Kryeministri Rama u ndal ditën e sotme në Kuç të Vlorës, ku pritet së shpejt të përfundojë rruga e re, për ta bërë lehtësisht të aksesueshme këtë zonë me bukuri të jashtëzakonshme të Labërisë.
Gjatë një bisede me banorë të zonës, theksi u vu tek investimet në këtë fshat dhe tek fakti se askush nuk po i shet më shtëpiat e të parëve. “Ka familje që kanë ikur nga 200 vjet e tani po kërkojnë prapë trojet”, – u shpreh një nga banorët.
“Kjo zonë, brenda kësaj dekade do jetë një destinacion si Toskana në Itali. Do vijë shumë këtu për zjarrin, për mishin, rakinë, këngët, për këtë ajër fantastik, për këto peizazhe të jashtëzakonshme. Projekti i sheshit, të rregullojmë edhe godinat, se janë bërë me kursime gjaku”, – u shpreh Kryeministri Rama teksa ndau një kafe me banorët që e mikpritën.