Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të prezantuar prioritetet e Kryesisë Shqiptare të OSBE-së:

Zoti President,

Anëtarë të Këshillit të Sigurisë,

Shkëlqesi,

Të nderuar kolegë!

Jam shumë i nderuar që i drejtohem këtij Këshilli të shquar, në cilësinë time si kryetar i radhës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë!

Kjo mundësi për shkëmbimin e pikëpamjeve lidhur me sfidat bashkëkohore të sigurisë është shndërruar në një traditë të vlefshme dhe është një shprehje e bashkëpunimit të shkëlqyer midis organizatave tona. OKB-ja dhe OSBE-ja janë partnerë të natyrshëm. Si organizata më e madhe rajonale e sigurisë në botë në kuadër të kapitullit të 8-të e Kartës së OKB-së, OSBE-ja është një shtyllë e rëndësishme e rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla. Puna jonë mbështet drejtpërdrejtë zbatimin e mandatit global të OKB-së, si dhe Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Qysh prej vitit 1993, një kuadër i strukturuar e ka udhëhequr bashkëpunimin tonë, forcuar nga një deklaratë e përbashkët në dhjetorin e vitit të kaluar. Gjatë 2020-s jam i vendosur si kryetar i OSBE-së për të maksimizuar bashkëpunimin tonë në praktikë. Sëbashku mund të përballemi me sfida kyçe të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe të promovojmë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe shtetit të së drejtës.

Për Shqipërinë, marrja e kryesisë së OSBE-së është një ngjarje madhore, që shënon një hap më sipër në lidershipin tonë ndërkombëtar. Në krye të OSBE-së, objektivi strategjik i Shqipërisë do të jetë të mbrojë veprimin shumëpalësh në një kohë kur ndjejmë se po sulmohet. Kjo është arsyeja që na nxiti të kryesojmë OSBE-në dhe që frymëzon kërkesën tonë për t’u ulur në të ardhmen në këtë Këshill të shquar.

Më lini të përshkruaj se çfarë duam të bëjmë. Veprimtaria e kryesisë shqiptare do të mbështetet në 3 shtylla e përparësi.

E para është të bëjmë dallimin në terren. OSBE-ja e ka provuar kohë pas kohe se mund të dislokohet në mjedise sfiduese të konfliktit dhe pas konfliktit. Ne do të promovojmë punën e Organizatës tonë sa më pranë njerëzve tanë. Kësisoj përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit qëndrojnë në krye të agjendës tonë.

Kriza në Ukrainë mbetet sfida më e ngutshme e sigurisë në Europë sot. Ndaj kontributi unik që jepet nga Misioni i Posaçëm i Monitorimit në Ukrainë, për të nxitur paqen, është thelbësor. Dy javë më parë bëra vizitën time të parë, në këtë cilësi, në Ukrainë ku u takova me Presidentin Zelensky dhe me të gjithë atje dhe i sigurova homologët e mi për të gjithë përkushtimin për të çuar më përpara përpjekjet për paqen, duke çuar më përpara angazhimet e OSBE-së dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Minskut. Po kështu do të mbështesim përpjekjet në grupit trepalësh dhe në Formatin e Normandisë. Qëllimi i dialogut në këto formate, si dhe rezultatet e Formatit të Normandisë janë hapa në drejtimi e duhur.

Megjithatë ende vijon të ketë viktima ndër civilë me humbje jete. Kësisoj na duhet që së pari të sigurojmë një armëpushim të plotë e të qëndrueshëm. Ajo çka dëgjova në takimet e mia në Ukrainë ishte kërkesa për një monitorim të mëtejshëm të OSBE-së në Ukrainën Lindore, në kuadër të mandatit të Misionit të Posaçëm të Monitorimit dhe ne do të mbështetim këtë mision në zbatim të plotë të mandatit të tij. Kur udhëtova në linjën e kontaktit, pata mundësinë të vëzhgoja ndikimin në praktikë të këtij operacioni madhor në terren, duke vepruar në një mjedis sfidues dhe të paqëndrueshëm Misioni i Posaçëm i Monitorimit i OSBE-së ofron një kontribut të posaçëm e thelbësor drejt paqes. Natyrisht, kontributi unik që jepet nga ky Mision është thelbësor.

Duhet natyrisht vullnet politik nga të gjitha palët dhe unë nuk do resht së bëri thirrje për këtë. Vullneti politik është vërtetë kyç për paqe dhe unë munda të shoh me sytë e mi se ura e rihapur në Stanica Luhanska u ka lehtësuar vështirësitë atyre që jetojnë në të dy anët e linjave të kontaktit dhe sesi aspektet e sigurisë dhe humanitare të konfliktit shkojnë krah për krah. Këto hapa pozitive duhet të replikohen dhe shumëfishohen.

Megjithatë përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit të OSBE-së janë më të gjëra. Gjatë kryesisë sonë, ne mbështesim gjithashtu edhe përpjekjet e bashkëkryetarëve të grupit të OSBE-së të Minskut. Javën e kaluar, bisedimet në Gjenevë eksploruan hapat e mundshëm të ardhshëm për të përgatitur popullsitë për paqe, si dhe u diskutuan parimet dhe elementet që mund të përbëjnë bazën për zgjidhjen e  ardhshme të Nagorni Karabakut. Duke parë Gjeorgjinë, sëbashku me Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, OSBE-ja është gjithashtu bashkëkryesuese e diskutimeve ndërkombëtare të Gjenevës, ku ne si të thuash mbajmë dialogun për uljen e shkallëzimit dhe zhvillimin e dialogut në krye të agjendës.

Ndërkohë që kanë kalua 12 vjet qysh prej konfliktit, njerëzit në terren ende janë të prekur nga sfidat e sigurisë dhe humanitare, përfshi edhe kufizimet e lirisë e të lëvizjes.

Ndërkohë që Kryesia mbështet edhe procesin e zgjidhjes Trasdniestrian dhe i qëndron qasjes së orientuar nga rezultatet me nxitjen e progresit të bisedimeve 5+2.

Ndërtimi i masave të ndërtimit të besimit në fushën sociale dhe të arsimit gjithashtu i sjell dhe popullsitë nga të dyja anët sëbashku.

Në fund do të kontribuojmë edhe për zgjidhjen gjithëpërfshirëse, mbështetur në sovranitetin territorial dhe integritetin e Republikës së Moldavisë brenda kufijve të njohur ndërkombëtarësh, me një status të posaçëm për Transdniestrinë.

Në rajonin e OSBE-së, natyrisht, organizata jonë luan një rol kyç edhe në paralajmërimin dhe sëbashku në fazat e ciklit të konfliktit.

Të frymëzuar nga 20 vjetori i miratimit të rezolutës së Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, 13-25, Shqipëria do të injektojë një ritëm të ri në promovimin e rolit të grave në procesin e paqes. Në fakt, unë e di personalisht, në qeverinë time, sesa efektiv mund të jetë kontributi, sa efektiv është kontributi i drejtueseve gra dhe shpresoj që kjo dosje do të përmirësohet, si të thuash, do të jetë një prej bashkëpunimeve të rritura midis Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së.

Mundësi të tjera për përforcimin e përpjekjeve të ndërsjella do të jetë lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, ndërtimi mbi bashkëpunimin e shkëlqyer me zyrën e OKB-së Kundër Terrorizmit, si dhe trajtimi i krimit të organizuar transnacional, në bashkëpunim me Zyrën e OKB-së Kundër Drogës dhe Krimit.

Përparësia e dytë e Shqipërisë është zbatimi i angazhimeve tona. Instrumentet dhe institucionet e OSBE-së janë thelbësore për të garantuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Në fakt, ndikimi i tyre shtrihet përtej rajonit tonë dhe sjell përfitime në komunitetin më të gjerë ndërkombëtar. Promovimi i lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, garantimi i të drejtave të pakicave kombëtare dhe lufta kundër dhunës ndaj gruas janë prioritetet tona të menjëhershme dhe urgjente.

Çuarja përpara e mirëqeverisjes është një sfidë tjetër e kohëve tona. Korrupsioni gërryen themelet e shoqërisë sonë dhe është një kërcënim madhor ndaj stabilitetit dhe prosperitetit. Për këtë arsye, Shqipëria do të promovojë përpjekjet e OSBE-së në luftën kundër këtij fenomeni e do të organizojë një konferencë të nivelit të lartë kundër korrupsionit në Tiranë.

Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore është një tjetër fushë, ku OSBE-ja po bëhet një lojtar global si bashkëkryesues i Agjencisë, apo i grupit të bashkërendimit midis agjencive Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe ne do të maksimizojmë veprimin tonë në partneritet me Kombet e Bashkuara, duke shënuar 20 vjetorin qysh prej miratimit të protokolleve të Palermos.

Që prej krijimit të saj, OSBE-ja ka zhvilluar një ekspertizë të jashtëzakonshme mbi kontrollin e armëve në 2020-n. Ne kemi për synim të vendosim si përparësi luftën kundër përhapjes së armëve të vogla dhe armëve të lehta dhe të shkatërrojmë tepricën e stokut të municioneve. Ndërkohë që Organizata jonë shkëlqen dhe në kundërpërgjigje ndaj sfidave që po shfaqen, si sfida e sigurisë kibernetike dhe këtu kemi zhvilluar gjithashtu edhe një aset të ri të masave për ndërtimin e besimit, për të reduktuar rrezikun e konflikteve që vijnë nga përdorimi apo shfrytëzimi i teknologjisë së informacionit.

Përparësia e tretë është dialogu. Disa mund të thonë që dialogu është qëllimi fundor i OSBE-së dhe ndarja në rajonin tonë e tregon sesa shumë kemi nevojë për të. Këtë vit është përvjetori i 30- të i Kartës së Parisit për një Europë të re, për të promovuar trashëgiminë e saj. Unë do ta bëj angazhim personal avancimin e dialogut midis shteteve të OSBE-së dhe brenda e midis shoqërive tona. Pra, jemi 57 vende e më shumë se 1 miliardë njerëz.

Çështje kryesore si reduktimi i riskut, gjithashtu parandalimi i incidenteve dhe mbrojtja mjedisore do të jenë pjesë e debateve midis shteteve të OSBE-së. Ne duhet të dyfishojmë përpjekjet kundër diskriminimit. Në fakt, kur u nisa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne kishim konferencën në Tiranë kundër semitizmit dhe natyrisht ndamë përvojën krenare të Shqipërisë për dhënien strehë të hebrenjve, si një nga vendet europiane që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa përpara saj. Shqipëria është mjaft krenare për historinë e saj të tolerancës kulturore fetare që është thelbësore për paqen dhe stabilitetin. Në fakt, në kryesim të OSBE-së, ne do të frymëzohemi nga tradita jonë e tolerancës, hapjes dhe respektit.

Të nderuar shkëlqesi,

në përballje me gamën e gjerë të sfidave komplekse, sot, veprimi global duhet të mbështetet në bashkërendimin e punës së organizatave rajonale. OSBE-ja është një partner efektiv i Kombeve të Bashkuara dhe një hapësirë për të promovuar idenë se konkurrenca midis fuqive të mëdha duhet t’i hapë rrugë bashkëpunimit midis fuqive të mëdha. Unë besoj se parimet bazike themelore të Aktit final të Helsinkit, respektimi i sovranitetit, integriteti territorial dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut mbeten ende sot, siç ishin më parë, një recetë efektive dhe e thjeshtë për sukses, prosperitet dhe paqe në të ardhmen. Detyra jonë këtë vit është që të ruajmë këto parime. Sëbashku me OKB-në dhe me OSBE-në, ne mund të jemi vendimtarë.

*Përkthim simultan 

 

*** 

 

*Fjala përmbyllëse e Kryeministrit Edi Rama në Seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për prioritet e Kryesisë Shqiptare të OSBE-së:

Faleminderit zoti kryetar!

Me shumë mirësjellje, ambasadori Hojsgen përmendi në komentet e tij hyrëse që unë kam luajtur një sport që ka të bëjë me të kërcyerit sa më lart, pra, krahasuar me të tjerët. Megjithatë, dua të sigurohem që të gjithë të dinë se e shoh Kryesinë Shqiptare si një mision për të mbajtur këmbët në tokë.

Jam mjaft i vetëdijshëm se ajo me çka Shqipëria mund të kontribuojë gjatë 2020-s nuk është të konkurrojë me ndonjë prej gjigandëve të përfshirë në formula, në grupe kontakti, në forume e formate, pasi u takon atyre që të nxitin për gjetjen e zgjidhjeve përfundimtare. Ajo çfarë ne mund të bëjmë e që mund të jetë një vlerë e shtuar është të mos harrojmë se ndërkohë që zhvillohen diskutime në nivelet më të larta e po kështu, shkëmbime si ajo që ne dëshmuam, ka njerëz që po vdesin.

Dua që të dini se mbi 4 milionë njerëz në të dyja anët e linjës së kontaktit, që kanë përfituar nga Misioni i Posaçëm i Monitorimit me lehtësimin e armëpushimeve, janë pjesë e kësaj përditshmërie tragjike. Më lini t’ju them që qysh prej dhjetorit të 2019-s ka 20 mijë incidente mes të cilave 7 mijë janë shpërthime, 69 të vdekur pas deklarimit të armëpushimit dhe pasi u mor përsipër nga palët. Nuk është një numër kaq i vogël, edhe pse numri i përgjithshëm i viktimave është ulur në mënyrë të ndjeshme, sido që të jetë, nuk është shifër e papërfillshme. Unë do t’i bashkohem atyre që e përgëzuan Presidentin Zelenskiy, sepse mendoj që ai po ofron nëpërmjet hapave jo të lehtë, një kontribut për t’u hapur karshi një dialogu më intensiv dhe më të frytshëm.

Shkëmbimi i grupit të madh të të dënuarve në 29 dhjetor 2019 ishte posaçërisht i rëndësishëm. Por gjithashtu dua të theksoj se ka diçka faktike. Nuk dua që t’i hyj rrugës së vështirë të të marrit anë, dua të them diçka faktike që ka një ndjesi të përhapur, mbështetur në fakte, që pala ukrainase po flet me ndërmjetës. Pra, ky është problemi, ndaj duhet diçka më thelbësore nga pala ruse për të kontribuuar e influencuar sepse e dimë që ata mund të kenë një influencë mjaft të madhe tek palët në terren.

Unë e kam vizituar zonën dhe e kam ndarë dhe me ju, Zoti President, është diçka që nuk arrin dot ta besosh edhe kur je aty. Është njësoj si në ato filmat post apokaliptik, me 10 mijë njerëz mesatarisht që ecin për të kaluar një lumë të vogël nëpërmjet një urë që është e gjerë vetëm sa madhësia e një ambulance, jo më e gjerë se aq. E meqë ra fjala, ambulanca ende nuk mund të shkojë në destinacion, sepse ende nuk ka një marrëveshje për të lënë qoftë edhe pacientët që janë me sëmundje terminale, për të kaluar anën tjetër dhe ka pacientë, të cilët vdesin duke ecur në një mot mjaft të ftohtë, mjaft të vështirë.

Nuk e kam përjetuar ndonjëherë diçka të tillë. Në fakt 90% e këtyre 10 mijë njerëzve janë të moshuar. Duhet të shkojnë nga ana tjetër që të marrin pensionet, iu duhet të shkojnë në anën tjetër për të marrë barnat. Nuk mendoj se është e vështirë për të dyja palët që të arrijnë të kuptojnë se këta njerëz që janë njerëz të Zotit dhe në të njëjtën kohë, ndërkohë që fillojmë pretendojmë a janë rusë, a janë ukrainas, a kualifikohen për këtë, apo për atë, duhet t’u japim mundësinë që të çojnë të afërmit e tyre që po vdesin në spital, pa u dashur që të ndalojnë në mes të rrugës. Kjo është ajo që mendoj se mund të përpiqemi të bëjmë.

Më uroni fat dhe do të përpiqemi që ta bëjmë këtë gjatë këtij viti.

Për t’iu përgjigjur pyetjes së ambasadorit estonez, për mënyrën se si OSBE-ja dhe Kombet e Bashkuara mund të bëjnë më shumë, apo si Kombet e Bashkuara mund të ndihmojnë për të bërë më shumë, mendoj që ne duhet të bashkëpunojmë më shumë, sepse pas OKB-së, OSBE-ja është organizata e dytë më e madhe me 57 shtete, me 1 miliardë banorë e me kaq probleme. Sinqerisht duhet të bëjmë më shumë për t’u siguruar që ajo për të cilën është rënë dakord në vitin 1975 vijon të jetë e vlefshme, integriteti territorial, stabiliteti dhe sovraniteti duhen respektuar. Flasim për 1975-n dhe në 1975-n, unë isha pionier me shall të kuq në një vend që ishte Koreja e Veriut e Europës dhe ishte i vetmi vend që jo vetëm refuzoi që të anëtarësohej në OSBE, por e denoncoi OSBE-në si një pikë tjetër e ulët e degjenerimit të perëndimit.

Kështu që mund t’ju them që si një njeri që vjen prej andej, që e sheh botën sot, këto parime mbeten ende të vlefshme, por ndonjëherë e shumë herë, duke ndjekur mënyrën se si gjërat shkojnë midis nesh, duket sikur këto parime janë thjesht të mira për t’u përdorur për të luftuar kundër njëri-tjetrit, jo për t’u bërë bashkë e për t’i zgjidhur gjërat, duke u mbështetur në këto parime, duke iu përmbajtur këtyre parimeve së bashku.

Pika ime e fundit është se nuk duhet përjashtuar një operacion i mundshëm paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara, saktësisht në zonën për të cilën po debatojmë. Përse? Sepse ka diçka mjaft shqetësuese, sidomos Misioni i Posaçëm i Monitorimit ka sjellë shumë ndryshim dhe ashtu siç tha edhe kolegu rus, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, por a e dini çfarë? Kjo ndodh gjatë ditës, por kur bie nata kthehemi nga e para, shpërthime, të shtëna. Ndaj kemi filluar të bëjmë një punë të mirë, duke përfshirë teknologjinë, duke qenë se Misioni vetë nuk mund të sigurojë monitorim njerëzor 24 orësh në të gjitha pikat e kufirit, ndërkohë që video survejanca mund ta bëjë një gjë të tillë.

Ndaj një operacion paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara mund të merret në konsideratë dhe shpresoj fort që gjithsecili ta konsiderojë këtë si një instrument për të sjellë diçka më thelbësore në mendjen e atyre, të cilët garantojnë ruajtjen e armëpushimit, ndërkohë që vazhdojnë këto formatet, diskutime, formula, të cilat kërkojnë kohë të gjatë.

Në fakt më la përshtypje dikush këtu që përmendi nevojën për të zbatuar diçka që ishte vendosur tashmë që në 2008-n, pra, nga 2008-ta në 2020-n, në 12 vjet ka njerëz që kanë vdekur, kanë vuajtur, janë në rrezik, ndërkohë që konflikti nuk është zgjidhur e mund të mos zgjidhet. Kjo është ajo çfarë kam për të thënë. Kësisoj OSBE-ja dhe Kombet e Bashkuara mund të bëjnë diçka që palët në konflikt, ata lehtësues apo ndërmjetës për konfliktin ndoshta nuk mund ta bëjnë, të bëjnë më shumë për njerëzit që po kalojnë një jetë ferri, ndërkohë që bëjmë këto ecejake, të cilat nuk janë premtuese, sepse mund të vazhdojnë për vite të tëra.

*Përkthim simultan 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.