Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:

Tre çështje dëshiroj sot të ndaj me Kuvendin dhe përmes Kuvendit me qytetarët, duke pasur parasysh natyrën e kësaj seance të muajit, që i kushtohet problematikave të terrenit pas javës së gjithë deputetëve në terren.

Së pari, dëshiroj të ritheksoj edhe njëherë domosdoshmërinë që qytetarët të mos iu referohen burimeve jozyrtare lidhur me koronavirusin dhe të mbrohen në radhë të parë nga infodemia, e cila, siç e nënvizon Organizata Botërore e Shëndetësisë, përbën një kërcënim serioz në gjithë përpjekjen për të përballuar epideminë.

Infodemia është epidemia e lajmeve të rreme e të dhënave të falsifikuara, apo të fabrikuara, e klikimeve marramendëse në burime të infektuara të informimit, prej të cilave qytetarët duhet të ruhen dhe të mbrohen vetë dhe të ruhen dhe të mbrohen me vetëdijen se të gjitha këto burime të infodemisë shkaktojnë ankth, shkaktojnë pasiguri, shkaktojnë alarme krejtësisht të pakëshillueshme në kushtet kur duhet përballuar epidemia.

Së dyti, e dhëna e fundit zyrtare lidhur me vdekshmërinë e personave të prekur nga koronavirusi ka rënë nga 3% në 2.3%. Pra, 2.3% e të prekurve kanë humbur jetën, ndërkohë që e gjithë pjesa tjetër, 97.7% e ka përballuar dhe e përballon pa pasoja për jetën këtë epidemi. Kjo është shumë e rëndësishme për ta mbajtur mirë parasysh, sepse, nëse shohim efektet e infodemisë, fjala vdekje, lajmet me të vdekurit janë eksponencialisht më shumë, sesa fjala shërim apo lajmet për të shëruarit. Por realiteti është krejt ndryshe nga çfarë mund të perceptohet nëse hyn në kanalet e informimit pa maskën e vetëdijes.

Dhe duke folur për maskat, thirrja që bën Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe thirrja që përsëris dhe unë këtu është, mos rendni për të blerë maska, mos harxhoni lekë për maska. Maskat nuk mbrojnë nga prekja. Maskat janë të dobishme për personelin mjekësor, janë të dobishme për vetë të prekurit dhe janë të dobishme për ata që iu shërbejnë personave të prekur. Për të tjerët nuk kanë asnjë dobi dhe nuk mbrojnë nga asgjë, që të jemi të qartë, që e gjithë histeria për të blerë maska dhe për t’u maskuar, që ka përfshirë gjithë botën, është thjesht dhe vetëm harxhim i kotë i parave dhe mbushje e arkave për ata që prodhojnë dhe shesin maska.

Nga ana tjetër, në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë ka 1 milionë dollarë plus, për të adresuar të gjithë problematikat dhe sot, Ministria e Shëndetësisë numëron 1.2 milionë maska të shpërndara, apo të marra nga qytetarët, të cilat do mbeten si relike aty, për të kujtuar se një ditë kaloi këtej, – që s’ka kaluar akoma në fakt, se s’kemi asnjë rast të verifikuar, – njëfarë epidemie që quhej koronavirus.

Përsa i përket trajtimit të përditshëm dhe të përminutshëm të kësaj problematike nga Ministria e Shëndetësisë dhe gjithë sistemi i vënë në dispozicion për të përballuar këtë kërcënim, 31 testime të kryera në persona me simptoma të dyshimta dhe të ngjashme me ato të koronavirusit kanë rezultuar negative, pra, asnjë i prekur deri tani. Ndërkohë që në numrin 127, Urgjenca Kombëtare ka në dispozicion mjekë dhe infermierë që përgjigjen, jo centralistë dhe trajton 1400 thirrje në ditë, kryen verifikime për të gjitha ato raste kur shpjegimet e telefonuesve shkaktojnë dyshim dhe nga 400 verifikime të kryera asnjë rast nuk rezulton i prekur nga koronavirusi.

16 mijë kontrolle janë kryer në pikat kufitare. Vazhdon të jetë i gjithë sistemi i angazhuar në funksion të parandalimit të përhapjes, duke pasur gatishmërinë për të bërë identifikimin e rastit të parë, që ende nuk është shfaqur. Dhe është shumë e rëndësishme ta mbyll këtë çështje të parë, duke përsëritur për të gjithë qytetarët, mos u alarmoni nga infodemia. Qëndrojuni larg lajmeve dhe informacioneve jozyrtare dhe vendosni maskë në vetëdije, për të përballuar rezultatet e klikimeve kuturu nëpër portale që flasin vetëm për vdekje dhe për fundin e botës. Fundi botës nuk po afron dhe koronavirusi nuk kërcënon të sjellë fundin e botës, përkundrazi duhet pasur parasysh që statistika e deritanishme mbi personat që për fat të keq kanë humbur jetën, tregon se koronavirusi prek më të moshuarit fare në mënyrë shumë kërcënuese për jetën, prek të sëmurët dhe deri tani është kapërcyer me sukses të plotë nga fëmijët dhe nga personat e shëndetshëm.

Çështja e dytë që dua të ngre si një informim i rëndësishëm besoj, është se kemi filluar të angazhojmë një grup për të angazhuar 300 nxënës të shkollave profesionale të viteve të 3-ta dhe të 4-ta të lidhur me fushën e ndërtimit dhe për të filluar trajnimet e tyre, në mënyrë që t’u japim mundësinë të përfshihen në punën për rindërtimin dhe njëkohësisht, përmes kësaj pune të fitojnë një eksperiencë të drejtpërdrejtë në kantieret e rindërtimit. Ashtu sikundër, në ditët në vijim, ministri i Shtetit për Rindërtimin do të publikojë në faqen e dedikuar të informacionit dhe të transparencës për rindërtimin, një thirrje të hapur për të gjithë ata që kanë një njohuri në të gjitha proceset e ndërtimit dhe që duan punë. Sado absurde që duket, është fakt që një nga sfidat më të mëdha të këtij procesi është nevoja e madhe për punë, për punonjës. Ky proces do të hapë shumë vende pune dhe këto vende pune kërkojnë punonjës me një kualifikim të caktuar në të gjitha proceset e ndërtimit. Që do të thotë që ne, nga njëra anë jemi të përgatitur të kryejmë trajnime për të gjithë ata që kanë nevojë për një trajnim plus, nga ana tjetër jemi të sfiduar nga fakti që, ndërkohë që ka shumë ankesa “s’kemi punë”, ka shumë vende pune dhe do krijohen nga ky proces shumë vende pune të tjera, të cilat mbeten bosh për shkak se ata që ankohen se s’kanë punë duan punë shteti, kryesisht, ndërkohë që kemi nevojë për punë me krahë të kualifikuar.

Dua ta bëj me dije se qeveria do të imponojë që kompanitë e ndërtimit të vendosin një pagë për të gjithë ata që do përfshihen në procesin e rindërtimit të barabartë me pagën mesatare që paguhet në Shqipëri, e cila është 420 euro. Do negociojmë me kompanitë dhe do pranojmë të ulemi vetëm në ato raste, kur do të jetë e arsyetuar ulja dhe asnjëherë nuk do pranojmë që kompanitë të paguajnë për punëtorët pagën e sotme minimale, apo diçka mbi pagën minimale. Paga për të gjithë ata që do përfshihen në procesin e rindërtimit do jetë e imponuar nga qeveria mbi kompanitë dhe do jetë rreth pagës mesatare që është sot në Republikën e Shqipërisë, natyrisht me të gjitha sigurimet e nevojshme.

Por, falë ligjit që kemi kaluar në këtë Parlament, ne do hapim kufijtë edhe për punonjësit e huaj. Kufijtë kanë qenë të  hapur, por ka pasur procedura të tmerrshme burokratike, ndërkohë që tani do u japim mundësi kompanive që të rekrutojnë punonjës të huaj për të ardhur për të punuar në Shqipëri, në rast se kjo do jetë e nevojshme si pasojë e vendeve të punës që nuk plotësohen me punonjës vendas.

Kjo është një sfidë e madhe e gjithë rajonit. Kjo është një sfidë e madhe e gjithë Europës Lindore, po themi dhe në këtë sfidë, ne kemi mundësinë që me avantazhin e krijuar, me një procedurë tërësisht të lehtësuar prej vetëm 7 ditësh për marrjen e punonjësve nga jashtë, të kemi punonjës nga jashtë në të gjithë sektorët që kërkojnë punonjës dhe që vuajnë shumë për mungesë të krahut të punës, si pasojë e refuzimit të shumëkujt për të punuar në sektorin privat në pritje të një pune në shtet.

Puna në shtet është një punë që i është lënë perspektivës së studentëve ekselentë, apo të atyre, të cilët vijnë nga eksperienca të suksesshme të tjera, kështu që shtigjet për të punuar në shtet falë partisë, falë krushqisë, falë xhepit do të shkojnë duke u ngushtuar, deri në mbyllje të plotë. Siç e kemi parë, pas Paktit për Universitetin, punësimet në administratë tanimë janë punësime që e kanë fokusin te ekselentët. Vitin e shkuar janë punësuar me qindra. Këtë vit, përsëri, së shpejti hapet thirrja e re dhe studentët që vijnë për të trokitur në dyert e administratës me nota që i konsiderojmë pjesë të trajtimit të ekselencës, pavarësisht se është më e gjerë sesa thjesht ekselenca, 9-10-ta, janë ata, të cilët e kanë derën e hapur dhe që do konkurrojnë për vendet e punës.

Natyrisht, në këtë proces, ne duam që jo thjesht të riparojmë dëmet dhe të mbyllim plagët e tërmetit, por të bëjmë një kapërcim të rëndësishëm për ekonominë e vendit. I kemi tani të gjitha kushtet për ta synuar këtë, kemi bazën solide të krijuar në këto vite, kemi dhe hapësirën e rëndësishme të frymëmarrjes që është krijuar nga suksesi i jashtëzakonshëm i Konferencës së Donatorëve dhe shumë shpejt, ne do të paraqesim Planin e ri Ekonomik për vendin, duke synuar që të adresojmë të gjitha potencialet e fjetura dhe nga ana tjetër, që ta kthejmë rindërtimin në gravitetin e një bumi zhvillimi ekonomik dhe social, në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale, me shumë më tepër investime dhe me një rritje të konsiderueshme të të ardhurave.

Në këtë aspekt, amnistia e Përgjithshme fiskale dhe penale, që shpresoj do të ketë mbështetjen e plotë të Parlamentit, pa dallim ngjyrash dhe përkatësish partiake, është një domosdoshmëri për t’ju dhënë të gjithë shqiptarëve që prej 30 vitesh kanë punuar dhe jetuar me punë të ndershme, në emigracion apo në vendin tonë, të të gjitha kategorive, mundësinë që të formalizojnë të ardhurat e tyre nga puna, duke formalizuar të gjitha ato të ardhura që nuk i kanë deklaruar për 1001 arsye e duke i futur paratë e tyre në bankat e vendit.

Ashtu sikundër, edhe fomralizimin e të gjitha aseteve të tyre. Dimë shumë mirë që në këtë vend ka asete të paformalizuara, ose asete që nuk janë në emrin e të vërtetëve. Të vërtetët do kenë mundësinë që të shfaqen e të formalizojnë asetet e tyre, nëse nuk duan që pas përfundimit të amnistisë, asetet e tyre të jenë objekt i ligjit për asetet kriminale. Do trajtohen njësoj si asetet kriminale. Nuk është e mundur më që vendi të mbajë në kurriz peshën 30 vjeçare të pasurive kriminale.

Këtë çështje, ne e kemi adresuar dhe në këtë front kemi filluar një betejë që do ta çojmë deri në fund. Për fat të mirë, institucionet e reja të drejtësisë që kanë hyrë në këtë proces dhe posaçërisht SPAK-u janë vënë në lëvizje të plotë e po provojnë dita ditës se janë në drejtimin e duhur. Të gjitha dosjet me kërkesa për sekuestrim po trajtohen nga SPAK-u dhe vendimet e para të gjykatës speciale janë shumë inkurajuese, që askush nuk do të shpëtojë nga rrjeta e OFL-së dhe e drejtësisë, lidhur me asetet e vëna me krim. Por, natyrshëm, kjo ka krijuar një pasiguri, e cila nuk ka bazë, sepse OFL-ja nuk ka subjekt të veprimtarisë së vet askënd tjetër, përveç atyre që kanë kryer krimet e parashikuara në ligj, por, ama, duke e ditur të gjithë ata që janë shqetësuar se kanë para të fituara nga puna në të zezë, se kanë asete të padeklaruara, janë vënë në një lloj pasigurie. Për të adresuar këtë pasiguri dhe për të njohur të drejtën e formalizimit të të gjitha atyre që vijnë nga djersa e punës së ndershme të të gjithë emigrantëve shqiptarë që, kur kanë shkuar dhe kanë kaluar për herë të parë kufirin e botës, nuk i ka pritur njeri me krahë hapur, por kanë bërë gjithfarë punësh dhe kanë kursyer për të mbajtur veten dhe familjet e tyre. Këto janë kursime të ndershme, për të cilat ne do të hapim rrugën e futjes nëpër banka, duke i përjashtuar nga çdo lloj kontrolli i çdo lloj natyre të regjimit të jetës së përditshme, siç ka ndodhur e siç do të ndodhë pas amnistisë.

Sigurisht që nga amnistia e përgjithshme fiskale do të përjashtohen kategorikisht të gjithë ata që i kanë të ardhurat e tyre nga krimi. Sigurisht, që amnistia e përgjithshme do të jetë fiskale dhe penale dhe do të votohet këtu me 84 vota, që nuk do të ketë shans që të vijë njeri e ta kthejë mbrapsht për arsye politike, por të gjithë ata që paratë e tyre i kanë nga krimi janë të paamnistueshëm. Ashtu sikundër janë të paaministueshme të ardhurat e politikanëve dhe të rrethit të tyre familjar, të gjykatësve, prokurorëve dhe të rrethit të tyre familjar, të punonjësve të policisë dhe të rrethit të tyre familjar, si dhe të gjithë atyre drejtues të shtetit që janë subjekt i deklarimit të pasurive. Për këto kategori nuk ka amnisti dhe paratë apo asetet e këtyre kategorive që janë subjekt i deklarimit të pasurive nuk mundet asnjëherë të legalizohen nëse vijnë nga veprimtaria e paligjshme.

Për t’ju përgjigjur edhe një herë pyetjes së përsëritur të shumë njerëzve, që pse OFL-ja merret me kriminelët dhe nuk merret me politikanët, pse OFL-ja merret me kriminelët dhe jo me gjykatësit dhe prokurorët, sqaroj se OFL-ja ka objekt të ofensivës së vet persona që e kanë kryer procesin gjyqësor, pra, persona të dënuar. Ndërkohë që politikanët, apo gjykatësit, apo prokurorët janë subjekte të deklarimit të pasurive prej shumë vitesh dhe i takon institucioneve të drejtësisë që të shohin për çdo rast, sipas nevojave të tyre për hetime, burimin e pasurisë së politikanëve apo gjykatësve.

Sikundër shpresoj se më herët se vonë, SPAK-u do të kalojë në fazën tjetër të atij procesi që ka nisur me reformën në drejtësi, ku përmes vetting-ut kanë dalë jashtë sistemit shumë gjykatës dhe prokurorë, pasuria e të cilëve ka qenë e papërligjur dhe do të shohë e do të thërrasë, ashtu sikundër është edhe në atë formularin e Bundestagut, ashtu sikundër me siguri do të jetë dhe në kërkesat e Komisionit Europian, që gjykatësit dhe prokurorët të përgjigjen jo më përpara komisionit të vettingut, por përpara drejtësisë e të argumentojnë burimin e pasurisë së tyre, që rezultoi e papërligjur gjatë procesit të vetting-ut. Kështu që mos t’i ngatërrojmë gjërat, Operacioni Forca e Ligjit është një operacion policor dhe nuk ndodh në një vend demokratik që operacionet policore të zhvillohen kundër politikanëve, apo kundër gjykatësve, të cilët nuk kanë kaluar nga rruga e drejtësisë.

Operacioni Policor Forca e Ligjit zhvillohet në adresë të të gjithë atyre subjekteve që janë dënuar, apo janë akuzuar nga institucionet e drejtësisë, jo nga Parlamenti, as nga partitë, as nga prokurorët popullorë të tribunave të konferencave të shtypit. Kjo besoj ndihmon për t’u sqaruar që asnjë nga këto faza dhe asnjë nga këto veprime nuk përjashtojnë njëra tjetrën, pra, veprimtaria e OFL-së është e fokusuar tek ndarja me thikë midis parasë së fituar nga puna, qoftë kjo para e fituar dhe e deklaruar, qoftë kjo para e fituar dhe e padeklaruar, siç është paraja e kursimeve të emigrantëve që për 1001 arsye kanë bërë shumë punë në të zezë në vendet ku kanë shkuar, apo siç është paraja e shumë, për të mos thënë të gjithë sipërmarrësve këtu në Shqipëri, të vegjël apo të mëdhenj, që nuk kanë deklaruat të gjitha të ardhurat e tyre, por sidoqoftë janë të ardhura nga puna dhe për këto të ardhura duhet dhënë mundësia të formalizohen, duke i amnistuar. Natyrisht me një komision, me një taksë, e cila do të jetë shumë e favorshme, siç është në të gjitha amnistitë fiskale dhe penale të planetit. Për t’u përdorur për investime, përsëri për njerëzit. Ama me një afat të caktuar dhe mbasi afati i amnistisë mbaron, çdo para dhe çdo aset që është jashtë sistemit të formalizuar, konsiderohet para kriminale dhe aset kriminal dhe trajtohet njësoj si paratë dhe asetet e krimit. Nuk ka më asnjë tolerancë të mundshme nga ana e shtetit.

Dhe këtu dua ta kenë të gjithë parasysh, që ne po përgatitemi të hymë në një tjetër nivel, që lidhet me nevojën që ka vendi, por dhe me përputhjen e sistemit të kontrollit me sistemin europian të kontrollit, që do të kërkohet që të regjistrohen, të deklarohen këtu në Shqipëri, të gjitha asetet dhe të ardhurat që shqiptarët kanë jashtë vendit dhe shteti shqiptar do të ketë detyrimin, por dhe kapacitetin falë koordinimit me të tjerët, për të kontrolluar të ardhurat dhe asetet e shtetasve të vet jashtë  vendit. Kështu që kjo është një thirrje, në radhë të parë, për të gjithë ata që janë biznesmenë me të ardhura të konsiderueshme, që kanë asete jashtë vendit, që t’i deklarojnë duke përfituar nga amnistia dhe të mos bëjnë shaka që mund t’i kushtojë shumë shtrenjte pas përfundimit të amnistisë. Amnistia do të vijë në Parlament shumë shpejt, do të konsultohet paraprakisht me grupet e interesit, por jo shumë gjatë e do të vijë në Parlament, për t’u bërë pjesë e gjithë këtij procesi përpjekjeje për një zhvillim të ri të konsiderueshëm ekonomik dhe social të vendit.

Në vijim do të kemi dhe masa të tjera të kësaj natyre, por gjëja që dua t’ju them të gjithëve është që këto masa, amnistinë e përgjithshme fiskale dhe penale ta shikojmë si një masë që duhet të jetë bipartizane, që nuk duhet të ndajë partitë, nuk duhet të ndajë individët që përfaqësojnë këtë popull, sepse kjo është në interes të të gjithë qytetarëve që janë në emigracion, të të gjitha familjeve që kanë lidhje me ata që janë në emigracion, të të gjithë atyre që kanë jetuar me një biznes të vogël, apo të të gjithë atyre që merren me biznes në Shqipëri. E mbi të gjitha, kjo nuk është në interes të askujt ndër ne, sepse ne që jemi këtu, nëse kemi gjëra të fshehura, nuk ka amnisti që na i lan dhe herët ose vonë do duhet që të vijë edhe dita e shumëpritur, nga unë të paktën, që të ndahet kjo punë, kush është kush në këtë histori, se që nuk jemi të gjithë njësoj, nuk diskutohet, mjafton të na shikoni nga gjatësia. Por është e padiskutueshme që ashtu sikundër pemët nuk janë njësoj, sikundër kafshët nuk janë njësoj, njerëzit jo e jo nuk janë njësoj dhe ata që merren me politikë absolutisht nuk janë njësoj. Ka nga të gjitha dhe besoj që kjo ndarje do të vijë, siç po vijnë shumë ndarje të rëndësishme, pak nga pak, por hap pas hapi dhe pa u lëkundur, në këtë vendin tonë që deri para disa vitesh dukej sikur nuk kishte shans të dilte nga kthetrat e atyre që e mbajtën peng për shumë e shumë vite dhe nuk kishte shans t’i shpëtonte oligarkisë më të madhe financiare, që ishte oligarkia e gjykatësve dhe e prokurorëve. Tani po e shikojnë të gjithë që ajo oligarki po shkërmoqet, por është e sigurt që nuk kanë parë gjë akoma.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.