do e bëjnë dot dhe sikur të duan, sepse ka dy fuqi të tjera që këto parti këtu në sallë nuk i përballojnë dot: Nga njëra anë është fuqia e popullit shqiptar që e do Reformën në Drejtësi me se s’bën dhe nga ana tjetër, është fuqia e partnerëve tanë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, që, siç e provon dhe kjo seancë, nuk ka asnjë shans që t’i hapin rrugë asnjë lloj forme presioni, apo obstruksioni që pengon Reformën në Drejtësi.
Reforma në Drejtësi sot fillon të zbatohet pikërisht me zhbllokimin e Vettingut.
Të thuash që Vettingu po votohet për ta penguar Reformën është shumë e sforcuar dhe për fat të keq, është dhe shumë e mjerë nga pikëpamja e mendjes. Është një mjerim që vjen nga dembelizmi mendor karakteristik i njeriut që kujton se i di të gjitha, që kujton se ia kanë fajin të tjerët që nuk është në krye të të gjithëve dhe që nuk lë gjë pa thënë kundër të gjithëve, ndërkohë që fajin për gjendjen ku ndodhet e ka thjesht vetë.
Po të sjell në vëmendje që ndër të tjera the dhe një nga ato aguridhet e tua të zakonshme që këtu, – the, – dënohen zgjedhësit dhe nuk dënohen komisionerët, nuk dënohen numëruesit. Është tipike për ty. Je i paditur për gjërat për të cilat flet në këtë foltore dhe je dembel që nuk ke asnjë vullnet t’i mësosh. Por mbi të gjitha je dhe shumë hipokrit me njerëzit me të cilët flet, sepse ke frikë se po t’i mësosh pastaj janë ndryshe nga siç ti do të doje të ishin, që të mund t’i shash të gjithë njësoj sikur janë fajtorë për gjendjen tënde dhe gjendjen tënde ta ndash me gjendjen e katundarëve dhe punëtorëve të Fan Nolit.
Bëre një pyetje: “Sa nga socialistët që e votuan Partinë Socialiste do ta votojnë prapë?”
Po të them Blush që do ta votojnë më shumë sesa në 2013-ën.
Mbaje mend këtë që po të them! Do ta votojnë më shumë sesa në 2013-ën.
Unë nuk e di a do jesh ti prapë këtu, por sipas të gjitha gjasave ti nuk do na mungosh në katundin politik dhe mediatik. Je, s’je përgatitu se këtu më ke mua, me këtë bluzën këtu, kur të hapet parlamenti i ri, në këtë pozicion. Pastaj nuk e di se kush do votojë dhe kush s’do votojë në këtë sallë. Por që unë do jem këtu, ti përgatitu që të mos zhgënjehesh edhe më keq sesa nga marrëveshja.
* * *
Ishte përshkallëzim në mjerim ajo që bëri Bushi, si zakonisht kur bën debat me mua. Por u çova për një arsye shumë specifike. Nuk është i pari Blushi, janë edhe të tjerë, që të nesërmen e marrëveshjes kanë nxjerrë nga varri të vrarët e 21 janarit. Jo vetëm kaq, po i kanë rivrarë, siç i rivrau edhe ky këtu që e mbani mend mire, të paktën ju të gjithë, se çfarë thoshte për 21 janarin. Për t’i rivrarë ata dhe familjarët e tyre, me qëllim që të ndezin gjakun e katundarëve dhe punëtorëve të Fan Nolit, sipas dembelit që me katundarët dhe punëtorët lidhje nuk ka, ka nxjerrë një prononcim të deformuar të xhaxhait të Aleks Nikës. Unë nuk kam qenë aspak dyshues se mund të ishte deformim, sepse për vetë emocionin që ka ngjarja, për ato familje mund të ishte e vërtetë dhe absolutisht nuk kam bërë asnjë përpjekje, thjesht kam gëlltitur lëndimin, i bindur se koha do t’i tregojë shumë qartë të gjitha ato që të gjithë këta organizatorë të kësaj maskarade post-marrëveshje, thonë sot vetëm për një arsye, për tepsi.
Por një tjetër njeri konkret, njeriu ynë, i përfshirë edhe ai emocionalisht si të gjithë ne në këtë histori, ka kontaktuar, pa dijeninë time, me xhaxhain e Aleks Nikës.
U çova këtu për të lexuar mesazhin e tij: “Të përshëndes mik! Është mirë të bisedojmë sa më shpejt, sepse jam i shokum. Informoje Edin se çka është thënë nuk është shkruar nga ana ime. Kurrë nuk mendoj se ai na tradhton. Informoje se e kam përgënjeshtruar!”
Ky është njeriu i marrë dhe i përdorur e i keqpërdorur dhe i stërpërdorur këtu.
Nga kush? Nga Ben Blushi!
Unë shqiptarëve ju them vetëm një gjë, bëni një provë. Kur na shikoni ne në televizor, ulni volumin, mos dëgjoni çfarë themi, shikoni fytyrën e Ben Blushit dhe në qoftë se ju duket përfaqësuesi i katundarëve dhe punëtorëve dhe njeriu që do shpëtojë katundarët e punëtorët e Fan Nolit nga zgjedha e marrëveshjes, atëherë besojini ato që thotë. Është shumë e thjeshtë. Është eksperiment që funksionon.
Sa për Reformën në Drejtësi, Reforma në Drejtësi, Vettingu dhe të gjitha ato që vijnë pas me zbatimin e Reformës në Drejtësi, që do çojnë përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë llogari të hapura me drejtësinë dhe që nuk i mbyllin dot me asnjë marrëveshje, këtë do e tregojë shumë shpejt koha, sepse Shqipëria për fat të mirë, nuk është vetëm. Shqipëria, për fat të mirë, nuk është në dorën e asnjë grushti, apo grupi, por është një vend që ka miq dhe partnerë shumë të rëndësishëm.
Por një gjë do ndodhë, e sigurtë, falë kësaj marrëveshjeje. Gjëja që nuk i pëlqen Blushit dhe dembelëve si ai, që vijnë vërdallë nëpër katundin tonë politik dhe mediatik thjesht dhe vetëm duke ngatërruar dynjanë, që këto zgjedhje, falë këtyre ndryshimeve dhe falë pranisë së këtyre ministrave që u votuan sot, do ta garantojnë opozitën si asnjëherë më parë, që, makineria shtetërore nuk do përdoret, nuk do të dalë në turravrap kundër opozitës, apo qytetarëve me bilbilin e një ministri, që agjencitë e mëdha nuk do të jenë ushtri elektorale dhe paskëtaj, në 26 qershor do kemi një fitues, do kemi dhe humbës.
Nuk ka më mundësi ku humbësi të thotë të gjithë ato gjëra që janë thënë tradicionalisht këtu mbas çdo zgjedhjeje. Kjo është një gjë që nuk ka ndodhur në 27 vjet.
Por siç nuk ka ndodhur kjo, do ndodhë edhe tjetra më pas. Pas zgjedhjeve që do të jenë të gjithëpranuara, sepse opozita është e garantuar nga ata njerëz që do vendosen në ato pozicione, do jenë aty për ta garantuar që drejtorët, funksionarët e lartë nuk i marrin njerëzit në rresht për t’i nxjerrë, për t’i çuar tek kutia e votimit, për t’i fotografuar votën, e kështu me radhë, do ndodhë që qeveria dhe opozita e nesërme do të jenë përsëri qeveri dhe opozitë, por do të jenë bashkë në procesin për të hapur negociatat.
Kjo është pika më themelore dhe më e rëndësishme e kësaj marrëveshjeje.
Kjo marrëveshje ka atë që as Blushi dhe asnjë i sojit të tij në katundin politik e mediatik nuk e gëlltit dot, ka virtytin që një krizë e ktheu në një mundësi të re. Nuk u bë thjesht ajo që është bërë gjithmonë në 27 vjet, kur ka pasur një krizë, që “t’i fusim një arnë, të kalojmë radhën dhe të fillojmë nga e para”. Por është dakordësuar një platformë, jo për bashkëqeverisje nesër, por për të bashkëqeverisur zgjedhjet ku të gjitha palët të jenë të garantuara dhe nesër për të qenë të gjithë njësoj shqiptarë, kur flasim me të huajt dhe kur mbrojmë interesin e Shqipërisë, që do, s’do Blushi, në fund të këtij viti do hapë negociatat për në Bashkimin Europian.
Kurse ty do të dëgjojmë nga klubet e katundit, duke rrjepur pula, bashkë me ata shokët e tu që keni vetëm një hall, ju ka ikur tepsia Blush. Ike nga Partia Socialiste për tepsinë dhe tani mbete pa tepsi. Je njeri i tepsive, pavarësisht se këtu tund tespihet e mediokritetit tënd. Që fajin e ka Saliu, Blush, e ka pasur, e ka dhe do ta ketë, patjetër!