Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit, kantieri më i madh aktualisht në qytet, po merr formë dita-ditës, falë punës intensive që vijon prej muajsh.
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot në terren, ecurinë e zbatimit të projektit, konkretisht punimet për terminalin e pasagjerëve dhe zgjatjen e zgjerimin e pistës. Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici bëri të ditur se gjithçka po realizohet sipas standardeve europiane dhe se me ritmet e larta të punës do të jetë gati shumë shpejt. “Mendoj që me këto ritme në fund të marsit e mbyllim. Do të bëhet sistemimi i ujrave të bardha dhe të zeza. Do të bëjmë rrugën gati për t’u lidhur me autostradën kryesore. Do të bëhet rrugë e re komplet. Edhe ata që vijnë nga Kosova do të futen në aeroport direkt , po ashtu edhe ata që vijnë nga Tirana”, – u shpreh ai.
Duke vlerësuar punën madhore të bërë deri tani, Kryeministri inkurajoi vijimin me të njëjtat ritme të punimeve, në mënyrë që pranverën e ardhshme të nisin fluturimet e para. “Më 23 prill, unë dua të sjell këtu ata [kuksianët] të Londrës. Normalisht në pranverë do të mbarojë edhe ura e re , besoj nga fillimi i majit dhe të gjithë sistemimet e Rrugës së Kombit. Do të bëhet Rruga e Kombit një spektakël i vërtetë, me ndriçim nate se ishte si një shteg,” – u shpreh Kryeministri, ndërsa shtoi se aeroporti më pas i hap rrugë eshe investimit në Shishtavec, për ta kthyer në një pikë të turizmit malor.