Kryeministri Rama ishte sot në komunën e Farkës, nga ku inspektoi ecurinë e punimeve për ndërtimin e shëtitores përgjatë Liqenit të Farkës, një projekt i cili pritet t’i japë zonës një dimension të ri urban.
Ky projekt shtrihet në një sipërfaqe prej 11000 metra katrorë dhe përbën një investim me vlerë prej afro 37 milionë lekësh. Vetë shëtitorja është në gjatësi prej 760 metra linearë.
Projekti konsiston në ndërtimin e shëtitores përgjatë Liqenit të Farkës, dhe përfshin edhe infrastrukturën e nevojshme nëntokësore. Parashikohen gjithashtu ndërtimi i rrugëkalimeve për këmbësorët, si dhe ndriçimi e gjelbërimi.
Ndërtimi i shëtitores do ta shndërrojë këtë zonë në një destinacion rekreativ dhe çlodhës jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për qytetarët e Tiranës. Kryetari i Komunës së Farkës e vlerësoi mbështetjen e qeverisë për këtë investim dhe u shpreh se ky park i ri që shtohet i jep dimension të ri vetë kryeqytetit: “Është një park me perspektivë të gjithë Tiranën. Gjithë shëtitorja ka nënkalime që ujërat e shiut të kalojnë nën të, ujërat e zeza janë me tubacione të përcaktuara. Do të ketë shkurre dhe pemë dekorative.”
Kryeministri Rama u shpreh se me rehabilitimin dhe risistemimin e gjithë zonës së Liqenit të Farkës, kryeqyteti me ndarjen e re territoriale do të ketë më shumë pole zhvillimi dhe një përmasë të gjelbër të re të munguar: “Në fakt në projektin që u bë për Tiranën edhe ky liqen edhe ai i Paskuqanit konsiderohen si pole strategjike zhvillimi, që jo vetëm janë më intensive se sa liqeni i sotëm, Liqeni i Tiranës, liqeni artificial, por edhe për të krijuar një përmasë të gjelbër të munguar. Besoj se me reformën dhe ribashkimin do të jetë shumë më në fokus, por edhe për njerëzit do të jetë shumë më pranë, në kuptimin psikologjik pasi nuk do ju duket sikur po dalin nga Tirana për të shkuar në Liqenin e Farkës.”
Po ashtu Kryeministri bëri të ditur dhe projektin për rehabilitimin e Liqenit Artificial të Tiranës. “Ne kemi dhe një projekt që do të fillojë tani së shpejti të rehabilitimit të liqenit artificial, sidomos të pjesëve të thata, të cilat shikohen si zona atraktive për zaptime, për ndërtime pa leje. Projekti parashikon veshjen e tyre, prishjen e ndërtimeve abuzive dhe në një farë mënyre vendosjen nën mbrojtje përfundimtare të asaj zone. Pas këtij projekti do të vazhdojmë më tutje për të pasur projekte të plota dhe të integruara. Do të fillojmë me pistën e vrapimit te Liqeni i Tiranës, por dhe këtu nuk do të ishte keq të projektohej një pistë vrapi sado e vogël. Është një katastrofë e madhe, aq shumë njerëz ka që vrapojnë, që duan të vrapojnë dhe që nuk kanë asnjë mundësi. Ne duam që pistën e vrapimit tek Liqeni i Tiranës ta bëjmë me tartan në mënyrë që të jetë e qëndrueshme,” u shpreh Kryeministri gjatë inspektimit të punimeve.