Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën e XVIII-të të Kryetarëve të Parlamenteve të nismës Adriatiko-Joniane:

 

Faleminderit shumë dhe ju uroj një mirëseardhje mjaft të përzemërt të gjithëve ju në këtë eveniment ku kam nderin të flas dhe me shpresë të mos ju mërzis. Është një mëngjes interesant, pasi dje mësuam se cilët ishin finalistët e kupës së Europës që do të ndodhë për herë të parë në historinë tonë, do të mbahet në Shqipëri.

Nisma Adriatiko-Joniane është diçka që i shtohet nismave gjithnjë e më të shumta të zhvillimit në kuadër të paqes, të zhvillimit dhe në një periudhë kohe ku ka mundësi vërtet të jashtëzakonshme për të kërkuar dhe për tu siguruar që të kthehen në ndryshime dhe transformime reale në jetën e qytetarëve tanë.

Ajo çka po ndodh sot në Evropë jo larg prej këtej, në Ukrainë, është një mësim i jashtëzakonshëm për të gjithë ne që të vazhdojmë e të ecim në rrugën e forcimit të paqes, forcimit të bashkëpunimit për të shmangur në të gjitha mënyrat rënien në kurthet e së shkuarës, sa më thellë që hyn në Ballkan, aq më të thella janë ato. Mësimi i kësaj lufte, është një mësim i çmuar për të gjithë ne dhe është një moment shumë i rëndësishëm në historinë tonë për ta bërë gjithçka të mundur për të ecur përpara, duke bërë çdo gjë që mundemi për të forcuar bashkëpunimin tonë në këtë rajon, për të ndërtuar sa më shumë të jetë e mundur ura të reja bashkëpunimi, ndërveprimi, shkëmbimi midis njerëzve, midis bashkësive të biznesit, midis bashkësive të artit e kulturës e sigurisht midis shteteve.

Nga ana tjetër, është mjaft e rëndësishme që të bëjmë gjithçka që ta bëjmë këtë bashkëpunim një vlerë të shtuar për të eksploruar potencialet e mëdha të vendeve tona.

Të gjithë ne ndërkohë, jemi në proces për tu integruar në Bashkimin Europian, që e kemi mësuar në kurriz që nuk është proces i lehtë, ndonjëherë edhe proces neurotik. Ndërkohë që flasim, Shqipëria është në një situatë shumë, shumë të çuditshme, peng i një bllokimi midis fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut dhe vendit mik, Bullgarisë. Është nga ato lloj situatash që vetëm Bashkimi Europian mund ta krijojë e nuk ka libër, nuk papërvojë apo ndonjë shpjegim të matur si mund të trajtohet. Si mund të mbetesh peng i një mosmarrëveshjeje midis dy subjekteve a vendeve të tjera? Por, ja që kështu është, siç do thoshte Donald Trump.

Kësisoj, na duhet të ecim përpara, na duhet të mos humbasim durimin, por pikë së pari na duhet të mos humbasim pasionin për Europën. Europa për ne është ajo çka ishte për etërit themelues, një projekt i mirëfilltë paqeje dhe sigurie.

Për disa që janë më të mëdhenj e më të pasur, Europa është një bankomat, për ne jo. Për ne mbetet një vend paqeje dhe sigurie e jo vetëm kaq por Europa për ne është zgjedhja jonë e parë me vullnet të lirë në histori.

Europa është zgjedhja jonë e parë me vullnet të lirë.

Ne kemi shumë për të mësuar prej jush, por edhe kemi shumë për t’i dhënë kësaj nisme e rajoni dhe jemi tejet të angazhuar për ta bërë këtë gjë. Ne duam të nxisim paqen dhe bashkëpunimin në çdo mënyrë të mundemi, duam të ndërtojmë ura të reja në të gjitha drejtimet që mundemi.

Nuk ka asnjë të mirë për ne nëse nxisim ndasitë, nëse ushqejmë tensionet apo krijojmë shqetësime, asgjë. Na duhet të punojmë së bashku për tua bërë më të mirë jetën njerëzve tanë, na duhet të punojmë së bashku për ta bërë për fëmijët tanë këtë Ballkan një vend ku thjesht mund të përqafohen dhe të ndjehen mirë me njëri-tjetrin, të ndihen mirë që janë bashkë, fqinjët nuk i zgjedh.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.