Në komunën Dushk të Lushnjes nisi sot ndërtimi i një prej qendrave më të madhe për grumbullimin dhe magazinimin e prodhimeve bujqësore, investim i kompanisë “ELCOS Group” me qendër në Kosovë. Kryeministri Edi Rama dhe deputeti i zonës Erion Braçe vendosën gurin e themelit për ndërtimin e kësaj qendre, që vlerësohet si një investim me impakt të madh për një nga zonat më bujqësore të vendit. Në të do të jenë të angazhuar 400 punonjës, por ajo parashikohet të përfshijë në aktivitetin e saj 10 mijë fermerëve të zonës.
Investimi me vlerë mbi 7 milionë euro shtrihet në një sipërfaqe prej 21 mijë metrash katrorë dhe do të kryhet në katër faza, gjatë të cilave do të bëhet ndërtimi i magazinave dhe ambienteve frigoriferike moderne.
Investitorët synojnë që nga grumbullimi, magazinimi dhe përpunimi i produkteve bujqësore, për tregjet kosovare, rajonale dhe ato europiane, të kryejnë një xhiro vjetore prej 100 milion euro.
“Jo vetëm të plotësojë nevojat e qytetarëve të Kosovës, por do jetë dhe objekt shkëmbimi plotësues për mallra, për të plotësuar nevoja të qytetarëve të dy shteteve. Ky objekt do jetë mundësi e prodhimit të kontraktuar ndërmjet kërkuesit dhe fermerëve, do jetë objekt i eksportit, jo vetëm në Kosovë, por në shtetet e rajonit dhe në Europë. I nderuar Kryeministër, ju keni marrë një rol të veçantë në pikën e shkëmbimit tregtar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Mund t’ju them se bizneset e të dyja shteteve do ju mbështesin dhe janë të gatshëm të veprojnë. Por kërkohet që kjo iniciativë të fuqizohet edhe më shumë dhe më shpejt. Qytetarët tanë kanë nevojë për punësim, ndërsa shtetet tona për zhvillim,” – tha Presidenti i kompanisë “ELKOS Group”, Ramiz Kelmendi.
Kryeministri Rama e konsideroi një investim të rëndësishëm për modernizimin e infrastrukturës bujqësore dhe një mbështetje për fermerët, të cilëve do t’ju lehtësohet rruga drejt tregut për produktet e tyre. Investime të kësaj natyre, sipas Kryeministrit, lehtësojnë eksportet, si dhe rrisin këmbimet tregtare mes dy vendeve.
“Ky është një moment shumë i rëndësishëm. Kurorëzojmë një përpjekje të nisur përpara disa kohësh, me mikun tonë Ramiz Kelmendin, të cilin e falënderoj nga zemra për gatishmërinë, por edhe për cilësinë më të cilën iu përgjigj kërkesës sonë për të zgjeruar rrjetin e grumbullimit të prodhimeve në Shqipëri, në këtë zonë të bekuar që ka kaq shumë nevojë për të pasur një infrastrukturë moderne, të grumbullimit, të agropërpunimit dhe të eksportit. Sot, Shqipëria është vendi ku Kosova eksporton më shumë sesa kudo tjetër, por ky është vetëm fillimi, sepse unë besoj shumë që përmes investimeve të kësaj natyre, ne rrisim jo vetëm këmbimet tregtare, por rrisim edhe fuqinë tonë të përbashkët në rrugën e një bashkimi të plotë ekonomik. Unë jam shumë i bindur që ky investim do të jetë një nxitje e jashtëzakonshme për fermerët e zonës. Janë 10 mijë fermerë, familje fermere, që falë këtij investimi do të përfshihen në një rrjet bashkëpunimi, punësimi dhe të ardhurash të qëndrueshme. Sepse ajo çka garanton çelja e kësaj infrastrukture moderne grumbullimi është pikërisht të ardhurat e qëndrueshme për prodhuesit, të cilët duke hyrë më marrëveshje me kompaninë grumbulluese kanë garancinë e plotë të shitjes së çdo kilogrami të prodhimit të tyre.”
Duke përshëndetur nismën e kompanisë “ELCOS”, Kryeministri theksoi se nisma të tilla kanë ndikim edhe në konsolidimin e tokës, eliminimin e fragmentarizimit të saj, si dhe në rritjen e cilësisë. “Unë besoj shumë, – u shpreh Kryeministri, – që sot, ne po vendosim një gur tjetër kilometrik në rrugën tonë, për ta nxjerrë bujqësinë shqiptare në një hapësirë të re zhvillimi dhe shkëmbimi me botën.”
Potencialet bujqësore të kësaj zone vlerësohen jashtëzakonisht të mëdha. Rastin e kompanisë “ELCOS”, Kryeministri e cilësoi një garanci suksesi edhe për sipërmarrës të tjerë nga Kosova për të investuar në industrinë agropërpunuese në Shqipëri, të cilëve ju drejtoi edhe një mesazh.
“Ka një rritje të jashtëzakonshme të shifrave të eksportit nga kjo zonë në drejtim të shumë vendeve jashtë kufirit dhe të eksportit të një sërë produkteve jashtëzakonisht cilësore. Ne besojmë që potenciali është shumë më i madh dhe mundësitë janë shumë më të mëdha. Ajo çka na duhet është të intensifikojmë përpjekjet për të modernizuar infrastrukturën e grumbullimit dhe për të modernizuar marrëdhëniet mes prodhuesve, grumbulluesve dhe eksportuesve, duke modernizuar në themel gjithë aktivitetin prodhues e përpunues të bujqësisë sonë. Sot, në këtë zonë ka shembuj të jashtëzakonshëm suksesi, por dhe potencialesh. Duke adresuar pikërisht nevojën që këto potenciale kanë për t’u zhvilluar, ne jemi këtu për të çelur një kapitull të ri, që me siguri do ta garantojë prania e kësaj kompanie me kaq shumë potencial dhe me kaq shumë eksperiencë. Nga ana tjetër dua t’iu siguroj se plani i kompanisë është që të zgjerohet dhe më tutje dhe vullneti ynë është që t’i japim një mbështetje të fuqishme kompanisë ELKOS, për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë të gjitha sipërmarrjeve të Kosovës. Shqipëria është atdheu juaj. Shqipëria është toka juaj. Shqipëria është hapësira ku ju duhet të ndjeheni në shtëpinë tuaj, sepse është shtëpia juaj. Për çdo sipërmarrje të Kosovës që kërkon të shtrihet në Shqipëri, qeveria shqiptare do të jetë një mbështetëse e palëkundur dhe do të garantojë kushtet më optimale që sipërmarrjet e Kosovës të zhvillohen natyrshëm dhe që integrimi e ndërveprimi mes sipërmarrjes në këtë anë dhe në atë anë të Bjeshkëve të jetë sa më i plotë dhe intensiv. Edhe ky investim nuk sjell vetëm 100 punonjës permanentë, 300 të tjerë sezonalë dhe më kryesorja, 10 mijë fermerë dhe familje fermere më pranë tregut dhe të garantuar për punësim të vazhdueshëm, por sjell edhe një hov tjetër drejt modernizmit dhe një kontribut tjetër për një kulturë të re të punës dhe të ndërveprimit, pa të cilin asgjë nuk është e mundur.”