Në kantierin e rindërtimit me një plan të ri zhvillimi për Bubqin

8 mijë banorët e Bubqit, të cilët deri dje nuk kishin asnjë shërbim në njësinë e tyre administrative, madje as një qendër të mirëfilltë, brenda pak muajsh do të kenë të gjithë infrastrukturën e nevojshme, falë përfshirjes së kësaj zone të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit në projektin e Rindërtimit. Jo vetëm shtëpitë e dëmtuara dhe pallatet e rrënuara, të cilat do të ringrihen në dy lagje model, por edhe e gjithë kjo njësi e Bashkisë Krujë do të transformohet totalisht përmes një fondi prej 2.5 milionë dollarësh vetëm për infrastrukturën, e cila ka nisur tanimë zbatimin në terren.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj vizituan sot këtë kantier rindërtimi ku puna vijon çdo ditë për të jetëzuar planin e ri të zhvillimit për qendrën administrative e komunitare.

“Do ndërtohen 45 apartamente në pallate dhe 132 vileta. Plotësohen 45% të nevojave që ka njësia administrative për ndërtim, pasi numri i përgjithshëm është 300. Përveç kësaj, ka dhe shërbime publike moderne. Kemi shkollë, qendër shëndetësore, posta, një zyrë për shërbimet policore, një treg të vogël brenda zonës së banimit,” thotë kryetari i Bashkisë Krujë, Artur Bushi.

“Kemi filluar me infrastrukturën inxhinierike, ujësjellës, kanalizime për trajtimin e ujërave të zeza dhe ujërave të shiut dhe me rrjetin rrugor të të gjithë njësisë. Aktualisht, kemi filluar me dy urat e reja. Është i gjithi një rrjet rrugor i ri, i cili do i shërbejë të gjithë zonës. Do krijojmë dhe një qendër të zonës ku janë dhe shërbimet administrative. Kjo i hap rrugën fillimit të infrastrukturës tjetër të banimit,” shprehet kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.

Ministri i Rindërtimit tha se projekti i Rindërtimit nuk iu shërben vetëm atyre që u dëmtuan drejtëpërdrejtë nga tërmeti, duke humbur shtëpitë, por edhe komuniteteve të këtyre zonave.

“Do iu shërbehet jo thjesht atyre që do përfitojnë nga Rindërtimi, por gjithë zonës së Bubqit. Kthehet në një qendër komunitare për të gjithë zonën, pasi Bubqi nuk ka një qendër të mirëfilltë. Në fund të shtatorit ka ecur infrastruktura dhe fillon puna për njësitë individuale dhe pallatet,” u shpreh ministri Ahmetaj.

Kryeministri Rama tha se procesi ka kaluar nëpër shumë etapa për të ardhur në pikën finale ku ndodhet sot.

“Është një proces që ka kaq shumë shtresa, që nga fillimi i punës me konstatimet, pastaj me verifikimet, ankimimet, pastaj me financimin, projektimin, projektzbatimin, tenderimet dhe tani që të gjitha kanë filluar, faktikisht, nga pikëpamja e infrastrukturës. Patjetër që padurimi bëhet më i madh çdo ditë, por padurimi më i padurueshëm është për ata që s’kanë lidhje me këtë proces, që janë nëpër shtëpitë e tyre edhe që kritikojnë, mallkojnë e këshillojnë pa lidhje, por këtu do jetë një gjë fantastike. Do bëjmë të gjithë kontratat dhe faktikisht në proces të gjithë ata që kanë nevojë për shtëpi do kenë kontratën dhe do ta presin vazhdimin dhe përfundimin e punimeve me kontratë në dorë, duke ditur ekzaktësisht çfarë do marrin, ku do e marrin, ndërkohë që puna do kohën e vet, nuk mund të bëhet sa hap e mbyll sytë. Po ashtu këtu do jetë një pikë shumë e mirë se do zgjidhim edhe problemet që kemi pasur për shërbimet,” u shpreh Rama.