COVID 3 është struktura më e re spitalore, e përshtatur në kohë rekord si një spital karantinë, me kushte dhe standarde bashkëkohore, e vënë në dispozicion për të përballuar çdo rikthim të mundshëm të një vale infektimi.
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot në spitalin e ri. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se kapaciteti prej 100 shtretërish i këtij spitali do të vihet në dispozicion të pacientëve, në periudhën e përmirësimit të tyre, pas trajtimit të marrë në Spitalin Infektiv dhe deri në shërimin e plotë nga virusi.
“Kjo është struktura, e cila është vënë në dispozicion me një vendim të qeverisë për t’u përshtatur si një spital karantinë. Ne kemi kryer të gjithë rehabilitimin e kësaj strukture, falë solidaritetit të biznesit dhe tashmë është një strukturë spitalore. E kemi menduar në skenarin tonë, nëse do të kishim një fluks të rasteve pozitive dhe që kapacitete aktuale nuk do ta përballojnë, por edhe nëse ne do të duam që pacientët, të cilët trajtohen në spitalin Covid 1(infektivi), në rastin kur ata përmirësohen, do të duhet që në periudhën e konvaleshencës të jenë në këtë spital. Pavarësisht se do të përdoret si një spital konvaleshent, patjetër që është e nevojshme për të patur një standard të terapisë intensive. Kapaciteti i këtij spitali është 100 shtretër. Janë 50 shtretër me oksigjen, përfshirë këtu edhe ato të terapisë intensive. Dhomat në dy katet e para kanë pajisjet e oksigjenit. Janë gjithashtu dhomat e personelit shëndetësor. Në skenarët tanë kemi parashikuar 400 shtretër, për të gjitha to raste kur fluksi do të jetë i madh dhe dihet që vala e dytë mund të jetë probabël dhe duhet të përgatitemi. Ndërkohë është shumë e rëndësishme që këtë spital ta përgatisim edhe me sallën e mikrokirurgjisë apo të kirurgjisë.” – u shpreh Manastirliu.
Kryeministri Rama tha se vala e pandemisë u menaxhua më së miri falë angazhimit dhe përkushtimit të mjekëve, por edhe falë planit të masave parandaluese të zbatuar me përpikmëri, por rreziku i një vale të dytë ende është prezent. “Situatën ne arritëm të menaxhojmë më së miri, natyrisht, në radhë të parë, falë mjekëve dhe të gjithë juve, por besoj edhe falë faktit që vepruam drejt dhe insistuam në ndjekjen me rigorozitet të planit që kishim bërë. Nga ana tjetër, përderisa nuk u përsëritën këtu shfaqet e rënda dhe të forta emocionalisht, siç u paraqitën në vende të tjera, pak nga pak filloi të marri terren shqetësimi për aspektet e ekonomisë, normale, por edhe filloi të marri terren ideja që pse na u desh e gjithë kjo, kur paska qenë kaq e thjeshtë. Ndërkohë që e u bë e lehtë, sepse bëmë këto, përndryshe do të ishim në një situatë komplet tjetër. Nga ana tjetër, unë uroj shumë që vala e dytë të jetë një nga parashikimet e gabuara që janë bërë në këtë periudhë, kur asnjë nuk e di, me thënë të drejtën, as në Amerikë, as në Itali, as në Francë, në vende që kanë sisteme ekspertize shumë më të forta se ne, çfarë ishte, si do të përballohej, nga vinte. Unë uroj shumë që të mos ketë valë tjetër, por rreziku është i madh dhe nëse njerëzit nuk do të jetë vetë të ndërgjegjshëm që nuk duhet të sillen si normalisht më parë, por duhet t’i ruajnë ca rregulla themelore, mund të ndodhë që numrat jo vetëm të rriten, por të shoqërohen edhe me atë që nuk e patëm herën e parë dhe ky spital është përgjigja e duhur për të qenë gati, ashtu sikundër të gjitha masat e tjera që po marrim, në mënyrë që po të vijë prapë, ne do të përgjigjemi, nuk ka kush të përgjigjet tjetër.”