Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë plenare në Kuvend:
Besoj e keni ndjekur debatin e djeshëm në Parlamentin e Holandës dhe ma ha mendja se ai debat ishte një mundësi për të kuptuar të gjithë, natyrisht të gjithë ata që duan të kuptojnë sa e pavërtete dhe sa e padrejtë është e tërë propaganda që synon të lidhë luftën e brendshme politike në Shqipëri me qëndrimet e disa vendeve, ndër të cilat natyrisht është dhe Holanda.
Besoj që në debatin e djeshëm në Parlamentin holandez, gjithkush që ka qenë i vëmendshëm dhe që ka dëshirën të kuptojë, e ka parë se si e gjithë çështja e ecurisë së mëtejshme të Shqipërisë apo të Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit është trajtuar si një çështje e politikës së brendshme të atij vendi.
Besoj se duke ndjekur debatin në Parlamentin holandez, kushdo që dëshiron të kuptojë, ka mundur të kuptojë se të gjitha fjalimet e bëra në Parlament i janë drejtuar elektoratit të atij vendi dhe se në të gjithë qasjen e Parlamentit, apo të partive të ndryshme brenda Parlamentit është përvijuar i gjithë debati i brendshëm me forcat pro zgjerimit, me forcat kundër zgjerimit, me zërat që fuqizojnë mesazhin e nevojës për të vazhduar procesin e zgjerimit dhe zërat që fuqizojnë mesazhin e nevojës për ta ndaluar procesin e zgjerimit.
Besoj se ju ka mjaftuar të gjithë atyre që në mënyrë vulgare dhe krejt të pabesë ndaj atyre që i dëgjojnë, janë munduar të paraqesin përpara opinionit publik shqiptar një tablo të pikturuar sipas ngjyrave të tyre politike dhe jo sipas nevojës për të ndarë sëbashku, qoftë përgjegjësinë për të çuar përpara procesin tonë të integrimit, qoftë qëllimin e përbashkët, në fund të fundit, sepse në këtë pikë, të paktën me fjalë, të gjitha partitë politike janë të bashkuara. Nuk ka në Shqipëri, një parti politike që të predikojë ndonjë plan tjetër, apo të orientojë mesazhin drejt ndonjë horizonti tjetër, përtej horizontit të BE-së.
Ata që janë përpjekur të thonë se ndarja në propagandë apo në qëndrime mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të çojë në një ndarje në gjykimin e përgjithshëm, jo vetëm që kanë gabuar, por kanë dështuar në përgatitjen e një terreni politik këtu, në funksion të axhendës së tyre politike.
Ka një ndryshim të madh, që ka përcaktuar edhe në një pjesë të mirë dallimin në qëndrime. E ky ndryshim është qasja e opozitës në vendin fqinj dhe qasja e opozitës këtu. Flas për opozitën që nuk është e pranishme në Parlament dhe që braktisi Parlamentin, dogji mandatet, bojkotoi zgjedhjet, vetëm me një qëllim, për të minuar pikërisht çeljen e negociatave.
Maqedonia e Veriut nuk është një vend pa konflikte, madje është një vend ku konflikti politik, për arsye krejt të ndryshme nga konflikti i brendshëm politik në Shqipëri, ka frymëzuar qasjen destruktive të opozitës që nuk është këtu në Parlament, e cila në mënyrë naive ka besuar se duke kopjuar opozitën e deri djeshme të Maqedonisë së Veriut, do të arrite të gjunjëzonte shumicën legjitime në këtë vend. Megjithatë, pavarësisht konfliktit të brendshëm politik, opozita në Maqedoninë e Veriut as dje, kur në opozitë ishin ata që ishin në konflikt të hapur me qeverinë, as sot, kur në opozitë janë ata që deri dje ishin në qeveri, nuk merr rrugët e Europës për të bërë të pabërën për vendin e vet, nuk furnizon çdo ditë kanalet e komunikimit me partitë simotra, apo me individë të caktuar, për të ushqyer çdo ditë ata, të cilët, – e kam thënë disa herë edhe këtu në këtë sallë, – nuk është se janë kundër Shqipërisë, nuk është se kanë ndonjë gjë specifike me Shqipërinë, por kanë një qasje tjetër për arsyet e tyre legjitime në vendet e tyre.
E kjo ka bërë një pjesë të rëndësishme të diferencës.
Keni dëgjuar në ndonjë rezolutë, në ndonjë deklaratë, në ndonjë fjalim në parlamente të vendeve që janë më ngurruese ndaj procesit të zgjerimit, ndonjë fshat, apo qytezë, apo ndonjë qytet periferik të Maqedonisë së Veriut që të përmendet, apo të mësohet, siç kanë përfunduar nëpër gjermanisht apo nëpër holandisht Peqini, Kavaja, Dibra?
S’ka bërë vaki!
Jo se atje s’ka patur probleme, jo se atje nuk janë kontestuar zgjedhjet, jo se atje nuk kanë ndodhur bojkote, jo se atje nuk ka patur deri dhe refuzim për të hyrë në zgjedhje. Këta që janë sot në qeveri në Maqedoninë e Veriut dhe që ishin në një opozitë të shtypur, në mungesë të plotë lirie të mediave, kanë arritur deri aty sa të kërcënojnë me braktisje të zgjedhjeve dhe për çfarë arsye? Për arsye se ata nuk kishin asnjë besim tek procesi. Pra, ata nuk kanë marrë të transportojnë dhe të eksportojnë nëpër Europë, historira, të cilat jashtë kufijve kanë vetëm një efekt, efektin e furnizimit me pseudoargumente, apo edhe me argumente të importuar, të qëndrimeve të formësuara të forcave të caktuara politike, apo të individëve të caktuar kundër zgjerimit.
Nga ana tjetër është shumë e qartë dhe do të jetë gjithmonë dhe më e qartë, deri në momentin e marrjes së vendimit, se vendimi i Këshillit Europian nuk ka lidhje fare me çfarë kemi bërë, apo çfarë nuk kemi bërë ne. Unë nuk mendoj që Finlanda, e cila ka Presidencën e Bashkimit Europian, qenka më pak ekzigjente dhe më tolerante ndaj krimit dhe korrupsionit sesa Holanda. Nuk bën vaki!
Unë nuk mendoj që Austria qenka më pak e interesuar për të pasur zgjedhje më të mira në Shqipëri sesa Gjermania.
Unë nuk mendoj se s’kam si ta mendoj që Suedia paska sytë e mbyllur përballë procesit të Reformës në Drejtësi dhe nuk i bëka përshtypje se akoma Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale dhe kjo i bëka përshtypje Gjermanisë.
Ajo çka diskutohet sot, në vendet e Bashkimit Europian, lidhur me zgjerimin, është një debat brenda Bashkimit Europian. Ashtu sikundër unë nuk mendoj se Franca qenka më lart në këndvështrimin e saj ndaj të gjitha çështjeve ndaj të cilave Gjermania është më afër për arsye të standardeve të tjera. Absolutisht jo!
Përkundrazi, thelbi, të cilin të parët që duhet ta kuptojnë deri në fund dhe nuk duhet ta mohojnë së paku e jo më ta transformojnë në shashkë për politikën e brendshme, qëndron tek një situatë në Bashkimin Europian që s’ka lidhje fare me ne, ku ne përfshihemi bashkë me Maqedoninë e Veriut, me Serbinë, Malin e Zi, Kosovën, Bosnjën, pra, me të gjitha vendet që janë brenda Europës dhe nuk janë brenda Bashkimit Europian, si rrjedhojë, por jo si burim, si pasojë, por jo si shkak. Nuk jemi ne shkaku që Bashkimi Europian nuk është unanim sot në mbajtjen e një qëndrimi të thjeshtë, të qartë dhe të prerë, në përgjigje të rekomandimit të Komisionit Europian që paguhet nga Bashkimi Europian.
Ne jemi thjeshtë e vetëm të përfshirë në këtë proces si pasojë. I patë në Parlamentin holandez dje, ata që flisnin kundër Maqedonisë së Veriut, që sipas të tjerëve dhe sipas komenteve këtu në radhë të parë s’ka asnjë problem. I patë se si u futën në debat, duke bërë copë vendin tjetër. Ata dinë më shumë për situatën sesa të tjerët? Këta të tjerët që po në Parlamentin holandez nuk i referohen Maqedonisë së Veriut, por i referohen Shqipërisë, dinë më pak?
Absolutisht jo. Është thjesht dhe vetëm çështje e qasjes ndaj Bashkimit Europian në tërësi, ndaj procesit të zgjerimit dhe ndaj elektorati të tyre. Është krejt e qartë, siç është e qartë që qëndrimi i Francës, – e kam thënë këtu një javë më parë, – nuk është një qëndrim që në fund do të formësohet si funksion i ndonjë leximi më të thellë të situatës së brendshme këtu apo atje. Aspak! Është një qëndrim që do të formësohet në funksion të strategjisë së re që ka Franca dhe Presidenti francez në raport me Europën.
Të gjitha këto nuk duhet të na bëjnë më pak të interesuar, as nuk duhet të bëjnë më pak të përgjegjshëm në raport me veten, por të gjitha këto duhet të në japin të kuptojmë se kemi hyrë në një lojë shumë më të komplikuar. Kemi arritur në fazën ku po kërkojmë të ngjitemi në një tjetër nivel të marrëdhënieve me një familje të madhe interesash dhe në atë familje të madhe interesash, natyrisht as ne, as Maqedonia e Veriut, as i gjithë Ballkani Perëndimor nuk shikohemi sikur po na vazhdon ndonjë OJQ, as sikur po na vëzhgon ndonjë federatë vlerash e parimesh të pandara nga interesat. Shikohemi në bazë të interesit, në radhë të parë. Të interesit që ka gjithë ajo familjeve dhe të interesave që janë brenda asaj familjeje. Është gjëja më normale, nuk përbën asnjë risi, përveçse në raport me vetë pozicionin tonë dhe në raport me vetë këndvështrimin tonë, që ne duhet ta lidhim sot, më shumë se dje, me faktin se po përpiqemi të hymë në një proces të ri, ku niveli i interesave është më i lartë. Nuk është i tillë niveli i interesave kur firmoset një marrëveshje stabilizim-asociimi; Ne këtu, ju atje, një ditë do jemi bashkë, por ndërkohë ju vazhdoni. As kur jepet statusi i vendit kandidat; Ne këtu, ju aty, vazhdoni.
Në këtë moment, kur vjen puna për të thënë “po, do çelim negociatat”, do të thotë që ajo familje do të ulet në tavolinë me ne, do të ulet në tavolinë me Maqedoninë e Veriut, – siç është në tavolinë me Serbinë dhe Malin e Zi ndaj të cilave po ta vini re me kujdes dhe do ta shikoni në vijim, do të përvijohen qëndrime të ndryshme edhe në raport me to, edhe në raport me shpejtësinë e integrimit të tyre, edhe në raport me procesin e negocimit të tyre, – që do të thotë se është një tjetër angazhim. Nuk është më thjeshtë Komisioni Europian që ka zyrat e veta që merren me procesin e zgjerimit, ka zyrën e vet që merret me Shqipërinë dhe që paguhet për këtë punë, bën raporte dhe raportet pastaj marrin miratim në Këshill. Jo, bëhet fjalë për t’u angazhuar Këshilli, qeveria e Europës, që të ulet në tavolinë me qeverinë tonë dhe të hapë një proces tjetër.
Thënë të gjitha këto, unë besoj se është shumë e rëndësishme që të jemi sa më shumë që këto ia themi njerëzve, të cilët, edhe nëse nuk dinë, aq sa dinë ata që përpiqen të gënjejnë, kanë instinktin e mjaftueshëm dhe kanë ndjeshmërinë e mjaftueshme për të kuptuar të vërtetën.
Është shumë e rëndësishme kuptohet që kjo nuk do të thotë që Europa nuk na do ne dhe që Europa nuk do vendet e Ballkanit Perëndimor. Është thjeshtë çështje e rënies dakord për qasjen dhe shpejtësinë. Dikush, siç janë shumë vende, siç është Italia që e do sot dhe është gati të votojë sot, jo për negociatat, por edhe për anëtarësimin, apo të tjera vende që janë bashkuar me Bashkimin Europian mbasi dolën nga komunizmi dhe të tjera vende që jo vetëm nuk janë gati, por kërkojnë një tjetër qasje dhe një tjetër shpejtësi. Ajo që vlen është se në këtë proces nuk humbasim në thelb asgjë. Në këtë proces ka rëndësi që çdo ditë të çojmë përpara të gjithë punën që zhvillohet edhe sot, në raport me adoptimin e legjislacionit, me adoptimin e mënyrës së të qenit, e mënyrës së të adresuarit të problemeve që na bëjnë një vend europian me një shtet funksional europian.
Në këtë aspekt është po kaq e rëndësishme të kihet parasysh se të gjithë ato rekomandime, apo kërkesa, apo kushte, – quajini si të doni, – që janë shkruar e zeza mbi të bardhë, në përfundimin e procesit, pas fitores së PO-së në Bundestag për Shqipërinë, nuk janë detyra që ne duhet t’i bëjmë për hatër të Bundestagut, nuk janë as ngarkesa të tepërta për ne. Janë të gjitha rekomandime, kërkesa apo kushte që e bëjnë më të mirë vendin tonë, që i bëjnë më të mira institucionet tona, që i bëjnë më të mira zgjedhjet në Shqipëri, që e bëjnë më të mirë drejtësinë në Shqipëri, që e bëjnë më të drejtë të gjithë procesin e përpjekjes për të bërë drejtësi.
Këtu tek drejtësia dua të kaloj nga Holanda në Shqipëri, nga Parlamenti holandez tek ky Parlament. Dua t’i them Parlamentit tonë se ka ardhur koha që të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve, që nuk e kanë kaluar vetting-un, që e dinin që nuk e kalojnë vetting-un dhe që kanë nxjerrë dhe një tog fjalësh, nuk e di a keni dëgjuar, me njëri-tjetrin K-Ç-K (kap ça të kapësh).
Këtë grupin K-Ç-K, ky Parlament duhet ta shpallë grup në kërkim dhe e them jo në mënyrë metaforike, por në mënyrë të drejtpërdrejtë. Duhet ta shpalli në kërkim me çdo mënyrë, duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu, gjithë sëbashku. Është e kotë t’i bëjmë njëri-tjetrit predikime dhe është e kotë që nga tryezat e opozitës të ngrihemi këtu dhe të fajësojmë qeverinë, apo nga tryeza e qeverisë të ngrihemi këtu e të justifikojmë. Procesi i vetting-ut, për të përfunduar, dihet, do kërkojë ende disa vjet dhe nuk mund të lejojmë edhe disa vite të tjera që prokurorë si ai i Durrësit, gjykatës si ajo në Durrës, apo plot të tjerë si ata të bëjnë kërdinë mbi njerëzit.
Çdo ditë, – nuk e mora telefonin me vete t’ju lexoja një mesazh që më erdhi kur po hyja këtu, – marr mesazhe, siç i merrni ju të gjithë nga njerëz që po çapëlohen nëpër prokurori dhe nëpër gjykata. E dëgjova të nderuarin gojëtar të opozitës, kur po fliste për të mëdhenj e të vegjël, kur po thoshte se shteti është ai që merret me të mëdhenjtë e me të fortët. Jam shumë dakord, por si i bëhet kur shteti, – me shtet, ai kishte parasysh “ne”, por shteti s’jemi vetëm “ne”, janë edhe prokuroritë, edhe gjykatat, që nuk kanë lidhje me ne, – çon në prokurori dhjetëra e dhjetëra sipërmarrje të mëdha, jo të vogla, që bëjnë abuzime skandaloze me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe askush prej tyre nuk mbahet brenda, por përkundrazi paguajnë dhe ikin.
Paguajnë dhe ikin sepse bien në duar prokurorësh që janë K-Ç-K.
Shpallja në kërkim e K-Ç-K-së është objektivi që duhet të kemi ne si Parlament, një orë e më parë. Nuk ka asgjë që neve mund të na ndalojë, ose që mund të na justifikojë përpara njerëzve. Nuk mjafton më, përkundrazi po bëhet bajate. Ndërkohë një grua që më shkruante nga Gjirokastra, e dhunuar nga burri, me urdhër mbrojtjeje detyrohet të përballet me një vendim tjetër të një K-Ç-K-je që vë në mbrojtje burrin, dhunuesin dhe detyron me urdhër mbrojtjeje gruan që t’i hapi derën burrit, se përndryshe gruaja kthehet në objekt i forcave të rendit.
Si mundem unë të mjaftohem duke i thënë se këta janë kriminelë, janë më keq se burri yt, por ti e di që reforma… cila reformë! Reforma kërkon kohë dhe gjatë kësaj kohe janë çdo ditë, viktima nga të katër anët e Shqipërisë të anëtarëve të kësaj organizate kriminale, K-Ç-K. Si bashkërisht ne, jo si qeveri dhe opozitë, jo si palë që njëra palë fajëson dhe tjetra palë justifikohet, por si përfaqësues të këtyre viktimave në Parlament t’i japim K-Ç-K-së nga ky Parlament, me ligj, mesazhin që K-Ç-K -ja është në kërkim?
Askush nuk na pengon dhe ne do ta bëjmë këtë. Ashtu sikundër, ky Parlamet ka arritur të bëjë atë që nuk e ka bërë asnjë parlament i planetit, të shkojë deri në barkun e nënës që ka pjellë njerëz që duan të merren me politikë, vetë nuk shkoka dot deri në barkun e nënës që ka pjellë kriminel?
Për ata që duan të zgjidhen mjaftoka Parlamenti për të kaluar një ligj dekriminalizimi dhe për të ndaluar në kundërshtim me të gjitha ligjet e të drejtave të njeriut, që ekzistojnë edhe me Konventat, edhe me Gjykatën e Strasburgut, – se po mos të ishte kështu, nuk do bënin konsensus që asnjë nga palët mos ta çonte në gjykatë – ndërkohë ata që janë rrugëve, jo vetëm që nuk u hyn gjemb në këmbë, por e kanë bërë prokurorinë si kafene, pasi policia i kap dhe prokuroria i nxjerr pas një kafeje të shkurtër dhe janë edhe të përfshirë në procese grabitjeje të tokave të të tjerëve. Për të marrë tokën e tjetrit, apo për të legalizuar pallate me shtatë kate pa leje, arrijnë që të fusin prokurorin dhe gjykatësen që punojnë për ta.
Atëherë si i bëhet?
Unë e di atë, por deri atje ka një pengesë, është organizata K-Ç-K. Unë do ju sjell këtu prapë, se janë thënë e stërthënë, por prapë janë harruar, sa herë policia ka dështuar në përballjen me gjykatën për vrasës që pasi kanë dalë, kanë rivrarë, përdhunues që pasi kanë dalë, kanë ridhunuar. Nuk janë as dy, as pesë, as dhjetë, as pesëdhjetë, as njëqind, janë qindra. K-Ç-K-ja është grupi më i madh kriminal në Shqipëri sot, me fakte. Prokurorë dhe gjykatës që e dinë që vetting-un nuk e kalojnë dot. Si mundet një prokuror të regjistrojë tokë të dhuruar në emër të gruas, që paska qenë asistente a kontabiliste, apo avokate, nuk e di se çfarë, e dikujt dhe ky dikush regjistron 500 metra dhe prokurori e paska 50 mijë metra. Keni parë ndonjëherë që dhuruesi të dhurojë 100-fishin e gjësë që ka? Keni ju ndonjë krushk, vjehrre, kunat kaq zemërgjerë, sa që t’ju dhurojë 100-fishin e asaj që ka?
Sidoqoftë nuk e ngrita këtë, as për t’ju kërkuar ndihmë juve, as për t’ju thënë se keni ju përgjegjësi në këtë, se s’keni. E ngrita për t’ju thënë që ky Parlament duhet të reagojë ndaj këtyre dy kategorive, në kushtet kur sot jemi në një proces tranzicioni të sistemit të drejtësisë.
Në një proces tranzicioni që do të garantojë në fund një sistem drejtësie që do të jetë i mjaftueshëm. Por që, deri kur sistemi i drejtësisë të jetë i mjaftueshëm, nuk ka garanci për asnjë. Këtë garanci do ta japë ky Parlament, sepse është kollaj ta shikosh nga lartësia e teorive të ligjit vuajtjen e tjetrit. Është kollaj të përgjigjesh nga lartësia e asaj tryeze, duke mos e gënjyer, duke i thënë të vërtetën një viktime, jam me ty, por nuk kam çfarë bëj se këtë e ka drejtësia. Cila drejtësi? Ku është drejtësia?
Këtë ndërhyrje nuk mund ta bëj unë, këtë ndërhyrje nuk mund ta bëjë qeveria, nuk mund ta bëjë askush individualisht. Këtë ndërhyrje mund ta bëjë Parlamenti dhe duhet ta bëjë Parlamenti me çdo çmim. Le të thonë çfarë të duan të gjithë, le të hidhen përpjetë të gjithë, e vërteta është kjo. Nuk ka formulë tjetër përveçse përfundimi i procesit, ecuria me procesin, por njerëzit nuk janë procese. Ajo gruaja në Gjirokastër nuk është proces. Ajo grua, që pret duke u dridhur se, kur i vjen azgani në derë me urdhër mbrojtjeje nga policia, i fut një dru aty dhe pasta sheh sport, nuk është proces. Sikundër ai djali që është atje brenda nuk është proces. Ai është viktimë, ashtu sikundër shumë e shumë të tjerë në Shqipëri, që tani që po flasim përballen me K-Ç-K-në, nuk janë procese. Janë njerëz që vuajnë çdo ditë dhe me siguri, po të ishin njerëz të kujtdo qoftë këtu, nuk do të vuanin, por ata nuk janë të askujt. Ata na kanë ne këtu, bashkë dhe nëse nuk na kanë, ne kot rrimë këtu.
Shembja e pushtetit të K-Ç-K-së dhe nga ana tjetër, vendosmëria transformuar në një ligj special kundër të gjitha atyre që janë me precedentë kriminalë, që janë të përfshirë në aktivitete me krimin e organizuar, që bëjnë të fortin, jo për t’u zgjedhur, por për të zgjedhur çfarë duan ata, duhet të jenë imperativa të këtij Parlamenti. O sot, o kurrë! Shumë shpejt do të sjell këtu ligjet për këtë punë, sepse nuk ka rrugë tjetër.
Kush e ka rrugën tjetër, nëse ka një rrugë më të butë, me kushtin që të mos më thotë është proces dhe me kushtin që të mos më tregojë të drejtat e njeriut për njerëz që nuk meritojnë jo emrin njeri, por nuk meritojnë krahasimin me asnjë kafshë, atëherë jam shumë dakord ta dëgjoj. Përndryshe është një moment historik dhe deri sa të përfundojë procesin e vetting-ut, shteti nuk mund të jetë në mbrojte , as në tërheqje , as në gjunjë përpara këtyre të K-Ç-K-së dhe atyre të tjerëve që shfaqen si të fortë mbi të fortët dhe që telendisin dynjanë, duke pasur K-Ç-K-në në mbështetje.
***
Replika në seancën parlamentare e Kryeministrit Edi Rama:
Ndryshimi mes meje dhe teje, meqë me the që në raport me ty, unë isha shumë më i ngarkuar, është se të dy jemi të revoltuar, por ti nuk ke adresë për revoltën, ose më keq akoma, e ke adresën e gabuar. I the ministres së Financave, “a ke fuqi ti dhe administrata jote të kontrollojë disa që s’po ti jap me emra”.
Unë po të them se ajo dhe administrata e saj i kanë kontrolluar që të gjithë. Unë nuk merrem me emra, se unë konsideroj një nga turpet e mëdha të politikës sonë që përgojon njerëz pa hesap e papushim. Nuk bën vaki në asnjë vend të botës, nuk bën vaki në Maqedoninë e Veriut, nuk bën vaki në Serbi, në Malin e Zi, në Kosovë, në Bosnjë, në Francë e në Gjermani as bëhet fjalë, që njerëz të zgjedhur të shfrytëzojnë foltoren e Parlamentit për të marrë nëpër gojë dhe për të hedhur çfarë u vjen për goje në fytyrën e atyre që merrem me biznes.
Nga ana tjetër po u them që nuk ka në këtë vend asnjë komani, zero, që nuk kontrollohet dhe nuk ka në këtë qeveri asnjë ngurrim për të marrë më të madhin, në rast se gjendet në shkelje dhe për ta çuar përpara ligjit. Jo shumë larg, por shumë pak kohë më parë janë çuar në prokurori një masë e madhe shkelësish, jo biznese të vogla, por përfitues të mëdhenj dhe abuzues të mëdhenj. Me fakte, me miliona e miliona euro të grabitura, duke shmangur TVSH-në. Ku janë?
Janë aty ku ishin përpara se të kontrolloheshin. Sepse k-ç-k-ja ju mori kafen dhe i lëshoi. Unë për këtë fola. Është shumë kollaj të çohesh këtu e të thuash që k-ç-k-ja është këtu e atje, por nuk jemi të gjithë njësoj. Përpjekja për t’i bërë të gjithë njësoj, është përpjekja e atyre që thonë unë i zi jam, por do t’i nxijë të gjithë, që të mos dukem unë. Por nuk jemi të gjithë njësoj.
Unë nuk thashë që jemi të ndarë në këtë vend – se kam thënë kurrë – në engjëj e në djaj, në të bardhë e në të zi. Por po flas për një organizatë kriminale me imunitet kushtetues, me imunitet ligjor, për organizatën kriminale të prokurorëve e gjykatëseve të stërkorruptuar, që e dinë që nuk kalojnë vetting-un dhe punojnë çdo ditë të kapim çfarë të kapim. Po flas për ata. Rasti që solla këtu është një nga qindra rastet që ndodhin rregullisht dhe nuk është as për të qeshur e as për të bërë ironi, se ai vërtet ishte drejtues i hipotekës, por ishte drejtues i hipotekës që nuk iu përkul krimit, sepse ka plot të tillë, fatmirësisht, siç ka jo pak edhe të atillë, por po të mos kishte edhe plot të tillë, të jeni të sigurt që do ishim ku do ishim.
E dyta, u ktheve të Franca dhe Gjermania dhe më tregon nga e para historinë që po të them se nuk ka lidhje. E vërteta është që kështu na thanë e kështu thamë. Bëni këtë dhe këtë dhe do hapen negociatat. Kështu na thanë, kështu shkruan, kështu thamë dhe kështu shkruam këtu. E në fund të fundit bëmë shumë mirë se e bëmë për veten tonë. Nuk e bëmë as për Gjermaninë, se nuk do vijnë gjermanët të merren me k-ç-k-në, as për Francën dhe as Holandën. E bëmë për veten tonë. Procesi i integrimit është për ne, nuk është për ata dhe çdo gjë që bëjmë nga ato që ata na rekomandojmë të bëjmë është për fëmijët tanë. Nuk flasim në emër të Gjermanisë, Holandës e Francës, ne flasim në emër të Shqipërisë europiane. Por Shqipërinë europiane as nuk mund ta shpikim, as nuk mund ta bëjmë ndryshe, përveçse duke iu nënshtruar një procesi që është i sprovuar se të bën një vend europian.
Nga ana tjetër, çelja e negociatave, e para, nuk thashë që nuk do hapen, – që të jemi të qartë. Ia kam lënë Presidentit, ia kam lënë atyre që nuk janë këtu dhe që udhëheqin opozitën, që ta bëjnë ata çdo ditë këtë predikim, të kapën çdo ditë pas llafeve e të mohojnë edhe atë që është në sytë e të gjithëve. Bundestag-u nuk votoi për hapjen e negociatave, por për çfarë votoi, për Kopshtin Botanik? Për çfarë bëri debat e për çfarë votoi? Në qoftë se Bundestagu nuk votoi për të hapur negociatat, për çfarë ishin kundër ata që ishin kundër?
Nuk thashë këtu të bëjmë një vetting tjetër. Vettingu është në rregull dhe po bën gjënë e duhur. Meqë ra fjala sërish për Francën, Gjermaninë dhe Holandën, nuk isha unë, nuk ishim as ne këtu në Parlament, ishin ata që e votuan kundër në Bundestag-un gjermanë, të cilët erdhën vjet e thanë që nuk duhen çelur negociatat se duhen 57 prokurorë dhe gjykatës të kalojnë vetting-un. Pse jo 56, apo 58?
180 kanë kaluar procesin e vetting-ut dhe janë shumë më shumë se 57 që janë rrëzuar.
Kjo nuk mjafton. Nuk mjafton sepse ne nuk kemi bërë detyrën, apo se ata kanë hallet e tyre dhe kanë të drejtë t’i kenë. T’u themi hallet tuaja vijnë pas nevojës sonë? Jo, nuk vijnë mbrapa. Janë Gjermania, nuk është Peqini, Franca nuk është Kavaja. I përmend këto të dyja për ju që nuk dini historinë. Njëherë e një kohë ishte dikush në këtë truallin tonë që thoshte sa të kem Peqinin dhe Kavajën me vete, nuk pyes për Francën. Vetëm për këtë e përmend.
Po ashtu nuk thashë që të bëjmë një ligj tjetër për vetting-un. Thashë diçka tjetër; A ka kuptim që ne mblidhemi këtu në Parlament, përfaqësojmë popullin sovran dhe ndërkohë që, pavarësisht se çfarë bëjmë apo se çfarë themi ne dhe çfarë thuhet në Kushtetutë dhe në ligj, prokurorë e gjykatës të këtij vendi e fillojnë ditën duke grabitur, duke dhunuar, duke poshtëruar njerëzit, që kanë votuar që ne të vijmë këtu në Parlament.
Natyrisht, nëse duam t’i biem shkurt dhe thjeshtë, e kemi shumë kollaj. Ju e keni më kollaj se ne, se ju thoni fajin e keni ju. Futi në burg thonë disa ajo. Ndërkohë që ne mund t’i biem shkurt dhe thjeshtë, me pak më shumë vështirësi, por të themi të vërtetën, ne mund të bëjmë ligje, ne mund të bëjmë reforma, ne mund të bëjmë atë që kemi bërë dhe po bëjmë, të mbështesim pa kushte reformën në drejtësi, por ne nuk fusim njerëz nëpër burgje, sepse nuk e kemi këtë kompetencë dhe s’kemi ndërmend ta marrim këtë kompetencë, sepse përndryshe bie sistemi.
A mund të mjaftohemi me kaq, me K-Ç-K-në , me të fortët që vijnë vërdallë dhe bëjnë ligjin mbi ligjin, duke thënë të presim procesin?
Mbase ju mund të mendoni që mund të mjaftohemi, por unë vetë personalisht nuk mund të mjaftohem. Nuk jam shumë i zoti për të kuptuar mirë sesi funksionojnë konventat europiane, por jam mjaftueshëm i dëgjueshëm dhe mjaftueshëm i tronditur nga çfarë dëgjoj përditë nga njerëz të zakonshëm dhe unë për veten time e quaj kot fare që të vazhdoj të dal në këtë foltore dhe t’i lë në baltë ata.
Prandaj është koha që ne të marrim një masë ekstreme, një masë po aq ekstreme, saç është ekstreme veprimtaria e përditshme e këtyre kriminelëve në prokurori, në gjykata dhe në rrugë, që janë bashkë dhe që bëjnë të njëjtën gjë edhe kur nuk janë bashkë.
Çfarë është një gjykatës që brenda 2 ditësh, në Apel vë në mbrojtje burrin që dy ditë më parë është dënuar si i dhunshëm dhe i ka dalë vendimi që nuk duhet t’i afrohet gruas në një perimetër prej 100 metrash? Ai është kriminel, nuk ka asnjë emër tjetër. Është një kokërr krimineli.
Nëse ajo gruaja do të ishte motra e ndonjërit këtu, e njohura e ndonjërit këtu, apo fqinja e ndonjërit këtu, çfarë do të bënit ju? Do vinit këtu dhe do t’i binit qeverisë. Ose do të vinit këtu dhe do të mbanit një fjalim emocional, që s’do të vlente asnjë fjalë, siç është edhe ky fjalimi im që nuk vlen asgjë, nëse ne nuk veprojmë në këto kushte.
Nuk mund ta lejojmë më që Shqipëria të mos bëjë kapërcimin e fundit historik, në raport me këta palaço në prokurori, në gjykatë dhe në rrugë. Duhet ta bëjmë tani dhe të jeni të sigurt që do ta marrim edhe mbështetjen nga populli, por edhe nga partnerët, sepse nuk shkon më kjo punë. Nuk mund të pres që ai krimineli që i jep burrit urdhër mbrojtjeje nga policia, pasi burri e ka katandisur gruan gjysmë njeriu, të vazhdojë të rri e të bëjë gjykatësin, deri kur t’i vijë vetting-u. Kur të vijë vetting-u, të thotë “kapa çfarë kapa”, nuk jam më i interesuar për të qenë në sistem dhe po dal avokat.
E meqë e keni kaq për zemër Gjermaninë, më thoni mbi ç’bazë, Parlamenti gjerman, që është tempulli ndër më të pakontestueshmit në botë të garantimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, shkruan e zeza në të bardhë, “hetimi dhe dënimi i prokurorëve dhe i gjykatësve që nuk e kanë kaluar vetting-un”.
E kam thënë qëkur e kam mbrojtur këtu Reformën në Drejtësi dhe e them vazhdimisht, kur njerëz të shqetësuar me të drejtë më thonë, çfarë ishte vetting-u, vetëm pushim nga puna, se vetting-u nuk dënon. Vetting-u vetëm pastron, pastaj sistemi që del nga vetting-u dënon dhe ata që kanë dalë jashtë thirren dhe aty duhet të përballen jo me komisionerin që i thotë nuk “justifikon pasurinë tënde”, por me prokurorin dhe gjykatësin që i thotë “ku i gjete lekët”.
Pyetja ime është, a mund të presim 2, 3, 4, 5 vjet, – e dini sa e ka vënë afatin Komisioni i Ligjeve që të mbarojë vetting-u, – ndërkohë që ai që i jep urdhër mbrojtjeje burrit që dhunon gruan të bëjë të njëjtën punë? Apo ai në Durrës, që çon në burg zyrtarin e shtetit mbasi nuk arrin dot ta bindë për të marrë një favor në favor të forcave më të zeza, të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë?
Kjo nuk mund të bëhet. Me çdo çmim, nuk mund të bëhet.
Ashtu sikundër vajtëm deri në pikën që të themi ta bëjmë me ligj që çdokush që do të zgjidhet deputet, kryetar bashkie, anëtar i Këshillit Bashkiak, apo që do të marrë një vend në administratën publike, është subjekt i transparencës deri në barkun e nënës, kur këtë nuk e ka asnjë vend i botës. Me këtë, ne shembëm me një goditje në Parlament, institucionin më garantues, – dhe bëmë shumë mirë, – të të jetuarit në një shoqëri, edhe në komunizëm, edhe në demokraci, që është rehabilitimi i personit pasi është dënuar. Nuk jam penduar që e bëmë, por, kur arrijmë e bëjmë për veten, për të zgjedhurit, sepse, duke i mohuar zgjedhësve të drejtën që të thonë ata se kë duan, duke u thënë përpara se këtë nuk e zgjidhni dot sepse nuk duam ne, nuk e bëkemi dot një ligj special për ata që vrasin, lirohen, dalin përsëri rrugëve, bëjnë të fortin nëpër lagje, shkojnë nëpër qendra qytetesh, futen në mes të bllokut, bëjnë edhe shfaqje?
Në qoftë se nuk e bëjmë ne dot këtë, nuk duhet të rrimë më këtu, të gjithë. Ata që janë në rrugë jo e jo, që të mos keqkuptohemi. E kam fjalën që kjo është çështje vullneti, kjo është çështje vetëdijeje që ka ardhur koha që ne ta ngremë stekën dhe t’i kundërvihemi me forcën më të egër K-Ç-K-së dhe mbeturinave që janë rrugëve dhe që nuk mund të presim që K-Ç-K-ja t’i çojë mbrapa hekurave. Është e pamundur që të pranojmë që njerëzit në këtë vend të kenë frikë të dalin dëshmitarë!
Sot, mbrapa hekurave janë profilet kryesore të krimit të organizuar. I kemi vendosur këtu në Parlament, regjimin e izolimit absolut dhe do ta çojmë deri në fund, të hidhen përpjetë. Do t’i ndërpresim deri në fund, fijet e tyre me botën e jashtme. Ata kanë 30 vite që bëjnë Hollywood-in. Ata i prodhojnë treçerekun e filmave që zhvillohen jashtë. Por nuk mjafton. Ka ardhur koha t’i japim goditjen më të ashpër dhe më ekstreme, të gjithë atyre që nëpër rrugë duan të dallohen nga qytetarët e tjerë se kanë forcën e paligjshmërisë dhe se kanë biografinë e zymtë të botës së krimit.
Përsa i përket zgjedhjeve të lira, unë nuk kam lexuar as në gjermanisht, as në holandisht, as në frëngjisht, apo në çfarë gjuhe tjetër mund të jenë shkruar, por në këto gjuhë jo. Nuk kam lexuar që kërkohen zgjedhje të lira. Nuk kërkon njeri zgjedhje të lira, sepse janë të lira zgjedhjet. Të lira apo jo të lira nuk e përcaktojnë muhabetet tona këtu, por e përcakton OSBE/ODIHR. Kam lexuar që duhet bërë Reforma Zgjedhore, sipas rekomandimit të OSBE/ODIHR-it.
Në rekomandimin e OSBE/ODIHR-it nuk ka as sistem, as nga të tjerat që ju keni të drejtën t’i ngrini, ne kemi të drejtën t’i diskutojmë, nuk ka as votë emigrantësh. Nuk thotë raporti i OSBE/ODIHR-it “vota e emigrantëve”, por ne duam ta bëjmë.
Ama në gjermanisht është shkruar ajo që duhet të kishim bërë me kohë, me vite dhe që në fakt është problemi i vërtetë i sistemit. Nuk është problemi i vërtetë, a do i zgjedhë populli përfaqësuesit drejtpërdrejt me emra, apo do t’i zgjedhe me lista të hapura. Po të ishte kaq e thjeshtë sa e bëni ju, gjithë bota demokratike do e kishte kështu siç thoni ju, por nuk e ka si thoni ju. Asnjë sistem zgjedhor nuk është më i mirë se tjetri, kjo është aksiomë, nuk e kam nxjerrë unë. Po të mos ishte ky sistem, këtu do të kishim më shumë njerëz që do të thoshin Peqini dhe Kavaja janë më të rëndësishme se Franca. Po të mos ishte ky sistem, këtu do të ishte kafja e burrave akoma, siç ka qenë.
Megjithatë këto janë diskutime legjitime dhe mund t’i bëjmë të gjitha diskutimet. Shyqyr, falë këtij sistemi ka ardhur Balli Kombëtar mbas 30 vjetësh këtu, se po të mos ishte ky sistem, Balli Kombëtar nuk do të vinte në Parlament. [Replikë: Ka qenë Balli në ’97-n, kur merrte Myslimi qeleshen e Ballit dhe vinte këtu me votat e veta. Unë po flas Balli, nuk po flas gjoksi që shfaqet si ballë.]
Ajo që ka rëndësi është që rekomandimi nuk ka lidhje me këto. Këto janë tonat dhe ne mund t’i diskutojmë. Shumica na e ka dhënë ne mandatin, që të flasim në emër të shqiptarëve më shumë se ju. Ju keni të drejtën të flisni në emër të atyre shqiptarëve që ju thanë juve votën. Secili flet në emër të atyre që e kanë zgjedhur. Por thelbi nuk është ky. Thelbi është tek rekomandimet dhe ajo që duhet të bëjmë bashkë është që në vend të bëjmë këtë “e ka kush e ka”, të bëjmë reformën me dy shkallë, të kalojmë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në Komision.
Kur kam ardhur në këtë Parlament, kam dëgjuar shumë njerëz që më thonë “harroje” dhe më rezulton që ata janë harruar. Ndaj “Harroje!” është një fjalë që këshilloj të mos e përdoreni.