Në mjediset e Lufthansa Industry Solutions

Lufthansa Industry Solution, kompania më e madhe IT sot në treg, pjesë e grupit Lufthansa, operon prej më shumë se 1 viti në Tiranë. 200 vajza dhe djem shqiptarë, profesionistë në informatikë, punojnë për kompaninë ajrore gjermane, në mjediset e reja të projektuara enkas sipas standardeve më moderne të Bashkimit Europian në hapësirën e Air Albania Stadium.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot, ambientet ku këta të rinj e të reja me talentin dhe punën mbresëlënëse po kthehen në adresë edhe për të tjera kompani të mëdha gjermane. “Janë rreth 200 punonjës që janë specialistët IT, ose zhvillues IT nga më të mirët në vend.”, – u shpreh Administratorja e LHIND, Albana Shkurta.

Perspektiva e kompanisë është të zgjerohet edhe më shumë dhe kjo përmes bashkëpunimit me universitetet. “Pjesa më e madhe e djemve dhe vajzave të punësuar është shkolluar në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre, punën tek Lufthansa e kanë punën e tyre të parë. Ne kemi programe bashkëpunimi me universitetet përmes internshipeve. Në momentin e parë që ata janë duke kërkuar një punë. ose duke bërë internshipin, vendosin një këmbë këtu tek ne. Të gjithë komunikojnë në anglisht, dikush flet edhe në gjermanisht që është avantazh shumë i madh,”- vijoi më tej Zonja Shkurta.

Në një prej mjediseve të kompanisë u zhvillua edhe një takim me pjesëmarrjen online të Drejtorit të  Përgjithshëm të Lufthansa Industry Solution, Bernd Appel. Administratorja e LHIND në Shqipëri u shpreh se investimet e reja në fushën e IT do të synojnë për të krijuar mundësi shumë më të mirë punësimi për të rinjtë shqiptarë dhe për zhvillimin e tyre në karrierë. “Lufthansa Industry Solution është kompania më e madhe IT sot në treg. Ka të bëjë me një zhvillim të viteve të fundit, një zhvillim shumë të madh, do të thoja, në fushën e ICT. Që prej prillit të vitit të kaluar, kjo kompani është 100% pjesë e grupit Lufthansa. Ne jemi duke investuar vazhdimisht në fushën e IT për të krijuar një mundësi shumë të mirë punësimi për të rinjtë shqiptarë, mundësi për zhvillimin e tyre në karrierë”, – u shpreh Zonja Shkurta.

Të rinj të talentuar dhe avantazhet në bërjen e biznesitnnë Shqipëri e kanë bërë aktivitetin e LHIND në Shqipëri, sipas Drejtorit të Përgjithshēm të LHIND, “ një koncept dhe model të suksesshëm”.

“Ne jemi të gëzuar që kemi punonjës me cilësi të lartë, por dhe bashkëpunimi që zhvillojnë me kolegët në Gjermani po rritet e forcohet më shumë. Angazhimi i kolegëve, sidomos atyre të rinj në Tiranë duket qartë që është në rritje dhe është i shkëlqyer. Ky është njē model suksesi. Sigurisht që ka dhe disa avantazhe, të cilat i shohim aty ku punohet, sidomos cilësia e lartë, por dhe kostoja e ulët që në projektet tona kemi mundësi për t’i shfrytëzuar në Shqipëri”, –  u shpreh Zoti Appel, duke nënvizuar se kompania parasheh të zgjerojet më tej në aktivitetin e saj në Shqipëri. ”Në dy vitet e ardhshme, ne do ta dyfishojmë aktivitetin në Tiranë, të bashkëpunojmë me universitetet. Kjo është mundësi realiste për ta rritur aktivitetin tonë”.

Realiteti i Shqipërisë për investime është fare optimal për kompanitë gjermane, u shpreh Kryeministri Edi Rama, duke e vlerësuar këtë investim si një histori suksesi.

“Është jashtëzakonisht mbresëlënëse kjo që shihet këtu, realizimi i kësaj faze të parë të këtij projekti, me kaq shumë vajza e djem të rinj nga Shqipëria, që pa pasur nevojë të lëvizin nga shtëpia e tyre punojnë në këtë mjedis njësoj si të ishin kudoqoftë në Gjermani dhe ofrojnë shërbimin e tyre me një cilësi që konsiderohet nga Lufthansa, që është një nga kompanitë më prestigjoze gjermane, e nivelit më të lartë. Është vërtetë prekëse që zhvillimi njerëzor e profesional i këtyre të rinjve shqiptar ndodh mu këtu, në zemër të Tiranës, falë këtij investimi fantastik të Lufthansa-s dhe angazhimit të saj në Shqipëri dhe falë këtij ndërveprimi shumë të dobishëm, jo vetëm në aspektin e mirëfunksionimit dhe zhvillimit të kompanisë, por edhe në aspektin e rritjes profesionale të të gjithë këtyre të rinjve.

Numrat e të rinjve të punësuar këtu janë vërtetë mbresëlënës dhe është edhe më stimuluese të dëgjosh që kjo është vetëm faza e parë. Albana më informoi që për shkak të coronavirusit keni qenë të detyruar ta mbani pezull kalimin edhe në katin e sipërm ku, me sa kuptova, do të ketë vend për ta dyfishuar numrin e punonjësve. Kjo është diçka fantastike. Ndërkohë që në këtë kat, realisht, në çdo cep mund të ndjesh të njëjtën atmosferë dhe ngrohtësi në një mjedis pune që ndjen në kompanitë prestigjoze gjermane.

Natyrisht, ju nuk keni ardhur të bëni bamirësi, por keni ardhur të fitoni se jeni kompani që punon për të fituar, por dua t’ju shpreh një falenderim të madh për faktin që jo vetëm e zgjodhët Shqipërinë, jo vetëm besoni tek Shqipëria si një vend ku mund të zhvillohen investimet më prestigjoze gjermane, por edhe konfirmoni se keni bërë zgjedhjen e duhur.

Uroj shumë e shpresoj që në ndërkohë të jeni edhe ambasadorët e Shqipërisë në mjediset e biznesit gjerman, ku shumëkish që e paragjykon Shqipërinë për shkak se nuk e njeh, ose e njeh përmes steriotipit të krijuar për njëmijë e një arsye, të dëgjoj drejtpërdrejtë nga ju se realiteti i Shqipërisë për investime është fare optimal për kompanitë gjermane. Për më tepër, unë e kam përsëritur shpesh që ardhja e kompanive gjermane në Shqipëri nuk është vetëm një çështje ekonomike, nuk është vetëm çështje rritje e investimeve të huaja në Shqipëri, por edhe një çështje kulturore që lidhet me sjelljen në Shqipëri të një  kulture të lartë pune, të një kulture të veçantë harmonie dhe disipline përmes harmonisë në punë, të një kulture që ushqen çdonjerin që përshihet në një aktivitet që vjen prej investimeve gjermane që të rritet profesionalisht dhe nga pikëpamja njerëzore si një lojtar skuadre.

Gjermania i ka pasur gjithmonë yjet e veta në futboll, por ka pasur gjithmonë suksesin e skuadrës. Gjithmonë ka ditur që yjet t’i vërë nē shërbim të skuadrës dhe skuadrën ta ketë yllin e vet më të shkëlqyer. Kjo është domethënëse në kulturën e punës së biznesit gjerman. Kjo i bën të rinjtë shqiptarë dhe të gjithë ata që përfshihen në një aktivitet të biznesit gjerman të ndjehen të privilegjuar, të motivuar, të ndjehen pjesë e një historie suksesi.

Shumë faleminderit! Jeni të mirë se ardhur në Shqipëri, siç po e shihni vetë dhe patjetër, unë nuk i kam harruar bisedat që kemi bërë bashkë dhe që keni folur edhe për hapa të tjerë zhvillimi, që natyrisht vijnë më pas. Të gjitha gjërat bëhen me radhë dhe tek bërja e gjërave me radhë, ju jeni më të mirët në botë, prandaj edhe nuk ngatërroheni me këmbët tuaja siç bëjmë ne të tjerët. Por, duke parë këtë investim, jam shumë i motivuar dhe i stimuluar njëkohësisht, edhe për hapat e tjerë, për të pasur më shumë hapësirë ne këtu dhe më shumë prezencë ju me Lufthansa-n dhe për degë të tjera të aktivitetit të Lufthansa-s”.​