Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë plenare në Kuvend:

 

Mes gjithë atyre që janë njerëz të lindur, të rritur në këtë vend, se për çfarë do të mbahet mend Shqipëria, kjo është përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve. Dallimi i madh mes nesh dhe jush është që ju nuk mbani përgjegjësi.

Ju nuk keni asnjë ndjenjë përgjegjësie, fatkeqësisht, në raport me këtë vend, me këtë popull dhe edhe më keq akoma, as në raport me ata të cilët keni marrë përsipër të përfaqësoni. Mungesa juaj e përgjegjësisë ju bën të lëshoni lum fjalësh, pa llogaritur sa prej tyre lidhen me qeverinë, me palën tjetër si palë kundërshtarësh politikë dhe sa prej tyre cenojnë Shqipërinë që, jua përsëris, nuk është e imja, por është e imja saç është dhe e juaja.

Përsa i përket se për çfarë do mbahet mend qeveria e Edi Ramës, këtë gjë lërjani kohës, se është shumë herët që kjo të përcaktohet sot dhe për më tepër, ju s’keni asnjë mundësi që ta shikoni me objektivitet dhe ta bëni konkluzionin sot. Përgatituni se keni 4 vjet kohë, siç kemi dhe ne, për të parë se çfarë është qeveria e Edi Ramës dhe çfarë do të lërë si gjurmë në historinë e këtij vendi.

Arsyeja pse mora fjalën ka të bëjë me një shprehje që dëgjova në gjithë prezantimin e profesorit, nga FMN-ja tek trafikantët. Një shprehje që e risjell në vëmendjen e publikut, për të nënvizuar dallimin e madh mes nesh dhe jush; Babëzia qeveritare ka realizuar 100% programin për koncesionet në shëndetësi.

Nuk është babëzia qeveritare, është ndjenja e përgjegjësisë për t’i shërbyer qytetarëve, duke u garantuar kontrollin bazë mjekësor, falas, qytetarëve të këtij vendi. Deri dje, për të bërë një kontroll bazë mjekësor, duhet të paguanin nga xhepi. Sot e bëjnë atë falas dhe mund ta bëjnë çdo vit falas. Po të kishit minimumin e përgjegjësisë, jo vetëm që nuk duhet ta përbaltnit këtë shërbim falas për qytetarët, por duhet të merrnit pjesë në rritjen e ndjeshmërisë së tyre lidhur me domosdoshmërinë e këtij shërbimi.

Kjo babëzi, siç e quani ju, për shkak se ju mungon përgjegjësia në raport me çfarë thoni, ka garantuar shërbimin falas, në kushte optimale, me standarde europiane të të gjithë atyre që kanë nevojë për hemodializë. Të cilët deri përpara vënies në funksion të këtij shërbimi falas duhet të bënin udhëtime tre herë në javë për në Tiranë dhe në Tiranë duhet të mbanin radha me tre turne, shoqëruar nga një anëtar i familjes, me shpenzime transporti dhe me gjithë stresin e lodhjen që krijon për një të sëmurë me dializë gjithë ajo torturë.

Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme ta kujtoni, gjë që s’mund ta bëni se ju mungon përgjegjësia, – ju s’ keni përgjegjësi për atë që thoni, nuk keni përgjegjësi ndaj atyre që ju kanë sjellë këtu për të bërë punën tuaj, – që, nëse deri dje, për këtë shërbim mizerabël, buxheti i shtetit paguante 90 euro për një seancë, sot paguan 80. Është më i lirë.

Kjo babëzia, siç e quani ju që ju kanë mbirë në majë të gjuhës fjalët më ekstreme të shqipes dhe që i përsërisni çdo ditë, ka bërë të mundur që sot, në spitalet e republikës të shtrihet shërbimi me instrumente mjekësore të standardeve europiane. Jo më larg se pak ditë më parë, edhe në spitalin e famshëm ushtarak është vënë në funksion të plotë shërbimi me instrumente njësoj si shërbimi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ky shërbim që do të shtrihet në të gjitha spitalet rajonale në muajt në vijim, të certifikueshëm sipas standardeve europiane, veglat që u ndryshkën qysh nga koha e dashurisë shqiptaro-kineze, të cilat ne i nxorëm për skrap, i zëvendësuam me këtë shërbim.

Këto janë tre shërbime falas, që nuk janë shërbime për oligarkët, siç thoni ju, sepse ju nuk keni përgjegjësi për ato që thoni dhe nuk merrni përgjegjësinë të mendoni e nuk kaloni në procesin e arsyetimit, asgjë nga ato të cilat që ju thuhet që t’i thoni dhe i thoni në mënyrë mekanike si robot.

Tre shërbime falas ku shteti paguan, privati shërben, qytetari përfiton. Dhe ku privati shërben duke investuar paraprakisht, menjëherë, shuma që shteti nuk i investon dot, se po të investohej dot, pse nuk investuat e si bëtë ju? Pse i latë të sëmurët, në një masë dramatike të kenë infeksione post operatore si rezultat i veglave të ndryshkura, që nga koha e dashurisë shqiptaro-kineze? Pse i latë shqiptarët që kishin nevojë për hemodializë, të bënin tre herë në javë udhëtime në Tiranë, sëbashku me anëtarët e familjes, të paguanin transportin dhe të rrinin me tre turne për të marr hemodializën? Pse i latë shqiptarët pa asnjë kontroll bazë mjekësor, duke ju vënë tarifë? Sepse ju nuk keni përgjegjësi!

Qeverisët pa përgjegjësi dhe bëni opozitën pa përgjegjësi. Kjo është puna juaj, ne jemi këtu për të bërë punën për të cilën jemi zgjedhur. Dhe puna për të cilën jemi zgjedhur, nuk është të luftojmë me ju. Ne jemi të interesuar që të bëjmë debat për çdo çështje që i intereson njerëzve, ndërsa debatin e kazanit, për të bërë sherr çdo ditë, ua kemi lënë juve. Vazhdoni bëjeni, flisni me vete, ne nuk merremi me ju.

***

Lulëzim, jepi përgjigje shqiptarëve, nga veriu në jug, brenda e jashtë Shqipërisë, çfarë donte Partia Demokratike, dje, në Himarë?

Jepu përgjigje shqiptareve, pse e bashkove dje, zërin e Partisë Demokratike të Shqipërisë me zërin e atyre që nxjerrin bishta, pa asnjë bazë, lidhur me një projekt të Rilindjes Urbane në Himarë.

Jepu përgjigje shqiptarëve, çfarë është Himara për ty e çfarë shkeljesh, sipas teje, ka bërë qeveria shqiptare në përpjekjen për ta shndërruar Himarën nga një “Bathore” në det, siç e latë ju, në një gji turistik mesdhetar.

Jepu përgjigje shqiptarëve, si ka mundësi që Partia Demokratike u shfaq në Himarë, të nesërmen e një letre të kryetarit të opozitës greke drejtuar Bashkimit Europian për gjoja shkeljen e të drejtave të minoritetit grek në Himarë.

Jepu përgjigje shqiptarëve, pse Partia Demokratike e Shqipërisë është kthyer në një altoparlant propagande të shfrenuar kundër përpjekjes shqiptare, në bashkëpunim me Bashkimin Europian, për hapjen e negociatave.

Para se t’u japësh përgjigje, të dëgjova që the se në Shqipëri nuk ka karota, nuk ka domate, nuk ka patate, gjë që e tregojnë shifrat e eksportit. Por ajo që nuk shihet nga shifrat e eksportit është ajo që, në shqipërim, ka një lloj kastraveci që nuk eksportohet, por kultivohet në llumin e politikës e të medias, me burim Partinë Demokratike të Shqipërisë.

* * *

Në fakt, të të bësh pyetje ty Lulzim, jashtë programit të gramafonit, është si t’i kërkosh një jukebox-i, një këngë që nuk e ka të regjistruar. Je një gramafon tamam si ajo marka “la voce del padrone”.

Pyetja që prapë kam, është: Çfarë donte Partia Demokratike, dje, në Himarë? Ky është një shpjegim që duhet ta japësh ti, jo unë.

Nuk kam qenë kurrë njeriu që e mendoj se kundërshtarit i duhet thënë antikombëtar, antishqiptar. Unë nuk mendoj që ju jeni antikombëtar apo antishqiptar. Ju jeni thjeshtë njerëz që nuk mbani përgjegjësi dhe si njerëz që nuk mbani përgjegjësi, ju mund t’i bëni shumë dëme, siç ja keni bërë, vendit tonë të përbashkët. Ju mund t’i bëni shumë dëme, siç ja keni bërë, aspiratave dhe ambicieve të këtyre njerëzve. Por, sidoqoftë, Partia Demokratike e Shqipërisë, sot duhet t’u shpjegojë shqiptareve, cilat shkelje ka bërë qeveria shqiptare në Himarë në raport me ligjet e vendit dhe në funksion të një projekti, si qindra e qindra projekte të tjerë në të gjithë vendin.

Sot, Partia Demokratike e Shqipërisë duhet t’ju shpjegojë shqiptareve, pse u shfaq në Himarë, të nesërmen e letrës së kryetarit të opozitës greke drejtuar Komisionit Europian, ku faktikisht cenohet interesi ynë kombëtar dhe aspirata jonë kombëtare, për të ecur më përpara me procesin e integrimit, me pretendime që nuk qëndrojnë, të cilave PD dje u ka dhënë zë, edhe shumë herë më të fortë sesa vetë zëri i opozitës greke.

Partia Demokratike e Shqipërisë ka apo s’ka lider sot, ka apo s’ka një kryetar që mund të flasë pa pllakën e gramafonit, u detyrohet shqiptarëve një përgjigje, pse iu bashkua një kori të ngritur mbi të pavërteta dhe u detyrohet shqiptarëve, një përgjigje të qartë, çfarë është Himara për Partinë Demokratike të Shqipërisë?

Këtyre pyetjeve nuk i ikën dot. Mospërgjigja thjeshtë konfirmon faktin se as ti dhe as partia jote nuk mbani përgjegjësi për fatin e këtij vendi dhe se e vetmja shtysë që ju sjell këtu dhe ju nxjerr në mejdanin e propagandës është ankthi i pushtetit të humbur dhe epshi për një pushtet që nuk mund ta merrni dot këtu, por duhet ta merrni atje ku flasin shqiptarët.

Shqiptarët kanë folur në 25 qershor dhe ne na kanë votuar të bëjmë punën, juve ju kanë votuar të bëni punën. Ju doni të bëni sherr, ju vazhdoni kërkoni sherr. Sherr me ne nuk do të keni, por këtu flasim për një moment kyç, momenti ku politika shqiptare nuk mund të ndahet për arsye pushteti, por duhet të jetë e bashkuar në funksion të së vërtetës. Nëse qeveria shqiptare ka cenuar një të drejtë të vetme, të një njeriu të vetëm atje në Himarë, thuajeni këtu kush është personi dhe si është cenuar e drejta dhe mbi të gjitha thoni këtu, çfarë është Himara për ju?

Thojeni këtu, çfarë është Himara për ju dhe e vërteta e hidhur për të gjithë ne, për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë ata shqiptarë që ju votojnë juve nga veriu në jug, dje ishte ulëritëse. Ju për hallet tuaja, për interesat tuaj, për luftën tuaj mizerabël për pushtet, jeni gati ta bëni mejdan të luftës politike, edhe një çështje që është çështje kombëtare, çështje e Shqipërisë dhe e punëve të veta të brendshme dhe aspirata e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian. Këtu përgjigju. “La voce del padrone” nuk e ka të regjistruar këtë, merr kohë, përgatitur, regjistroje dhe këndoje këtu.

* * *

Nuk i numërova dot sa sharje e fyerje vulgare u dëgjuan. Unë nuk shaj dhe nuk fyej dhe e vërteta është që askujt mbi këtë tokë nuk i kam thënë as kriminel, as hajdut. Sidoqoftë, kjo është në çmimin tuaj. Për fat të mirë janë shqiptarët që vendosin, ju nuk keni asgjë në dorë dhe përsa kohë janë shqiptarët që vendosin, ju vazhdoni avazin tuaj, t’i merrni për budallenj, t’i trajtoni si budallenj dhe t’i thoni fjalët që kujtoni se nga budallallëku, ata do jua marrin për të vërteta.

Pyetjes që po ta përsëris për të tretën herë nuk i shmangesh dot. I referohesh të shkuarës, kush duhet të procedojë, kush s’duhet të procedojë. Këtë gjë, rrini të qetë, do ta vërë në vend drejtësia e re. Drejtësia që do të lindë në Shqipëri, doni apo s’doni ju, si rezultat i reformës në drejtësi, si rezultat i Vetting-ut, si rezultat i institucioneve të reja të drejtësisë që do të fillojnë ta bëjë punën e tyre. Këtu do jemi dhe do të shikojmë e kuptojmë  shumë më tepër, sesa mund të pretendojë njëri apo tjetri.

Po ta kujtoj, je njeriu që ke firmosur dorëzimin e një cope territor të Republikës së Shqipërisë, që është një nga arsyet, pse ne kemi sot një dialog të vështirë me fqinjët tanë. Je njeriu dhe jeni partia, qeveria e deridjeshme, të provuar jo nga unë, as nga Partia Socialiste, por nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë me një vendim 9 me 0, se keni shkelur interesin kombëtar, keni shkelur Kushtetutën e vendit dhe keni firmosur një marrëveshje që cenon integritetin territorial të vendit.

Në këtë sallë kam dëgjuar pafund të më thuhet antishqiptar, antikombëtar. Kurrë nuk e kam thënë, kurrë nuk do t’ju them juve antishqiptarë dhe antikombëtarë. As Saliu që ka bërë shumë dëme në këtë vend, as ti që ke bërë më pak, se s’ke pasur mundësi të bësh më shumë dhe as kjo parti nuk mund të akuzohen si antikombëtarë, apo si antishqiptarë, por mund të gjykohen si të papërgjegjshëm. Papërgjegjshmëri që ju e keni treguar vijimësisht dhe sado ta këndoni këtë hitin e fundit, që keni caktuar për ta përsëritur në gramafonin e PD-së, njerëzit atje jashtë shohin, dëgjojnë, kuptojnë. Sot është shumë e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë, të dëgjojnë nga ju, pse u shfaqët dje në Himarë? Është shumë e rëndësishme.

Ndërkohë që ne këtu jetojmë, shqiptarët këtu jetojnë, edhe kur nuk janë fizikisht këtu e kudo ku jetojnë e ndjekin jetën politike dhe debatin publik dhe nuk ka shqiptar që nuk e di se ne kemi një problem me fqinjët. Kemi një dialog të vështirë me fqinjët, ku ne jemi angazhuar në mënyrë të ndershme dhe konstruktive, por jemi angazhuar si shqiptarë që mbrojmë interesin tonë kombëtar dhe jo si njerëz që hyjnë në një pazar. Në këtë dialog të vështirë, çdo palë ka strategjinë e vet dhe bën komunikimin e vet.

E keni dëgjuar me muaj që në Himarë ka një projekt, sipas fqinjëve tanë, për të eliminuar komunitetin grek. E ndani ju këtë bindje? Jeni ju me të njëjtën opinion? Ju jeni opozita, jeni Partia Demokratike e Shqipërisë, jeni alternativa e pushtetit dhe mbi të gjitha keni në kurriz barrën e dorëzimit të një pjese të territorit të Shqipërisë me një firmë të shpallur fajtore nga Gjykata Kushtetuese. Jeni ju dakord që Shqipëria në Bruksel të përballet me akuza, të cilat nuk kanë asnjë bazë?

Jua thashë dhe po e përsëris, nëse ju ndani të njëjtin opinion, çka e treguat duke u shfaqur në Himarë, madje me zell edhe më të madh se ai i opozitës greke, atëherë, kjo është një mungesë përgjegjësie shumë e rëndë. Unë po ju pyes se çfarë është Himara për ju. Se çfarë është Himara për mua, nuk ka nevojë ta them me fjalë, se unë e them me vepra se çfarë është Himara për mua. Ju thojeni këtu se çfarë është Himara për ju, thoni nëse qeveria e Shqipërisë ka cenuar një ligj të vetëm të kësaj republike, nëse qeveria e Shqipërisë ka përdorur dy standarde për një njeri të vetëm në atë territor, nëse projekti që qeveria e Shqipërisë kërkon të bëjë në Himarë, si në çdo pjesë të territorit, ka lidhje një fije të vetme me akuzat që i bëhen Shqipërisë.

Kur akuzohet qeveria e Shqipërisë në raport me këto çështje, nuk është qeveria, nuk është Edi Rama dhe nuk është rasti për ta shfrytëzuar edhe këtë në kuadrin e përpjekjes suaj të dëshpëruar dhe të pashpresë për një pushtet që e patë vetë sa larg e keni dhe ju siguroj, vazhdoni kështu se më larg do e keni.

Këtu sot, ajo që unë ngrita, duke përfituar nga ardhja me vrap e kryetarit tuaj që pa në televizor që po flisja unë, është, vazhdoni shani, fyeni, akuzoni, mbarteni të gjithë llumin  e kazanit dhe mbusheni kazanin çdo mëngjes me atë llum. Është politika juaj, s’ka lidhje fare dhe as nuk më intereson. Këtu nuk po pyes për këtë, por pse i shmangesh një pyetjeje shume të thjeshtë, që nuk ta bëj unë. Sot këtë pyetje ta bën çdo shqiptar. Çfarë donte Partia Demokratike, dje, në Himarë dhe pse zëri i Partisë Demokratike u ngrit më lart, me akuza të përputhura me zërat që ngrihen në vendin fqinj për arsyet e tyre politike? Është puna e atyre, por që synojnë pengimin e rrugës europiane të Shqipërisë. Synojnë të lidhin dy gjëra që nuk kanë lidhje me njëra – tjetrën.

Dil këtu Lulzim dhe thuaj shqiptarëve, çfarë donte Partia Demokratike, dje, në Himarë dhe cila është pikëpamja e Partisë Demokratike të Shqipërisë për çështjen, për qëndrimin e qeverisë shqiptare dhe për zërat që janë kthyer në zëra kundër Shqipërisë, në funksion të një axhendë që nuk është axhendë shqiptare.

* * *

Mbasi dëgjuam në mënyrë të përsëritur pllaka e gramafonit, doli vetë “la voce del padrone”.

Sali, unë do isha shumë i lumtur sikur të dija edhe greqisht. Për fat të keq nuk di greqisht, siç nuk di dhe shumë gjuhë të tjera. Ajo që nxore këtu, si një zbulim për kazanin e qytetarëve të t’u dixhitalë, është fjala përshëndetëse që unë kam bërë në kongresin e PASOK-ut me një video, për pamundësi për të shkuar atje në atë periudhë.

Që t’i thuash tjetrit gjithë ato që the, pse unë kam folur në një gjuhë tjetër dhe të tregosh kaq hapur sesa i dyfishtë je në gjithë ato që mendon dhe thua, këtë mbaje vetë. Rëndësi ka që ato gjuhë që i di, nuk i kam si ndërtime pa leje, siç i ke ti që çdo gjuhë që kujton se e di, kur e flet, duket tamam sikur ndërton pa leje. Kjo ka rëndësi. Greqishten nuk e di, do doja ta dija, por nuk e di.

The këtu që marrëveshjen e detit e paskam rrezuar unë në Gjykatën Kushtetuese, e cila votoi 9 me 0. Kurrë nuk ka ndodhur më parë, me para dhe me korrupsion, the këtu ti. Akuzë shumë e rende për atë Gjykatë, që me atë vendim ka marrë në mbrojtje interesin kombëtar dhe nuk ka marrë para dhe nuk ka bërë korrupsion. Ndërkohë, edhe një autodeklarim i yti, që ti atë marrëveshje ke dashur, ti atë marrëveshje e ke bërë nëpërmjet dorës tënde në Ministrinë e Jashtme, që sot e ke kryetar partie të komanduar dhe që ti i qëndron asaj marrëveshjeje. Rëndësi ka që shqiptarët ta dëgjojnë këtë. Ti i qëndron asaj marrëveshjeje dhe vazhdove duke bërë të njëjtën gjë që bëri Partia Demokratike, dje, në Himarë. Duke ushqyer pikërisht ato zëra dhe ato forca në anën tjetër të kufirit, që propagandojnë pikërisht këtë teori të ulët, të shpifur dhe të pavërtetë.

Nuk ka asnjë palë të tretë në këtë histori. Unë e di që me atë palën e tretë, ti ke kujtime të hidhura, por çdo palë e tretë nuk është Shqipëria, nuk është interesi i Shqipërisë dhe të paktën, kur vjen puna tek Shqipëria, mos u bëj më grek se grekët, më turk se turqit dhe më ordiner se ata ordinerë, që këtij vendi i kanë rënë në qafë me shekuj.

* * *

Zoti Vangjeli, zoti Saliu!

Unë nuk di ku i dëgjove zotrote Vangjeli, fjalët raciste, ku e pe gjuhën e urrejtjes. Unë fola për një çështje, që është një çështje e këtij vendi, e këtij populli  dhe që lidhet drejtpërdrejtë me aspiratat tona, sot. As nuk shava kënd, siç bëtë të dy ju këtu, as nuk lëshova gjysmë fjale me termat që sapo përmende. Mbase si minoritar të takonte të dilje ti këtu dhe ta pyesje Saliun, ç’kishte me atë të folur greqisht timen, jo mua. Të takonte ty të dilje këtu dhe t’i tregoje se gjuha jote është një gjuhë e madhe, është një gjuhë që fat kush e di dhe askush s’ka të drejtë ta keqpërdori, siç sapo e keqpërdori zoti Saliu. E bëra unë në vendin tënd, se ta kam thënë, ti je një minoritar, nuk je minoriteti. Ti minoritetin e ke biznes politik. Unë nuk kam biznes politik me minoritetin dhe me asnjë nga çështjet për të cilat jam ngarkuar këtu, të bëj detyrën.

Fole si gjithmonë nga havaja jote, se s’ke as dashin e havasë këtu dhe tani je bërë edhe hava, edhe dash. Këtu s’ka lidhje fare masterplani. Këtu bëhet fjalë për një projekt urbanizimi për sheshin e Himarës, për kopshtin e Himarës, për ndërtesën e re të Bashkisë Himarës dhe për përfundimin e projektit të vijës bregdetare të Himarës. Ti ngatërrove dy gjëra që nuk kanë lidhje me njëra- tjetrën, sepse ndoshta t’u kujtua dhe të foli kujtesa, sesi nën qeverinë tënde u bë hataja atje, duke i ngritur njerëzit zgupthi, me një masterplan që ti e di shumë mirë, kush e bëri, pse e bëri. Por unë kam një ndryshim nga ty. Unë nuk vij këtu me librin tënd të shtëpisë, siç vjen ti me librat e shtëpisë e të gjithë atyre që ke përballë dhe ke 27 vjet.

Zoti Saliu, ti e di shumë mirë, Shqipëria është nën akuzë, sot, nga fqinjët, për shkelje të të drejtave të minoritetit në Himarë. Ajo që të takonte ty dhe që të takon ty Sali, është që kur del e flet për këto çështje, mos të flasësh nga havaja dhe të mos bësh si dashi, po të flasësh si ish Kryeministri i Shqipërisë, tetë vjet dhe të mos ndash këtu, hesapet që ke me mua e me të tjerët, por të bësh hesapin e Shqipërisë.

Po të them zoti Vangjeli, që ne kemi kërkuar ndihmë juridike nga përfaqësues të nderuar të mendimit juridik, që janë njësoj si ty, grekë. Ka pasur një mision këtu, zoti Vangjeli, i ardhur për të bërë mbledhjen e të gjithave fakteve dhe për të  konstatuar si qëndron e vërteta. Për fat të mirë në këtë rast, se mund të mos kishte ndodhur, raporti i profesionistëve që flamurin nuk e tundin për të bërë biznes dhe as për të rrahur kë u del përballë për të bërë karrierë, thotë 100% të kundërtën që thua ti zoti Vangjeli, që thotë zoti Saliu dhe që thotë Partia Demokratike atje në Himarë dhe të tjerëve atje matanë. Shumë shpejt do ta kesh në dorë raportin, sepse për ne, për mua, qytetarët e këtij vendi nuk ndahen në shqiptarë dhe minoritarë. Kurrë nuk do ia lejoja vetes dhe kurrë nuk do përdorja pushtetin për t’i rënë në qafë një njeriu të vetëm, çfarëdo kombësie të kishte. Kjo qeveria këtu është ajo që kaloi ligjin para pak ditësh, një ligj i paprecedent për respektin e të tjerëve në këtë vend, për respektin e minoriteteve në këtë vend.

Tjetër hesapi i Saliut me historirat e tij nga havaja ku është bërë si dashi, por hesapi i këtij vendi është më i madh se hesapi im, se hesapi yt dhe se i gjithë hesapi juaj, që është një hesap që e keni bërë pa hanxhinë, zoti Vangjeli. Hanxhiu është atje, ishte në 25 qershor, ju pret atje. Këtu do jemi, keni për ta parë. Ja u kam thënë në 2013-n, ja u kam thënë në 2015-n, ja u kam thënë në 2017-n, po ua them sot për 2019-n. Këtu do jemi!

Ju vazhdoni bjereni gajdes, ja ku e keni gramafonin. Në fund fare do  shikoni se çfarë llogarish do të merrni nga hanxhiu, një për një, siç i keni marrë, sepse ato meritoni. Ju vini këtu për ta marrë popullin shqiptar si budalla dhe flisni sikur keni rënë nga qielli sot, por ju jeni të gjithë havaja e dashit.

* * *

Sjell në vëmendje lajtmotivin e kryetarit të Partisë Demokratike, “mos e dëgjoni, mos e dëgjoni, shqiptarë mos e dëgjoni!” Ndërsa unë u them shqiptarëve, dëgjojini, dëgjojini!

Duke u thënë shqiptarëve “mos e dëgjoni”, në fakt nxirrni në pah problemin që keni me shqiptarët. Shqiptarët duhet të dëgjojnë këdo nga kjo foltore dhe ndryshe nga ju që mendoni se shqiptarët mund t’i merrni për budallenj dhe mund t’u jepni orientime çfarë duhet të dëgjojnë e çfarë s’duhet të dëgjojnë, unë u them shqiptarëve dëgjojini. Dëgjojini sesi i ikin me herë, pyetjes që sot duhet të merrte përgjigje nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe natyrisht, nga drejtuesi i saj: Pse u shfaqët dje, në Himarë? Çfarë është Himara për ju? Ku dhe si mendoni që Shqipëria përmes qeverisë ka shkelur të drejtën e një njeriu të vetëm në Himarë?

Jo vetëm që kësaj pyetjeje nuk patët kurajë t’i jepnit përgjigje, duke parë në sy shqiptarët, por përkundrazi ia latë liderit legjendar rolin që ta fillojë fjalimin e tij nga havaja, me një regjistrim në gjuhën greke, të bërë për një përshëndetje nga unë që do doja shumë ta flisja gjuhën greke, por nuk e flas dhe kjo është një mangësi e imja me atë gjuhë dhe me shumë gjuhë të tjera, që do doja të flisja.

Nga ana tjetër dëgjojeni zotin Vangjeli, në vend që ta mbrojë ai gjuhën e nënës së tij dhe ti thotë zoti Saliut, që nuk është një akt i fajshëm të përpiqesh të përshëndetësh një kongres partie në atë gjuhë, kudoqoftë ai kongres dhe nuk ka pse përdoret gjuha greke për t’i thënë shqiptarëve, ja shikojeni këtë patriotin.

Unë nuk jam në garë me asnjëri se kush është më shumë patriot. Nuk është fare gara ime kjo. Secili ka llogaritë e veta me vendin, me njerëzit dhe gjykohet nga veprimet e veta. Por që ju, Partia Demokratike e Shqipërisë, të deklaroni këtu, të njëjtën gjë që deklaron një pjesë e politikës atje, se marrëveshja e bërë, e shpallur antikushtetuese 9 me 0 nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, na qenka korrupsion dhe se ju i qëndroni asaj marrëveshje, Zotin e shqiptarëve paçit në qafë, Zoti i shqiptarëve t’ju gjykojë!

Unë nuk marr përsipër të jap gjykime, por është shumë e qartë, sikundër edhe një gjë tjetër që dua ta them në mbyllje. Lulzim, më përmende në mënyrë të vazhdueshme gjuhën time. Nuk e di sa e kontrollon tënden. Të siguroj që në tënden ka shumë arsye për t’u ndierë të fyer për shpërdorimin e gjuhës shqipe dhe ndryshimi mes meje dhe teje Lulzim dhe mes gjithëve të tjerëve këtu, është: unë mësues për gjuhën time kam Fan Nolin dhe Konicën, ti ke Saliun dhe Monikën.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.