Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:
Shumë faleminderit Zoti Kryetar i Kuvendit, për kujtesën e me këtë rast doja të ndaja dhimbjen me kolegun deputet që kërkoi fjalën e lirë, duke i thënë që përpara sesa të vija këtu, në zyrën time, zyra e Kryetarit lajmëroi që për 20 minuta do më pritej fjala dhe që replikën e kam 3 minuta, apo jo? Kështu që ta harrosh fjalën e lirë pa kufi këtu, sa të jetë ai burri atje, edhe unë, edhe ti.
Ndërkohë që unë i kam mbaruar fjalët e mia për Teatrin, nuk kam asgjë për të thënë dhe këtu thjesht do të shfrytëzoj këto 20 minuta për të lexuar fjalët e atyre që e kanë bërë Teatrin, e atyre që janë Teatri, e atyre që e nisën protestën për Teatrin dhe kur e nisën protestën për Teatrin, as ju, as ata të tjerët që tani janë kthyer në bij të lënduar të Shekspirit dhe të Molierit, jo vetëm nuk ishin aty, por dhe ju ishte thënë që mos guxoni të dukeni aty.
Në atë protestë kanë qenë të gjithë anëtarët e familjes së komunitetit teatror dhe në krye të asaj proteste nuk ishin dy Budina, por ishte Robert Ndrenika dhe Arben Derhemi. Po vazhdoj t’i jap përgjigje Zonjës Hajdari dhe të gjithë zonjave dhe zotërinjve të lënduar për çështjen e Teatrit Kombëtar, duke thjesht përcjellë besnikërisht, fjalët e protestuesve të vërtetë, jo e aktorëve politikë që luajnë teatrin e tyre, pavarësisht se është tek unaza e re, tek unaza e vjetër, po aty ku bashkohen dy unazat.
Robert Ndrenika ka këtë përgjigje për ju Zonja Hajdari:
“Ju lutem mos më kryqëzoni, kam qenë prej vitesh e jam për një teatër kombëtar të ri dhe bashkëkohor, të cilin ka për detyrë ta bëjë shteti shqiptar. Paratë le t’i marrë ku të dojë, ndoshta dhe atje ku i merrte Josif Bros Tito”.
Më pas, Arben Derhemi, sepse është e rëndësishme të kujtohet që protesta, e vërteta, ka ndodhur më shumë se dy vjet e gjysmë më përpara dhe me protestuesit e vërtetë është zhvilluar dialog si për asnjë çështje tjetër më parë në historinë e këtij vendi. “Grupi i artistëve, pjesë e lëvizjes së mbrojtjes së këtij Teatri, vendosën se duhet të ishin pjesë e bisedave dhe negociatave me kryetarin e bashkisë. Sipas asaj që kishim rënë dakord me njëri – tjetrin, ne, grupi i përfaqësuesve dhe artistëve, shtruam dy probleme shumë të rëndësishme; Të mos preket trualli dhe territori i Teatrit Kombëtar dhe të shpallej konkurs ekspertësh për teatrin. Skena e tij na njeh të gjithëve se kush jemi dhe sa vlejmë. Ata që duan të bëjnë shfaqje jashtë kësaj skene dhe historisë së atij tempulli, janë jashtë historisë, për të gjitha arsyet”.
Siç jeni ju në fakt dhe ata që ishin këtu dhe kanë ikur, jashtë historisë. Jeni një zhvillim konfuz dhe anormal në një korsi paralele me historinë, por jeni në kundravajtje.
Bujar Asqeriu: “Unë jam për unitetin dhe paqen sociale, nuk e mbështes protestën që bëhet tani, nuk ka më sens. Logjika më e thjeshtë është që artistët të mendojnë ndryshe. Unë në ato godinë nuk futem më, sepse është sëmundje. E kam thënë gjithmonë dhe nuk e pranoj, nga ajo godinë që vdiqën shokët e mi, më duket se jam sëmurë dhe unë, jam për paqe sociale e nuk më përdor dot, as PD-ja, as PS-ja. Dua një teatër të ri dhe nuk ka më kuptim që të vihemi kundër njëri-tjetrit, por t’ua lëmë këtë çështje arkitektëve. Boll se u teprua”.
Reshat Arbana: “Nëse një pjesë e mirë e territorit që nga i bashkisë, le t’ia lërë Teatrit. E kemi parë të gjithë se në çfarë gjendje është, si është katandisur. Ta mendojnë këtë punë ata që janë specialistë. A bëhet një teatër në atë sallë apo një i ri, lërjani territorin teatrit”.
Luftar Paja: “Po që të kemi këtë teatër, ne si artistë harrojmë gjërat kryesore dhe merremi me llaç e me tulla. Ne si artistë duhet të shtojmë forcat për llaçin dhe betonin artistik. Teatri Kombëtar e ka emrin Teatër Kombëtar e aty nuk duhet të vijnë vetëm ata që banojnë në Tiranë, por ata që e meritojnë të vijnë në teatër. Teatri është i gjithë Shqipërisë”.
Më tutje, Altin Basha: “Kemi negociuar, ramë dakord që të mos cenohej trualli, ramë dakord për dy përfaqësues të komitetit që do të jenë në komisionin e negocimit për kontratën. Unë mendoj se duhet një godinë e re. Pjesa muzeale mund të zgjidhet brenda godinës së re. Jam gati të debatoj me këdo për këto pikëpamje. Si regjisor e deklaroj me përgjegjësi se ajo godinë nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore dhe si rrjedhim, një cilësi të ulët produkti për spektatorët”.
Enver Petrovcki, është ai si puna ime, pa flokë, nëse mund ta kujtoni. “Për mua është një budallëk mos me u ndërtu një teatër i ri. Mendoj se duhet ndërtuar sepse çdo teatër vlen për një komb, sidomos Teatri Kombëtar. Jam kundër që toka t’i falet dikujt, mirëpo të ndërtohet teatri i ri, absolutisht që është budallëk me e kundërshtue. Ai teatër që ekziston, nuk ka kurrfarë vlere”.
Artan Imami: “Më vjen në mend një takim i vitit ‘87-të apo ’88-të, me Ismail Kadarenë e ndërkohë që po bisedonim në një nga studiot, dikush e pyeti, si duket niveli i teatrit e ai ndërkohë që i kishte ngulur sytë në një qoshe të tavanit ku po binte suvaja, thotë, po ja, ashtu si kjo godinë”.
Bruno Shllaku: “Përsa i përket çështjes së Teatrit më vjen keq se shumë nuk e dinē se është një godinë që i përket një stalle kuajsh, që Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojash. Ajo vërtetë që ka vlera, por do të marrë një vlerë më të madhe kur të bëhet një godinë e re bashkëkohore, që t’i përkasë Teatrit Kombëtar, i cili shumë shpejt duhet të jetë në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës. Reliket, objektet, figurat e teatrit të jenë në një seli të shenjtë si Teatri i ri modern, që jam i bindur se duhet të ndërtohet”.
Niko Kanxheri: “Teatri Kombëtar për mua duhet bërë i ri. Nostalgjia për dy godina të ndërtuara për të qenë provizore duhet të zhbëhet. Godina nuk sjell nostalgji. Historia e Teatrit Kombëtar do të mbetet e dokumentuar në arkiv, fotot e shfaqjeve, dekoret, kostumet muzikën etj.”
Raimonda Bulku: “Aty duhet të ketë një teatër shumë të mirë, ç’më duhet mua se çfarë ndërtohet anës teatrit apo mbi teatër, në qiell le të ndërtohet, nuk kam ndonjë gjë. Unë dua të ndërtohet një teatër, nuk ka rëndësi fare se çfarë. Godina e teatrit duhet shembur pa asnjë dyshim. Ne po përjetojmë kushte mizerabël, unë nuk e di si punojmë aty, është një turp të punosh aty”.
Dirta Haxhiraj, këtë e njihni apo…: “Unë jam emëruar në Teatër në vitin 1967, kur mbarova Institutin e Lartë të Arteve. Të gjithë aktorët në vitin ‘72-‘73, duke filluar nga më të mirët dhe më të fortët në zë si Naim Frashëri, Violeta Manushi, Sulejman Pitarka, sepse ne ishim të rinj aso kohe, diskutonin për domosdoshmërinë e një teatri të ri, sepse të gjithë po sëmureshin nga mushkëritë. Pjetër Gjoka u sëmur nga mushkëritë. Për mos t’ju thënë dhe të fundit, që për shkak të mushkërive është ndarë nga jeta, kolegu dhe partneri që nga fëmijëria, Roland Trebicka. Nuk ka qenë ai një teatër për të qenë. Vetë ata që e krijuan e ngritën si problem që duhet një teatër i ri. Artistët tanë të mëdhenj i kanë kërkuar në mbledhje Manush Myftiut një teatër të ri. Kur u ngrit problemi, ata i thanë, ju lutem i thoni partisë për një teatër. Myftiu ra dakord, duke i thënë se do t’i kthente një përgjigje, ndërsa Violeta Manushi ia ktheu, ne nuk do ta arrijmë, por bëjeni për këta të rinj, sepse janë të talentuar. Jam shumë e lidhur shpirtërisht me të vjetrin, por aty duhet ndërtuar i ri për aktorët që punojnë në të dhe për brezat e ardhshëm. Teatri Kombëtar duhet të jetë për publikun dhe për aktorët”.
Josif Papagjoni: “Më thoni një teatër në Ballkan që është në këtë gjendje. Unë as nuk e mendoj dot. Ne duhet t’i krijojmë publikut mundësinë, shansin, bukurinë që të kënaqet. Njeriu, kur shkon në teatër, duhet të ndjejë parfum”. – Jo të ndjejë PD-në, këtë e them unë. – “Duhet të ndjejë që është një godinë e bukur, që është një godinë e kënaqshme, ku perceptohet produkti artistik. Por kur shkoj atje, më falni, por atje ndjehet era myk, atje vjen era lagështirë”. –
Komponentët e lagështirës ky nuk i ka thënë, ju mund t’i merrni me mend vetë. – “Si mund ta heqim ne lagështirën? Bëj 1 mijë rikonstruksione, ajo nuk hiqet. Ajo godinë është e kalbur. Ne duhet të bëjmë një katarsis brenda vetes. Pyetja është sfidante, a mund ta ftojmë ne këtu trupën e Berlinit të japë një shfaqje? A mund të bëjmë ne një festival këtu në Teatrin Kombëtar me këto kushte që ka? Një produkt të Lirit apo Hamletit?”
Gëzim Kame: “Unë jam dëshmitar i dy kohëve, edhe para 20 viteve i njëjti problem ka qenë. Atëherë u tha që kjo godinë do shembej. Dakord i thamë të gjithë ne, me në krye Kadri Roshin. Por dhe ajo nostalgjia që flitet, kreu i aktorëve Kadri Roshi thoshte aman na bëni një tjetër të ri, ishte një ëndërr e gjithë aktorëve, sepse që në ’46-ën që ka qenë, ata kanë qenë në një barakë”.
Laert Vasili: “Të ardhmen nuk e ndalon dot njeri! Ky projekt ka një super arkitekt. Teatri i ri e ka një autor që këshillohet me ne dhe për ne, ndërkohë që disa nga ne bëjnë deklarata për luftë. Të dashur miq, çështja është urgjente, situata është emergjente, teatri na duhet dje, jo sot dhe as nesër. Na duhet dje!”
Tani, Zonja Hajdari eja dhe fol pardje.