Sezoni turistik është në prag dhe kudo po punohet për të lehtësuar komunikimin me zonat më të frekuentuara.
I tillë është segmenti Sukth-Maminas ku po punohet për zgjerimin e trasesë, asfaltin, trotuaret dhe ndriçimin.
“Këtu jemi në një aks shumë të rëndësishëm në njësinë administrative Sukth, ku kemi filluar riparimin e një segmenti prej 6,3 kilometrash, i cili konsiston në rehabilitimin e gjithë shtresave asfaltike. Ky segment do të shërbejë për të shfryrë edhe fluksin gjatë sezonit turistik në qytetin e Durrësit, pasi do të shkarkojë rrugën e Maminasit deri në gjirin e Lalzit,” – u shpreh kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako gjatë inspektimit që Kryeministri Edi Rama bëri sot në kantierin e rrugës.
“Gjatë gjithë aksit zgjerimi i rrugës është bërë 6 metra. Edhe atje ku rruga ka qenë më e ngushtë është rehabilituar. Atje ku ka zonë urbane, rruga do të pajiset me trotuarë dhe me sinjalistikë për qëndrimin e autobusëve dhe përgjatë gjithë aksit. Do t’i vijë në ndihmë komunitetit, bizneseve të zonës dhe pushuesve,” – shtoi kryebashkiakja Sako.