Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Puna në kantierin e spitalit rajonal të Fierit po vijon 24 orë në shtatë ditë të javës paralelisht në disa sektorë. Mbrëmjen e sotme që shënon edhe ditën e 24 që nga çelja e kantierit, ndalet Kryeministri Rama për të parë ecurinë e punimeve. Strukturat e përdorura për ngritjen e kësaj godine moderne janë antisizmike.

“Janë mbaruar gërmimet dhe mbushjet, rreth 30 mijë metër kub gërmime dhe po vazhdojnë njëkohësisht disa procese. Paralelisht po punohet për montimin e hekurit në seksionin D, vazhdohet nivelimi në seksionin A. Seksioni F që është dhe seksioni i urgjencës dhe i dhomave të krahut të majtë”, – flet rreth projektit supervizori i punimeve.

Rreth 300 punonjës janë angazhuar aktualisht në këtë kantier, teksa ditë pas dite pritet të rritet numri i tyre edhe me 200.

Çdo seksion i spitalit do të lidhet me njëri tjetrin falë korridoreve lidhëse. “Nëpërmjet korridoreve seksionet do të lidhen me njëra-tjetrën, ndërkohë vazhdojmë dhe me betonimin e themeleve të seksionit kryesor që do të jetë një ndërtesë dy kate.”, – thotë supervizori.

Puna vijon gjithashtu edhe me shtrimin e rrjetit elektrik dhe kanalizimeve. Gjithashtu po punohet paralelisht për rrugën në mënyrë që të mbarojë në të njëjtën kohë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.