Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e konvikteve të Inxhinierisë së Ndërtimit, ku, falë marrëveshjes me qeverinë gjermane, 1080 studentë do të akomodohen në kushte optimale brenda muajit mars të vitit të ardhshëm. Projekti është i bazuar mbi programin ndërkombëtar të eficencës energjetike, që sjell ngrohjen në dysheme, standardin më të lartë të ngrohjes qendrore, si dhe një transformim të kushteve në konviktet studentore.
“Projekti është ideuar në formën e dy dhomave që formojnë një miniapartament. Çdo miniapartament ka tualetin e vet dhe dushet. Normalisht të gjitha kushtet e nevojshme që i nevojiten një studenti, internet në çdo dhomë, kuzhina në çdo kat. Kemi sistemin e lavanterisë që do bëhet në kushte moderne, brenda ka dhe rrobaqepësi. Do ketë salla studimi, si dhe një psikologe”, shprehet drejtorja e konviktit.
Aktualisht 570 studentë janë akomoduar në dy godinat e para të përfunduara, ndërsa pritet që me të njëjtat standarde të përfundojnë edhe 8 godina të tjera.
“Ndryshimi është si nata me ditën”, shprehet një studente, e cila ka jetuar më parë në konviktet e vjetra.
“Në krahasim me atje, këtu jemi 1000% më mirë”, pohon një tjetër studente.
Ndërsa Kryeministri Rama theksoi se ky është modeli i transformimit me të cilin do të vijohet edhe për godinat e tjera të konvikteve studentore, të cilat do të ofrojnë standarde bashkëkohore.
“Janë kushtet e standardet njësoj si në Gjermani për shkak të programit të Bankës Gjermane për Zhvillim. Kjo do jetë pararoja e standardeve dhe e të gjithë transformimit, ndërkohë që për godinat e tjera do veprojmë më shpejt dhe me standarde dinjitoze dhe europiane”.
* * *
Kryeministri Rama vizitoi edhe kantierin e konvikteve të Qytetit Studenti, ku njësoj si tek Inxhinieria do të rindërtohen me themel 9 godina falë marrëveshjes me qeverinë gjermane. Ndërsa 3 godina të tjera do të bëhen me ndihmën e parë të qeverisë turke, që do të pasohet nga një e dytë vitin e ardhshëm. Kryeministri tha se, brenda këtij mandati të gjitha konviktet e Tiranës dhe jo vetëm, do të transformohen dhe do të ofrojnë kushte optimale për studentët.
“Ne kemi 9 godina që do bëhen me projektin e KFW-së. Kemi programin e TIKA-s, që fola me Presidentin në Stamboll. Kjo është e para, ndërkohë do bëjmë të tjera, por fillimisht kam folur për të parën. Ndërkohë që me Aktin Normativ i kemi kaluar Bashkisë së Tiranës 300 milionë, pra, 3 milionë dollarë, për të vazhduar me të tjera. Me nënshkrimin e fazës tjetër me KFW-në gjermane kemi një grup tjetër konviktesh. Ambicia është që, brenda mandatit, të gjitha konviktet e Tiranës dhe të Shqipërisë të vijnë në standarde optimale me kushte optimale, duke pasur parasysh që janë godina ekzistuese,” u shpreh Kryeministri Rama.
Paralelisht po punohet edhe për projektin e Kampusit Universitar dhe këtë javë do të nisë evidentimi i ndërtimeve pa leje brenda territorit të Qytetit Studenti.
“Ndërkohë, do vazhdojmë paralelisht me Bashkinë e Tiranës projektin e Kampusit Universitar që sidoqoftë është një problem më vete përsa i përket pronësisë dhe kjo është edhe arsyeja përse Kampusi nuk është nisur dot, pasi kemi situatë shumë të rëndë me pronat, me kthimet e pronave me privatizimet e bëra, me lotot, me klubet, etj., një katastrofë. E rëndësishme është që jemi shumë të qartë se çfarë duhet të bëjmë,” deklaroi më tej Kryeministri, duke shtuar se asnjë nga godinat pa leje në territorin e Kampusit të Studentëve nuk mund të legalizohet.
“Ky proces, – nënvizoi Kryeministri, – siç tregojnë edhe kantieret, ka filluar përpara se të fillonte kjo histori e drejtë, me arsye të drejta që është dhe një arsye më shumë për ta çuar përpara këtë punë”.