Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në kantierin e rindërtimit të Kampusit të Universitetit Bujqësor punohet papushim për të përfunduar sa më shpejt 8 godinat e reja. 2200 studentë do të jetojnë në kushte optimale, si në konviktet më cilësore në Europë.

Për të inspektuar ecurinë e deritanishme të punimeve ishte sot në kantier, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj.

“Kemi parashikuar që gjysma e objekteve të jenë gati që këtë shtator, në varësi se si do shkojë procesi i vaksinimit dhe kur do rihapen universitetet. Gjysmat do jenë gati, duke patur parasysh që ditën që i prishëm 8 nga 9 godinat ishin të zaptuara dhe vetëm 1 ishte me 100 studentë. Tani do kthehen të 8-ta për 2200 studentë. Ajo që ne parashikojmë është që përveç Universitetit Bujqësor, duke qenë se kushtet janë shumë të mira, edhe nga fakultete e universitete të tjera të kërkohet që të transferohen këtu. Ajo që ne kemi vënë re është që është rritur vlera e të gjithë pronave përreth”, – u shpreh kryebashkiaku Veliaj, ndërsa shtoi se dy katet e para të godinave do të vihen në dispozionin të Universitetit për plotësimin e mjediseve që mungojnë, si zyra këshillimi, laboratorë praktike, etj.

Ministri për Rindërtimin Ahmetaj tha se Kampusi do të shërbejë edhe si qendër komunitare. “Është pjesë e Paktit për Universitetin dhe një investim prej 10 milionë dollarësh nga qeveria shqiptare, që do të presë 2200 studentë. Do të kthehet edhe në një qendër komunitare e do të jenë e përdorshme nga e gjithë njësia”, – u shpreh Ahmetaj.

Kryeministri Rama theksoi se edhe në këtë kantier, ritmet janë intensive në 7 ditët e javës. “Të shtunë, të dielë, ky kantier është si Shqipëria sot, në ekonomi, në arsim, në shëndetsi, në turizëm, në bujqësi.“

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.